“Unë flas tri herë në ditë me misrin dhe, të dy palët merremi vesh për bukuri. Gjithë sekreti i sukseseve tona qëndron tek mirëkuptimi me njëri-tjetrin.” Sako SHUAIPI

Kur vjen nga Memaliaj e ngjitesh për në Buz, ose kur del nga qendra e Buzit e je te ish-zyrat e pyjore apo në lagjen Lajthizë, vështrimi i hedhur tej në horizont nuk ka se si të mos ndalet në një fshat të bukur me emrin Kurtez. Ndodhet pothajse në qendër të krahinës, shtrihet në një pllajë piktoreske me pamje nga perëndimi. Gjithë territori rrethohet nga dy përrenj që rrjedhin furishëm dhe i bashkohen lumit të Maricajt. Nga veriu Kurtezën e qarkon rruga nacionale Berat-Këlcyrë. Në krye të saj qëndron si monument natyre kodra “Bregu i Kurtez”. Kur je në këtë kodër, fshatin dhe sinoret e tij i ke si në pëllëmbë të dorës, ndërsa shikimi zgjatet në të katër anët e horizontit. Prej andej shikon “Majën e Zezë” në Zhapokikë, malet e Sinanajt, Këndrevicën, Buhavën, Shëndëllinë, Trebeshinën, malet e Oparit, të shenjtin Tomorr dhe “Tri Çukat” e Gllavës. Kurteza nga veriu kufizohet me Buzin qendër dhe Buz Kalemaj, nga lindja me Golemaj e Arrzën e Vogel, nga perëndimi me Revishtin e Xhafajn dhe nga jugu me fshatin mëmë, Maricaj.Në hershmëri Kurteza ishte lagje e fshatit Maricajt, ndërsa pas vitit 1946 ndahet prej tij. Me Dekret nr. 2593, dt. 6. 2. 1958, Kurteza shpallet fshat më vete. Ky vendbanim ka qenë pjesë e komunës Buz, sot e Njësisë Administrative me të njëjtin emër, bashkia Memaliaj. Lidhur me prejardhjen, thuhet se Kurteza vjen nga emri Kurt. Kurt Pasha erdhi në krye të Pashallëkut të Beratit në vitet 1767, duke i shtrirë territoret e veta deri në Janinë. Si veziri më i fuqishëm për kohën, i kishte pëlqyer shumë territori ku shtrihet Kurteza sot, ndaj dhe kishte lënë porosi që ai vend të merrte emrin e tij. Edhe nga analiza fjalëformuese del se rrënja “Kurt” + prapashtesa “ez” jep emrin Kurtez. Në këtë territor mund të kenë banuar fise të besimit kristian. Kjo nisur edhe nga gjurmët që gjenden sot e kësaj dite me emërtimet: Kurt, Gjok apo vet toponimi Kurtez, “Bregu i Kurtes”, “Ara e Gjokes”, “Përroi i Gjok Nenës”, “Kurt Dusha” (Kurdusha), Dhimo Lena (Dimolena) etj. Në këtë vend do të gjejmë edhe emërtime sllave si: “Gllavë”, “Kreshovë” etj. emërtime turke: “Bregu i Taushanit” (Bregu i lepurit), etj. Me dhjetëra toponime ka ky vendbanim, ndër të cilët veçojmë: Qafa e Ujkut, e Limes, e Vidhit, e Frashërit, Përroi i Buzit, Lisi i Varreve, i Cenos, i Gjokës, Ulliri i Dervishit, Rrapi i Sakos, i Sherifit etj.
Kurteza përbëhet nga shtatë fise: Demaj, Shuaipaj, Bilaj, Memaj, Lekaj(Lakaj), Jenishaj, Manaj dhe Minaj. Studiuesit konkludojnë se ky fshat, themeluar mbi troje te hershme, është rritur e zhvilluar krahas vendasve edhe prej të ardhurve nga Skrapari, Përmeti etj. Duke lexuar librin “Kurteza ime” me autor Shuaip Shuaipin arrin në përfundimin se banorët e këtij fshati miqësitë e krushqitë më të shumta i kanë me rrethet Tepelenë e Përmet. Mbi 100 martesa janë brenda krahinës së Buzit, nga të cilat 10 brenda fshatit. Lidhje martesore me rrethet e tjera kemi: me Përmetin 38 raste, me Beratin 25, me Mallakastrën 17, me Vlorën 18, me Skraparin 10, me Tiranën 20 etj. Nënvizojmë se mbi 10 martesa janë lidhur me shtetas të huaj.
Numri i banorëve në fshatin Kurtez:
| Vitet | 1946 | 1969 | 1979 | 1989 | 1995 | 2001 | 2020 |
| Nr.familjeve | 34 | 55 | 78 | 95 | 42 | 23 | 13 |
| Nr.banoreve | 184 | 206 | 263 | 294 | 185 | 98 | 27 |
Pas viteve 90 edhe në Kurtez filloi shpërngulja masive. Mbi 75 familje kurtezote janë të vendosura në qytete të ndryshme të vendit : në Tepelenë janë 5 familje, Memaliaj 7, Sarandë 6, Durrës 30, Tiranë 13, Vlorë 6, Gjirokastër 5, Përmet 2 etj. Kurteza ka një territor afësisht 700 ha, nga të cilat mbi 100 ha janë tokë arë e të tjerat pemëtore, pyje e kullota. Vlera të veçanta marrin fushat e saj për kultivimin e misrit dhe tokat rreth fshatit që janë të zhytura në pemë, vreshta e ullishte. Fushat e Kurtezës në krye mbyllen me fushën e teqesë. Teqeja e Baba Hasanit te Bregu i Kolës ishte institucioni kryesor i bektashizmi për fshatin Kurtez. Atje ka shërbyer edhe Baba Islami. Në territoret e kësaj teqeje ishin ndërtuar mullinjtë e blojes. Në fillim ishin dy të tillë, ku njëri funksionoi deri vonë. Babai i Teqesë kishte ndërtuar një sërë ndërtesash, ku priteshin njerëz e pushohej. Kishte ndërtuar edhe një rezervuar uji në formën e një pishine që garantonte funksionimin e mullirit në periudhën e verës, kur niveli i prurjeve të lumit pakësohej. Si vende kulti të fesë kristiane janë rrënojat dhe emertimet: Ara e Kishës, Bregu i Kolës, si dhe toponimet që u përmendën më sipër.
E kaluara historike e kurtezotëve është për t’u admiruar. Ata, në ngjarjet më të rëndësishme, do të kontriubonin denjësisht e do të sakrifikonin jo pak. Pasojat e Luftës së Parë e të Dytë botërore ishin të rënda për këdo. Por, për vetë pozicionin gjeografik, kurtezotët në disa raste e kanë pësuar keq. Andartët grekë do të vrisnin e do të linin pa varr Feim Shuaip Shuaipin dhe Seit Lako Lekën. Ndërsa në qershor të vitit 1944 nazistët gjermanë do të digjnin shumë shtëpi të fshatit, duke lënë pa strehë rreth 60 frymë. Në këtë masakër u dëmtuan rëndë fiset Jenishaj, Demaj, Memaj, Shuaipaj e Lekaj. Në LANÇ morën pjesë mbi 15 partizanë: Hodo Ibrahim Shuaipi, Elmaz Jashar Mema, Maksut Ibrahim Shuaipi, Qerim Asllan Bilo, Shahin Feim Shuaipi, Novruz Ramadan Leka, Haki Mane Manaj, Dalip Jonuz Leka e Kanan Qamil Jenishi. Njëri prej tyre, Halil Banush Leka ra në fushën e betejës dhe sot ka statusin” Dëshmor i Atdheut”. Për heroizmin e treguar gjatë LANÇ mund të flitet pa mbarim, por nuk mund të rrimë pa përmendur qëndrimin burrëror të dy grave kurtezote, Selvi Mema e Shegë Shuaipi, të cilat i shpëtuan jetën njërit prej drejtuesve të luftës partizane në krahinën e Buzit, Rebani Shehut. Gjithashtu, Hodo e Masut Shuaipi u plagosën rëndë dhe gjithë jetën gëzuan statusin e invalidit të Luftës.
Shkolla fillore hapet më 1963, me mësues të parë Nasho Shitunin nga Gjirokastra. Në këtë shkollë kanë dhënë mësim edhe Muhamet Baka, Ganimete Caushi, Fatmir Selami etj, por për vite të tëra mësues në Kurtez do të ishte djali i fshatit, Shuaip Shuaipi. Sipas kujtimeve të këtij mësuesi veteran bëhet me dije se fëmijët e Kurtezës në vitet e para të pasçlirimit mësimet do t’i ndiqnin në Maricaj e më pas në Buz. Si mësues të parë në Maricaj kishim Izet Saliaj, ndërsa në Buz Myftar Lazen e Asllan Sadikun. Nxënësit e Kurtezës arsimin 8-vjeçar e atë të mesëm e kanë ndjekur në shkollën “Tafil Buzi”. Edhe shërbimi shëndetësor në Kurtez nuk ka munguar. Infermierja e parë ka qenë Xhezmije Zaçaj, më pas Tefta Minaj dhe aktualisht Fetnie Jenishi. Për shumë vite ka funksionuar kopshti dhe çerdhja e fëmijëve me edukatore Floresha Bilaj dhe Salushe Shuaipi.Me dhjetëra djem e vajza të këtij fshati kanë dalë nga bankat e shkollës së mesme “Tafil Buzi”. Vit pas viti do të rritej numri i atyre që shkuan në universitete, institute apo në shkollat e larta ushtarake. Në vitin 1980 Kurteza kishte mbi 20 vetë me arsim të lartë, ndërsa aktualisht numri i tyre arrin në mbi 150 të tillë.
Kooperativa u krijua më 17 mars të vitit 1957, me kryetar Halim Mema. Me vonë atë e drejtuan Tare Caushaj, Novruz Demaj e Hanure Mino. Pas vitit 1967, Kurteza do të bashkohej me fshatrat Buz Golemaj e Arrëza e Vogël dhe qendrën e kooperativës do ta kishin tek ndërtesat e Teqesë në Bregun e Kolës. Ndërsa pas viteve ‘70 kjo ekonomi do të ishte pjesë e kooperativës së bashkuar Buz. Në raport me numrin e banorëve, Kurteza ka patur të punësuar në administratën shtetërore një numër të konsiderueshem djemsh e burrash. Binin në sy ata që shërbenin në organet e ushtrisë e të policisë së shtetit. Të tillë ishin vëllezërit Elmaz, Isuf e Ahmet Mema, vëllezërit Hajri, Lime e Muharrem Jenishaj, Fadil e Ali Jenishi, Sadik Demo, vellezerit Qazim, Novruz, Qemal, Hajri e Dashnor Leka, Mehmet e Pëllumb Mino, Abaz e Qani Bilaj, Nazmi Manaj, Zylo Memaj, Maksut, Feta, Arben, Artan, Kastriot e Hasim Shuaipi etj.
Disa nga ushtarakët me Akademi e shkolla të larta do të kryenin detyra të rëndësishme në njësi të ndryshme ushtarake, si: Elmaz Jashar Mema në Shkollën e Bashkuar të Oficereve dhe në Ministrinë e Brendshme, Hajri Petref Jenishaj në korpusin e Shkodrës, Fadil Ceno Jenishaj në njësitë ushtarake të Korçës etj. Djemë e fshatit Kurtez shërbyen me përgjegjësi në detyra të rëndësishme në Tepelenë dhe në Tiranë. E tillë eci koha edhe për Myslim Doko Minon, i cili kreu studimet e mesme në Shkodër e të lartën në Tiranë për zootekni (1963-1972). Për 15 vjet punoi në Tepelenë duke arritur deri shef i seksionit të bujqësisë dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të rrethit. Në vitin 1987, si një nga specialistët më të përgatitur në Tepelenë e më gjerë, do të emërohej në Ministrinë e Bujqësisë, në postin e Drejtorit të Drejtorisë së blegtorisë. Krahas realizimit me sukses të detyrave të ngarkuara, Myslymi gjithë energjitë e tij do t’ua kushtonte kualifikimimeve e specializimeve brenda e jashtë vendit. Në Tiranë drejton Organizatën Profesionale që kontribuon në zhvillimin e ekonomisë kombëtare në fushën e blegtorisë.
Njerëzit e fshatit Kurtez kanë qënë të zgjedhur edhe në krye të organeve të pushtetit vendor: Ylli Shuaipi kryetar i Këshillit të Bashkuar Buz, ndërsa Arjan Leka administrator i Njësisë Administrative Buz. Mësuesi Shuaip Shuaipi për 20 vjet me radhë do të kryente detyrën e sekretarit të këshillit, ndërsa kryetarë të pushtetit në fshat do të ishin Novruz Demaj, Barjam Lekaj, Dritë Leka etj, të cilët do të punonin me përkushtim dhe fisnikëri. Edhe në sektorin e arsimit kontributet e mësuesit Shuaip Shuaipit, të Baftjar Bilajt si mësues e drejtor shkolle në krahinën e Buzit dhe në Tiranë, i Agron Demajt si mësues e inspektor në Drejtorinë Arsimore Tepelenë mbeten vlera të këtij komuniteti. Kanë punuar pa u lodhur për fshatin e krahinën: Jonuz Leka, Halim e Sabri Mema, Novruz e Ylli Demaj, Feim, Feta, Gani e Ymer Shuaipi, Qamil e Tomorr Minaj, Hetem e Avdul Jenishi etj. Fuqia më e madhe e kurtezotëve sot janë të rinjtë e të rejat e arsimuara që punojnë në institucionet shtetërore, në sipërmarrjet e tyre private dhe në emigracion.
Për Kurtezën e njerëzit e saj edhe autori i këtij libri nuk mund të rrijë pa shprehur vlerësime: “Ne drejtuesit e ekonomisë së Buzit ishim të bindur se normaliteti në Kurtez ishte i garantuar. Banorët e këtij fshati, dalluar për qëndrueshmëri e vullnet në zbatimin e ligjeve të shtetit, ta lehtësonin kryerjen e detyrës. Sjellja e qytetëruar dhe komunikimi shembullor në çdo familje e forconte edhe më tepër sigurinë në mbarëvajtjen e punëve. Novrus Demua e Jonuz Leka, si dy drejtuesit kryesorë të fshatit, por edhe Halim Mema, Feim e Gani Shuaipi, Barjam Leka, Hanure Mino, Drita Leka, Besim Manaj, Ylli Dema etj., i kishin treguar me kohë vlerat e tyre. Në fushë e gjeje xha Sakon jo vetëm ditën, por edhe natën. Ai gjithmonë do të printe në realizimin e rendimenteve të larta në kulturën e misrit. Kur pyetej për sekretin e arritjeve, shtatëdhjetëvjeçari plot thjeshtësi e siguri përgjigjej: “Unë flas tri herë në ditë me bimën e misrit dhe për të gjitha hallet e nevojat tona të dy palët merremi vesh për bukuri. Gjithë sekreti i sukseseve, konkludonte xha Sakua, qëndron tek mirëkuptimi me njëri-tjetrin”. Ndërsa nga Dokua, Petrefi, Kanani, Xhelua, Shahini, Hodua, Qerimi etj. kishe çfarë mësoje e diskutoje. Këta njerëz të thjeshtë e fjalëpakë, bujarë e gjithë fisnikëri, shquanin në të gjitha drejtimet. Jo vetëm në fshat, krahinë e rreth, por në të gjitha institucionet shtetërore ku kanë punuar e punojnë djemtë e Kurtezës kanë shfaqur vlera. Të tillë i gjen kurtezotët në Tepelenë, Memaliaj, Sarandë, Durrës, Tiranë e jashtë vendit. Mirënjohje për çdo familje e në veçanti për Shuaip Shuaipin, Myslim Minon,Ylli Demon, Baftjar Bilon e Avdul Jenishin, të cilët ndihmuan e bën të mundur shkrimin e këtij historiku për fshatin e tyre.
