“E kam ndierë kurdoherë si një detyrim moral evidentimin e vlerave atdhetare e patriotike të trevës që më lindi e më rriti”. Limo Paza

Fshati Izvor ndodhet në veri të Tepelenës. Ka qenë gjithmonë me krahinën e Buzit, ndërsa aktualisht pjesë e Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj. Fillimish ky vendbanim mijëravjeçar thirrej “Burimas”, por sllavët  në gjuhën e tyre  e quajtën  “Izvor”, i cili ka kuptimin e një vendi me ujë. Toponime të tilla gjejmë edhe në rrethin e Vlorës, në Maqedoni etj. Në vitin 1937 Parlamenti shqiptar vendosi që këtë emërtim sllav ta zëvendësojë me emrin e bukur shqip, Burimas. Vendbanimi i parë ka qenë Mihasi, atje ku edhe sot gjenden gjurmët e një zone të banuar. Izvori ishte fshati me territore të thyera e tepër të gjera në tërë zonën. Shtrihej në boshtin e vargmalit me të njëjtin emër, në lartësinë 984 m mbi nivelin e detit. Në vijë të drejtë fillonte me Majën e Zezë të Zhapokikës dhe vazhdon drejt veriut deri në lartësitë e Allkomemajt e Rabies. Ka një gjatësi shtrirjeje të madhe. Në perëndim të tij shfaqen fshatrat Zhapokikë, Kamçisht, Xhaxhaj, Levan e Rabie, ndërsa në lindje Luftinja e Sipërme e Gllava. Kodrat e Izvorit kanë një reliev të ashpër me dy përthyerje. Mund të themi se, sikurse shprehet në mënyrë figurative mësuesi veteran i këtij fshati z. Rushit Sulozeqi, ato ngjajnë me trupin e një kali, i cili duke u varur poshtë luginës duket sikur do të zgjasë kryet për të pirë ujë në lumin e Luftinjës.

Izvori dikur ka qenë i formuar nga pesë lagje, të ndara nga njëra-tjetra nga qafa që ulen drejt luginës Luftinjë. Nga Qafa e Bregut e deri te Qafa e Rrokos shtrihej lagjja Likomet e përbërë nga tre fise:  Likometi, Çelaj dhe Solozeqi. Nga Qafa e Rrokos e deri te Qafa e Avdijes, ku natyra ka krijuar edhe dy përrenj të fuqishëm e një luginë të bukur, shtrihej lagjja Mihas me dy fise kryesore (Mihasi e Ruçi). Nga Qafa e Avdijes e deri te Qafa e Memëgjatës shtrihej lagjja Oruçi. Ndërsa Pazaj kufizohej me Likometin e Mihasin, të cilat i ndante përroi i Zomos e i Zhavarit. Kur përshkruan shtrirjen e kësaj  lagjeje, madhështore ngrihen kodrat nga jugu në veri, të cilat fillojnë me Majën e Gorricës në lartësinë  993 m dhe vazhdojnë me Majën e Bregut, të Korrilës e  të Gradishtës. Në këtë hapësirë ndodhen Çuka e Plakut dhe Çuka e Gjatë. Kjo lagje ka tre fise: Pazaj, Hasanaj dhe Hysaj. E për ta mbyllur këtë vështrim të shkurtër gjeografik, nuk mund të rrinim pa nënvizuar bukuritë magjepsëse të Grykës së Zomos me ujëvarën gumëzhitëse, apo humnerat e Zhavarit, të cilat shpesh bëhen të frikshme për t’i kaluar me këmbë.

Në morinë e toponimeve të shumta të këtij fshati veçojmë: Sheshi i Mançes e i Nexhipit, Çukën e plakut, Çukën e gjatë, Korien e Sulos e të Sharrës, Shkozën e dendur, Samakolin, Përroin e kishës, Lisin e varreve, Lisin e Rrokos, Lisin e çezmës, Mullirin te Përroi i Zomos, Përroin e Thimës, Përroin e grekut, Qafën e Bregut, të Rrokos, të Avdijes e të Memëgjatës, Majën e Zezë, Majën e Bregut, të Korrilës, të Gradishtës, etj.

Në rrethinat e Izvorit janë gjetur gjurmë objektesh të fesë kristiane. Si të tilla mund të përmendim rrënojat e kishave në Mihas, në Pazaj e Oruçaj, ndërsa objekte kulti të  fesë myslimane janë Xhamia në Mihas, Mekami i Dervish Zenelit, faltorja e Rexhep Aliut, etj. Për vetë kushtet e vështira ekonomike e të terrenit mjaft të përhapur, në shek. 19 e 20 shumë njerëz kanë emigruar në Turqi, Amerikë, Francë, Itali e Greqi, si: Zenjel Dule Likometi, Selman Likometi etj., nga të cilët Tafil e Dule Barjami nuk u kthyen më. Ndërsa Sulua, djali i vetëm i fisit Sulozeqi, vetëm pas 17 vjetësh lufte e përpjekjesh kthehet në familje ku gjen të atin të verbuar dhe gruan që i kish qëndruar besnike. Lindën tre fëmijë: Dullon, Idrizin dhe Asllanin.

Pjesëmarrjet në ngjarjet historike të këtij vendbanimi janë të ngjashme me ato të krahinës e më gjerë. Qëndresa e banorëve të këtij fshati ndaj pushtuesve ka qenë heroike. Lartësitë e vendosjes, pozicioni gjegrafik, trimëria, guximi dhe kundërshtimi i izvorjotëve ndaj taksave të larta e prapambetjes kanë qenë të fuqishme ndaj pushtuesve shekullorë. Kur evidentohen figurat historike të krahinës së Buzit, mes tyre janë edhe Mimin Izvori, Myftar Izvori, Zenel Xhelil Izvori, Barjam Fixho Izvori, Dalip Izvori, Karafil Ahmeti, Sinan Dullua, Selfo Idrizi, Shaban Asllani, Zenjel Likometi, Kalo Hyseni, Medin Shaban Hasanaj, Lulo Medin Hasanaj, Muhamet Rakip Ruçi, Teme Sulo Mihasi, Ali Xhelo Mihasi, Mustafa Bektash Hysi, Ramadan Lime Mihasi, Xhelo Lime Mihasi, Dervish Zenjel Ruçi, Sulo Muharrem Oruçi, Jemin Sulo Oruçi, Bajram Sulo Oruçi, Refat Medini, Xhezo Sulua, Bektash Sefedini, Ramo Sinani, Rexhep Aliu, Demir Aliu, Sali e Teme Tafili, Mete Sali Xhafaj, Xhafer Pazaj etj.

Në dokumentet e Shoqërisë “Vatra” në SHBA gjejmë emra edhe nga fshati Izvor, të cilët do të kontribuonin me të holla në ndihmë të Atdheut të tyre, si: Adem Hasan Izvori, Ali Xhelo Izvori, Xhelo Bektash Izvori etj. Në kërkimet e bëra në arkivin e Komitetit të veteranëve Tepelenë evidentohen të tjerë patriotë që kanë luftuar kundër pushtuesve osmanë, si: Veliko Idriz Sulozeqaj, Nebi Fejzo Sulozeqaj, Bilo Asllan Velaj, Bektash Zomo Zomaj, Kanan Sulozeqaj, Sulejman Sade Zikaj, Shahin Hasan Hasanaj etj. Theksojmë se pesë emrat e fundit rezultojnë të vrarë në luftimet me pushtuesin. Të shumtë janë edhe pjesëmarrësit në Luftën e Vlorës, nga të cilët veçojmë: Sinan Rakip Oruçaj, Tafil Dullo Sulozeqaj, Muharrem Dullo Likometaj, Ramo Sinan Sulozeqaj, etj.

Thirrjes së Atdheut për pjesëmarrje në LANÇ iu përgjigjën mbi 30 partizanë: Refat Harizaj, Gani, Hazis e Sinan Cela, Jonuz, Nevruz, Xhezo, Ramadan e Veiz Mihasi, Tahir, Novruz, Veip e Brahim Ruçi, Teme, Ramiz, Feim e Llano Sulozeqaj, Veiz Manaj, Xhevit Selaj, Bektash Hysi, Novruz Canaj, Refat Hasanaj, Riza e Xhevit Pazaj, Sadik Likometaj etj. Në Këshilli Nacionalçlirimtar të fshatit Izvor ishin: Ramo Sulozeqaj kryetar, Rexhep Paza sekretar, dhe anëtarë: Brahim Hasanaj, Fize Ruçi e Sherif Ruçi.  Në historikun e këtij fshati nënvizohet se të gjitha lagjet morën pjesë në Luftën Antifashiste, por  “Çelajt e Izvorit” ishin  bazë e luftës për liri, gjë që e dëshmon edhe gjaku i derdhur i dëshmorëve të atdheut: Xhevit Çela, Sefer Harizaj dhe Xhelo Mihasi.

Në vitet e zjarrta të kësaj epopeje, një kontribut të veçantë ka dhënë lagjja Likomet. Si bazë lufte njihet familja e Tefik Latif Çelës. Dëshmori Xhevit Çela, inkuadruar në Brigadën VI Sulmuese,  luftoi në krah të Ismail Xhemaliut, Sefedin Limes e Barjam Aliut. Në komandën e vendit ishte Rexhep Ali Paza, i cili për 15-vjet si anëtar e kryetar i këshillit të fshatit punoi pa u lodhur. Popullsia dhe territori :

 

Vitet 1923 1945 1969 1979 1989 1995 2001 2017
Banorët   356   495   614   956 1254 1054   594   348
Familjet     72     98    128   183   230   235  132     89

 

Nga të dhënat statistikore të vitit 1995 del të kemi një popullsi prej 1054 banorë e 235 familje, ndërsa sot në fshat nuk janë më shumë se 25% e kësaj shifre. Tokë bujqësore 225 ha, nga të cilat 184 ha arë, 16 ha pemëtore, të tjerat pyje e kullota. Në fillim të viteve ‘90 kishim shkollë të mesme, kopsht, qendër shëndetësore, ambulancë, farmaci, klinikë dentare, mulli, 4 dyqane tregtie, etj.

Disa nga drejtuesit kryesorë të pushtetit për periudhën 1924-1939 ishin: Mustafa Bektash Hysi, Shahin Asllan Likometi, Muhamet Rakip Oruçi, Sulo Muharrem Oruçi, Kalo Hysen Manaj dhe kryeplaku më jetëgjatë Ramo Sinan Sulozeqi (1936-1942). Me krijimin e  Këshillit Nacionalçlirimtar, kryetar zgjidhet Ramo Sulozeqi dhe sekretar Rexhep Paza. Pas çlirimit, kryetar këshilli ishte Ramo Sulozeqi, ndërsa për periudhën në vazhdim në krye të pushtetit do të ishin: Veis Kalo Manaj, Qamil Tafil Sulozeqi, Riza Sefedin Hysi, Sali Tafil Oruçi etj. Kryetarë të këshillit të bashkuar: Demir Mustafa Oruçi, Teme Nexhip Harizaj, Adem Sadik Likometi, Shaban Hasni dhe sekratarë Rushit Sulozeqi, Hajri e Levend Oruçi etj. Pas vitit 1990 Kryetar i keshillit të bashkuar pluralist u vendos Bedri Dora, ndërsa kryetar i keshillit të fshatit Rushit Sulozeqi.

Izvori më 3 prill 1969 goditet nga një tërmet i fuqishëm prej 7 ballësh. Nga 109 shtëpi,  86 u dëmtuan rëndë. Ishte Qeveria shqiptare ajo që ndërtoi fshatin e ri, ku një kontribut të veçantë dhanë vullnetarët e ardhur nga i gjithë vendi. Izvori i ri,  i vendosur në zemër të Pellgut Luftinjë,  mori pamjen e një qyteze të bukur. Dallonte pallati i  kulturës që drejtohej nga djali pasionant Flamur Goxhaj e më pas nga Agim Lika, Burbuqe Vrenozi, Qemal Cunaj etj. Madhështore ngriheshin shkolla e mesme, zyrat e administratës dhe shtëpitë e vendosura sipas një planimetrie bashkëkohore. Do të veçonim Qendrën shëndetësore, farmacinë e klinikën dentare, ku shërbyen me profesionalizëm mjekët Klio Stoi, Gani Varfi, Lefter Mano e Dilaver Alushi, farmacisti Kastriot Xhemali, dentisti Qemal Mullaj e Petrit Hasani, ndihmësmjeku Veli Danaj, infermjeret Lumturi Hoxha, Thëllëza Oruçi, Lulëzime Xhafaj, Mbete Mihasi etj.

Përpjekjet për arsim e dije kanë filluar pas shpalljes së pavarësisë. Si më të shkolluarit e kësaj kohe njiheshin Zenjel Dule Likometi, Jemin Sulo Oruçi, Ramo Sinan Sulozeqi, Rexhep Ali Pazaj etj. Shkolla fillore është hapur më 1945, me 27 nxënës, me mësues Flamur Hoxhën e Trifon Çarkën nga Gjirokastra, Demir Hadërin nga Krahësi dhe në vazhdim mësuesit e fshatiti Ahmet Mihasi, Limo Paza e Rushit Sulozeqi. Për ndërtimin e shkollës kontribuoi gjithë fshati me mjeshtrin e ndërtimeve Brahim Oruçi e Musa Hasanaj. Në një pllakë në portën e shkollës ishte shkruar: “1945, ndërtuar nga H.R.S”.

Shkolla 7-vjeçare ndërtohet në lagjen Pazaj në vitin 1961 me drejtor Spiro Bahon, Serjan Balilin e Ethem Baka dhe mësues: Sadik Bejkon, Jorgo Cingën,Viktor Çanin, Afrim Lulën etj. Kjo shkollë ishte e para në Pellgun e Luftinjës. Ajo u vinte në ndihmë fshatrave të krahinave Buz e Krahës. Në vitet 1961-1966 kanë vijuar mësimet edhe shumë nxënës  nga Gllava, Luftinja, Rabia, etj. 7-vjeçarja e Izvorit ishte një dritë shprese për nxënësit e këtyre fshatrave.

Ngjarja më e madhe në vitin 1970 jo vetëm për Izvorin e krahinën e Buzit, por edhe për rrethin e Tepelenës do të ishte hapja e shkollës së mesme profesionale Izvor me drejtor,  ish shefin e arsimit Tepelenë,  Gani Bega. Më pas shkollën e mesme “Xhevit Cela” do ta drejtonin: Manol Kano, Jorgo Cinga, Thoma Pasko, Hetem Binaj, Kadri Lalaj, Kaso Hyskaj, Idriz Aliaj, Baki Myftari, Gëzim Guci, Përparim Kordha, Myzafer Hoxha dhe më jetëgjati nga gjithë drejtorët e tjerë Petrit Llaka. Petriti shërbeu mbi 30-vjet në fshatrat e komunës Luftinjë, por largohet nga jeta shumë shpejt, kur nuk kish as 2 muaj që doli në pension. Me dhjetëra mësues nga Gjirokastra, Vlora,  Përmeti e Saranda do të jepnin mësim për vite të tëra në Izvor, si : Jorgo e Krisanthi Cinga, Lefteri Kutra, Thoma Pasko, Aleko Paçeli, Kiço Milo, Javer Picari, Vait Ibrahimi, Flamur Meni, Vasil e Janulla Shyti, Avenire Mullai, Vasil Papa, Andon e Hanko Bici, Kristo Zoto, Lefteri puto, Demir Dule, Shkënder Shehu, Violeta Dhespo, etj. Kontribute të veçanta kanë dhënë edhe shumë mësues të nderuar nga qytetet Tepelenë e Memaliaj, si: Pandeli Shella, Mihal Stavri, Ylvi Tahiri, Ilirjan Zhupa, Hamit Kaba, Asim e Qamil Brahimi, Luan e Enver Shehu, Ramo Xhaferi, Mukadez Bega, Zyra Shehu, Myrteza e Luiza Hyseni, Reshat Kusha, Perlat Meçe, Arjan Dana, Hysen Haxha, Lulo Lula, Turabi Dedgjoni, Vladimir Koçi, Xhelil Thanasi, Sokol Ajazi, Enkeleda Ziflaj, Eriola Allkaj, Petrit Lumani, Mirjan Gjolleshi, Eduart Damani, Petrit Zaçe, Arjan Puto etj. Mirënjohja shkon edhe për mësuesit e fshatit: Limo Paza, Ahmet e Lulëzime Mihasi, Rushit, Baki e Sinan Sulozeqaj, Tefta Xhafaj, Levend e Abaz Oruçi, vajzat e Shaban Hasanit, etj.

Më 1960 krijohet kooperativa bujqësore Izvor me kryetar: Riza Sefedini, Demir Aliu e Sali Ruçi. Në vitin 1969 kemi ngritjen e kooperativës së bashkuar me qendër Izvor, e cila përfshinte Izvorin, Rabien e dy Luftinjat. Kryetarë të kësaj ekonomie kanë qenë: Bardhul Saliaj, Hetem Ziflaj, Flatun Goxhaj e Agim Jaupaj. Ajo si drejtim kryesor kishte drithërat e bukës e pemëtarinë, por edhe perimet e  kultivimi i  qepujkës kanë patur prioritetet e tyre. Të shumtë kanë qenë specialistët e bujqësisë që kanë punuar në këtë ekonomi. Ka patur midis tyre të ardhur edhe nga Tirana sikurse ishte kryeagronomi i talentuar Betim Goci, ndërsa nga rrethi i Tepelenës e rrethet e tjerë ishin: Luman Seferi,  Hetem Zëraj,  Xhihan Grilli, Muhamet Zotaj, Petrit Llapi, Andon Ndreka, Mihal Prasa, Thoma Gjergo, Përparim Goxhaj etj. Në aparatin e kryesisë së kësaj ekonomie kanë punuar me dhjetëra specialistë të mesëm e të lartë. Degën e financës do ta drejtonin Luman Seferi, Viktor Guma e Hasim Lamaj, degën e planit e të prodhimit  Bedri Manaj, Aleko Paçeli, Fadil Hasanbega, Hënë Sulozeqaj, Myfyt Selaj, Myfyt Malkaj, Zenel Velaj etj, ndërsa përgjegjësa sektori ishin Agim Jaupi, Bashkim Manaj, Bashkim Binaj, Ilmi Muhaj, Sami Sinomati etj.

Nga fshati Izvor kanë dalë intelektualë më formim të lartë shkencor si: prof. Selfo Oruçi, i cili ka vite që punon pedagog në universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër. Ekonomistja Hënë Duraj(Sulozeqi) në vitet 2003-2007 drejtoi Komunën Luftinjë, ndërsa aktualisht drejton degën e Thesarit Tepelenë. Edhe më tepër shkëlqim e bukuri i kanë dhënë Izvorit mësuesit pasionantë e të përkushtuar Limo Paza, Ahmet Mihasi, Rushit Sulozeqi, Levend Ruçi, etj. E kur flasim për përgatitjen e lartë shkencore, edhe brezi më i ri i këtij komuniteti ka shënuar arritje në vazhdimësi. Mbresëlënëse janë treguesit e arritur nga Hava Mihasit (Mucollarit) në drejtim të arsimimit. Ajo, pasi përfundoi studimet e larta për ekonomi-financë dhe kursin pasuniversitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, do të përfundonte edhe Fakultetin e Drejtësisë. Ka kryer master në shkencat ekonomike si dhe ka fituar disa tituj shkencorë. Bija e Izvorit, me krijimtarinë e saj letrare po shpalos vlerat e vendlindjes dhe të njerëzve të saj. Ajo sot është sekretare e Shoqatës “Tafil Buzi” Tiranë.

Në historikun e Izvorit mund të sillen me dhjetëra personalitete e njerëz të dëgjuar. Njëri prej tyre ishte edhe Karafil Ahmeti, i cili jetoi në gjysmën e dytë të shekullit XIX në lagjen Likomet. Mësimet e para i mori në Turqi. Si njeri me ndjenja patriotike e humane përqafoi me shpirt doktrinën bektashiane. Gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua ruajtjes së harmonisë midis njerëzve. Duke qenë njeri i drejtë e zemërgjerë, kish krijuar besim tek të tjerët për zgjidhjen e konflikteve. Karafil Ahmeti hynte në grupin e burrave me shpirt e zemër të madhe, ndaj dhe emri i tij ka mbetur i gjallë në memorjen e njerëzve të krahinës. Një figurë  e rëndësishme për Izvorin e krahinën e Buzit është edhe Limo Lano Paza. Ai, për gati 50-vjet, punoi mësues e drejtues në shkollat e rrethit Tepelenë dhe kryeredaktor i gazetës  “Trebeshina”. Eshtë  autor i tre librave me karakter historik dhe i dhjetëra shkrimeve në  gazetën “Trebeshina”. Puna dhe vepra e këtij intelektuali do të ndriçojë për një kohë të gjatë në tërë Pellgun e Luftinjës e më gjerë. Një tjetër figurë e shquar e Izvorit mbetet edhe djali i xha Ramos, Rushit Sulozeqi. Më shumë se 40 vjet punoi me përkushtim si mësues në vendlindje. Gjithmonë i qetë në punë, në familje e shoqëri. Edhe pse ka mbi 20-vjet larguar në Itali, çdo vit do të vijë të takojë bashkëfshatarët e shpërdarë kudo. Ai dhe familja e tij në Itali jetojnë mirë, por meraku më i madh për Rushitit janë vendlindja dhe mëmëdheu për të cilët ai shkruan: “Atdheu im i dashur! Vuajtjet e tua s’paskan të sosur! Dëmin më të madh ta kanë shkaktuar bijtë e tu. Po deri kur kështu?!”

Djemtë e Izvorit do të shërbenin edhe në radhët e ushtrisë e të policisë së shtetit, si : Refat Harizi, Jonuz Mihasi, Ahmet Oruçi, Ali Paza, Selman Hysi, Qani Mihasi, Medin Hasani, Rebani Likometi, Shkëlqim Oruçi, Sefer Harizi, Astrit Likometi etj. Ata ishin dhe mbetën punonjësit model të  këtij shërbimi. Për njërin prej tyre shprehet edhe i dënuari politik, z. Neim Pasha: “Polici i mirë Jonuz Mihasi më ndihmonte. Ishte një lëshim i një njeriu prind, i një njeriu dashamirës, i cili edhe mund të rrezikohej nga ajo liri e tejkaluar që na jepte ne të dënuarëve… Roja i brendshëm, plaku i urtë Jonuz Mihasi, me moshë mbi të 50-tat, ky njeri i mirë të qetësonte kur thoshte: “Ulu, mor bir, mblidhe pak veten, kujdes që të mos zërë gjumi se na vijnë për kontroll dhe na prishet punë të dyve”. Në polici dhe në administratën e burgut Tepelenë ka shërbyer edhe mësuesi Sinan Sulozeqi, etj. Të persekutuar politikë nga ky fshat evidentohen: Hamit Bektash Hysi e Jemin Sulo Ruçi.

Kur flitet për Izvorin e vlerat e tij, një vend të rëndësishëm zënë jo vetëm burrat e gratë që punuan në bujqësi, por edhe me dhjetëra punëtorë të minierës së qymyrgurit: Resmi, Syrja e Qemal Xhafaj, Zeqo Sulozeqaj, Demir e Ramiz Pazaj, Mustafa, Safet e Rrapo Hysi etj. Në vitet ‘80 miniera afrohet pranë fshatit Izvor, Sektorët Danaj e Mukaj ishin një ndihmë e madhe edhe për fshatrat e Buzit e të Beratit.

Historiku i Izvorit është shumë herë më i gjerë sa u tha në këto pak radhë. Mirënjohja në radhë të parë shkon për z. Rushit Sulozeqi e Rrapo Hysi, të cilët dhanë një kontribut të çmuar në paraqitjen dinjitoze të vendlindjes së tyre. Sot njerëzit e këtij fshati i gjejmë të shpërndarë brenda dhe jashtë vendit. Një pjesë ndodhen në vendlindje, të tjerë në qytetet Tepelenë e Memaliaj dhe kudo brenda e jashtë Atdheut. Të gjithë punojnë pa u lodhur për ndryshimin e jetës. Tek klubi i djalit të Izvorit në qytetin e Tepelenës, Kastriot Hysi, mblidhen jo vetëm nga Izvori por nga gjithë zona e Buzit. Në Gjirokastër prof. Selfo Oruçi ka fituar respektin e studentëve e të qytetarëve, në Sarandë kambioni i shakut Erald Mihasi, në Ksamil Astrit Oruçi e të tjerë kanë investuar e zbukuruar me ndërtimet e tyre gjithë qytezën. Edhe në Tiranë e qytete të tjera djemtë e Izvorit shpalosin vlera. Të tillë i gjejmë edhe jashtë vendit. Në Itali, krahas familjes së Rushit Sulozeqit, në qytetin e Komos janë mbi 30 familje nga Izvori.