“Në mëndjen e zemrën time janë: “Meka ime” Maricaj, Shëndëllia e Trebeshina shekullore”. Bekim Muke ARAPI

Rrotull malit të Shëndëllisë janë vendosur shumë fshatra, por Maricaj kryeson mes tyre, sepse hyn te grupi i vendbanimeve më të vjetra. Sipas historikut që ndodhet në Muze, ky fshat duhet të jetë krijuar rreth shekullit IV ose V të erës sonë. Cilësohet si më i hershmi në zonë dhe më i banuari nga një komunitet me tradita të lashta lirie dhe atdhetarie. Ka qenë gjithmonë me lokalitetin apo komunën Buz, ndërsa aktualisht pjesë e Njësinë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj. Ndodhet në verilindje të Tepelenës, në lartësinë 600 m mbi nivelin e detit. Kufizohet me Arrzën e Madhe, Kurtezën, T. Martallozin, Vagalatin dhe me hapësirat e malit Shëndëlli.
Prejardhjen e emrit, legjenda e shpjegon me emrin e “Marisë apo Marigosë”, por në historikun e fshatit jepet edhe një variant tjetër. Emri Maricaj mund të ketë lidhje me lumin Marica, një toponim ky sllavo-bullgar, apo me betejën e Maricës në Traki. Beteja e Maricës ka ndodhur në vitin 1371. Ka qenë një ndeshje mes sundimtarëve të Ballkanit dhe pushtuesve osmanë, zhvilluar në luginën e lumit Marica.38 Në këto zona flitet që maricjotët të jenë vendosur me punë apo të përfshirë në luftërat ku shqiptarët shpesh nuk kanë munguar. Krahas kësaj teze, fakti që Maricaj shtrihet në krahët e Shën Ilias (Shëndëllisë) dhe në brendësi të shpellës Saliaj (kishës) ndodhet një portret që simbolizon Shën Marinë, duhet pranuar edhe varianti që Maricaj bën pjesë në grupin e emrave të krishterë. Në vitin 1937, Parlamenti shqiptar në kuadër të zëvendësimit të toponimeve këtë fshat e emërtoi “Merjani”.
Fiset kryesore të maricjotëve janë: Demiraj, Jeniçeraj, Veizaj, Taraj, Kasaj, Zekaj, Meçaj, Muskaj, Gjylaj, Saliaj, Shehaj, Cenaj, Arapaj, Gucaj, Hamzaj, Manaj, Myftaraj, Beshikaj, Jenishaj, Velaj, Kalemaj,Vrekaj, Seranaj, Sadikaj, Tringaj etj. Nga të gjitha këto grupime, Jeniçeraj mbetet më i vjetri dhe një emërtim i rrallë për trojet shqiptare. Ai duhet të ketë lidhje me kohën e gjatë ku shumë maricjotë, përfshirë edhe Veiz Ali Jeniçeraj, kanë shërbyer në ushtrinë osmane. Formacionet ushtarake të jeniçerëve, si më të përgatiturit e më të besuarit e Perandorisë, kishin në radhët e tyre edhe shqiptarë. Edhe pse në vitet ‘30 të shek. XIX ndodhi shthurja e tyre, fisi Jeniçeraj në Maricaj përfaqëson vlerat më të mira të këtyre njësive, si trimërinë, burrërinë e zotësinë. Nga fisi Jeniçeraj, nënvizon Tefik Cenaj, kanë dalë lagjet: Cenaj, Myftaraj, Sadikaj dhe Jenishaj. Edhe Demiraj njihet si fisi më i lashtë, nga gjiri i të cilit ka dalë njëri prej trimave të Ali Pashës. Në Maricaj Pashai i Tepelenës kishte ndërtuar shtëpi-kështjella për bashkëluftëtarët e tij. E tillë ishte ndërtesa dykatëshe e Demir Çumanit. Krahas familjeve autoktone, në Maricaj ka pasur edhe të ardhur nga Mezhgorani, Kurveleshi, Rabia, Lazarati, Gjirokastra, Mallakastra e Skrapari. Prej këtij të fundit është edhe fisi Mino, i cili pas çlirimit do të ishte pjesë e fshatit Kurtez. Largimet e banorëve nga fshati Maricaj kanë qenë të shumta edhe para shek. XIX. Kanë emigruar në Turqi mbi 20 vetë, nga të cilët nuk u kthyen 7 vetë. Në Amerikë ishin Bektash Meçe, Adem Arapaj, Berjam Sadikaj, Abaz Shehaj, Mehmet Beshikaj, Isak Shehaj, Sadik Seranaj, Hetem Demiraj, etj., ku këta tre të fundit nuk u kthyen. Një pjesë e maricjotëve janë vendosur në Sevaster e Gorisht të Vlorës, të tjerë në Berat e Myzeqe. Nga fisi Jeniçeraj, familja e Kadri bej Jeniçerajt dha një kontribut të çmuar për zhvillimin me sukses të Kongresit të Lushnjës. Ai do të ishte pjesëmarrës aktiv edhe në kryengritjen e Fierit 1935, ndërsa antifashisti dhe komandanti i xhandarmërisë në Bubullimë të Lushnjës, Idriz Veiz Vrekaj, do të jepte kontribut edhe gjatë LANC.
Për lashtësinë e fshatit Maricaj flasin gjetjet arkeologjike dhe toponimet : Mali i Shëndëllisë, Shkëmbi i Gjonit, Shkëmbi i Braçes, Lalistani, Shkëmbi i Saliajve e i Sulos, Gropa e Pusit, Bolishova, Gjimarati, Shullëri, Varri i grekut,Varri i partizanit etj. Në vendin e quajtur Shkëmbi Saliaj, nga eksplorimet e bëra në vitin 1960 janë gjetur dy shpella me thellësi mbi 20 m. Në hyrje të tyre ishte një mur mjaft i vjetër. Mendohet se aty ka qenë një vendbanim fisesh. Në brendësi të shpellës muret ishin të mbushura me piktura, ndërsa dyshemeja me dy mbishkrime me shkronja helene. Më tej ekziston edhe një thellësi tjetër, por e paeksploruar, e cila mund të ketë qenë vendbanim asketësh. Rreth shpellës janë gjetur qeramika. Rrënoja të padatuara ka patur edhe te Bregu i Gjahtarit, në Lalistan, te Sheshi i Gucajve etj.
Tek toponimet e këtij vendbanimi shquajnë ato të fesë kristiane, si: Shëndëllia (Shën Ilia), Kroi i Dhimajt, Shkëmbi i Gjonit, Shtëpia e Kaurit, Maja e Gjikondës, Qafa dhe gropa e Deçkës, varrezat e të krishterëve te Rrapi i Varreve etj. Edhe dy emërtimet: “Kryqi i Sipërm” e “Kryqi i Poshtëm” shprehin në mënyrë simbolike ekzistencën e kishës dhe të kryqit. Ndërsa vende kulti të fesë islame janë: Xhamia në qendër të fshatit, dy mekamet, teqetë bektashiane e shehate etj. Në Teqenë e Maricajt kanë shërbyer 4 klerikë të arsimuar në Turqi. Baba Musai ishte i pari që themeloi teqenë, ndërsa Baba Veliu, Baba Feimi dhe Baba Islami shërbyen më pas. Në vitin 1942 ndërtohet Tyrbeja ku prehen eshtrat e tyre. Komuniteti bektashian i fshatit Maricaj dallohet nga tërë fshatrat e Tepelenës dhe më gjerë, sepse Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit me qendër në Stamboll, Dede Fejziu ishte nga Maricaj.
Nga banorët e zonës dëgjon fjalët të mira jo vetëm për 4 klerikët bektashianë të këtij fshati, por edhe për Sheh Sali Ali Shehun. Ai, i arsimuar në Turqi, cilësohej si njeri me integritet e autoritet të padiskutueshëm, i cili ishte edhe bazë e LANÇ. Ndërsa partizanin Baba Iliaz Shehun, këshilli i komunës Luftinjë e nderoi me titullin “Nderi i Komunës”. Vlerësime janë bërë edhe për Baba Mane Seranaj, Dervish Haki Vrekaj, etj.
Mariciotët para shekullit XIX e XX kanë emigruar në Turqi, Amerikë, Greqi e në vende të tjera. Shkuan në kurbet e nuk u kthyen më: Isak Shehu, Sadik Seranaj dhe Hamit Demiraj. Ndërsa Petref Sadik Sadikaj arsimohet në Turqi, krijoi familje atje dhe kryen detyra të larta në administratën shtetërore turke deri në Ministrinë e Financave.
Kanë pasur prona e çifliqe në Janinë: Limo, Hyso e Ali Vrekaj, Veli, Ceno e Sulo Gucaj, Bektash Tringa, Rustem Shehaj, Sadik Sadikaj etj. Falë kontributit të kurbetllinjve e të disa familjeve të pasura, Maricaj para vitit 1900 ka qenë një qendër e mbledhur, me institucione fetare të konsoliduara, me dyqane e shtëpi të ndërtuara bukur e me planimetri. Në mes të fshatit, shkruan Sadik Sadikaj, ishte xhamia, ndërtuar me pllaka guri, ku mblidheshin burrat e lagjeve kryesore. Aty ishte edhe dyqani i Shaqo Shehut me ortak Koço Kaurin nga Mbrezhdani i Këlcyrës. Dyqan kishte ngritur edhe Jonuz Alizoti dhe Muhamet Meçe, të cilët plotësonin nevojat e banorëve. Këto e gjurmë të tjera për zhvillimin e fshatit Maricaj do të bënin që disa këtë vendbanim ta quanin një “Stamboll i vogël”, të tjerë “ ballkoni i bukur” në krahët e Shëndëllisë.
Maricjotët në të gjitha ngjarjet e mëdha historike kanë manifestuar vlera patriotizmi e atdhetarie. Nga burrat më patriotë e më trima përmenden Malo Tringa, Demkë Maricaj, Rrapush Seranaj, Rakip Saliaj, Zaçe e Musa Beshikaj, Durko Myftari, Islam e Muharrem Gjylaj etj. Këta e shumë të tjerë do t’i gjejmë edhe në radhët e luftëtarëve të Tafil Buzit e Fejzo Arrzës. Për Zaçe Beshikun, nënvizon Sadik Sadikaj, di që ka qenë ushtarak në ushtrinë turke dhe ka rrojtur 120 vjet. Po kaq vjet ka rrojtur edhe Durko Myftari. Për llogari të Perandorisë osmane, shtatë maricjotë shkojnë ushtarë në Jemen, nga të cilët vetëm dy kthehen, të tjerët vdesin nga temperaturat e larta.
Shovinistët grekë kanë ardhur dy herë në Maricaj e po dy herë e dogjën fshatin. Bashkë me shtëpitë është djegur edhe Zylfi Muskaj. Kur kurdiseshin plane për copëtimin e Atdheut, kur Arrzën e kish zaptuar greku e Maricajn italiani, këndohej kënga: “Italia me Greqinë, /Merren vesh e ven e vijnë, /Që të ndajnë Shqipërinë”. Në Luftën e viteve 1914 e 1920 kanë marrë pjesë: Zenel Jenishaj, Veis Vrekaj, Sinan e Luto Shehu, Adem Arapi, Sulo Seranaj, Qazim Saliaj, Kamber Hamzaj, Veliko Muskaj, Ismail, Xhafer e Musa Gucaj, Xhelo e Ismail Manaj, Shefit Gjylaj, Ali Demiraj, Mehmet Ali Beshikaj, Alisha Myftari, Sulo Gucaj, etj. Në përballjet me armikun janë vrarë apo kanë vdekur në burgje: Musa Guci, Ismail Velaj, Seit Lakaj, Musa Beshiku, Veiz Vrekaj, Qazim Saliaj, Xhafer e Muharrem Gucaj, Sinan Shehaj, Hysen Saliaj, Hysen Bilo Sadikaj etj. Grekët arritën të digjnin në furrën e bukës Zenel Jenishin, ndërsa Xhelo Mehmet Manen e vranë barbarisht. Kur forcat italiane, të pozicionuara në territoret e fshatit Maricaj, bombardoheshin nga greku, mariciotët largohen muhaxhirë në Mallakastër, Vlorë e Fier. Edha në Luftën e Vlorës, Alisha Myftari e mariciotë të tjerë treguan trimëri. Lufta italo-greke në vitit 1940-1941, përplasjet më të mëdha do t’i kishte edhe në hapësirat e fshatit Maricaj. Eshtë plagosur rëndë Ibrahim Guci, ndërsa vite më pas nga armët e mbetura do të plagoseshin Abaz Beshiku e Maliq Guci. Në radhët e LANÇ morën pjesë mbi 18 partizanë, nga të cilët dy janë dëshmorë të atdheut: Skënder Arapi e Lulo Vreka.
Në këtë luftë u plagosën Jashar Shaqir Beshikaj, Izet Qazim Saliaj, Kamber Alisha Myftaraj, Laze Zenel Shehaj dhe Islam Abedin Cenaj. Në historikun e fshatit Maricaj, nënshkruar nga Myslym Guci, Muharrem Ademi dhe ish-mësuesi Nesip Kaci, nënvizohet se Këshillin Nacionalçlirimtar e ka drejtuar Luto Braho Shehaj. Anëtarë të këtij këshilli kanë qenë: Haredin Ali Demiraj, Bektash Meçe Meçaj, Bilo Xhafer Gucaj, Haki Barjam Beshikaj, Adem Durko Myftaraj e Xhelo Mane Jenishaj, ndërsa komanda e vendit drejtohej nga Rushit Habib Gucaj, Sulo Hamza Guci e Sejdin Murat Meçe. Në operacionin e Qershorit 1944 janë djegur shtëpitë e Sheh Salos e të fisit Beshikaj, ndërsa gjermanët në Qafën e Miricës do të pushkatonin Hyso Alizot Velaj. Kanë fituar statusin e të dënuarit politik: Haki Lime Vreka e Bilo Sulua.
Popullsia dhe teritori:
| Vitet | 1923 | 1927 | 1945 | 1969 | 1979 | 1989 | 1995 | 2001 | 2017 |
| Banorët | 292 | 310 | 424 | 347 | 453 | 473 | 424 | 171 | 92 |
| Familjet | 64 | 69 | 95 | 74 | 81 | 98 | 95 | 43 | 23 |
Ka një sipërfaqe prej 711 ha tokë , nga të cilat 212 ha arë, 46 ha pemishte, 319 ha pyje, 28 ha kullota etj. Në Maricaj sot(2021) banojnë rreth 20 familje, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë vendosur në Tiranë e me dhjetëra të tjera kanë emigruar në Greqi, Itali e Amerikë. Në Tiranë janë mbi 50 familje mariciote, në Sarandë e Durrës 11, në Vlorë 10, në Fier e Tepelenë 14, në Përmet 4, në Memaliaj 3 etj.Nga fshati Maricaj rrugën e emigracionit e kanë provuar mbi 120 vetë (në Greqi 40, në Itali 8, në Amerikë 8, në Kanada 10, në Gjermani 6, në Francë e Irlandë nga 3 etj).
Mariciotët, si njerëz të kurbetit, do të dalloheshin edhe për dije e kulturë. Ata kanë bërë përpjekje për t’u arsimuar në të gjitha kohërat. Në vitet e para të shek. XX në fshat kishte mbi 15 burra që dinin turqisht dhe greqisht. Njerëzit e këtij fshati për të mësuar shkrim e këndim në gjuhën shqipe fillimisht shkonin në fshatin Arrëz, si: Ali Demiri, Dilaver Meçe, Halil Sadikaj, Qazim Saliaj, Jashar Beshikaj, Hajdër Shehu etj. Shkolla fillore hapet në shtator 1944 me rreth 22 nxënës me mësues djalin e fshatit Sadik Sadikaj, ndërsa në vitin 1945 me mësues Izet Saliaj.
Në shtator të vitit 1945 rihapet zyrtarisht shkolla fillore me mësues shkodranin Ndoc Gega, ndërsa 7-vjeçarja më 1960 me drejtor gjirokastritin e talentuar, Niko Pano. Në vitin 1985 në Maricaj do të kemi shkollë të mesme me drejtor Petrit Llaka. Shkolla e mesme e bashkuar “Skënder Arapi” do të ishte një qendër e madhe mësimi dhe edukimi. Në vitin 1988 numri i nxënësve arriti mbi 254, ndërsa në vitin 1992 në 245. Disa nga drejtuesit e këtij institucioni kanë qenë: Niko Pano, Genc Karagjozi, Thanas Hoda, Hetem Çela, Demo Guci, Petrit Llaka, Gëzim Rredhaj, Pëllunb Bodeci, Ceno Zyli, Baki Myftari,Gëzim Guci, Lulo Vreka, Petrit Sulejmani e Irena Jaupi. Një kontribut të çmuar në arsimimin e mariciotëve kanë dhënë mësuesit e ardhur nga rrethe e vende të tjera, si: Nesip Kaçi, Sotir Sotiriu, Nikita Bollano, Dhimokrat Cami, Petro Baruta, Arif Ahmeti, Kastriot Kadhe, Spiro Draçi, Jorgo Kuromeno, Halil Qendro, Jorgo Mërkuri, Dhiogjen Jorgo, Pellumb e Violeta Bodeci, Krenar Shehu, Mimoza Saka, Mynyr e Engjëllushe Lamkaj etj., si dhe mësuesit e fshatit : Sali Shehu, Demo, Gëzim, Petrit, Qerime e Vlbona Guci, Islam Gjyli, Lulo e Ilmi Vreka, Baki e Lulëzime Myftari, Floresha, Hatixhe e Shaze Seranaj, Dallendyshe Velaj etj. Në sektorin e arsimit në Tepelenë e më gjerë kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar edhe bij të tjerë të këtij fshati, si: Asaf Salia, drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” Mimoza Hamzai, fizikani Mehmet Beshikaj, vajza e Myslym Hamzait dhe Gëzim Gucit, etj.
Krahas arsimit, në fshatrat rrëzë Shëndëllisë rritej e forcohej edhe sektori i shëndetësisë. Qendra shëndetësore, me infermierët e hershëm Alush Shehu, Barjam Koshi, Koço Mano dhe më pas ndihmësmjeku Veli Danaj, Qazime Meçaj, Nadire e Razie Shehu e Lavdie Myftari ndodhej gjithmonë pranë njerëzve. Aty ka punuar edhe farmacisti Luman Boni, dentistët Sara Draçi, Petrit Hasani, Teuta Çarçani etj. Në vitet 1983-1984 shërbeu mjeku gjirokastrit Thanas Bashari, por kulmi i rritjes së standarteve të kujdesit shëndetësor arrin në periudhën 1984-1990, kur në fshatrat rrëzë Trebeshinës e Shëndëllisë do të shërbente i kudondodhuri dr. Ylli Ziçishti. Ai, me përkushtimin maksimal ndaj punës, me aftësitë e larta profesionale e me humanizmin dimensional ndaj njerëzve do të mbetet mjeku legjendë e i papërsëritshëm jo vetëm për buzjotët, por edhe për Tepelenën e më gjerë. Edhe pse Këshilli i Komunës Luftinjë e ka nderuar me titullin “Nderi i Komunës”, figura e dr. Ylli Zicishtit më shumë duhet vlerësuar e promovuar, sepse ai vlerat më të mëdha i tregoi pas ikjes së tij. Në radhët e shëndetësisë shqiptare radhiten me dinjitet edhe mjekët e palodhur maricjotë: ish shefi i seksionit të shëndetësisë Tepelenë, dr.Muharrem Saliaj, dr. Bashkim Beshikaj, Ardian Hamzaj, Qazim e Dorinda Saliaj e me dhjetëra specialistë të tjerë që punuan me përkushtim në këtë sektor, si: Muharrem Ademi, Nazmi Velaj, Pëllumbeshë e Lule Beshikaj, Qazime Mecaj, Drita Vrekaj, Natasha Saliaj, Nazo Gucaj etj.
Më 14 prill të vitit 1956 krijohet kooperativa bujqësore me kryetar Kamber Myftarin. Më pas kemi krijimin e kooperativës së bashkuar Maricaj, ku në përberje të saj ishin edhe fshatrat Arrëz e Madhe, Vagalat, T. Martalloz, Xhafaj dhe Dervishaj. Kjo ekonomi bujqësore, për vite të tëra, do të drejtohej nga biri i fshatit Bektash Hamzai e më pas nga Razi Kapllani e Bekim Hoxha. Me dhjetëra specialitë nga Saranda, Gjirokastra e Tepelena kanë kontribuar e shfaqur vlera në mbarëvajtjen e punëve. Grupin më të madh do ta përbënin ekonomistët e talentuar: Hiqmet Goxharaj, Mihal Prasa, Zaho Kuka, Gjolek Velaj, Agim Avduli, Ferdinand Shehu, Idajet Begaj, Petrit Merkaj etj. Në degën e prodhimit bujqësor e blegtoral do të punonin me përkushtim specialistët : Dhionis Nini, Agim Shehu, Tomas Tuholli, Jorgji Qiqi, Pashun Memisha, Sate Aliaj, Pëllumb Velaj, Bashkim Dida, Xhevat Allkaj, Kamber Velaj, Gëzim Guci, Bashkim Cela etj. Këta e specialistë të tjerë, edhe pse vitet më të dashura të rinisë së tyre i kaluan larg familjeve, në lartësitë e Trebeshinës e Shëndëllisë ndjenin edhe kënaqësi, sepse treguesit në prodhimet bujqësore e blegtorale do të shënonin vetëm rritje. Maricaj, krahas bujqësisë e frutikulturës, zhvillimin më të madh e pati në sektorin e blegtorisë. Për rezultate të larta në tërë Jugun u dalluan blegtorët e talentuar të kësaj ekonomie, me në krye Heroin e Punës Socialiste Barjam Beshiku dhe brigadierin legjendë të këtij sektori, Myslym Habibi. Ky i fundit për vite të tëra do të drejtonte edhe pushtetin në fshat. Në rang ekonomie pushtetin e drejtuan: Yzeir Hoxha, Fatmira Duraj, Astrit Qemalla, Bashkim Rrapi, Abaz Duraj, Kamber Velaj dhe Lulo Vreka. Si drejtues të hershëm të pushtetit përmenden Durko Myftaraj, Ali Demiraj, Teme Sulo Seranaj, Haredin Demiraj. Ky i fundit ishte i zgjedhur edhe në këshillin e qarkut. Theksojmë se këshilli i fshatit Maricaj, me dekretin nr. 2715, dt. 9. 07. 1958, është dekoruar edhe nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë.
Maricaj ka dy Heronj të Punës: Sejdi Meçen dhe Barjam Beshikun, ndërsa në forumet më të larta të partisë në rreth ky fshat ka qenë më i përfaqësuari, duke filluar me Bektash Haredinin, Bardhul Saliaj, Sherif e Mystahak Toraj etj. Në të gjitha kohërat Maricaj ka patur intelektualë e specialistë që u janë besuar detyra të rëndësishme në administratën shtetërore. Disa nga këto vlera po i paraqesim të grupuara sipas profileve, inxhinierët : Agim, Kujtim, Shemsi, Hamza, Gjolek e Dritan Gucaj, Sulo Hamzai e Bujar Mecaj; ekonomistët : Vito Beshikaj, Velisha, Ilmi e Luan Hamzai, Ferdinand Kalemi, Vladimir Meçe etj. Mbi 30 maricjotë kanë shërbyer në radhët e ushtrisë e policisë së shtetit, nga të cilët edhe oficerë madhorë, si: Servet Shefit Demiraj, Skënder e Nuredin Myftari, Faslli, Jashar, Kujtim e Pëllumb Vrekaj, Faik, Fadil e Hasan Guca, Tefik e Hysen Cena, Shaho, Hodo e Qani Hamza, Ismail Sadik Velaj, Bekim Arapi etj. Janë dekoruar për mbrojtjen e kufijëve të Atdheut: Qani Veiz Jeniçeraj, Mehmet Tare Vrekaj, Tefik Rakip Cenaj etj. Nder ta renditet edhe Hekuran Ramadan Mino, djali i familjes Mino me origjinë nga Therepeli i Skraparit, partizan i Çetës “Selam Musai” në Brigadën VI-të S, i cili mbas luftës u vendos në Korçë dhe shërbeu në forcat e kufirit.
Njëri nga nëpunësit më të hershëm, me orgjinë nga fshati Maricaj, ka qenë edhe Petref Sadikaj, të cilit i janë besuar detyra të larta drejtuese në institucionet finaciare në Turqi. Në qytetin e Tepelenës, me detyra në administratën shtetërore, nga radhët e mariciotëve kanë qenë shumë: Muharrem e Bardhul Saliaj, Hodo e Myrteza Hamzai, Ferdinant Kalemi, Vladimir Meçe, Zylfie e Gëzim Guci dhe çiftet Xhevit e Lindita Manaj, Agim e Dituri Sadikaj, etj.
Vlerësimet për mariciotët i gjejmë në kujtime e shkrime të shumë intelektualëve dhe gazetarëve. Mirënjohje të thellë kanë shprehur për këtë trevë: dr. Ylli Ziçishti, Pashun Memisha, Agim Avduli, Petrit Llaka, Zaho Kuka etj., ndërsa drejtori i zonës, Thanas Hoda, do të shkruante: “Atje ku fillon mali i Shëndëllisë gjendet Maricaj. Ka rreth 100 shtëpi. Njerëzit janë arsimdashës dhe shumë bujarë. E presin mikun me gjithë zemër dhe e nderojnë siç duhet. Në vitin 1968, në atë fshat malor, fillova punën si drejtor zone. Gjatë qëndrimit tim pata një bashkëpunim korrekt me drejtuesit: Bektash Haredini, Kamber Alishau, Qani Cibuku, Myslym Hamzai, Hënë e Merushe Beshikaj, Gëzim Velaj, Myslym Dero, Feti Binaj, Dino Hoxha, etj.
