“Në të ardhmen djemtë dhe vajzat e vendlindjes sime do të jenë edhe më të përgatitur, por disa nga cilësitë  e burrave e  grave të këtij fshati asnjëherë nuk duhen harruar”.

Gramoz Mema

Bardhaj hyn tek grupi i fshatrave të rinj të krahinës së Buzit. Eshtë krijuar me Dekret nr. 7027, dt. 15. 2. 1986 dhe i formuar nga bashkimi i Belicës së dikurshme me një pjese të lagjes Shahaj. Deri në mesin e viteve ‘80 ka qenë lagje e fshatit Luftinjë e Sipërme, ndërsa sot bën pjesë në Njësinë Administrative Buz, Bashkia Memaliaj.

Po ku ndodhet fshati Bardhaj? Kur vjen nga Gllava për në Buz apo dhe anasjelltas, në të djathtë të rrugës Berat-Këlcyrë, te “Lisi i Kajames” atje ku janë vendosur varret e Belicës  në thellësi të 100 metrave shtrihet fshati i bukur Bardhaj. Në tërësi ky vendbanim përbëhet nga banorë të ardhur. Për fisin Memaj flitet se ka ardhur nga Salaria, Nanaj nga Kuqari i Përmetit, Shahaj nga Badra etj. Besimi fetar është ai i sektit bektashi. Si kulte të këtij besimi përmendet xhamia në lagjen Memaj, Mekami i Baba Salos dhe ai pranë varreve të fshatit.

Fiset kryesore të këtij vendbanimi janë: Memaj, Bakaj, Nanaj, Shahaj dhe Memallaj. Bazuar në Regjistrin Themeltar të Gjendjes Civili të vitit 1945, disa nga familjet kryesore janë: Myftar e Musa Hasan Memaj, Qamil Cania, Hekuran, Xhelo e Barjam Qamili, Zaim Cania (1895), Kadri Zaimi, Sinan, Vezir, Veli e Tahir Tefiku, Myrto Haxhi Nanaj (1880), Qemal e Refat Bequa, Ali Myrtua, Xhevit Abazi, Elmaz Shahini, Refat e Eqerem Jonuz Bakaj, Shëndet e Meto Refati, Qani Hazbiu, Adem Idrizi, Adem Dulja, Dine Jonuzi, Sadik e Vero Salaj, Shaban e Hyso Minaj etj.

Në vitin 1989 ky fshat kishte mbi 30 familje me 125 banorë, ndërsa regjistrimet e vitit 2001 do të evidentonin 14 familje, 33 banesa e 68 banorë. Nga statistikat e vitit 1995 del se Bardhaj ka patur 26 familje me  111 banorë, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 6 familje : Ali Nanaj, Veli, Ylli e Barjam Mema, Fatmir e Gesti Shaha.  Ka rreth 74 ha tokë bujqësore, prej të cilave 50 ha arë. Duke qenë një vendbanim i shtrirë  mes fshatrave të Buzit, Luftinjës, Gllavës, Komarit e Selckës, banorët e hershëm kanë hequr e vuajtur nga pushtimet e ushtrive të huaja. Në Luftën e Parë Botërore ushtritë austrohungareze, italiane e greke, krahas djegies e plaçkitjeve kanë torturuar e masakruar edhe njerëz të këtij fshati. Kanë marrë pjesë në formacionet e rregullta të LANÇ: Musa Mema, Elmaz Shahini, Shaqo Cane Mema, Tahir Mema, Kadri Mema,  Murat Mema, Elmaz Nanaj, Sadik Idriz Bakaj, Gani  Nanaj etj. Njëri prej partizanëve të  fshatit, Sadik Bakaj,  ra në fushën e nderit.

Bardhaj, duke qenë afër qendrës së Buzit, arsimimin e fëmijëve dhe shërbimet e tjera i ka pasur më të garantuara. Në vitin 1965 hapet shkolla fillore me mësues të parë Niko Kondrololin e Jorgo Licin nga Gjirokastra. Në vazhdim kanë dhënë mësim mësuesit Muhamet Baka, Qemal Merdani, Kareman Mema, Petrit Dyrmishi, Ahmet Kasëmi, Serie Mema, Petrit Mema etj. Si mësues i parë, dalë nga ky fshat, është Kareman Mema. Ai  punoi me vullnet e këmbëngulje në arsim e në sektorin e postë-telegrafës Buz, ndërsa pas viteve  ‘90 emigroi familjarisht në SHBA. Në sektorin e shëndetësisë kanë shërbyer punonjëse nga jashtë fshatit e më vonë Valentina Mema.

Vlera në historinë e këtij vendbanimi paraqesin edhe toponimet e shumta, si: Lisi i Kajames, Kroi i Mehmetit, Hija e Komarit, Qafa e Murrizit, Sheshi i Madh, Sheshi i Vogël, Ara e Muços, etj.

Njerëzit e këtij fshati,  dikur pjesë e qeverisjes vendore Luftinjë e Sipërme e më vonë Selckë e Buz,  kanë meritat e tyre jo vetëm  në arritjet  ekonomike, por edhe në forcimin e konsolidimin  e bashkëjetesës në krahinë. Kanë drejtuar më zotësi e humanizëm fshatin e tyre: Tahir Mema, Asqeri Mema, Avni Shahaj, Refat Memallaj etj. Kanë punuar me ndershmëri e përgjegjshmëri në sektorë të ndryshëm dhe kanë mishëruar vlerat e punonjësit model të shtetit: Gramoz e Kareman Mema në telekomunikacion, Flamur Mema në ushtri, Serie Mema në tregti etj. Vlera do të manifestonte edhe veterineri i palodhur Astrit Baka. Ai, për vite të tëra, do të punonte në Sinanaj, ndërsa sot është në Tiranë. Për cilësi të rralla duhen vlerësuar edhe ata që u larguan para viteve ’50, si: Baki e Resul Kaso Shahaj. Ata dje e fëmijët e tyre sot kanë manifestuar qëndrime e sjellje të denja. Duke nderuar vendlindjen  dhe rrënjët e fisit të tyre, kanë mbeten shembulli më i mirë edhe për brezat e ardhshëm.

Të ndershëm, punëtorë dhe qytetar të përkushtuar vazhdojnë të mbeten njerëzit e fshatit Bardhaj, në Tiranë, Kamëz, Sarandë, Memaliaj e kudo ku i hodhën rrjedhat e viteve ‘90. Të tillë janë dhe ata që kanë emigruar në Greqi, si: Ladi Nana, Artur e Flamur Mema, Hetem Shahaj, djemtë e Refat Memallaj, Kareman Mema në Amerikë etj. E për ta mbyllur historikun e këtij fshati, le të themi dy fjalë për emrin Belicë. Nuk marr përsipër të sqaroj se cili ka qenë shkaku i zëvendësimit të tij me emrin Bardhaj, por në fjalorin e gjuhës shqipe belicë quhen qershitë. Ky toponim ka rrënjë të hershme. Në Strugë të Maqedonisë së Veriut apo më mirë të themi në afërsi të liqenit të Pogradecit, janë dy fshatra me emrin Belicë të populluara në shumicë nga shqiptarët. Interesante është se emërtimet Badër e Belicë, që ndodhen në krahinën e Buzit, i gjejmë edhe në trevat shqiptare të Maqedonisë së Veriut.