FJALË PËRSHËNDETËSE E KRYETARIT TË SHOQATËS “TAFIL BUZI”
Medin DURO

Të dashur buziotë kudo që ndodheni; në vendlindje, brenda kufijve shqiptarë apo në shtete e vende të tjera të botës!
Dëshiroj të ndaj me ju një lajm të gëzueshëm, që lidhet me krijimin e faqes së internetit të Shoqatës “Tafil Buzi”. Më së fundi, edhe Shoqata jonë arriti të përfitoj nga kjo mrekulli teknologjike, që i bën gjithnjë e më të afërt njerëzit me njeri-tjetrin, duke shkurtuar distancat shpirtërore, gjografike dhe hapsinore.
Finalizimi i kësaj nisme bashkëkohore, të ideuar dhe udhëhequr nga z. Feti ZENELI, u bë i mundur falë sponsorizimit të z. Hetem BARJAMI, birit të Gllavës, i pranishëm me biznesin e Vila SOFIA në krahinë e vendlindje.
Siç dihet, në fund të vitit të kaluar, Shoqata “Tafil Buzi”, mbushi 20 vite që kur është krijuar dhe ka hyrë në vitin e 21-të të jetës dhe veprimtarisë saj. Gjatë gjithë kësaj periudhe Shoqata, brenda mundësive reale që ka patur, qoftë në aspektin intelektual, ashtu dhe atë financiar, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të bashkuar buziotët, duke evidentuar anëtarësinë dhe duke krijuar disa degë të saj. Megjithatë, shumë buziotë brenda dhe jashtë vendit tonë ende nuk janë bërë pjesë përbërëse e këtij organizmi institucional. Ndërkohë, që shumë nga degët e krijuara kanë nevojë të ristrukturohen. Nuk funksionon dega në qytetin dhe fshatin Memaliaj, një absurditet ky, po të kemi parasysh faktin, që Kahina e Buzit është Njësi Administrative e Bashkisë Memaliaj. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Beratin, me të cilin krahina e Buzit ka patur lidhje të gjithanëshme miqësie e tregëtie. Po kështu, listës së degëve të Shoqatës në qytetet e mëdha i mungon Vlora, Elbasani, Saranda, etj. Nga ana tjetër, është krijuar një degë në Greqi, por mund të krijohen dhe më shumë, siç mund të filloj kjo punë edhe në Itali e shtete të tjera europiane ku ka emigratë buzitë.
Po kështu, janë programuar e zhvilluar aktivitete të ndryshme për promovimin e vlerave më të mira atdhetare e kulturore të Krahinës së Buzit, që lidhen me figurat më të shquara të zonës, të cilat kanë bërë emër në historinë e largët dhe të sotme të fshatit, të krahinës e të vendit, por edhe përtej kufijve shqiptar.
Veprimtaria dhe puna më e rëndësishme e bërë deri tani në këtë drejtim është mundësimi i vendosjes së bustit të Tafil Buzit në qendër të Krahinës dhe bashkëpunimi me institucionin e Presidentit të Republikës për nderimin e figurës së tij me medaljen “Nder i Kombit”. Por krahina ka edhe figura e ngjarje të tjera, natyrisht jo në nivelin e Kapedan Tafilit apo luftës së tij antiosmane, që gjithësesi duhen kujtuar e nderuar si shembuj frymëzimi për të ardhmen.
Një nga mësimet më të mëdha të historisë, traditës dhe kulturës sonë shumëshekullore është, që vështrimin ta hedhim sa më larg përpara. Ndaj, që të vështrojmë sa më larg, duhet të ngjitemi sa më lart, në majën e malit të historisë buziote, që mban emrin Tafil Buzi. Sa herë shkojmë e mbidhemi rreth bustit të tij në qendër të Buzit, në fakt jemi ngjitur në këtë majë historie e krenarie të ligjshme. Po kështu edhe ne kur mblidhemi aty, nuk jemi thjeshtë vetvetja, por jemi fëmijë, nipër e mbesa; pra trashgimtarë të tij dhe shumë stërgjyshërve, gjyshërve, prindërve me vlera, që rrezatojnë fuqishëm në panteonin e traditës, kulturës dhe historisë shqiptare.
Ndërkohë, nga fjalët tek veprat duhet të shkojmë shpejt, me besim nderues e premtues në punët që do bëjmë dhe gjurmët që do lëmë, pas vetes.
Parë në këtë këndvështrim, Shoqatës i mbetet shumë për të bërë. Në objektivat e veprimtarisë së Shoqatës është përcaktuar platforma e kësaj pune për vitin dhe periudhën në vazhdim. Gjithësesi pasurimi i tyre mbetet objektiv i vazhdueshëm; pra “objektiv mbi objektivat”. Në numrin e kaluar të Gazetës “Trebeshina” (Nr 67), ne publikuam disa nga këto objektiva të Shoqatës “Tafil Buzi”. Ndërkohë, në mbledhjen e kryesisë të fillimshkurtit, para pak ditëve, krijuam disa grupe pune për ndjekjen dhe realizmin e çdo objektivi të caktuar.
Objektivat janë të shumta e të ndryshme, që rrokin tërë spektrin e veprimtarisë së Shoqatës, e cila nuk do rreshti së punuari për përmbushjen e misionit të saj kryesor, që është bashkimi i të gjithë buziotëve kudo që ndodhen, brenda dhe jashtë vendit, pa dallime partiake, rreth vlerave më të mira që ndajmë prej shekujsh me njeri-tjetrin.
Më mirë se deri më sot Shoqata jonë duhet të punojë me të rinjtë buziotë dhe dashamirësit e saj (që edhe pse nuk janë nga zona e Buzit, i lidh diçka me këtë krahinë me tradita) për t’i afruar e për të dhënë edhe ata kontributin e tyre.
Por mbi të gjitha duhet të përmirësojmë mjetet e propogandimit të punëve që bëjmë dhe vlerave që kemi, të cilat i nisëm me gazetën “Trebeshina” dhe po i avancojmë me prezantimin e faqes së internetit ose uebsite-n e Shoqatës “Tafil Buzi”.
Le të shërbej kjo faqe e internetit, ashtu si Gazeta “Trebeshina” dhe çdo rrjet tjetër social komunikimi, për të forcuar më shumë lidhjet shpirtërore, për të mbajtur të ndezuar ndjenjën e atdhedashurisë e të patriotizmit, duke i bërë gjithnjë e më shumë vend në kujtesën tonë vendlindjes, njerëzve mes të cilëve na ka kaluar fëmijëria dhe rinia, për të rritur e forcuar më shumë ndjenjën e bashkimit dhe mirëkuptimit mes njeri-tjetrit apo duke u sjell me kulturë e maturi, siç u ka hije buziotëve, që të shmangim çdo keqkuptim politik, partiak a shoqëror. Ajo që duhet t’na bashkojë të gjithëve duhet të jetë krahina jonë, mbushur plotë histori, tradita, solidaritet e miqësi.
Parë në këtë këndvështrim, Faqja e Internetit do të ketë rolin e saj të veçantë. Mbetemi shpresëplotë, se ajo do t’i jap mundësinë çdo buzioti, që duke e shfletuar; të shuaj mallin me kujtime, të informohet për ngjarje e zhvillime të ndryshme në jetën e krahinës dhe çdo banori të saj, të publikoj histori familjare me impakt publik, të shkuara e të sotme; ta përdor atë jo thjeshtë për t’u zbavituar e për të kaluar kohën e lirë, po edhe për qëllime studimore apo veprimtari krijuese, etj.





