“Ngado të shkojmë e kudo të jetojmë, një gjë mbetet e përbashkët vendlindja jonë. Mos e harroni Zhapokikën tonë të shtrenjtë!” Mehmet Mane ÇIÇAJ

Ballaj është një nga fshatrat e rinj të zonës së Buzit, krijuar me Dekret nr. 7027, dt. 15.02.1986. Lagjet Ballaxhiaj, Çiçaj dhe Tafaj, pasi shkëputen nga Zhapokika1, formojnë fshatin e ri Ballaj. Pjesë e tij janë edhe disa nga familjet e ish Sektorit të Tretë. Ky vendbanim bën pjesë në Njësinë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj. Atij i shkon për shtat emri Ballaj jo vetëm për shkak të pozicionit ballor me fshatin mëmë, por dhe emrit të lagjes Ballaxhiaj. Ajo si më e vjetra e më e madhja, me rrënjën “Ball” i qëndron për bukuri emrit Ballaj. Toponime të tilla kemi edhe në Kavajë e në rrethe të tjera të vendit.
Po ku bie fshati Ballaj? Ai ndodhet në ballë të Zhapokikës. Për të vajtur atje, pasi ke mbërritur në ish-sektorin III të minierës së qymyrgurit Memaliaj, krahas ndërtesave, mbi xhaden që të çon në Izvor janë edhe lagjet Ballaxhiaj, Tafaj e deri në Çiçaj tek ish punishtja e Luftinjës.
Njerëzit e këtij fshati i përkasin besimit bektashian, ndërsa si vende të kulteve të fesë kristiane përmendet kisha në lagjen Çiçaj. Një pjesë e mirë e banorëve kanë ardhur nga rrethet Skrapar e Përmet.
Pas ndarjes nga Zhapokika, Ballaj e gjejmë me 60 familje e 342 banorë, ndërsa në vitin 1995 me 53 familje e 298 banorë. Regjistrimet e vitit 2001 evidentojnë 40 familje, 129 banorë dhe 107 ha tokë bujqësore, nga të cilat 100 ha arë dhe 7 ha drufrutorë.
Në tërë hapsirat e këtij fshati shtrihej miniera e qymyrgurit. Sektori i tretë dhe fabrika e pasurimit të qymyrgurit për shumë vite mbetën qendrat industriale të teknologjisë bashkëkohore. Ato zbukuronin dhe hijeshonin jo vetëm lagjet e fshatit Ballaj, por ishin kantiere të fuqishme pune, sepse kishin në gjirin e tyre me qindra punëtorë e punonjës shërbimi, ishte menca, klubi e shumë ambjente shlodhëse.
Nga gjiri i këtij fshati ka dalë bilbili i këngës së Buzit, Hajri Çiçaj. Në ato troje, për vite me radhë, ka banuar edhe mësuesi i talentuar, luftinjoti Aseni Sinomati, i cili do të jepte një shembull të shkëlqyer në drejtim të arsimimit të njerëzve të zonës. Të gjashtë pjesëtarët e familjes Sinomati janë me asim të lartë në specialitetet mësuesi e mjekësi. Edhe Esat Gorani, ardhur nga Vokopola e Beratit, me mund e sakrifica do të arsimonte fëmijët. Djali i tij, Pëllumbi, për disa vite do të ishte edhe drejtor i shkollës 9-vjeçare në T. Martalloz. Nga banorët e fshatit Ballaj në drejtim të arsimimit e kualifikimit është punuar në vazhdimësi. Vajza e dëshmorit Kastriot Ciçaj përfundoi juridikun dhe akademinë e rendit. Të tillë janë edhe fëmijët e Shkëlqim Çicaj, të Agronit, Fatmirit e Asllan Ballaxhajt, Irena Ballaxhia, Alfred e Fabiola Sinomati, Fatjon Ballaxhia etj. Janë dalluar për një shërbim cilësor ndaj komunitetit punonjëset e shëndetësisë Tajane Sinomati dhe Engjellushe Ballaxhia, etj.
Në të gjitha ngjarjet historike njerëzit e kësaj treve kanë kontribuar maksimalisht. Në luftërat e viteve 1912, 1914 e 1920 do të ishin edhe Selim Brahim Ballaxhia, Jonuz Maliq Ballaxhia etj. Dëshmorë të LANÇ nga ky fshat janë: Daut Sadik Çiçaj, Zaim Sali Ballaxhiaj dhe Sadik Ismail Çiçaj. Pas viteve ‘90 janë shpallur edhe dy dëshmorë të tjerë: Zyrako Tafaj dhe Kastriot Çiçaj. Kur shkruhet apo flitet për historinë e fshatit Ballaj, edhe më mirë duhen evidentuar vlerat e lagjeve Ballaxhiaj, Tafaj e Çicaj, sepse aty janë lindur e rritur njerëz me ndjenja të larta atdhetarie e lirie, punëtorë të dalluar e të respektuar. Vetëm nga fisi Çiçaj mund të përmendim një sërë familjesh të nderuara, si: Jahua, Neimi, Sulua, Haliti, Hajriu, Mustafai, Novruzi, Fuati, Resmiu, Nekiu,Tahiri, Skënderi, Ahmeti, Shkëlqimi etj. Mehmet Mania konsiderohej si një ndër burrat më seriozë të Zhapokikës, që i kishte lezet jo vetëm paraqitja kur kapardisej në kalë, por edhe kur kuvendonte në mbledhje, në takime e në muhabete familjare. Ai ishte një nga njerëzit më të dëgjuar e të respektuar, një nga punëtorët më të dalluar të minierës, i cili shquhej për fisnikëri e mirësi. duke rritur dhe edukuar 8 fëmijë.
Në fshatin Ballaj një vend të rëndësishëm zë edhe lagjja Ballaxhiaj me familjet e Selim, Arif, Abedin, Selman, Zeqir e Nazif Ballaxhiaj. Selim Brahim Ballaxhiaj mbetet modeli më i mirë në ruajtjen, promovimin e traditave dhe zakoneve të kësaj treve. Edhe lagjja Tafaj dallohet për vlerat e saj historike. Jo vetëm dëshmorja e atdheut, Zyrako Asllan Tafaj, por edhe familjet e Sabri, Tushe, Isuf e Dine Tafa zbukurojnë fshatin në fjalë.
Banorët e fshatit Ballaj e lidhën jetën e tyre me minierën. Punëtorë të palodhur, minatorë të zotë dhe njerëz që u rritën thellësive të nëntokës ka patur çdo familje e këtij vendbanimi. Mehmet, Hajri, Sulo, Tahir e Neim Ciçaj, Dine Tafa, Barjam, Nelo, Yzeir, Shyqo, Besher e Haxhi Ballaxhia etj. E në ballë të minatorëve të lagjes Ballaxhiaj do të qëndronte Hajri Selim Ballaxhiaj. Familja, miqtë e shoqëria prisnin daljen e tij në pension, por ai një ditë nuk doli i gjallë nga galeritë. Djali i Ballaxhiaj do t’u bashkohej “heronjëve”që mbetën thellësive të minierës. Vlerat e fshatit Ballaj edhe më të plota mund e duhet të vijnë, kur djemtë e tij të shkolluar do të gjejnë kohë të ulen një ditë për të shkruar historikun e trojeve të tyre.
