Të mos e harrojmë vendlindjen tonë të dashur, vendin ku u lindëm, u rritëm, ku krijuan familjen dhe nisëm rrugët e jetës! Hysen SELMANI

Dikur Xhafaj ishte lagje e T. Martallozit, ndërsa pas viteve ‘50 del fshat më vete. Me ndarjet administrative të vitit 1992 ai do të kalonte në varësi të ish Komunës Buz, ndërsa sot pjesë e kësaj Njësise Administrative, Bashkia Memaliaj. Kur merr rrugën për në qendrër të Buzit, sa lë fshatin Dervishaj, lagjet që përshkohen disa herë nga makina me të cilën udhëton janë të fshatit Xhafaj. Ai nga veriu kufizohet me Kurtezën e Buzin qendër, në lindje me Maricaj e T. Martallozin, në jug me Dervishaj, ndërsa në Perëndim me Badrën. Xhafaj, nënvizon Muzafer Muka, fshat tribun ku si në pëllëmbë të dorës shfaqet Lugina e Luftinjës, Trebeshina e Shëndëllia, malet e Labërisë etj. Ky vendbanim, me njerëzit punëtor e mikpritës shpreh vetëm dashuri e mirësi.
Gjetjet arkeologjike në Xhafaj përfaqësohen nga pllaka të mëdha varresh. Tek Bregu i Varreve gjenden varreza të rrethuara me mur guri. Tubat prej qeramike të një ujësjellësi të vjetër tek Lisi i Cenes, qeramikat e shumta te Bregu apo Pusi i Lumanit etj dëshmojnë për hershmërinë e këtij vendbanimi. I pasur është ai edhe në fushën e toponimeve, si: Çuka e Kaluçit, Përroi i Kolës, Gropat e Qemallajt, Përroi i Fierit, Rrapi i Hamzos, Sheshi i Shefitit, Ara e Çobanit, Vidhima, Gjolet etj.
Sipas enciklopedisë ky toponim thuhet se e ka prejardhjen nga emri Xhafo. Një banor i fshatit Zgërbonjë, ardhur për arsye hasmërie në shekullin XV, edhe pse emrin e kishte Xhovalin, njerëzit i flisnin shkurt Xhafo. Ai, pasi ka vendosur autoritetin në këto territore, fitoi edhe të drejtën që ky vendbanim të merrte emrin e tij.
Në Xhafaj ka dominuar besimi kristian. Vende kulti të këtij besimi janë rrënojat e Kishës te Bregu i Xhafajt, Kisha e Meçit dhe toponimet Përroi i Kolës, lagjja Koçiu etj. Bektashizmi mbetet besimi kryesor i banorëve të sotëm. Disa objekte kulti të këtij besimi janë: Mekami i Dervish Hajdërit, Lisat e Mirë etj. Më 1 tetor të çdo viti organizohet festa e fshatit, ku njerëzit mblidhen te Tyrbeja e Dervish Hajdërit. Pasi vendosen në krah të njëra-tjetrës, kuvendojnë, çmallen e forcojnë më tej bashkëjetesën mes tyre edhe pse koha i ka shpërndarë brenda e jashtë Atdheut.
Banorët e fshatit Xhafaj janë dalluar gjithmonë për vlera atdhetarie, për qëndresën e pamposhtur ndaj bandave shoviniste greke dhe pushtuesve të tjerë. Në përballjen me grekun e italianët luftoi me trimëri edhe biri i këtij fshati, Mehmet Selmani, i cili në vitin 1920 pushkatohet nga italianët dhe sot gëzon satusin “Dëshmor i Atdheut”.
Një listë më e plotë rreth patriotëve të këtij fshati që mbështetën Luftën e Vlorës e ngjarje të tjera historike ndodhet në arkivin e Komitetit të Veteranëve Tepelenë, nga të cilët veçojmë: Sefedin Zeqir Selmani, Halim Selman Selmani, Hamza Selim Qemallaj, Adem Banush Koçiaj, Gani Hamit Koçiaj, Veli Dervish Qemallaj, Hodo Medin Cacaj, Ramadan Resul Koçiu, Sabri Veliko Dervishi, Hetem Ismail Dervishi, Teme Dino Selmani etj. (Lista e firmosur nga Xhevit Koçiu, Hysen Selmani e Novruz Likaj).
Kur flitet për kontributin e dhënë gjatë LANÇ duhet evidentuar edhe pëkushtimi i Mustafa Matohitit, i cili do të jepte një ndihmë të veçantë në krejt zonën e Buzit. Pjesa më e madhe e partizanëve të këtij fshati u inkuadruan në Brigadën VI Sulmuese. Nga radhët e tyre ranë në fushën e betejës tre djem në lulen e rinisë, të cilët sot gëzojnë statusin e Dëshmorit të Atdheut: Flamur Caca. Barjam Selmani e Feim Osmani.
Në komandën e vendit ishin: Hamza Selim Qemalla e Shyqyri Adem Koçiaj, ndërsa Hysen Selmani jepte kontributin e tij edhe në këshillin krahinor të zonës që drejtohej nga Elmaz Nexhip Beçaj.
Madhështinë krahinës së Buzit në epopenë e Luftës nacionalçlirimtare, krahas partizanëve e dëshmorëve të atdheut, ia dha edhe biri i fshatit Xhafaj, partizani i Brigadës VIII Sulmuese, trimi që preku kufijtë e legjendës, Elmaz Teme Bilbili. Aktin e tij heroik gjatë prerjes së krahut pa narkozë, shkrimtari Naum Prifti do ta përjetësonte në tregimin “E pabesueshmja”, kurse Maliq Lila do ta lartësonte në vargje: “Ngreu o Elmaz Temja/Të do burrëria. Krahu yt-mbetur/Peng te liria”. Edhe Shyqyri Ruçi, për heroin e luftës e drejtuesin gojëmbël të Tepelenës, herë pas here shprehet me mirënjohje: “Kujtoj me dhimbje burgun e Elmaz Teme Bilbilit, i cili gjithë jetën punoi, shkroi dhe nderoi me dorën e majtë, sepse krahun e djathtë ia fali lirisë”. Një rrugë në qytetin e Tepelenës mban emrin e Elmazit, ndërsa djali i tij, mjeku i Vladimir Bilbili në vitet 1996-2000 do të drejtonte Bashkinë e qytetit Tepelenë.
Më poshtë do të japim disa nga familjet kryesore sipas fiseve të fshatit Xhafaj:
Në Koçiaj kanë ardhur nga Arrëza e Madhe e Buz Kalemaj. Familjet më të vjetra janë: Dane Resuli (1879), Hysni Resuli (1885), Adem Banushi (1865), JasharAdemi (1895), Gani Hamiti (1890), Bektash Resul Koçia (Asllan,Nasip, Xhevit, Ethem Koçia), etj.
Në Qemallaj e Cacaj : Ali Hyseni (1872),Hamza Selimi (1900), Shefit Bektashi (1912), Hodo Medin Caca (1827), Ilmi, Xhevdat, Sulo, Habib, Asaf e Petrit Caca. Në Osmanaj: Hazbi Hamit Osmanaj(1898), Estref e Refat Tahir Osmanaj, Hysni Shahin Osmani etj.
Në Selmanaj: Sefedin Zeqir Selmanaj(Muharrem, Ahmet, Syrja e Servet Selmani), Halim Selman Selmani, Arif Halim Selmani, Teme, Mehmet e Hysen Selmani etj. Në Hamzaj: Brahim e Sabri Tarja. Nga Xhafaj janë dhe Muhamet dhe Ferrik Alushi.
Në Dervishaj: Ruçaj, Celaj, Ciçaj. Theksojmë se Dervishaj gjatë viteve ‘80 shkëputet nga Xhafaj dhe formon fshat më vete.
Xhafaj në vitin 1969 e gjejmë me 290 banorë, më 1979 me 353, më 1989 me 413, më 1995 janë 40 familje e 227 banorë, ndërsa në regjistrimet e vitit 2001 ishin 47 banesa, 33 familje dhe 192 banorë. Ky fshat ka mbi 400 ha tokë bujqësore, nga të cilat 163 ha arë, 6 ha pemishte, 4 ha ullishte e diferenca tjetër pyje e kullota.
Shkolla fillore u hap më 1953 me mësues Flamur Goxhita nga Gjirokastra. Në vitet e para, shumica e mësuesve kanë qenë të ardhur nga rrethe e fshatra të tjerë si: Jani Nako, Kristo Zoto, Piro Zhei, Jorgo Lule, Fotaq Shajko, Thoma Loli, Hazbi Llaka, Ramadan Merdani, Andromaqi Zhonga, Vasil Paguna, Myftar Zaçe, Myzafer Didaj etj. Mësuesi Fotaq Shajko u martua me infermjeren e fshatit, vajzën e Hysen Selmanit. Pas viteve ‘70 edhe Xhafaj do të kishte mësuesit e vet, si: Ferrik, Dudë e Fisnike Selmani, Shqiponjë, Flamure e Rafete Osmani, Valentina Caca etj. Arsimin 7-8-9- vjeçar nxënësit e këtij fshati e kanë ndjekur në shkollën e Buzit e të T. Martallozit. Nga gjiri i banorëve të Xhafaj kanë dalë me dhjetëra specialistë me arsim të mesëm e të lartë. Disave, falë përgatitjes e aftësive të tyre, u janë besuar detyra drejtuese në institucione e në administratën shtetërore.
1.Ferrik Selmani, mësues e drejtor shkolle në Buz, Luftinjë e Tiranë, inspektor në Drejtorinë Arsimor Tepelenë.
2.Sami Osmani, mjek e drejtor në spitalin e Lushnjës.
3.Hetem Qemalla, inxhinier në Minierën e qymyrgurit Memaliaj, shef i seksionit të industrisë në Tepelenë dhe drejtor në minierën e Valiasit Tiranë.
- ystehak Selmani, kryetar i këshillit të komunës Buz, drejtor në Drejtorinë e bujqësisë Tepelenë.
5.Vesel Koçiu: Kryetar i komunës Ksamil, Sarandë.
6.Astrit Qemalla, drejtues i organeve të partisë e pushtetit në Maricaj.
7.Tefik Caca, kryetar i komunës Buz.
8.Engjëllushe Caca (Lala), inxhiniere ndërtimi dhe drejtuese në zyrat e projektimit në bashkinë Tepelenë e në Qarkun Gjirokastër.
9.Servet Selmani, drejtues i shërbimeve komunale Memaliaj etj.
Kanë përfunduar studimet e larta për mësuesi: Razie e Rezarta Qemalla, mjekja e specializuar në Gjermani Valentina Qemalla, inxhxhinie Juliana Qemalla, informaticienia Enxhi Qemalla etj. Edhe në sektorin e shëndetësisë kanë punuar e sakrifikuar shumë punonjës, duke filluar nga infermierë Andrea, Leonora,Vitori e Kushulla Selmani, Adush Alimema, Barie Myrtaj, Liri Koçiaj, Manushaqe Caca etj.
Nuk mund të mos nënvizojmë vlerat e një nëpunësi të hershëm të Gjendjes Civile Buz, sikurse ishte Hysen Selmani, kontributet e drejtuesve të pushtetit të këtij fshati : Ramadan Resuli, Brahim, Xhevit e Sokol Koçiu, Xhevdet, Petrit e Selime Caca, Mane Osmani, Haki Ahmeti, Tame Osmani, Nebi Brahim Hamza, i cili me Nalon nga Golemaj lindën, rritën dhe edukuan 9 fëmijë. Familjet e fiseve në Hamzaj, Osamanaj, Qemallaj, Cacaj, Koçiaj e Selmanaj kanë qenë gjithmonë të nderuara dhe të respektuara.
Fshati Xhafaj ka nxjerrë punonjës policie model si Asaf Caca, i cili në tërë vitet e karrierës së tij u dallua për qetësinë e përkushtimin në detyrë. Të tillë ishin edhe Abedin Selmani, i cili punoi pa u lodhur në Shkodër e Tiranë, Hetem Shefit Qemalla në Fier etj. Detyrën e shenjtë të punonjësit të policisë po e ndjekin edhe moshat e reja: e bija e Asaf Cacës, Alida Caca (Doda) e cila shërben me përkushtim në Portin e Sarandës, Anisa Bekim Qemalla në Drejtorinë e Policisë Fier dhe Ervin Astrit Qemalla në Qarkun Gjirokastër.
Njerëzit në Xhafaj i ka përshkuar ndjenja e mirëkuptimit, mikpritjes dhe e përgjegjësisë për mbarvajtjen e punëve. Një pjesë e mirë e tyre, për vite të tëra, do të punonin me vetmohim edhe në minierën e qymyrgurit Memaliaj, si: Asllan, Resul, Shyqyri, Hetem e Halit Koçiu, Selim, Myrteza e Demir Qemalla, Estref e Refat Osmani, Ilmi Caca, Ahmet Selmani etj. Nga “heronjtë” e heshtur të minierës së qymyrgurit, Adem Koçiu meritonte edhe më shumë vlerësime. Mekaniku i kudondodhur, montatori i Vaut të Dejës dhe i zgjedhuri në forumet kryesore të Tepelenës, me punën, sjelljen dhe përkushtimin e tij në minierën e Memaliajt, në fshat e kudo, ishte dhe mbeti një nga vlerat e çmuara të fshatit Xhafaj. Ndihmuan në hartimin e këtij historiku zotërinjtë Ferrik Selmani, Astrit Qemalla, Sokol Koçiu, etj.
