HISTORIK I SHKURTËR I SHOQATËS 

Shoqata “Tafil Buzi” është krijuar me 17.06.2002, datë që mban Vendim Nr. 282 i regjistrimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqsor Tiranë. Grupi themelues përbëhej nga Sadik Bejko, Eqerem Xhelili, Kujtim Çibuku, Ramadan Çelaj, Abedin Kalemi, Ferrik Danaj, Kujtim Kreci, Et’hem Bakaj, Ferrik Selmani, Mylsym Mindaj Seit Ajazi. Kryetar i parë i Shoqatës u zgjodh z. Sadik BEJKO. Shtatë vite më vonë, me vendimin Nr 282/1, datë 28.04.2009 regjistrohen disa ndryshime në organet drejtuese të Shoqatës dhe shtim anëtarësimesh të reja, sipas vendimit Nr 1, datë 20.03.2009 të Mbledhjes së Përgjithëshme të Asamblesë. Pjesë e vendimarrjes së mësipërme, krahas disa ndryshimeve në organet drejtuese dhe futjen në Shoqatë të anëtarëve të rinj, si Eqerem Osmenaj, Eqerem Lalaj, Asim Brahimaj, Limo Pazaj, Diana Kalemaj, Besnik Meta, Musa Xifaj, Izet Binaj, Sulo Hamzaj dhe Bardhyl Rredhaj është dhe zgjedhja e z. Eqerem Osmenaj si kryetar i Shoqatës, kurse z. Sadik Bejko emërohet kryetar Nderi i Shoqatës “Tafil Buzi”. Gjithashtu zv/kryetar zgjidhet z. Ferrik Danaj, ndërsa Sekretar, z. Eqerem Lalaj. Ndryshimet e fundit i përkasin vitit 2022. Me vendimin nr 282/2, datë 27.12.2022, Gjyqatari Arben Konstandini  vendos “depozitimin në Regjistrin e Organiztave Jofitimprurëse, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqsor Tiranë të Proces – Verbalit të mbajtur në mbledhjen e  datës 18.09.2022 nga Mbledhja e Përfaqësuesve të Asmablesë së Shoqatës “Tafil Buzi” për zgjedhjen në strukturat organizative të Shoqatës. Sipas Proces – Verbalit të Kësaj mbledhje, Kryetar i ri i Shoqatës “Tasfil Buzi” u zgjodh z. Medin DURO, i cili është njëkohësisht dhe Drejtor i Gazetës “Trebeshina”. Në pozicionin e zv/Kryetarit zgjidhen z.Asim Brahimi dhe z.Bukurosh Hajdini, Sekretar i Përgjithshëm zgjidhet z. Asim Lamaj, Sekretar për Rininë, Bashkim Brahimi, Sekretare për Gruan, Hava Muçollari, Konsulent financiar, Asim Lamaj.

Qëllimi i Shoqatës “Tafil Buzi” është të njohë, studiojë, mbajë gjallë dhe të propagandojë kulturën, arsimin, traditat, zakonet, folklorin, ndjenjën e atdhetarizmit dhe të luftës për liri, pavarësi e demokraci të buziotëve.

Të evidentojë kontributin e figurave të shquara sipas periudhave të ndryshme historike dhe të ngrejë në një shkallë më të lartë ndërgjegjien atdhetare për forcimin e unitetit të kombit në tërësi dhe veçanërisht ndërmjet buziotëve në kushtet e sotme të zhvillimit e përparimit të mëtejshëm demokratik të vendit.

Të  njohë dhe propagandojë veprimtaritë social-ekonomike të krahinës; arsimin, kulturën, ekonominë, biznesin, etj., dhe sipas mundësisë të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve të krijuara në dobi të mirëqënies së përgjithëshme.

Të studiojë dhe vendos në shërbim të progresit të sotëm, rolin dhe ndihmesën e buziotëve në të gjithë historinë e çështjes shqiptare.

Të përkujtojë dhe nderojë të rënët e krahinës, në luftrat për liri, pavarësi e demokraci, si dhe të evidentojë e propagandojë figurat e shquara të bijve dhe bijave të saj si politikanë, shtetarë, studjues, shkencëtarë, krijues, artistë, etj.

Sensibilizimi i opinionit publik, për nevojat e ndihmës, kujdesit ndaj krahinës së Buzit për integrimin e saj në nivelet e zhvillimit bashkëkohor të vendit, përbën një ndër objektivat kryesor të Shoqatës.

Një nga drejtimet kryesore të Shoqatës “Tafil Buzi” është të mbajë gjallë tek çdo bijë e bir i saj, përfshi dhe ata që kanë lidhje gjaku në këto troje, krenarinë dhe dinjitetin e të qenit buziot për traditat e shkëlqyera patriotike e social-kulturore, kohë pas kohe.

Shoqata ka zërin e saj në median e shkruar, në Gazetën “Trebeshina”. Ajo do të jetë tribuna e mendimit të lirë të të gjithë buziotëve kudo që janë, duke pasqyruar historinë, traditat e lashta dhe kulturën e zonës sonë, problemet dhe shqetësimet e banorëve të tij, gjëndjen e resuseve natyrore si dhe përpjekjet për ruajtjen e pasurimin e tyre. Gazeta do të denoncoje ashpër të gjithë ata faktorë apo persona që abuzojnë e përfitojnë në mënyrë jo të ligjshme nga pasuritë e krahinës sonë, të krijuara e ruajtura nga brezat e të parëve tanë.

 

Kush është z. Medin DURO,

Kryetar i Shoqatës “Tafil Buzi”

Medin DURO ka lindur në 01 shkurt 1953 në Arrëz, Tepelenë. Arsimin 8-vjeçar e kreu në vendlindje. Arsimin e mesëm e nisi në vitin 1968 në Shkollën Profesionale të Prrenjasit për “Gjeologji-Miniera” dhe përfundoi në vitin 1972. Për dy vite pas përfundimit të shkollës së mesme, në periudhën 1972-1974, kryen detyrën e teknikut gjeolog në veprën hidroenergjitike të Fierzës.

Në vitin 1974 fillon studimet e larta në Univertistetin e Tiranës, Dega “Gjeologji-Miniera”, të cilat i mbaron në vitin 1978, pas përfundimit me sukses të të cilave fiton profesionin “Inxhinier Gjeolog”.

Për 14 vite rresht, nga 1978 deri në 1992 emërohet në Minierën e Qymyrgurit Memaliaj, ku kryen njera pas tjetër, në periudha të ndryshme kohore, detyrën e Inxhinierit Geolog, Përgjegjësit të Sektorit dhe Drejtorit të Minierës, duke ngjitur njera pas tjetrët shkallët e karrierës, si teknicien profesionist dhe drejtues i spikatur, në një nga sektorët më të vështirë të ekonomisë së vendit në atë kohë. Gjurmët e punës së suksesshme dhe arti i të komunikuarit me punëtorët apo specialistët, në varësi të detyrave që kryente, do ta edvidentonin si një ndër kuadrot më të rëndësishme, jo vetëm në nivel lokal, por dhe në atë kombëtar. Zotësitë profesionale dhe cilësitë e larta të karakterit përbënin binomin e këtij suksesi në punën dhe jetën e tij shoqërore.

Këto ishin disa nga arsyet, që në vitin 1987 do të zgjidhej edhe deputet i Kuvendit Popullor, detyrë të cilën e kryen për 5 vite rresht, deri në vitin 1992. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe do të përzgjidhej edhe në krye të një grupi specialistësh të fushës për thellimin e njohjes dhe eksperiencës profesionale, në minierat e njohura qymyrgurore të Francës, pse jo dhe të nxitjes së interesit të tyre për të kooperuar apo investuar në Minierën e Memaliajt.

Ndryshimet politike të ’91-shit i gropsën këto ëndërra e projekte në thellësi të galerive, ndërkohë që zotësitë dhe aftësitë e z. Medin DURO, do ta vinin përballë sfidash të reja, të cilat ai do t’i përballonte sërish me sukses.

Kësisoj emër të mirë do linte dhe punë të suksesshme do të bënte ai, si i zgjedhur në detyrën e zv/kryetarit dhe kryetarit të Këshillit Popullor të Rrethit Tepelenë, nga viti 1992 deri në vitin 1996. Përkushtim i plotë, paanësi politike, disiplinë e lartë ligjore, marrëdhënie korrekte me organet eprore të pushtetit dhe qeverisjes qëndrore; ishin disa nga aspektet e kryerjes së kësaj detyre të rëndësishme publike në shërbim të komunitetit Tepelenas.

Në kulmin e trazirave të ’97-ës do të dilte përfundimisht nga dyertë e zyrave  shtetrore, për t’ju përkushtuar biznesit privat plotë 21 vite me radhë, deri në vitin 2018. Sërish i suksesshëm dhe këtu, sërish i mirënjohur; i rrethuar me punë e rezultate, që t’i jep zotësia dhe cilësitë e larta të karakterit.

Edhe pse prej 5 vitesh në pension, vazhdon të jetë po aq aktiv e energjik, sa dhe punët shtetrore e private që ka kryer kohë pas kohe. Këto energji pozitive dhe vlera që mbart në vetvete, i ka vënë së fundi, edhe në funksion dhe të rigjallërimit të Shoqatës “Tafil Buzi”, i zgjedhur si kryetar i saj, para pak javësh.

Postimet të fundit