“Toka ime e dashur dhe e shenjtë!/Sa burra trima, të mençur e të rëndë,/prehen prej shekujsh ndë gjirin tënd.”  Agim XHEKA

Para se të paraqesim fshatin Buz Qendër, radhët e fillimit ia kemi kushtuar Buzit të hershëm jo vetëm si një nga vendbanimet më të vjetra, por edhe si kryeqendra e krahinës. Buzi shtrihet në skajin verilindor të Tepelenës, mbi 20 km larg saj , në lartësi 735 m mbi nivelin e detit.13 Ai ka qenë gjithmonë qendër komune e lokaliteti, ndërsa sot qendra e Njësisë Administrative, Bashkia Memaliaj. Buzi është i vendosur në të dy krahët e rrugës automobilistike Berat-Këlcyrë. Në regjistrimet e vitit 1703 kishte 35 familje me 210 banorë, më 1920 arrin në 74 shtëpi e 363 banorë, në vitin 1926 mbi 400 banorë, ndërsa në vitin 1938 mbi 500 banorë. Me ndarjet e rindarjet e ndodhura nga ky vendbanim krijohen 4 fshatra. Nga ndarja e parë (1927) kemi fshatrat  Buzi i Madh e Buzi i Vogël, ndërsa me ndarjet e vitit 1950 e 1980 arrihet në 4 fshatra (Buz Qendër, Buz Kalemaj, Golemaj dhe Badër).

Emri Buz ka kuptimin një vend i ftohtë. Një gjë të tillë e  përforcon edhe toponimi “Qafa e Grijës” (vend që të grin era apo të ftohtit). Për prejardhjen e këtij toponimi ekziston  dhe versioni që kemi të bëjmë me një buzë kufiri në hershmëri.14 Studiuesi francez Pjer Kaban nga vëzhgimi i “Mbishkrimit të Rabies”, arrin ta quajë këtë trevë si kufirin më verior të territorit epiriot. Në tërësi, Buzi identifikohet me një vend malor, ndërsa në kohën e Ali Pashës edhe me një qytezë. Zbulime e gjetje arkeologjike, gojëdhëna e dokumente arkivorë hedhin dritë për ekzistencën e këtij vendbanimi qysh në shekullin e parë të krishtërimit. Këtë, veç të tjerave,  e vërtetojnë varrezat e vjetra  ilire të ndërtuara me pllaka guri monolit në Badër, Revisht e B. Kalemaj, gjetjet në brendësi të tyre të armëve dhe përkrenareve. Edhe punishtet e qeramikës tek Gorrica e Guçes në Selishte, Xhelale, Balta e Kuqe, tubot e një ujësjellsi në Buz Kalemaj, etj. vërtetojnë  hershmërinë e këtij vendbanimi. Disa nga gjurmët arkeologjike janë të ngjashme me ato të Antigonesë, Kardhiqit e Leklit. Edhe pse duhen bërë studime të mirëfillta shkencore për shumicën e toponimeve të zonës, për emërtimet “Gjurmët e Mushkës” në Badër e Revisht. Etj.,  ushtaraku me akademi, z. Barjam Dyrmishi, heq paralele me të dhënat arkeologjike në fshatin Klos të Elbasanit. Në vitin 1581 episkopata e Himarës i kërkonte ndihmë Papës së Romës për t’i furnizuar me armë. Në këtë dokument krahas firmave të krerëve të 38 fshatrave, si : Dragoti, Lekli, Dhëmblani, etj.,  është edhe Buzi.

Kur u referohemi fiseve e banorëve të hershëm të këtij vendbanimi, duhen llogaritur edhe qindra familje të shpërngulura para e pas shpalljes së Pavarësisë. Nga Revishti, Gjonçi, Lajthiza e Buz Kalemaj shumë familje janë vendosur në Berat, kurse në Myzeqe fise të tëra. Nga këto fise janë edhe  “Xhekët” e poetit Agim Xheka, fiset e familjes Myftiu e Bardh Buzi në Berat, fiset Buzi në Vlorë, Fier, Mallakastër, etj. Familje të shumta me orgjinë buzjote ka në fshatrat Kallm të Fierit, në Grabjan, në Lushnjë, Roskovec, etj.

Të shkruara për Buzin gjejmë edhe te Pukëvili, Kokalari, Sabri Godo etj. Dokumente më të plota të hershmërisë së këtij vendbanimi ndodhen në arkivat e qytetit të Beratit, sepse kjo zonë lidhjet më të shumta i ka pasur me ilirët e Antipatresë. Buzi, ky emër i bukur shqip, ka patur e ka një përdorim të gjerë brenda e jashtë vendit. Prof. Shaban Demiraj, kur fliste për gjendjen etnike të Epirit, do të nënvizonte:  “… në listat e kryefamiljarëve të këtyre defterëve gjenden emra të përveçëm e llagape që vijnë prej emrave shqip si: Buz, Buzëmadh, etj.”. Sot kemi me mijëra njerëz me mbiemrin “Buzi”. Të gjitha dëshmitë e sjella mbeten argumenti më  kuptimplotë  i vlerave të përdorimit të këtij emri të rrallë të gjuhës shqipe. Nga emri “buzë” kanë prejardhjen edhe mbiemrat Buzi, Buza, Buzo, etj. Disa nga ana figurative, malësinë e Buzit dhe vlerat e saj i identifikojnë me  shqiponjën apo yllin që ndrin mes malesh me Trebeshinën përballë. Të tjerëve, nisur nga pozita gjeografike dhe gjurmët e lashta të historisë shqiptare,  Buzi u duket sikur kontrollon gjysmën e Jugut, Antenat e Buretos, Salarinë e kufijtë e Vlorës, Beratin, Skraparin, Përmetin e Tepelenën.

Buzi i ngjan një kalaje, bedenat e së cilës janë majat, grykat, qafat e pritat, përrenjtë e shkëmbinjtë e thepisur. Në lartësitë e tij gjenden rrënoja muresh me gurë të mëdhenj, shkëmbinj e guva që të shtien frikën, gryka e qafa interesante, të cilat  kanë shërbyer si pika vrojtimi apo vende nga ku drejtohej lufta. Vendet e trevës së Buzit u pushtuan nga ushtri të shumta, nga pashallarë, vezirë e gjeneralë të dëgjuar. Disa prej tyre  mbetën maleve e kodrave të kësaj hapësirave. Italianët e grekërit një pjesë të ushtarëve e gjeneralëve i kanë identifikuar dhe eshtart i kanë marrë në atdheun e tyre.

Rrjedhat e historisë shekullore të Buzit kanë vërtetuar se njeriu simbol  për pavarësinë e lirinë e Shqipërisë nuk është vetëm Tafil Buzi, por edhe kapedanë e luftëtarë të tjerë që kanë sakrifikuar e dhënë shumë herë më shumë se sa është shkruar e dokumentuar. Në faqet e librit “Krahina e Buzit dhe Tepelena” janë sjellë dhjetëra portrete trimash, por kur je duke shkruar historinë e fshatit Buz, si në ekranin e madh të shfaqen dy figura emblematike, burrat e mëdhenj që shkruan faqe lavdie, Tafil Buzi dhe Sefedin Limja.

Tafili dhe Sefedini jetuan e luftuan në  kohë e botë të ndyshme. Me armët luftarake ngjeshur brezit, me peshën e fjalës dhe autoritetin e trimit, me intuitën e zgjuarësinë e lindur mbeten të pavdekshëm. Të dy bënë histori. Edhe pse çdo krahasim apo paralele e hequr mes tyre mund të ngjajë e mangët, i pari “Nderi i Kombit “ dhe i dyti “Nderi i krahinës” janë legjenda e papërsëritshme e trimërisë, burrërisë dhe mençurisë shqiptare. Në mijëra vargje është derdhur historia e kapedan Tafilit, ndësa thëniet brilante të Sefedinit kanë pushtuar treva të tëra në Jugun e Shqipërisë. Të dy nga Buzi, i pari në krye të fshatit B.Kalemaj dhe tjetri në gjirin e lagjes Revisht, ishin e mbetën buzjotë denbabaden. Me portrete gati të ngjashme dhe me cilësi nga më interesantet do të kujtohen ata brez pas brezi. Shtatngjeshur e me mustaqe, energjik në lëvizje e komunikim dhe oratorë brilant sa nuk ua gjeje shokun. Diplomatë e të gojës gjatë gjithë jetës. Sfidues të kohërave ku jetuan. Rrethuar nga shumë shokë e miq, kudo e kurdoherë. Nga miqtë e Tafilit veçojmë  Mehmet Alinë e Egjiptit, ndërsa për Sefedinin, Sabri Godon, etj. Për fatet e Shqipërisë kapedanTafil Buzi do të sfidonte Perandorinë më të fuqishme të kohës, por do të përkrahte fuqishëm edhe luftën e popullit grek deri në vendosjen e pavarësisë.  “Edhe pavarësia e Greqisë është një lule e rritur me gjakun e shqiptarëve”, do të thoshte Aleksandër Dyma.

Tafili kishte një intuitë e shkathtësi natyrale. Asnjëherë nuk ra në kurthet e ngritura. “Për të shpëtuar nga duart e anadollakëve që pushtuan me mizëri anë e kënd Shqipërinë, ai u ngul në krahinën greke “Agrafa”. Një kapedan grek nga Agrafa, që e kishte edhe vëllam, e ftoi Tafilin në gosti që ta vriste me bestytni, mbase i shtyrë nga qeveria e Stambollit. Tafili porositi Lulo Buzin (një nga shokët e vet) që, kur t’i thoshte në mes të gostisë “hidhe gotën e rakisë, o Lulo”, menjëherë Lulo Buzi duhet ta vriste kapedanin bestytës. Mirëpo, të tri herët që Tafili tha: “Pi raki o Lulo!”, ay iu përgjegj: Nuk pi dot. I zëmëruar si luan i kreshmëruar, Tafili qiti nga silahja me të dyja duart, të dyja pistoletat që mbante, me të cilat vrau përnjëherësh si shokun frikamath edhe kapedanin që desh t’i hapte kryet me vëllamëri të rreme”.

Fshati Buz Qendër dikur i ngjante një qyteze. Buzin Qendër e përbëjnë lagjet Gjonç, Lajthizë, Revisht dhe vetë qendra e tij. Për  këto lagje i jemi  referuar historikut të fshatit dhe librit “Buzi i Madh” me autor Barjam Tare Durmishaj.

Lagjja Gjonç ndodhet në krahun e djathtë të rrugës Berat – Përmet, në lartësinë 600 m mbi nivelin e detit. Vendosja afër komunës, lokalitetit, shkollës, spitalit e rrugës Berat-Këlcyrë ka qenë për të  një “luks”. Por, krahas kësaj të mire, nënvizon biri i Buzit Barjam Durmishaj, kjo lagje ka pasur edhe riskun e keq të “kiametit”, sepse të gjitha  “rrufetë” e luftërave i ka pritur mbi kokë apo i ka hequr mbi kurriz. Dy herë është djegur Gjonçi gjatë luftërave botërore. Edhe lufta italo-greke e vitit 1940-1941 këtë territor do ta përdorte shesh betejash. Banorët disa herë kanë braktisur shtëpitë e tyre, duke shkuar deri në Fushë Krujë, Mamurras e Myzeqe. Njerëzit e malësisë së Buzit luftuan me trimëri dhe asnjëherë nuk u mposhtën. Ata, në krah të udhëheqësit të vegjëlisë dhe të trimit legjendar Tafil Buzi, në të gjitha ngjarjet historike kanë qëndruar me vendosmëri ku printe në ballë Xhelo Zaçaj. Në lagjen Gjonc u vendos Këshilli Nacionalçlirimtar  dhe Komanda e vendit e drejtuar nga Hasan Hysen Caushi, Sefedin Lime Kreci, Taip Lulo Llaka, Veli Sadik Kasëmi etj. Disa nga drejtuesit e pushtetit në fahatin Buz Qendër ishin Halil Kreci, Ilmi Dyrmishi,  Hanushe Sadikaj, Hajri Kasëmi etj.

Në Muzeun e rrethit Tepelenë ndodhet edhe historiku i fshatit Buz, firmosur nga Taip Llaka, Sefedin Kreci, Asllan Kasëmi, Muharrem e Qamil Dosti, Jaho Jaubelli dhe mësuesi himarjot Nikita Bollano. Në këtë dokument deklarohet se këshilli kishte në përbërjen e tij: Taip Llaka kryetar, Asllan Kasëmi sekretar dhe anëtarë: Elmaz Krecaj, Hajro e Yzeir Kasëmi, Faslli Caushi e Ago Adem Zaçaj. Nga Gjonçi dolën partizanë edhe Bilo e Hodo Zacaj, Murat Sadikaj, Ismail Zacaj etj. Ismaili pushkatohet nga italianët më 1943 dhe sot gëzon statusin “Dëshmor i Atdheut”.

Banorët e lagjes Gjonç janë marrë më shumë me bujqësi e blegtori, por veprimtaritë kryesore të tyre ishin ndërtimi dhe tregtia. Nuk ka objekt e vepër ndërtimi në zonë ku të mos jetë ndier dora, djersa dhe mundi i vëllezërve Ago e Bilo Zaçaj, Sadik, Riza e Demir Gjonçi, etj. Përmendim këtu edhe tregtinë e Ago Ademit, i cili  në vitin 1930 ngriti dyqanin në Qafën e Grijës.

Sipas regjistrimeve të vitit 1945, në Gjonç kanë banuar shumë fise. Po përmëndim disa nga familjet më kryesore të këtyre fiseve: Ago Adem Zaçaj (1890), Bilo Adem Zaçaj (1900), Hodo Veis Zaçaj (1885), Xhelo Hamit Zaçaj (1870), Sulejman Hodo Zaçaj (1927), Jaho Xhelo Zaçaj (1895), Islam Jaho Zaçaj (1943), Jonuz Feim Zaçaj (1915), Safet Feim Zaçaj (1900), Taip Orhan Zaçaj (1935), etj. Familje me mbiemrin “Gjonç”: Riza Nexhip Gjonçaj (1900) dhe fëmijët e tij Ilmi, Musa, Hajri, Zenepe, Sami, Riza e Nebi Gjonçaj, etj. Në këtë lagje kanë banuar edhe Shaqir Xhafer Gjonçaj (1909) dhe pasardhësit e tij: Tomorr, Sali, Bardhul, Vero, Ramadan e Xhafer Gjonçi. Familjet kryesore të fisit Sadikaj: Zenel Barjam Sadikaj (1909), Bake Hysen Sadikaj (1895), Cane Selman Sadikaj (1990), si dhe Ceno, Teme, Ramadan, Hamdi, Reshat, Jaho, Avdul, Murat, Barjam e Petrit Sadikaj etj. Nga gjiri i banorëve të Gjonçit kanë dalë specialistë e nëpunës të përkushtuar, të cilët kanë punuar pa u lodhur, si: ushtarakët Sulo e Islam Zaçaj, ndihmës mjeku Përparim Zaçaj, ekonomisti Avdul Sadikaj, etj.

Toponimin “Gjonç” e gjejmë edhe në Damës të Tepelenës, në Fier e Kolonjë. Rëndësi paraqet prejardhja e këtij emri. Duket sikur ai ka lidhje me emrin Gjon apo me Gjonçajt e Damsit, etj, por për etimologjinë e tij u takon specialistëve të fushës të hedhin më shumë dritë.

Pjesë e rëndësishme e fshatit Buz Qendër është edhe Revishti me fiset kryesore Llakaj e Krecaj. Sipas Enver Krecit, në këtë lagje kanë banuar edhe fiset Adushaj, Zylçaj, Çataj etj, por shumica e banorëve janë  larguar nga ky territor para e pas viti 1912. Një pjesë e tyre do të vendoseshin në Berat, Lushnjë, Fier deri dhe përtej Adriatikut. Revishti shtrihet në jug të rrugës nacionale Berat-Këlcyrë, ose më mirë të themi se atë e përshkon rruga Buz-Memaliaj. Në kodrën e bukur të kësaj  lagjeje, dikur mbushur me lisa e sot me pisha, ka qenë ngritur “Teqeja e Divanesë”, e cila daton fillimet e shekullit të XVII. Historikisht teqesë i ka shërbyer Halim Llaka e pas vdekjes së tij e shoqja, Halimeja. Qeramikat e gjetura dhe murishtet e shumta dëshmojnë për një vendbanim të hershëm, ndërsa rrënojat e kishës mbeten dëshmia më e mirë për ekzistencën e besimit kristian. Edhe vendi i quajtur “Divane”, që i përket kohës së pushtimit osman, tregon se aty duhet të ketë qenë një këshill gjyqësor. Një dëshmi tjetër që flet për hershmërinë e këtij vendbanimi, është toponimi “Dy Gjurmët e Mushkës”.

Nga regjistrimet e vitit 1945 familjet kryesore të lagjes Revisht janë: Tefik Sherif Kreci (1916), Ylli Tefik Krecaj, Demir Llakaj (1900), Arif Krecaj (1905), Elmaz Shahin Krecaj (1905), Sefedin Lime Krecaj (1908), Ismail e Feti Krecaj, Taip Lulo Llakaj (1900), Dine Lulo Llaka (1905), Qazim Hazbi Llaka(1922), etj.

Revishti ka përjetuar tmerre e dëmtime të rënda gjatë dy Luftrave Botërore. Një pjesë e banorëve që u  shpërngulën nga Buzi u vendosën në Delvinë e zona të tjera. Njerëzit e kësaj lagjeje kanë qenë të pranishëm në betejat e kapedan Tafilit e në ngjarjet e tjera për mbrojtjen e atdheut. Me trimëri kanë luftuar Dine Lime Kreci e Haxhi Lulo Llakaj, ndërsa patrioti Dalip Krecaj, duke kontaktuar me Hoxhë Hasan Tahsinin, ka sjellë edhe  abetaren e parë në këtë fshat. Në LANÇ dhanë kontributet e tyre: Taip, Dine e Demir Llaka, Elmaz e Tefik Kreci e të tjerë, por ai që shkëlqeu dhe i dha më tepër vlera e emër Revishtit, Buzit e Tepelenës ishte Sefedin Lime Kreci. Kur flasim për Revishtin, një vend të rëndësishëm zënë djemtë e tij të shkolluar: major Hazbi Llaka, dr. Fatbardh Buzi, inxhinier Xhemal Llaka, Kujtim Kreci, Hekuran Llaka, mësueset Luljeta, Arta e Silvana Kreci, Hatixhe Llaka etj. Pjesë e çmuar e kësaj lagjeje janë edhe burrat e urtë, të thjeshtë e të ndershëm: Demir e Dine Llaka, Feti, Halil, Ismail, Enver, Ferrik, Arif e Baki Kreci etj.

Lajthiza ka qenë gjithmonë pjesë e fshatit Buz, por për disa vjet i aneksohet fshatit Kurtez. Kjo lagje shtrihet në të majtë të rrugës nacionale Berat-Përmet e vendosur në një kodër të bukur me  rreth 300 m larg qendrës. Kufizohet me Golemaj, Kurtezën, Revishtin e Gjonçin. Dy janë fiset kryesore në Lajthizë:  Caushaj e Beqiraj. Si familjet më të vjetra evidentohen: Hysen Hasan Caushi (Lajthiza), Faslli Malo Caushaj (1893), Mamude Hamzo Caushaj (1910), Safet Hasan Caushaj (1922), Demir Caushaj, Tare e Halim Malua, Halim Mane Xhemja, Hariz Safet Caushi, Barjam Seit Beqiri (1900), Shuaip Beqiri, Qemal Asllan Beqiraj etj. Në vitet ’80 Lajthiza kishte mbi 40 banorë, ndërsa në vitin 1991 kemi familjet e Dalip, Ismail, Agim, Kujtim,  Shahin, Mane e Hariz Caushaj, Shyqyri,  Petrit, Gani e Flamur Beqiraj, etj.

Banorët e Lajthizës do të shquheshin për shpirtin e tyre luftarak, për mikpritjen, ndjenjën e punës e të bashkëjetesës në komunitet. Të tilla kanë qenë familjet e Seit e Myrto Beqirit, Hysen, Mane, Ismail, Hariz e Lime Caushit, etj. Lajthizjotët, krahas luftës e punës, në gëzimet familjare, në dasma e veprimtari të ndryshme kanë ditur t’ia marrin shtruar edhe këngës e valles. Vëllezërit Faslli e Tare Malua me bukurinë e zërave të tyre bënin jehonë në krahinë e më gjerë. Edhe në drejtim të arsimimit arritjet kanë qenë të mira. Janë të shumtë ata që kanë mbaruar arsimin e mesëm e të lartë, si: Ismail,  Xhevair, Demir, Besnik, Ganimete, Shefiko, Boris, Drita e Arben Caushi, etj. Janë ngarkuar me detyra të rëndësishme në administratën shtetërore: Hajri Hasan Caushi në trupin diplomatik në Çeki e Rumani, Ismail Caushi financier në koop. Buz, Demir Caushi në Qarkun Gjirokastër, etj. Në Buzin e largët një kontribut të çmuar do të jepnin  edhe dy bijtë e Lajthizës, shoferët veteranë Mane e Kujtim Caushi.

Pozita gjeografike e këtij vendbanimi u ka kushtuar shtrenjë njerëzve të saj. Lajthiza, duke qenë tepër e ekspozuar ndaj veprimeve luftarake ajrore e tokësore, është djegur e shkatërruar disa herë. Banorët e saj simbolizojnë qëndresën e fuqishme për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ata kurrë nuk janë zënë në befasi. Në vitin 1942 përfshihen në njësitin guerril të zonës. Me aksionet e tyre do të bëheshin tmerri i kolonave armike dhe shkëndija e parë për krijimin e çetës territoriale, me komandant Hasan Hysen Caushaj. Trimat Hasan Caushi, Asllan e Qani Beqiri në përpjekje me armikun dhanë jetën e tyre dhe sot gëzojnë statusin “Dëshmor i Atdheut”.

Fshati Buz për periudhën1700-1927 dhe pas vitit 1960 Buzi Qendër, lidhur me numrin e popullsisë, ka këto të dhëna:

 

Vitet 1700 1920 1927 1969 1979 1989 1995 2001 2018
Banorë 210 365 401 302 387 443 324 200     46
Familje   35   74   84   64   80   92   73   39     17

 

Pas vitit 1927 duket sikur në numrin e banorëve kemi rënie. Jemi në kohën kur Buzi ndahet në dy fshatra, ndërsa rritjet pas vitit 1979 vijnë si rezultat i shtimit të qendrës me familje nga sektori i arsimit e shëndetësisë, nga nëpunës e punonjës që punuan në administratë, në tregëti, NGP, elektrik etj. Edhe pse në vitet 1930-1940 arsimi në krahinë nuk pati ndonjë zhvillim të dukshëm, ngjarje e veçantë në vitin 1935 në qendër të komunës Buz do të ishte hapja e shkollës me sistem 5-vjeçar.

Lidhur me historikun e kësaj shkolle, në vitin 1959, drejtori Ferrik Danaj  shkruan: “Pas vitit 1933 zhvillohen debate të ashpra mbi nevojën e hapjes së shkollës në Buzin e Madh. Përfaqësuesit e këtij fshati kërkonin  që shkolla në Buzin e Vogël të mbyllej dhe të hapej në qendër, sepse ishte më pranë komunës dhe u shërbente një numri më të madh fshatrash e lagjesh në zonë. Por kundërshtimi ishte i fuqishëm nga paria e fshatit Buz i Vogël. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje ngrihet një komision me këta burra: Sefer Kanani, Xhelo Zaçaj, Hasan Hyseni, Sefedin Limja, Hazbi Hasani, Bake Cenua dhe Ago Ademi. Me pëlqim edhe të inspektorit të arsimit Tepelenë në vitin 1934-1935 fillon shkolla fillore në Buzin e Madh me mësues Ali Mezhgorani e Sedat Asllani, Andrea Ruçi, Nexhip Sinoimeri etj. Pas çlirimit, në vitin shkollor 1945-1946 shkolla e Buzit do të kishte 92 nxënës me mësuese Manushaqe Puto e Aleksandra Zaho, ndërsa në vitet më pas do të jepnin mësim mësuesit Tomorr Kotoni,  Mekesen Bungo, Ahmet Bilikbashi, Dhimo Hila, Bektash Zite, Antigoni Mata,  Mufit Dhrami etj. Mësuesit e shkollës “Tafil Buzi” kanë qenë me dhjetëra, por në vitet e zjarrta të luftës për liri do të shquhej edhe gjirokastriti Nexhip Serjan Sinoimeri, i cili për aktivitetin e dhënë në vitet e LANÇ vritet në Roskovec. Për ndërtimin e shkollës së Buzit duhet vlerësuar edhe kontributi i Ago Zaçaj. Ai, duke qenë një nga organizatorët kryesor të ngritjes së saj, la në dispozicion tokën e vet dhe me ustallarët: Ismail Xhelili nga Selcka, Rexhep Kika nga Arrëza, Zenel e Murat Sadiku nga Buzi realizuan ndërtimin e godinës. Disa nga nxënësit e parë që përfunduan shkollën e Buzit ishin: Asllan Kasëmi, Hajri Caushi, Sulo, Jaho, Ismail e Veiz Zaçaj, Mane Caushi, Tefik, Ilmi e Reshat Durmishi, Haki e Ali Kasëmi etj. Shkolla e parë e arsimit 7-vjeçar në krahinë hapet në vitin 1951 në qendër të Buzit, me rreth 200 nxënës, 10 mësues dhe drejtor Makesen Bungon nga Elbasani, Në vitet në vazhdim shkollën “Tafil Buzi” do ta drejtonin mësuesit e talentuar Dhimo Hila, Bektash Zite, Ferrik Danaj, Spiro Naka, Qemal Gërbi, Nikita Bollano, Iliaz Danaj, Hetem Kanani, etj.

Buzit qendër në vitet ‘80 paraqitej më i veçanti e më i zhvilluari nga fshatrat e tjera. Për një periudhë të gjatë ngjante me një qytezë të vogël. Ai  jo vetëm që shtohej e zmadhohej në numër, por gëzonte edhe  më shumë të drejta e privilegje. Në territorin e tij ishin vendosur komunës, lokaliteti, administratat e shumë institucioneve shtetërore, ishte shkolla 8-vjeçare dhe e mesme, spitali, sektori i tregtisë, posta, dega e bankës, gjendja civile, policia, pyjorja, rezervat e shtetit, punishtja, etj. Të gjithë këta sektorë i shtonin hijeshinë këtij vendbanimi dhe mundësonin me dhjetëra njerëz në punë shteti. Rreth 3-4 orë në ditë, qendra e Buzit gumëzhinte nga njerëzit e shumtë. Deri në vitin 1970 në Buz kalonte Jugu i Shqipërisë, por edhe pas këtij viti komunikacioni nuk ka munguar. Të dy korrierat (autobusët) që vinin nga Berati e Tepelena, autobusi i linjës Përmet-Berat dy herë në ditë dhe qindra njerëz që zbarkonin nga e gjithë zona i jepnin kësaj qendre pamjen e një mjedisi plot gjallëri e jetë. Shumica e njerëzve derdheshin lumë në qendën e Buzit për të bërë tregti, për të shitur bimë medicinale, për të marë një certifikatë, pensionin, për t’u celebruar etj. Qafën e Grijës e civilizonin mbi 30 familjet e  ardhur nga qyteti e krahina të tjera. Zakonisht në klub  gjatë orëve të drekës, ku shërbenin plot pasion, shpejtësi e çiltërsi Nokja, Ftikua, Ferruzeja, Hyseni e Fetiu, nuk gjeje një vend bosh për të pirë një kafe.

Edhe spitali i ngritur në krye të lagjes Gjonç, një godinë dykatëshe me 20 dhoma  që siguronte një shërbim të pandërprerë shëndetësor, përcillte shkëlqim e dritë në gjithë zonën. Rrezatonin kulturë mjeksore mbi 30 punonjësit e këtij institucioni, nga të cilët 6 me arsim të lartë ( mjekë, dentistë e farmacistë). Dua të veçoj këtu drejtuesit e spitalit të Buzit Pandeli Zahara, Irfan Ceka, Thoma Dardeli, Zeno Jahaj e Abaz Brahimi, farmacisten Hateme Ajazi dhe mjekët stomatologë Hysni Kasëmi, Engjellushe Pasha, Viktor Shehu etj, të cilët ishin nga më të përkushtuarit e këtij shërbimi.

Vlerat intelektuale që kanë mbartur nëpunësit e Buzit mbeten sa të çmuara po aq dhe të pakrahasueshme me të tjerët kudo e kurdoherë. Me nivelin më të lartë të përgatitjes e përkushtimit për detyrën, ata ndikuan dukshëm në përmbushjen me sukses të  misionit që shoqëria u kish ngarkuar. Kur shokët e shoqet e tyre kishin zënë qytetet dhe gëzonin më tepër të mira e të drejta, një pjesë e mirë e mësuesve, mjekëve, infermierëve, specialistëve të bujqësisë e blegtorisë, ardhur nga Tirana, Elbasani, Berati, Vlora, Saranda, Gjirokastra e Tepelena, do të punonin me vendosmërinë maksimale fshatrave të Buzit malor. Për ta duhet shkruar e folur në vazhdimësi, sepse sakrifikuan pjesën më të bukur e më të rëndësishme të jetës së tyre. Në shenjë mirënjohjeje po përmendim disa çifte nëpunësish që kaluan një pjesë të mirë të jetës së tyre në qendër të Buzit. Po e nis me ata më të hershmit: Pandeli e Fatime Zahara, Myrto e Zenepe Alimema, Kadri e Sheqere Hoxha, Sali e Mero Asllani, Spiro e Elisabeta Naka, Nikita e Kaliopi Bollano, Niko e Ftiko Kondrololi, Irfan e Nurihan Ceka, Thoma e Gjystina Dardeli, Çarçan e Xhemile Dalani, Iliaz e Vangjeli Dana, Jano e Afërdita Sotiri, Sabri e Tire Pilkati, Razi e Marika Kapllani, Asqeri e Zylfie Nebiaj, Koço e Lezina Miçi, Sami e Pëllumbesha Jaupi, Seit e Hateme Ajazi, Tahir e Behije Kurti, Estref e Zeno Jahaj, Bedri e Bajame Serjani, Servet e Trëndafile Mërtiri, Kamber e Bejaze Myftari, Laze e Minushe Pasha, Muharrem e Thëllëzë Lamaj, Feta e Fato Shuaipi, Muharrem e Zengjine Arapi, Hysen e Shaqe Dauti, Shefit e Sabo Meta, Novruz e Ferruze Çapuni, Hetem e Qemo Duraj, Veli e Ferruze Allkushi, Feti e Flora Xhemali, Gramoz e Serie Mema, Hetem e Mjaftoni Kanani etj. E njëjta mirënjohje shkon edhe për dhjetra punonjës të tjerë që kanë derdhur mund e djersë dhe me sjelljet e korektësinë e tyre i shtuan vlera qendrës së Buzit. Një punë voluminoze e tepër të rëndësishme bënin punonjësit e  tregtisë me të  palodhurin Sadik Bakia, dega e bankës me Shefit Metën e Hyqmet Goxhën, shërbimi pyjor me Sefedin Limen e më pas me inxhinierët Fatmir Shehun e Miltjadh Çarkën e Kujtim Krecin, policia me Skënder Nebiun,  Feta Shuaipin e Asaf Cacën, sektori elektrik me Hetem Duron, Shyqo Beqirin e Hydai Kalemin, postë – telekomunikacioni me Hetem Jenishaj, Zonjë Krecin, Gramos e Kareman Memën e Xhemali Çumani, punonjësit e NGP me Reshat Shehun, Faslli Zirën, Hekuran Zaçen, Qemo Duraj, Ferruze Çapuni, Fato Shuaipin etj. Të gjithë këta njerëz të palodhur u shërbyen me besnikëri banorëve të  krahinës. Ata i dhanë bukuri e gjallëri qëndrës së Buzit, e cila në vitet ‘80 i ngjante një qyteze të vogël.