
Nga Dr. Veis SELAMI
Sigurimi i jetesës në zonën malore të Buzit krahas mbarshtimit të blegtorisë dhe kultivimin e drithrave është i lidhur edhe me pemtarinë, që përfshin pemët frutore dhe hardhinë. Frutat ndihmojnë në përmirësimin e strukturës së ushqimit, por edhe në rritjen e mirqënies dhe të të ardhurave të familjes. Produktet tipike të zonës si rakia dhe frutat janë të lidhura ngushtë edhe me kulturën dhe traditën e mikpritjes. Qerasja e mikut dhe mysafirit me një gotë raki rrushi, me fruta të freskëta apo të thata ka qënë pjesë e mikpritjes dhe kulturës së zonës. Më poshtë po rreshtojmë elementët që dëshmojnë traditën shekullore të pemtarisë në zonë:
Së pari, prania e pemëve dhe ekzemplarëve të vjetër.
Thuajse çdo familje në zonën e Buzit ka patur të mbjellë pemë të ndryshme sipas zonave në territorin e banesës apo bahcen e vet. Veçojmë këtu traditën për kultivimin e hardhisë në erekë e pjergulla por edhe formimin e tëndave me rrush në ballkon apo avllinë e banesës. Buzjoti ka shfrytëzuar çdo hapsirë toke, ledhe, mezhde për të mbjellë pemë e hardhi, duke krijuar ekosisteme unike për shfrytëzimin racional të tokës dhe mbrojtjen nga erozioni në kushtet e tokave të pjerrta. Dëshmi e traditës së lashtë janë prania ende e shumë pemëve shekullore, si; mani, arra, bajame, dardha, fiku, hardhia, etj.
Së dyti, larmia e specieve e kultivarëve autokton.
Dashuria për pemët, e kombinuar edhe me njohjen e teknikave të shtimit rezulton në përhapjen e më shumë se 2 specieve frutore me një larmi të formave apo popullatave autoktone. Veçojmë grupin e kultivarëve të rrushit si: “Debinat”, “Serinat”, “Pulësi”, “Koridhi” apo “Razakit”. Po kështu janë të përhapur një numër i larmishëm i kultivarëve të fikut me pjekje të hershme ose fiku i lashtë si dhe të Vjeshtës. Falë përdorimit të teknikës së shartimit mbi gorricë nga persona të pasionuar janë përhapur shumë forma të dardhës që krijojne një vargëzim të kohës së pjekjes nga Qershori deri në Vjeshtë e fillimdimri. Po kështu gjenden forma të ndryshme të kultivarëve të ftoit, shegës, arrës, bajames, kumbullës, etj. Frutet e pyllit si vodhëza e thana përbëjnë një burim të rëndësishëm që janë shfrytëzuar nga banorët e zonës.
Së treti, njohja e teknikave të ruajtjes e përpunimit të frutave.
Njohja e teknikave të ruajtjes pas vjeljes dhe përpunimit të fruteve nga banorët e zonës përbën një mundësi për vargëzimin e kohës së përdorimit e shtimin e vlerës së produktit. Zona e Buzit është e mirnjohur për prodhimin e rakisë së rrushit nga pjergullat dhe ereket. Në fshatra të veçanta është prodhuar edhe pekmezi dhe rehania e rrushit. Në traditën e banorëve përfshihet ruajtja pas vjeljes e frutave në mjediset e banesës si një mënyrë e plotësimit të kohës së pjekjes dhe zgjatjen e konsumit të freskët. Në familjet buziote gjeje shegë, ftonj, dardhë të freskëta deri në fund të dimrit, krahas frutave të thata e kaçkave. Në traditën e banorëve është përpunimi i frutave për prodhim receli te ftoj, fiku, kumbulla, etj.
Së katërti, karakteristikat e zhvillimit në kohë të pemtarisë.
Bazuar në veçoritë e terrenit si dhe në traditën e zonës, pemtaria karakterizohet nga forma ekstensive të kultivimit, që nënkupton; shtrirjen e pemëve të shpërndara në hapsirat e mjediseve të bahçeve, si dhe në ledhe apo anës parcelave në formën e tyre spontane. Në këto kushte prodhimi është më i pakët, por i pastër nga mbetjet e pesticideve apo plehrave kimike. Në vitet ‘80 në kohën e ish kooperativave bujqësore u krijuan sipërfaqe të konsiderueshme me blloqe me pemë, kryesisht; mollë e kumbullë, si dhe vreshta në të gjithë zonën. Mbjellja e tyre kryesisht në tokë inproduktive, si dhe mungesat në kryerjen e shërbimeve agroteknike bënë që pemët të degradohen, të vonohet hyrja në prodhim dhe të mos justifikoheshin investimet e kryera. Aktualisht këto blloqe me pemë jane ripyllëzuar nga bimësia spontane dhe nuk kanë më rëndësi ekonomike. Edhe në këtë periudhë, baza e konsumit të frutave dhe kontributin për realizimin e planit ekonomik e jepte pjesa e pemtarisë tradicionale në formën e saj ekstensive.
Së pesti, gjendja aktuale dhe perspektiva e zhvillimit të pemtarisë.
Shpopullimi i zonave pas vitit ‘90 është shoqëruar, fatkeqsisht, me një dëmtim dhe errozion të thellë edhe të pemtarisë. Aktualisht nuk ka të dhëna për sasinë e prodhimit apo numrin e pemëve ekzistuese, por ka evidenca të qarta të rënies së numrit dhe zhdukjes së shumë formave apo kultivarëve autokton të hardhisë dhe pemëve frutore. Kjo situatë është krijuar për shkak të mungesës së shërbimeve minimale agroteknike e përkujdesjeve të treguara ndër breza.
Potenciali i zhvillimit të agroturizmit në zonën e Buzit me përmirësimet e pritshme të infrastrukturës rrugore janë një mundësi më shumë për t’u rikthyer në traditën e kultivimit të pemtarisë me produkte e nënprodukte tipike të zonës me interes për turistët duke u fokusuar në disa drejtime:
-Ruajtja e ekosistemeve ekzistuese si dhe ekzemplarëve të vjetër me pemë e hardhi si pjesë e peizazhit natyror për t’u bërë një atraksion i vizitueshëm nga turistët.
-Ndërhyrjet e menjëhereshme për të ndalur errozionin dhe dëmtimin e mëtejshëm të fondit ekzistues të pemëve e hardhive nëpërmjet shtimit të kujdesit, duke u përqendruar në pastrimin e bimësisë spontane që ka mbuluar pemët e pjergullat dhe punimin e tokës rreth kurorës.
-Aplikimin e përvitshëm të krasitjes në hardhi e pjergulla, duke aplikuar krasitje të përzier, si dhe krasitjen e mirmbajtjen e sistemit mbështetës të hardhive – pjergullave.
-Ruajtja dhe përhapja kryesisht e kultivarëve autokton në rastet e mbjelljeve të reja, nëpërmjet shtimit të tyre me metoda të njohura vegjetative, si; shartime, shtimi me copa e përpaja, etj.
-Ngritja e linjave të thjeshta të përpunimit e ruajtjes së frutave për të siguruar kushtet minimale të standartit dhe higjienës.
-Përmirësimi i mënyrës së tregtimit, përfshi edhe përdorimin e formave tradicionale të paketimit me përdorimin gjerësisht të materialeve tradicionale e rrethanore.




