“Trojet tona janë të shenjta.T’i duam e t’i mbrojmë edhe me jetën tonë”! Dëshmori
Ismail CACA

Në rrethin e Tepelenës janë dy fshatra me emrin “Martalloz”. Njëri ndodhet në zonën e labërisë e tjetri në toskëri. Për të bërë dallimin mes tyre, koha duhet të ketë thirrur në ndihmë përcaktorët lab e toskë.Toponimi Martalloz do të thotë ruajtës i grykave53, ndërsa “martallos” në kohën e sundimit osman quhej një njeri i armatosur që ngarkohej për të mbajtur rregullin a qetësinë e një krahine54. Me emrin Martalloz gjendet edhe një lagje në Rehovë të Beratit. Martallozi toskë ka qënë një nga fshatrat më të mëdha të krahinës së Buzit. Ndryshe nga sot, para viteve “50 pjesë e tij ishin edhe fshatrat Xhafaj, Vagalat dhe Dervishaj. Ky vendbanim i hershëm, shtrirë në dy anët e lumit Maricaj, arrinte deri në pllajën e malit Shëndëlli. Kufizohej me Maricajn, Buzin, fshatrat e Dervenit, Zhapokikën dhe Luftinjën. Ka qenë gjithmonë fshat i krahinës së Buzit dhe pjesë e Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj.
Në historikun e vitit 1959 të këtij vendbanimi, firmosur nga mësuesi Seit Duraj dhe drejtuesit e fshatit Tefik e Shyqyri Merkaj, gjejmë të dhëna interesante. Edhe pse për prejardhjen e emrit nuk jepen hollësi të shumta, thuhet se i pari që ka themeluar këtë vendbanim quhej Marto. Në fillimet e veta fshati kishte mbi 10 lagje. Në vitet e pushtimit osman ka patur varfëri e prapambetje të theksuar. Disa nga djemtë e fshatit shkonin ushtarë në vendet e Perandorisë. Pas vitit 1912 territori i T.Martallozit zaptohet nga bejlerët e Vasjarit dhe nga Novruz Muhamet Hajnaj. Rrënojat në Cacaj, tek Bajamja e Beut, Qafa e Hamzajt, Qafa e Bregalit, Bregu i Estrefit, Bregu i varreve, varret e vjetra te Lisi i fshatit, te Lisi i Kuçit, fusha e Martallozit dhe të tjera toponime dëshmojnë hershmërinë e këtij vendbanimi. Vende të kulteve të fesë kristiane janë rrënojat e kishës afër Luadhit, ndërsa të fesë islame kemi Xhaminë në qendër, Teqenë e Baba Manes në Cacaj, Teqeja e Sheh Hasimit në Vagalat, etj.
Masakrat e shovinistëve grekë u ndien fuqishëm edhe në këtë fshat, i cili në atë kohë kishte 293 banorë dhe 55 familje, nga ku 45 shtëpi u dogjën krejtësisht. Në të gjitha kohërat, burrat e këtij fshati janë shquar për ndjenja të larta patriotizmi, lirie dhe atdhetarie. Të tillë kanë qenë: Sali Mane Martallozi, Ahmet e Cane Martallozi etj. Kapedan Ahmet Martallozi mori pjesë në Kryengritjen e Mallakastrës në vitin 1947. Ai do të firmoste letrën drejtuar mbretit të Greqisë për të ndihmuar Shqipërinë.
Në të gjitha ngjarjet historike banorët e T. Martallozit kanë qenë pjesëmarrës aktiv e me kontribute të veçanta, por gjatë LANÇ. mbeten më të vlerësuarit. Më 12 gusht 1942 formohet Këshill Nacionalçlirimtar, i pari këshill në zonë. Në historikun që ndodhet në Muzeun e Tepelenës, shkruhet se këshilli përbëhej nga Sheh Hasimi, Qazim Telhaji, Bardho Hajnaj, Brahim Tare e Dane Resuli, ndërsa në arkivën e zyrës së veteranëve të rrethit evidentohen: Hasan Merko kryetar, Hysen Aliaj sekretar, Jaup Jaupaj anëtar etj. Po këtë ditë u formua njësiti guerril me 30 vetë me komandant Elmaz Nexhipin. Në muajin qershor-korrik 1943 u ndez ashpër lufta e tepelenasve kundër pushtuesve italianë. Inisiativën e parë në këtë drejtim e mori njësiti luftarak i Martallozit, i drejtuar nga Ismail Xhemaliu. Në grupin e luftëtarëve për çlirimin e vendit do të shquheshin: Elmaz Nexhipi, Demir e Dule Duraj, Neki Hoxha, Jakup Jaupaj, Osman e Kalo Kasa, Ramiz Caca, Ramiz Merkaj, Sami Manaj, Shefqet Shehaj, Xhevit Cacaj, Veis Jaupaj etj. Ata që nuk u kthyen më pranë familjeve të tyre, që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë e që mbetën të pavdekshëm, janë Ismail Xhemali Caca, Gani Dule Rama dhe Sate Xhafer Aliaj.
Popullsia dhe territori:
| Vitet | 1923 | 1928 | 1945 | 1969 | 1979 | 1989 | 1995 | 2001 | 2017 |
| Banorët | 234 | 290 | 335 | 228 | 367 | 475 | 493 | 309 | 152 |
| Familjet | 52 | 57 | 61 | 52 | 60 | 68 | 71 | 68 | 38 |
Kur u hedh një sy treguesve të popullsisë, duket sikur pas vitit 1969 krahasuar me 1945 kemi rënie. Kjo ka ndodhur, sepse pas viteve ‘50 nga Tosk Martallozi kemi shkëputjen e Vagalatit e Xhafajt si fshatra më vete. Statistikat e vitit 1995 tregojnë një popullsi prej 493 banorë me 73 familje, tokë bujqësore 272 ha, arë 240 ha, pemishte 22 ha, ullishte 10 ha, kullota 79 ha, pyje 583 ha etj. Në regjistrimet e vitit 2001 janë 75 banesa dhe një popullsi prej 309 banorë, nga të cilët 158 meshkuj e 151 femra.
Lagjet që përbëjnë T. Martallozin janë: Merkaj, Cacaj, Kërvaçaj, Kasaj, Duraj, Jaupaj, Shehaj, Aliaj etj. Duke i hedhur një sy regjistrit të vitit 1945, krahas lagjeve kryesore, gjejmë edhe fiset Cobanaj, Hajnaj, Myrtaj, Zaçaj, Bejdaj etj. Dy fjalë për fiset kryesore të këtij fshati: Nga dera e Haxhi Axhem Cacës, krahas vëllezërve: Tare, Vero e Laze Caca janë edhe Myfyt e Telha Qazim Caca. Nënvizojmë se Tare Haxhi Caca, si më i përkushtuari me punët e bujqësisë e të fshatit, në detyrën e përgjegjësit të sektorit për vite me radhë do të shënonte arritje e suksese. Verua në më të shumtën e kohës ka qenë i veshur me statusin e nëpunësit në administratën e kooperativës e në tregti në Buz, ndërsa Lazja, Myfyti e Telhai punuan në minierë. Në Merkaj, disa nga fiset më kryesore janë : Hasan Mehmet Merkaj (1895) dhe familjet që rrjedhin prej tij: Mehmet,Tefik, Barjam e Mane Merkaj, Seit, Rushan, Ramiz e Barjam Merkaj, Mete e Shyqyri Nuri Merkaj etj. Në Jaupaj dallojmë këto fise kryesore: Jaup Isa Jaupi ( Lame, Sinan, Hodo e Veiz Jaupi, si dhe Lame, Ahmet, Alem, Agim, Fatmir, Feta, Jemin e Sinan Jaupi. Në Kasaj nga 50 famijet e këtij fisi evidentojmë ato të Riza Myslim Kasaj, Osman Kasaj (1897), Shaqo, Hysen, Abaz e Habip Kasa, Dano Nuri Kasa(1896) dhe familjet : Pelivan, Hysni, Xhemal, Murat, Faik, Kalo, Dano, Riza, Osman e Ali Kasa. Krahas këtyre fiseve të mëdha kemi edhe familjet e Qamil, Rustem, Selman, Bashkim, Gëzim e Nexhip Hamza, të Elmaz Nexhip Beçaj (Barjam, Fejzi, Servet), Sulo, Pelivan, Hysen(1895), Ali (1930) e Shefqet Aliaj. Në fisin Bejdaj janë: Barjam Nexhip Bejtaj(1892), Nexhip, Jonuz, Teme e Mete Bejdo. Në Nanaj familjet kryesore janë: Dine Manush Nanaj, Babush, Avni, Teme, Zeqo, Petrit e Teme Nanaj. Familjet kryesore në lagjen Duraj janë : Shefit, Demir, Qani, Fiqiri, Hajro e Gjolek Duro, si dhe Izet, Ladi e Ali Duro. Në fisi Hajnaj : Novruz Ahmet Hajnaj(1880) dhe Riza, Tanush, Luan e Bardhul Hajnaj. Duke hedhur një vështrim në regjistrin e vitit 1945 për fshatin Martalloz gjejmë edhe familjet e Muharrem Rukës, Dino, Resmi e Xhevit Dajlan Cobanaj, Qazim Telha Myrtaj, Muharrem Shahin Caca etj. Me dhjetëra familje të reja janë krijuar, shumica e tyre janë shpërndarë branda e jashtë vendit, por të gjithëve u kërkojmë ndjesë që nuk gjetën hapësirën e duhur në këto radhë.
Arsimi e shëndetësia: Në historikun e arsimit të zonës së Buzit me vlerë mbeten dokumente që ndodhen në Muzeun e Tepelenës. Për shkollën e fshatit T. Martallaz, mësuesi Seit Duraj në vitin 1959 do të informonte organet e pushtetit në Tepelenë : “Qysh në vitet 1936-1937 Sheh Hasimi bëri përpjekje për të hapur shkollën shqipe, por nuk e realizoi. Vetëm në vitin 1946 u çel shkolla fillore me mësues të parë Naim Dakli nga Elbasani, më pas Tajar Kallajxhi, Dallëndyshe e Novruz Bektashi, Ismail Dvorani, Murat Murati, Stathi Kume, Idajet Caushi, Ismail Cekani, Piro Qendro, Seit Duraj në vitet 1958-1960 etj”. Në këtë shkollë ka dhënë mësim edhe Xhevdet Pataj, i cili më vonë do të kryente detyra të rëndësishme, si shef i seksionit të arsimit dhe sekretar i parë i rinisë së rrethit Tepelenë. Shkolla 8-vjeçare hapet në vitin 1972. Ajo do të vazhdonte si e tillë deri në vitin 1991. Më pas shpërngulet nga T. Martallozi e vendoset në fushën e fshatit Dervishaj, në ambientet e ish repartit ushtarak. Një lëvizje e tillë u bë për t’u ardhur në ndihmë nxënësve të fshatrave Xhafaj, Luftinjë (Sinomataj) e Ballaj. Në historikun e kësaj shkolle përmenden shumë mesues e drejtues, ndër të cilët veçojmë disa nga drejtorët e kësaj shkolle : Refat Alite, Selman Hodo, Veledin Dyrmishi, Pëllumb Bodeci, Gëzim Guci, Asim Brahimi, Meto Ligaçi, Selaudin Shehu, Ariola Goxharaj, Lavdosh Dimraj, Bedri Serjani, Përparim Kordha, Pëllumb Gorani, Petrit Sulejmani e Irana Jaupi. Siç shihet, në vargun e drejtorëve të shkollës së T. Martallozit të gjithë janë nga vende të tjera. Ngjarje shënon viti shkollor 2018 – 2019 ku shkollën 9-vjeçare “Ismail Caca” vetëm pas 46 vjetësh do ta drejtojë një nga bijat e fshatit, Irena Jaupi. Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim po në kete shkollë janë : Elpiza Partali, Petrit Llaka, Gëzim Kalemi, Vasil Zhdavo, Hasan Dalani, Vladimir Hoxha, Asaf Salia, Luiza Cana, Pellumb Dyrmishi, Leonora Leli, Avni Memlika, Kristo Zoi, Reshat Sala, Pëllumbeshë Malkaj, Fadile Hoxha, Fisnike Selmani, Ali Ajdini, Matilda Caka, Qeriba Dervishi, Klodiana Abedini, Elona Hodo, Venetike Hoxha etj etj. Kontribut të veçantë kanë dhënë edhe mësuesit e fshatit: Ahmet Kasa, Margarita Caca, Valbona Merka, Natasha Kasa, Mimoza Aliaj, Erjon Merka, Irena Jaupi etj. Edhe në qytetet Tepelenë e Memaliaj nëpunëset me orgjinë nga T. Martallozi kanë vlerat e tyre. Si të tillë mund të përmendim mësuesen e matematikës Mjaftoni Kasa dhe Rovena Bujar Duraj (Miçi) që drejton me shumë kulturë e inteligjencë librarinë e qytetit. Në qendrën shëndetësore të këtij fshati kanë shërbyer edhe dr. Ylli Ziçishti, mjeku i fshatit Gëzim Kasa, infermjeret Dallëndyshe e Drita Hoxha dhe për vite me radhë infermierja e palodhur Valentina Nana.
Kooperativat bujqësore në T. Martalloz, Xhafaj e Vagalat u krijuan më 1957, respektivisht me kryetar Veiz Jaupaj, Ismail Hetemin e Jonuz Hoxhën. Më pas këta tre fshatra bashkohen në një ekonomi, me kryetar Jonuz Hoxhën deri në vitin 1964. Prej vitit 1964 e deri në vitin 1988 T. Martallozi ka qenë pjesë e koop. Maricaj. Pas vitit 1988 e deri më 1990 T.Martallozi ishte ekonomi më vete me kryetar Selman Serjanin. Në aparatin e kësaj kooperative ishin Bashkim Çela, Shahin Dervishi, Zaçe Çela, Përparim Alia, Tefik Caca, Mystehak Selmani, Nuro e Petrit Merka, Teme Hoxha, Astrit e Mjaftoni Qemalla, Habib Kasa etj. Kuadro me detyra drejtuese e specialistë të tjerë nga ky fshat janë edhe oficerët Ahmet e Shaqo Kasa, Xhemali Caca, Barjam Beçaj, ekonomisti Engjëll Jaupi, inxhinjeri Veli Jaupi etj. Në pamundësi për të shkruar për vlerat e shumta të fshatit T.Martalloz, po themi dy fjalë për një figurë të shquar historike, për dëshmorin Ismail Xhemali Caca.
Në gusht të vitit 1920 banorët e T. Martallozit u zgjuan nga krisma pushkësh që vinin nga lagjja Cacaj. Jehona e tyre nuk ishte kushtrim lufte, por sillte ndjenja gëzimi. Dyfeku i Telha Agaj njoftonte se Xhemaliu ishte bërë me djalë. Një vit më vonë Telhai, në prezencë të Sheh Asimit, i vuri Ismailit përpara: një pluar, një kërrabë, një kobure, një penë shkrimi dhe objekte të tjera. Ismaili i vogël zvarritet me shpejtësi dhe pa hezitim me njërën dorë kapi penën dhe me tjetrën koburen. “Ky, tha Sheh Asimi, do të bëhet i ditur dhe luftëtar trim”. Shkollën fillore e bëri në Arrëz, ku mësuesi Hysen Goxharaj, krahas mësimit edukonte tek fëmijet ndjenjat e larta të ardhedashurisë, lirisë e drejtësisë. Shkon në Kuçovë si punëtor nafte. Përfshihet atje në protestat e vitit 1936. Në vitin 1937 e gjejmë në Korçë ku regjistrohet në liceun e këtij qyteti. Kthehet në vendlindje dhe në vitin 1942 bëhet pjesë e grupit edukativ të luftës. Në këtë grup merrte pjesë Sheh Asimi me djemtë e tij: Hakiun, Samiun e Shefqetin si dhe Bardho Hajnaj, Elmaz Nexhipi, Brahim Tarja etj. Në krye të njësitit luftarak, së bashku dhe me Sefedin Limen, Qani Sherifin e buzjotë të tjerë, organizojnë lëvizjet e para kundër pushtuesit fashist italian. Me fillimin e lëvizjeve për çlirimin e atdheut, Ismail Xhemaliu ishte i pari që mori pjesë në të gjitha aksionet partizane dhe një nga organizatorët kryesorë të Luftës Antifashiste. Partizan i çetës “Verikoll” në gusht 1943 do të ishte pjesë e Batalionit “Baba Abaz”, ndërsa më 26 janar 1944 inkuadrohet në Brigadën VI Sulmuese. Heroizmi, përpjekjet dhe vlerat e këtij partizani nga më trimat e LANÇ janë të përmasave të mëdha. Më 27 korrik 1944, në Dukaj, në luftë me forcat gjermane jep jetën duke mbetur një nga yjet e pashuar të djalërisë buzjote. Eshtë shpallur Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, dt. 3.08.1971 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Tepelenë. Emrin e tij mban shkolla 9-vjeçare e T. Martallozit.
