FIGURA TË TJERA HISTORIKE TË ZONËS*
KAPEDAN SADIK LUFTINJA (1805-1891): U lind, u rrit dhe u formua, si një nga udhëheqësit kryesor të kryengritjeve antiosmane, në një nga vendet më të dëgjuara të Pellgut Luftinjë, në Mukaj. Kjo lagje, me tradita të larta patriotike dhe me njerëz të dëgjuar në të gjitha kohërat, në shekullin XVIII në shumë dokumente shtetërore përfaqësonte territorin e një fshati të tërë. Luftinja, në mbrojtje të trojeve shqiptare e të drejtave të tyre, gjithmonë ka nxjerrë burra të besës, por trimëritë e Sadik Luftinjës nga thellësitë e viteve vijnë me nota e dimensione edhe më të mëdha. Të tillë atë e bëri rreshtimi në krah të prijësave popullorë Rrapo Hekali e Tafil Buzi. Në dokumentet që himnizojnë lavdinë e kryetrimit të Mallakastrës dhe të luftëtarëve të tjerë kundër Perandorisë Osmane, flitet edhe për burrin e pamposhtur të Luftinjës së Tepelenës. Kapedan Sadiku, në krye të luftëtarëve trima të krahinës së Buzit, do të ishte pjesë jo vetëm e Kryengritjes së Mallakastrës, por edhe njëri prej drejtuesve kryesor të saj. Në maj të vitit 1847 biri i Luftinjës do t’i përgjigjej thirrjes së Rrapo Hekalit për të marrë pjesë në Kuvendin “Beslidhja e Sinjës”, ndërsa në qershor të po këtij viti ai do të ishte pjesëmarrës i takimit në Mesaplik të Vlorës, ku krerët e Shqipërisë së Jugut do të formonin “Lidhjen Kombëtare Shqiptare”. Mallakastra martire dhe treva e Sadik Luftinjës bënin pjesë në Sanxhakun e Beratit. Në Kuvendin e këtij qyteti, Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Sadik Luftinja e dhjetëra luftëtarë të tjerë do t’i paralajmëronin osmanët që të mos shkelnin më në krahinat e tyre. Në vargjet e këngës “Lule, o Rrapo Hekali/ Kur thërret sa tundet mali” është edhe zëri i Sadik Luftinjës me shokë. Ai, në krah të strategut të Mallakastrës, do të ishte edhe një nga firmëtarët e Memorandumit të Sinjës drejtuar mbretit Oton të Greqisë, ku kërkohej mbështetja e shtetit fqinj për kryengritjen e madhe shqiptare.
KAPEDAN FEJZO ARRËZA (1840-1878): U lind dhe hodhi shtat në natyrën e bukur e të ashpër të fshatit Arrëz, rrethi Tepelenë. Vinte nga një familje e mesme, ku pasuria sigurohej nga blegtoria. U rrit e u burrërua mes trimave të fshatit, këngëve e historive që kishin lidhje me luftën për mbrojtjen e vatanit. Ai kish dëgjuar për Hasan Agën, nëpunësin e lartë në administratën e Ali Pashës, për trimin Asllan Konduri, për Malkon etj., të cilët jetën e tyre e vunë në shërbim të Atdheut. Fejzo Xhafo Veizaj (Fejzo Arrëza) gjatë shërbimit ushtarak në Perandorinë Osmane shfaqi trimëri e zgjuarësi. Qëndroi pak kohë si oficer në radhët e kësaj ushtrie, por shumë shpejt largohet me një urrejtje të madhe ndaj çdo pushtuesi. Ai, në krye të çetës prej 40 luftëtarësh, në luftën heroike kundër andartëve grekë u bë një nga kapedanët më të njohur jo vetëm në krahinat e Tepelenë, por edhe të Përmetit e Beratit. Veprimtaria e tij i përket gjysmës së dytë të shek. XIX. Ajo lidhet me mbrojtjen e trojeve shqiptare nga qarqet shoviniste dhe bandat e armatosura në shërbim të tyre.
Për vite me radhë ushtoi jehona e pushkëve të kësaj çete në luginën e Vjosës, të Osumit, në ultësirën e Ballabanit, në lartësitë e Gllavës, Skraparit e Leskovikut. Në korrik të vitit 1878, Fejzo Arrëza do të zhvillonte luftimet më të ashpra me forcat andarte greke. Ndonëse ishte para një vdekjeje të sigurt, refuzon me përbuzje ftesën për t’u dorëzuar. Ai dhe shokët e tij, duke luftuar me heroizëm deri në pikën e fundit të gjakut, do t’u tregonin pushtuesve se si luftojnë e vdesin shqiptarët. Për trimëritë e mëdha që ka treguar populli do t’i këndonte: “Të hënën që me saba,/erdhi Shanikua të tha:/-Ktheu Fejzo, mos u vra,/të kam djalë, më bën hata!/-Lëmë, nënë, mos më nga,/se do vete nëpër ta,/ t’i shkel, t’i bëj lakëra”. Ra në Konicë duke luftuar me një ushtri prej 300 vetësh. Shoku i tij i armëve Myftar Sevrani para trupi të vrarë të Fejzos do të betohej: “Kapedan Leonidha, s’të jam për t’u ndarë,/ Ti që vrave Fejzon, një krah më ke tharë!” Aq tmerr kishin marrë grekërit nga kjo çetë sa në vitin 1914, duke djegur e vrarë, kërkonin me tërbim e ngulm njerëzit e Fejzos për t’i vrarë. Ishte ky shkaku që ata ndërruan mbiemrin dhe u vendosën në Gjirokastër. “Shtatë male kaptove,/ Si hero Fejzo qëndrove/ Në Konicë kur re në këmbë/Të kënduan dhjetra këngë”
“PERSONALITET I SHQUAR”, MEHMET BUZI (MYFTIU) (1858-1942): I biri i Esatit u lind në Buz më 7.05.1858. Fillimisht arsimohet në Medresenë e Beratit, ndërsa studimet e larta për drejtësi i vazhdon në Kajro të Egjiptit. Ka qenë anëtar i Komitetit të Lidhjes së Prizrenit për Beratin. Më 23 qershor 1880 firmos një protestë drejtuar Kongresit të Berlinit për të ndaluar copëtimin e trojeve shqiptare. Kundërshton abetaren me alfabetin arab. Më 23 korrik 1912, së bashku me 46 anëtarë të Kuvendit të Sinjës, del në mbrojtje të çështjes kombëtare. Më 1914 arrestohet nga forcat e Musa Qazimit për veprimtari kombëtare dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Më 1920 mbështet Luftën e Vlorës. Në vitet ‘30 hap një medrese pranë Xhamisë Mbret në Berat. Kryen detyrën e myftiut dhe merr titullin “Myfti”. I bëhet një vizitë nga ambasadori amerikan në Shqipëri. Në vitin 1968, në përkujtim të Lidhjes së Prizrenit, është dekoruar “Për Veprimtari të Lartë Patriotike”
“PERSONALITET I SHQUAR”, REIZ MANE SKËNDI (1857-1933): U lind në fshatin Shalës, Tepelenë. Përmes varfërisë, prindërit arsimdashës do ta orientonin të birin të ndiqte rrugën e dijes. U arsimua në Janinë, Kajro e Stamboll. Pas përfundimit të studimeve të larta, për disa vite do të shërbente si nëpunës në pozicione të ndryshme, deri adjutant i Halil Pashë Gjirokastrës. Në vitin 1905, detyra ndaj Atdheut bëri që të sakrifikojë nëpunësinë e tij dhe të dalë malit për pavarësi dhe liri. Braktisi detyrën e adjutantit, u njoh e bashkëpunoi me Bajo e Çerçiz Topullin, Ismail Qemalin, Sali Nivicën, Halim Xhelon e shumë atdhetarë të tjerë. Ai ka mbajtur lidhje të ngushta me shumë patriotë e luftëtarë të kohës, bashkëpunoi me Komitetin e Manastirit, duke e vënë veten në shërbim të kombit. Udhëhoqi me trimëri një çetë të armatosur me luftëtarë nga zona e Buzit, Këlcyrës dhe Gjirokastrës. Në mbrojtje të trojeve shqiptare, çeta e tij do të kontribuonte edhe për hapjen e shkollave shqipe. Ai bëhet një përkrahës i flaktë i botimeve në gjuhën shqipe. Më 1907 familja e tij internohet në kalanë e Tepelenës. Në vitin 1908 rreshtohet përkrah çetës së famshme të Çerçiz Topullit. Më 18 gusht 1911 mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të Vilajetit të Janinës dhe në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë. Kontributi i tij i çmuar në ngritjen e Flamurit dhe në ngjarjet historike të viteve 1914, 1920 e 1924 e vendosin figurën e Reiz Shalësit në radhët e njerëzve të shquar të kombit. Shalësjoti rrezatonte kulturë të gjerë, zotëronte disa gjuhë të huaja, ishte pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe një fanolist i vendosur, por edhe kundërshtar i qeverisë së Durrësit e të Zogut. Vdiq në Shalës më 1933 në varfëri e në harresë të plotë nga të gjitha qeveritë. La pas gruan, dy djem e një vajzë, që të tre të mitur. Luftëtarin trim e me shpirt poeti, vetëm pas viteve ‘90 do ta kujtonin e vlerësonin. Këshilli i Qarkut Gjirokastër me vendimin Nr. 5, dt. 04.03.2011 e ka nderuar me titullin Personalitet i shquar: “Për kontributin e tij të madh si luftëtar për pavarësi e arsim kombëtar”.
“NDERI I QARKUT”, BABA MEDIN GLLAVA (1860-1917): U lind në Levan, por gjithë veprimtarinë e tij patriotike dhe atdhetare e zhvilloi në Gllavë, Buz, Berat, Tepelenë e Gjirokastër. Një figurë shumëdimensionale jo vetëm si klerik, por dhe si luftëtar dhe atdhetar i madh. Çeta e Gllavës që drejtohej prej tij, radhitej krah çetës luftarake të Çerçiz Topullit dhe çetave të Skraparit, Korçës, Beratit e Mallakastrës. “Çeta e Medinit,/bëri rrugë të gjatë,/flakë në Gjirokastër,/rrufe në Berat”. Ai mori pjesë në të gjitha lëvizjet e përballjet antiturke, kundër andartëve grekë, austriakëve dhe rebelëve. Çeta e Medin Gllavës dhe Kamber Velabishtit lehtësuan shpërndarjen e librave dhe gazetave shqipe, dërguar nga shoqatat e shqiptarëve në Bukuresht e Kajro. Ai ishte pjesëmarrës aktiv i Kuvendit të Sinjës dhe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë me Ismail Qemalin, Princ Vidin, Dervish Himën, etj. Në vitin 1917 shtypi i kohës do të shkruante: “ I ndjekur nga austriakët dhe i internuar nga italianët, ndërron jetë në Gjirokastër nga plagët e rënda që kish marrë në luftë me pushtuesit. Në vitin 1945 eshtrat e Baba Medinit përcillen nga Gjirokastra për në Teqenë e Gllavës. Themelet nga ku ai u mëkua ishte familja Caushi në Levan të Tepelenës. Mësimet që mori në Berat e Janinë, bekimi i dhënë nga legjenda e Beratit, Babë Dudë Karbunara dhe i madhi i Tri Çukave të Gllavës, Baba Ismaili, për të mbetur “qiri i ndezur” për hallemadhen Shqipëri, e bënë Medin Gllavën bektashiun më të dëgjuar që i ra vendit cep më cep “me pushkë në krah e abetaren në gji”. Për veprimtari të lartë në mbrojtje të Atdheut dhe përhapjen e gjuhës shqipe, qeveria e Princ Vidit e dekoroi me Medaljen e Artë “Besë e bashkim për shpëtimin e Atdheut”. Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë portreti klerik dhe atdhetar u ringjall edhe nëpërmjet kujtimeve dhe artikujve që shkruajtën Teki Selenica, Baba Ali Tomarri, Ferit Vokopola, Hamza Isaj, etj. Ai është “Nderi i Krahësit” dhe i Qarkut Gjirokastër. Me monografinë shkruar nga Prof. Bardhosh Gaçe, Medin Gllava vendoset përkrah figurave të shquara të kombit shqiptar, ndërsa për krahinën e Buzit hapet një faqe e ndritur në luftën e bërë për mbrojtjen e trojeve shqiptare e mësimin e gjuhës shqipe.
“HERO I POPULLIT” HIQMET SHYQYRI BUZI (1927-1942): U lind në qytetin e Vlorës, por me origjinë është nga fshati Buz i rrethit Tepelenë. Familja e tij largohet nga vendlindja e vendoset fillimisht në Lushnjë e më pas në Vlorë. Pushtimi fashist, Hiqmetin do ta gjente nxënës në Normalen e Elbasanit. U dallua në demonstratat kundër pushtuesve, ndaj dhe përjashtohet nga shkolla. Mori pjesë aktive në LANÇ dhe kreu me nder të gjitha detyrat e ngarkuara. Më 18 tetor 1942 rrethohet nga fashistët italianë. Bashkë me tre shokët luftuan me trimëri dhe ranë heroikisht për lirinë e Atdheut. Hiqmet Buzi mban Titullin e Lartë “Hero i Popullit”. Ai, babai dhe vëllai i tij dhanë jetën për çlirimin e Atdheut. Familja Buzi shkroi faqe lavdie e heroizmi si gjithë dëshmorët e trevës së Buzit, duke u rreshtuar denjësisht përkrah kapedanit të tyre, Tafilit “Nderi i Kombit”.
“DËSHMOR I ATDHEUT”, ABAZ SHERIF MEMUSHAJ (1884-1943): U lind në Rabie, në një nga fshatrat më të hershëm e më të njohur në luftërat për liri e pavarësi. Në vitin 1914 emigroi në Turqi. Pasi përfundon studimet fetare, Kryegjyshata Botërore Bektashiane e emëron Baba në Teqenë e Rabies. Baba Abazi e ktheu Teqenë e vendlindjes së tij në një nga bazat më të fuqishme të LANÇ. Ai, qysh në prill të vitit 1939, si gjithë bektashinjtë patriotë të Shqipërisë rreshtohet në frontin e rezistencës antifashiste. Ishte një nga drejtuesit kryesorë të Luftës Antifashiste në krahinën e Buzit dhe në rrethin e Tepelenës, duke bashkuar me dhjetëra bashkëfshatarë e bashkëkrahinorë në përballjet me armikun. Ishte i zgjedhur anëtar i shtabit të LANÇ për Tepelenën e Qarkun Gjirokastër. Më 23 korrik 1943 fashistët italianë sulmohen rëndë nga forcat partizane të komanduara nga Mehmet Shehu. Ushtria italiane si hakmarrje arreston burra nga fshatrat Allkomemaj, Levan e Rabie dhe mbi 27 persona e pushkaton në Teqenë e Rabies. Mes tyre torturohet dhe pushkatohet nga pushtuesit italianë edhe Abaz Memushi. Emrin e këtij dëshmori e mori Batalioni “Baba Abaz”, ndërsa një rrugë në qytetin e Tepelenës dhe shkolla e Rabies mbajnë emrin e tij. Më 23 korrik 2019 nipërit e tij ngritën Tyrbenë dhe bustin në vendin Baba Abazi derdhi gjakun për liri.
“MARTIR I DEMOKRACISË”, ALI ABAZ SKËNDI (1893-1948): U lind në Shalës të Tepelenës. Eshtë djali i Abaz Skëndajt, i cili kishte mbaruar shkollën e lartë për nëpunës në Stamboll. Mësimet e para Aliu i mori në Berat, studioi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës e më pas në Kajro të Egjiptit. Ai mund të cilësohet si njeriu më i etur për dije e kulturë. Ka qenë një ndër klerikët më të arsimuar e drejtuesit e rrallë të komunitetit bektashian. Zotëronte mirë turqishten, arabishten dhe një cikël gjuhësh europiane. Shërbeu me dinjitet në Teqetë e Prishtës, në mal të Tomorrit e në Gjirokastër. Ka qenë i zgjedhur në Këshillin e LANÇ për Qarkun e Beratit dhe në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ka meritën për përgatitjen e tre Kongreseve të Bektashizmit në vitin 1921, 1924, 1929. Ka shkëlqyer me oratorinë e tij para varrit të Avni Rustemit në Vlorë, të Medin Gllavës dhe në 100-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit.
Kleriku intelektual ishte shfaqur si një ekspert i njohur, i aftë dhe me nivel të lartë shkencor në fushën e trjajtesave studimore. Ai do të përfaqësonte një figurë intelektuale të arsimuar në shkolla të njohura jashtë vendit. Në vitin 1929 botoi veprën “Historia e Bektashizmit” dhe më pas një sërë librash të tjerë. Me veprimtarinë e tij botuese u bë një figurë mjaft e njohur në qarqet intelektuale, politike e atdhetare të kohës, duke mbajtur korrespondencë të përhershme me Fan Nolin, Halim Xhelon, etj. Në veprën e dijetarit Baba Ali Tomorri “Bektashinjtë e Shqipërisë” gjejmë konsiderata me vlerë edhe në fushën e arsimit. Në Shqipëri, këshillonte shalësioti largpamës, duhet të ngrihen Universitete, të kemi filozofë, vjershëtorë, profesorë e oratorë. Të goditen Akademira e Biblioteka kundër fanatizmës e çfarëdo lloj prapësie. Baba Aliu shkon edhe më tej, kur parashikon mësimin e gjuhëve të tjera dhe shndërrimin e dervishëve në lëvrues të letërsisë shqipe. Për gjysmë shekulli ai luftoi e punoi me mish e shpirt për idealin kombëtar, duke pasur në themel të veprimtarisë së tij shqiptarizmën. Ali Abaz Skëndaj njihet edhe me emrat: Baba Ali Tomorri, Ali Kulmaku, Ali Turabiu, Baba Ali Prishta, Varf Ali Prishta, Varf Ali Tepelena, Gjysh Ali Gjirokastra, etj. Baba Aliu pas çlirimit ishte në krye të Teqesë së Gjirokastrës. Cilësohej si një nga bektashinjtë më të shkolluar e përgatitur. Në mars të vitit 1947 propozohet nga drejtuesit e Qarkut Gjirokastës si një kandidaturë e mundshme për në krye të selisë bektashiane në Tiranë, por shumë shpejt udhëheqja e jugut ndryshon mendje, në shtator 1947 ai arrestohet së bashku me Zenel Shehun, Luto Bektashin, etj. Në dhjetor 1947 Gjykata e Gjirokastër e dënon me vdekje, ndërsa më 14 janar 1948 pushkatohet së bashku me tepelenasit Syrja Vasjari, Baba Shefqetin, Zenel Shehun dhe Gjergj Sulin.
Studiuesi pasionant i bektashizmit, frymëzuesi i atdhetarizmës, gazetari i përkushtuar, mjeshtri i fjalës dhe poeti i talentuar do të mbetet përjetësisht i gjallë edhe pse në viti 1948, në rrethana misterioze, do të pushkatohej me akuzën si agjent i anglezëve. Për Baba Ali Tomorrin pas viteve “90 është folur e shkruar në vazhdimësi, vepra po del në dritë, një libër kushtuar vlerave të tij do të botohet së shpejti. Në vlerësimin e kësaj figure, Kryegjyshi Botëror, Hirësia e Tij Haxhi Dede Edmind Brahimaj do të shprehej: “Baba Ali Tomorri bën pjesë në radhët e atyre burrave që vënë jetën dhe veprën e tyre në shërbim të Atdheut. Varri i tij do të shndërrohet në vend pelegrinazhi të pëjetshëm”.
“NDERI I KOMBI” BARJAM KAMBER HAMATI (1894-1949): U lind në fshatin Zhapokikë, rrethi Tepelenë. Krahas arsimit fillor në Koshtan, përfundon edhe Medresenë e Tiranës. Në vitet 1924-1930 punon si xhandar në Shkodër e Tiranë. Për periudhën 1938-1942 u mor me veprimtari fetare. Mori pjesë në LANÇ me çetat territoriale. Pas çlirimit punoi si llogaritar në minierën e qymyrgurit Memaliaj. Xhaxhallarët e Barjamit, Caush e Hodo Hamati kanë luftuar kundër pushtuesve otomanë dhe italianëve në vitin 1920. Barjam Kamberi ishte komandant i Kryengritjes së Zhapokikës. Pas shuarjes së kësaj lëvizje qëndroi në arrati. Më 5 janar 1949 arrestohet nga forcat e policisë. Me vendim të Gjykatës Ushtarake Gjirokastër dënohet me vdekje. Më datën 10 korrik 1949 është pushkatuar në rrethinat e qytetit Gjirokastër. Në vitin 2017, Presidenti i Republikës e ka shpallur Barjam Kamberin “Nderi i Kombit”.
“MËSUES I MERITUAR”, KASËM BARJAM MALASI (1905-1983): U lind në lagjen Malas të fshatit Gllavë, Tepelenë. Në vitin 1916, me ndihmën e misionarëve austriakë, nisi rrugën drejt Europës, drejt dijes e përparimit. Pas përfundimit të gjimnazit në Hungari, do të vazhdonte studimet në Budapest ku diplomohet në shkollën e lartë të formimit të profesorëve të mediko-pedagogjisë. Në vitin 1931 iu dha edhe një bursë nga shteti shqiptar duke i siguruar atij një formim edhe më të plotë social-pedagogjik, psikologjik e mjekësor.
Më 1932 Kasëm Malasi, tanimë i pajisur me një kulturë të gjerë europiane, kthehet në atdheun e tij të dashur. Fillon pedagog në Normalen e Elbasanit ku pritet me shumë ngrohtësi nga drejtori i këtij institucioni, Aleksandër Xhuvani. Më 1937 transferohet në Shkodër. Atje drejton përgatitjen e kualifikimin e kuadrit arsimor, ndërsa më 1942 emërohet pedagog në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”. Në tërë veprimtarinë e tij shkencore shfaqet me përmasat e një intelektuali të ditur dhe atdhetari largpamës. Mjaft nga idetë e tij për arsimin qëndrojnë aktuale dhe sot. “Shkolla, insistonte profesori, duhet të zhvishet prej karakterit informativ e sidomos nga formalizmi. Ajo duhet të transformohet në një shkollë “bombë edukonjëse”. Profesor Kasëm Malasi ka qenë kritik për zhvillimin e arsimit edhe në vitet ‘30. Shkaku kryesor, sipas tij, ishte organizimi i dobët dhe praktikat antishkencore që ndiqeshin. Djali i Tri Çukave të Gllavës, një kontribut të çmuar do të jepte edhe për çështjen kombëtare. Kur lexon shkrimet e tij, e ndien veten sikur je përballë një figure prestigjoze, përballë një njeriu që të tërheq me botën e tij universale e forcën magjepsëse të mendimit e gjykimit. “Duhet ta ndërtojmë shpirtërisht rininë e së ardhmes, shprehej prof. Kasëmi, ta përgatisim të bëhet e zonja të përballojë dallgët e kohës duke qëndruar besnike e vlerave të përjetshme të kombit”. Kasëm Malasin e kanë vlerësuar personalitete të arsimit e kulturës shqiptare, si: Kareman Ylli, Aleksandër Xhuvani, etj. Kasëm Malasi ishte një pedagog me zemër të madhe, kurdoherë i gjendur e fisnik, që dallohej jo vetëm si mësimdhënës elokuent, por edhe si edukator shembullor dhe studiues i zellshëm. Mësuesi i Merituar Murat Koçiu, duke kujtuar me respekt e nostalgji pedagogët prestigjiozë të Normales së Elbasanit, si: Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Simon Shuteriqin, etj., profesor Kasëm Malasin do ta cilësonte si “njeriun më të ditur e më me kulturë. Ai ishte folës i shtatë gjuhëve të huaja dhe autor i Historisë së pedagogjisë”. “Ishte një intelektual i shquar, zotërues i disa gjuhëve të huaja, mësues pasionant e patriot”.
“Ashtu si çdo fushë, edhe arsimi e pedagogjia shqiptare kanë pishtarët, pasuesit dhe krijuesit e vet, madje nga më të zellshmit e të devotshmit, që gjithçka: energjitë, potencat intelektuale e talentin e kanë vënë në shërbim të kombit, të ardhmërisë e të përparimit. Në vargun e intelektualëve të tillë është edhe profesor Kasëm Barjami, i cili la hijen e një personaliteti të madh, shëmbullin e një njeriu të urtë, të zgjuar e të përkushtuar në shërbim të atdheut. Ai radhitet ndër ata pedagogë të viteve 30-40 që dha një ndihmesë të lavdërueshme në arsimin kombëtar dhe pedagogjinë shqiptare”.
“NDERI I KOMBIT”, XHEMAL BRAHIM ASLLANI( 1922-1983): U lind në fshatin Luftinjë të rrethit Tepelenë në një familje me ndjenja patriotike dhe me një nivet ekonomik mbi mesatar. Gjatë LANÇ, Xhemal Brahimi do të ishte pjesëmarrës në çetat territoriale të zonës dhe në Batalionin “Baba Abaz”. Disa muaj të vitit 1944 bëhet pjesë e forcave të Ballit Kombëtar, dhe më pas po partizan në Brigadën XIV Sulmuese. Pas çlirimit punoi në repartin e Artilerisë në Tiranë e Berat, por pas vitit 1945 kthehet në vendlindje. Organizon dhe vihet në krye të Kryengritjes së Zhapokikës. Pas përplasjes me forcat e policisë, i shpëton rrethimit dhe më 12 dhjetor 1948 arratiset në Greqi dhe më pas në Itali. Për muaj me radhë përgatitet në kurse speciale. Dërgohet në Shqipëri me misone për rrëzimin e pushtetit në vitin 1949, 1950,1951, 1953. Në vitin 1955 vendoset në Angli. Edhe në vitet 1957-1958 ka hyrë në Shqipëri. Në vitin 1958 nga Londra vendoset në Amerikë. Ardhja e fundit do të ishte viti 1960. Për gjithë aktivitetin e tij në përpjekje për të rrëzuar pushtetin në Shqipëri, Presidenti i Republikës i ka dhënë titullin “Nderi i Kombit”.
“NDERI I QARKUT” ELMAZ TEME BILBILI (1919-1993): I biri i Temes u lind në lagjen Xhafat të fshatit T.Martalloz, rrethi Tepelenë. Që në fëmijëri u përball me vështirësitë e mëdha të jetës. Mbeti jetim nga babai që 4 vjeç. Në Luftën Nacionalçlirimtare. shkroi faqe heroizmi. U plagos dy herë, por kur i prenë krahun pa narkozë, trimi preku kufijtë e legjendës. “Në se ndonjë libër,/Mbledh tragjedi bote,/ Një libër më vete,/Esht’ veç jeta jote”. U arsimua në ish Bashkimin Sovjetik, kreu detyra të rëndësishme në Tepelenë, ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe është vlerësuar me shumë Dekorata e Tituj Nderi. Një rrugë në qytetin e Tepelenës ka emrin e tij. Komisari trim, që në zjarrin e luftës sfidoi vdekjen me këngë në gojë, njeriu i nderuar dhe i respektuar në Tepelenë, Skrapar e më gjerë, mbetet përjetësisht i paharruar në vendin e tij të lindjes, në krahinën e Buzit e në tërë Tepelenën.
“NDERI I KRAHINӖS” SEFEDIN LIME KRECI (1908-1980): U lind dhe u rrit në Buz të Tepelenës në një familje të varfër fshatare, por me ndjenja të larta lirie e atdhetarie. Në vitin 1932 do të punonte komandant poste në Sopik të Gjirokastrës. Për disa muaj do të vuante burgun e Gjirokastrës në një qeli me Heroin e Popullit Mustafa Kaçaçi. Edhe pas daljes nga burgu do të provonte disa nga kufizimet e lirisë prej qeverisë së Ahmet Zogut. Ishte një nga partizanët e orëve të para dhe organizatori kryesor i LANÇ për zonën e Buzit. Kontribuoi në krijimin e çetës “Verikoll”, duke qenë dhe një nga drejtuesit aktivë të saj. Në Batalionin “Baba Abaz” dhe në Brigadën VI Sulmuese mori pjesë në të gjitha aksionet luftarake brenda e jashtë vendit, në çlirimin e Kosovës e më tej. Kudo e kurdoherë u shqua për heroizëm e vetëmohim në përballjet me forcat armike.
Sefedin Limja u burrërua bashkë me luftën e vështirësitë e jetës. Pas çlirimit, do të shërbente si ushtarak në Tiranë, Elbasan, Korçë e Pogradec (1948-1956). Pas lirimit nga ushtria, punoi në ndërmarrjen e pyjeve Tepelenë, sektori Buz, deri sa doli në pension. Ajo që e bënte të dallueshëm e të veçantë këtë figurë popullore në vitet e luftës dhe pas saj ishte burrëria, guximi e oratoria. Sefedini ishte e mbeti për Buzin, Tepelenën e më gjerë një nga përfaqësuesit e rrallë të mençurisë njerëzore, mishëruesi i fjalës së urtë e me vlerë. Trim, i fisëm e i pasur në shpirt, i mprehtë e kategorik në gjykime, absolut në qëndrimet përballë dukurive negative të kohëve dhe pushtetarëve të të gjitha niveleve. Ai dinte t’i nderonte e vlerësonte njerëzit, të kritikonte e ngrinte probleme pa marrë parasysh kostot mbi veten e familjen. Emrin atij ia lartësoi jo vëtëm vendlindja e Tafil Buzit, të cilën e deshi aq shumë, por edhe trimëria, guximi, intuita e aftësia për të zënë një vend të nderuar në furtunat e fuqishme që përshkuan fatet e kombit shqiptar. Sefedi Limja, shkruan shkrimtari Feti Zeneli, ishta sa burrë i mençur e i përkushtuar aq dhe dinjitoz. Rebel nga natyra për padrejtësitë dhe tepër i guximshëm, nuk i kursente kundështitë e humorin me këdo, duke filluar nga “i Pari e deri tek njeriu më i thjeshtë”. Është “Nderi i Komunës” Buz. Edhe pushkatimin e tij politik, përjashtimin nga partia, do ta kalonte me shumë sportivitet. Kur Tirana e Tepelena donin të korrigjonin gabimin e bërë, ai do t’u përgjigjej: “ Sefedin Limja nuk mund të fus në xhep atë që ka nxjerrë nga zemra. Edhe sikur Mustafa Matohit, që ma dha i pari atë dokument, të ngrihet nga varri!”. Dikush e quante “kokëfortë”, të tjerë e etiketonin si njeri që shpesh “dilte kundër rrymës”, ndaj dhe përballjet me të i mënjanonin. “Për ta rrëzuar lisin, gozhdë të ndryshkura ngulën,/ Donin që të tillë burra të mos kishte asnjë fis./ Po Sefedin Limen asnjëherë s’e përkulën/ Ai mes lisave ishte dhe mbeti kryelis!”
Përgatiti: Feti ZENELI
*Referuar Librit “Krahina e Buzit dhe Tepelena”,
me autor: Bedri SERJANI
