“Engjëllorja kanarinë. /Në kafaz rri e trishtuar. /Sheh një ujk që ulërin, /Ulërin si i tërbuar. /Eh,  moj botë,  botë e mbrapshtë, /Kë mban brenda,  kë  lë jashtë!”

Ferit LAMAJ

 

Rabia është një nga fshatrat më të vjetra e me historinë më të pasur në krahinën e Buzit, në Tepelenë dhe më gjerë. Për shekuj me radhë, njohur me toponimin Gradishtë, qyteza e Rabies ngrihej në perëndim të venbanimit të sotëm, në majën më të lartë prej 880 m. Nuk ka dokumente për të mësuar ndryshimin e emrit nga Gradishtë në Rabie, por një nga variantet e prejardhjes së këtij toponimi mund të pranohet edhe ai i legjendës së një gruaje me emrin Rabije. Lidhur me ndryshimet e zëvendësimet e ndodhura në emërtime, më i plotë e më i argumentuar  shkencërisht mbetet vendimi  i Parlamentit shqiptar i vitit 1937, i cili e zëvendësoi emrin Rabie me emrin “Lisi”, për shkak të vendit të shenjtë “Lisat e Mirë”.

Rabia përballë Gllavës, ndodhet në Veri të Tepelenës me mbi 25 km largësi prej saj, me koordinata: 400 28’57”. Kufizohet nga fshatrat e rretheve Tepelenë, Mallakastër e Berat (Allkomemaj, Levan, Izvor, Gllavë e Madhe, Gllavë e Vogël, Çërrilë, Plashnik e Zhapokikë). Në hershmëri ka qenë pjesë e trevës së Mallakastrës, por edhe i Nahijes së Beratit. Pas vitit 1912 e në vazhdim mbetet fshat i rrethit Tepelenë, sot pjesë e Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj.

Historia e lashtë e këtij vendbanimi është e lidhur ngushtë me  qytezën ilire të Gradishtës, e cila në antikitet ngjasonte me qendrat e fortifikuara të Mallakastrës. Rreth gjysmës së dytë të shekullit V p.e.s. mbi një kodër në perëndim të fshatit do të ngrihej qyteza e Gradishtës. Kalaja e saj kontrollonte  nyjet rrugore të luginës së Vjosës. Fortifikimet me mure poligonalë, të vendosur në një sipërfaqe 5 ha mbi një kodër, në lartësinë 800 m mbi nivelin e detit ngjanin me qytetin e Klosit (Nikaia). Teknika e ndërtimit i përket periudhës ilire, ndërsa kalaja e qyteza shek. V.

Në fushën e trashëgimisë kulturore, veç kalasë ilire, me rëndësi janë dy mbishkrimet e gjetura. Interes të veçantë paraqet mbishkrimi me shkronja  helene, i cili ndodhet në Qendrën Kombëtare Arkeologjike Tiranë, ndërsa tjetri në Muzeun e Oksfordit, Angli. Të gjitha gjetjet arkeologjike dëshmojnë për praninë e një vendbanimi të fortifikuar antik.

Zbulimet arkeologjike në Bolovec, 1 km larg Gradishtës dhe  të dhënat shkencore që sjell  prof. Hasan Ceka hedhin dritë jo vetëm për hershmërinë e qytezës së Gradishtës. Në këtë qytezë ka ekzistuar edhe një akademi ushtarake për strategët. Gërmimet arkeologjike mund e duhet të hedhin edhe më shumë dritë.

Fshati Rabie njihet edhe si zonë sizmike.Tërmeti i vitit 1969 mbetet ngjarja më e rëndë. Ishte qeveria shqiptare që për një kohë rekord ngriti  fshatin e ri  në  lagjen Sulaj e një pjesë në Iliras të krahinës Krahës. Të gjithë banorët u strehuan në banesa të reja e të bollshme, të kompletuara e të pajisura me tërë  orenditë e domosdoshme shtëpiake.  U ndërtuan mbi 150 shtëpi, shkolla, pallati i kulturës me sallë kinemaje me mbi 300 e ca vende, biblioteka me rreth 20000 libra, muzeu, çerdhja, kopshti i fëmijëve, qendra shëndetësore, materniteti, furra e bukës, lavanteria, kompleksi i dyqaneve, ujë në çdo 24 orë etj.

Disa nga fiset më kryesore të këtij fshati janë : Ahmetaj, Dordhaj, Dovlaj, Caushaj, Fafaj, Fejzaj. Lamaj, Jaupaj, Mahmutaj, Memlikaj, Memushaj, Muçaj, Muhaj, Kazaj, Shehaj, Sadikaj, Sulaj, Tushaj, Velaj, Ymeraj, Ziraj etj. Se cilët janë banorët e parë të këtij fshati, as në libri “Rabia jonë dashuri dhe dhimbje” me autor z. Daut Velaj nuk gjejmë të dhëna të plota, por gojëdhënat flasin për fiset Dordhaj(Dodi), Tushaj(Mitrushi) dhe Sulaj(Suhu).

Lidhur me besimet fetare, për shekuj me radhë ka qenë ai i krishterë. Vetë historia e qytezës së Gradishtës e vërteton këtë të vërtetë. Në vendin e quajtur Gumen ka qënë një Manastir me tre këmbana të mëdhaja, të cilat kur binin thuhej se dëgjoheshin deri në Gjirokastër. Teqeja e Rabijes, themeluar rreth vitit 1892, sipas gojëdhënave është ngritur mbi gërmadhat e një objekti kulti. Ajo, si tërë institucionet bektashiane, ka qenë  vatër e çmuar e patriotizmit. I pari që  themeloi këtë institucion fetar ishte Baba Selman Martaneshi, i cili shërbeu me besnikëri deri në vitin 1909, kohë kur edhe vdiq. Klerikë me origjinë nga Rabia kanë qenë Abaz Plaku Mahmutaj, Asim Dino Shehaj, Luto Hasan Memushaj, Abaz Memushaj, Muharrem Mahmutaj etj. Baba Barjam Sadik Mahmutaj pas viteve ‘90 arriti deri zv.kryegjysh i Selisë së Shenjtë i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane Tiranë. Në territoret e Rabies, vende që përfaqësojnë monumente kulti janë edhe Lisat e Mirë, xhamia në lagjen Fejzaj, mekami i Baba Aliut, i Baba Selamit, busti i Baba Abazit dhe gjithë kompleksi në këtë qendër muzeale.

Historia e lashtë dhe qëndrimet e larta patriotike të burrave trima e të dëgjuar kanë bërë që emri i këtij fshati të këtë fituar vlera e admirim në të gjitha kohërat. Jo rastësisht komuna e krahinës së Buzit  për periudhën1928-1943 do të mbante emrin “Rabie”. Historikisht rabijotët kanë qenë pjesë e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar për liri e pavarësi, pjesëmarrës aktivë në kryengritjet antiosmane e kundër çdo pushtuesi. Janë rreshtuar përkrah Tafil Buzit e Rrapo Hekalit: Ceno Hamit Dovlaj, Adem Mino Fafaj, Demo Cobo Ziraj, Gani Telha Velaj, Halim Feta Ahmetaj, Skënder Barjam Velaj, Kupe Ismail Fejzaj, Kupe Ceno Mahmutaj, Taro Kojdhel Caushaj, Qazim Kalo Caushaj, Liko Sako Muhaj, Sherif Myslym Memlikaj etj. Në arkivat e kohës, mes trimave të këtij fshati, gjejmë edhe oficerin e artilerisë në Janinë, Mehmet Rabien. Ai, gjithë kohën deri sa u vra Ali Pashë Tepelena, ishte një ndër këshilltarët më të devotshëm për anën ushtarake. Gjatë Luftës së Parë Botërore, në shpalljen e Pavarësisë dhe në Luftën e Vlorës do të ishin me dhjetra luftëtarë: Haxhi Ismail Fejzaj, Feim Hasan Dulaj, Bektash Malo Mahmutaj, Maliq Zeneli, Sefer Sadiku, Qamil Ahmetaj, Sheme Jonuz Shehaj, Shero Cobo Ziraj, Baze Xhemali Memlikaj,  Beqo Nexhip Muhaj, Musa Asllan Imeraj, Rushan Brahim Mahmutaj, Reshat Hamit Mahmutaj, Zylo Hamit Dovlaj, Hajdër Zenel Mahmutaj, Zano Coman Shehaj, Demir Shahin Muhaj etj. Kulmin e atdhedashurisë dhe të qëndresës për lirinë e Shqipërisë e shfaqi Baba Abaz Memushaj gjatë epopesë së LANÇ. Në ditët e fundit të korrikut 1943, në luftë me fashistët italianë ranë heroikisht Baba Abaz Rabia, 5 dervishë dhe 21 burra të tjerë trima nga fshatrat Rabie, Allkomemaj, Gllavë, Levan, Gusmar dhe rrethet Mallakastër e Berat. Emrin  “Baba Abaz” do ta mbante një nga Batalionet e ushtrisë çlirimtare, e mban një rrugë në qytetin e Tepelenës dhe shkolla e fshatit.

Më 15 tetor 1942 krijohet Këshilli Nacionalçlirimtar i përbërë nga Bektash Malo Mahmutaj, Dino Xhemali Memlikaj, Dullo Halim Ahmetaj, Sadik Sadik Ziraj, Skënder Barjam Velaj, Jaup Rakip Jaupaj dhe Demir Shahin Muhaj. Nga 38 partizanë që morën pjesë në LANÇ, shtatë prej tyre dhanë jetën për liri. Gëzojnë statusin “Dëshmor i Atdheut”: Abaz Memushi, Ali Velaj, Dino Memlikaj, Qamil Lamaj, Selman Memlikaj, Xhelal Kazaj dhe Reshat Mahmutaj. Në historikun e fshatit Rabie, firmosur nga Veledin Izeti, Hajdër Sadikaj dhe mësuesi Anastas Qorri, paraqiten me hollësi kontributet e rabiotëve për luftimet e zhvilluara në Qafën e Rabies nga Brigada VII me komisar Gjin Markun, për masakrën në Teqenë e Rabijes dhe për ngjarje të tjera.

Komandën e vendit e ka  drejtuar Maliq Zenel Fejzaj, Dino Memlikaj, Mete Shaqiri, Asllan Muhaj etj.  Disa nga kryetarët e pushtetit në fshat kanë qenë: Maliq Fejzaj, Resul Caushi, Hajdër Velaj, Veledin Mahmutaj, Mete,Asllan e Shaqir Muhaj, Ramadan Memlikaj, Hajdër Sadikaj, Zana Muhaj etj. Ndër emrat që kanë drejtuar në fshat përmenden edhe Bektash Malo Mahmutaj, Resul Riza Lamaj, Asllan Musa Muhaj, Hajdër Sefer Sadikaj, Sheme Xhemali Memlikaj, Adem Fafaj, Kaso Jaupaj etj.

Shtypi i kohës u ka bërë jehonë figurave të fshatit Rabie. Ka shkruar për Baba Abazin, Sulo Sadikun etj, ndërsa Maliq Zenelin do ta cilësonte simbolin e  burrërisë e atdhetarisë. Ai udhëhoqi luftëtarët e krahinës së Buzit në Luftën e Vlorës më 1920, mori pjesë aktive në LANÇ, ishte komandant i çetës territoriale  të fshatit, anëtar i këshillit krahinor dhe i komandës së vendit për Buzin etj. Maliqi për disa vjet rresht ka qenë kryetar i këshillit Rabie, anëtar i këshillit të rrethit dhe Qarkut.46 Të tillë kanë qenë edhe Sefer Sadiku dhe biri i tij Sulo Sadiku, i cili u plagos tri herë në luftën për çlirim. Ai  i shpëtoi vdekjes, por jo invaliditetit.

Mbajnë statusin e të persekutuarit politik: Rushan Brahim Ahmeti, Barjam Sadik Mahmutaj, Nazif Taro Caushi, etj.

Rabijotët do të kontribuonin me dinjitet edhe në radhët e ushtrisë shqiptare. Disa prej tyre do të studionin në Akademinë Ushtarake Shqiptare dhe në ish Bashkimin Sovjetik. Ata kanë kryer detyra të rëndësishme në sektorët e mbrojtjes dhe ruajtjes së rendit. Mirënjohje për ushtarakët Sabri Hodo Fejzaj, Sali Qazim Kazaj, Murat Dardha, Mehmet e Fatbardh Tepelena, Sulo Sefer Sadikaj, Fuat e Bedri Muhaj, Mystehak Kamber Fejzaj, Rebani Kaso Jaupi, Agron Enver Zeneli, Bujar Zenel Ahmetaj etj.

Fshati Rabie ka qenë pjesë e kooperativës Izvor. Për shumë vite  funksionoi edhe si ekonomi  më vete, të cilën e kanë drejtuar burrat e fshatit: Kaso Teme Jaupaj, Kamber Haxhi Fejzaj, Barjam Maliq Fejzaj, Adem Mino Fafa dhe Faslli Dalan Ziraj. Kryetar të kooperativës Rabie ishin edhe Sadik Kalemi nga Buzi e Barjam Coraj nga Gllava. Kanë punuar si  agronomë e drejtues të këtij sektori Agim Jaupi,  Selman Serjani, Jashar Hoxha, Myfyt Selaj, Syrja Gumeni, Bedri Dora, etj.

Shkolla fillore në Rabie është çelur më 1945 me mësues Nuri Babameto e pas tij Ahmet Babamusta, Idem Burgleka, etj. Fillimisht shkolla kishte 35 nxënës dhe si godinë u përdor shtëpia e Zire Kupes, ndërsa 8-vjeçarja do të hapej më 1969. Në Muzeun e Tepelenës gjejmë një informacion të nënshkruar nga mësues Ramadan Lushkaj, Bektash Mahmutaj e Mete Shaqiri, në të cilin nënvizohet: Shkolla në Rabie hapet në vitin 1945, me 45 nxënës me mësues të parë Nuriun nga Gjirokastra. Gjithë fshati ka kontriubuar për mbarvajtjen e shkollës, ndërsa Haki Hania lëshoi vullnetarisht tokën e tij për ndërtimin e godinës.

Disa  nga drejtorët e shkollës 8-vjeçare “Baba Abaz” kanë qenë: Hetem Paza, Hetem Binaj, Vasil Gjati, Petrit Fafa, Gëzim Mahmutaj, Asllan Ajdinaj etj. Për arsimimin e fëmijëve të këtij fshati kanë kontribuar me dinjtet mësues të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, si: Thanas Kllapi, Anastas Qorri, Llambi Konomi, Bedri Fezga, Sadik Gaba, Thoma e Rodhalina Gravani, Braho e Farbardha Isaraj, Vasil Piraliu etj, mësuesit tepelenas: Naxhie Malasi (Ajdinaj), Ramadan Lushaj, Bedri Dauti, Shuaip Shuaipi, Syrja Merdani, Hazbi Llaka, Faik Sheme, Ahmet Mihasi, Medin Caushi, Fadil Guma, Qazim Xhemali, Sinan Sulozeqi, Elsa Nebia etj. Me përkushtim kanë punuar edhe mësuesit rabijot Petrit e Vetëtime Fafa, Bashkim e Edlira Fejzaj, Mystehak Shehaj,  etj. Në sektorin e shëndetësisë infermierja e parë ka qenë Drita Xhaferi e pas viteve 70 ndihmësmjeku Jorgo Kondi, Hekuran Llaka, Pëllumbeshë Jaupi, Afërdita Velaj, Bedri Murati etj. Kur flasim për sektorin e shëndetësisë e të arsimit, vlerat e rabijotëve nuk kanë munguar edhe në shkallë kombëtare. Në armatën e madhe të mjekësisë shqiptare janë edhe kontributet e  dr. Drita Fejzaj(Harasani), dr.Novruz Caushaj, dr. Edlira Tepelena, Kristela Jaupaj, Franko Shehaj etj, ndërsa në sektorin e arsimit : Sara Dovla, Radina Muhaj, Marigo Mahmutaj, Mystehak Shehu, Elona Jaupi, Agim Fejzo, Valbona Muhaj etj.

Popullsia e fshatit Rabie në vite:

 

Vitet 1923 1927 1945 1970 1979 1989 1995 2001 2020
Banore 392 373 410 456 630 652 453 217   35
Familje   72   67   82   91 112 123  89  44   12

 

Tokë bujqësore ka mbi 185 ha, nga të cilat 160 ha arë, 25 ha drufrutorë, si dhe sipërfaqe të tëra me pyje e kullota.

Banorët e fshatit Rabie, për një jetë më të mirë, në vazhdimësi janë shpërngulur nga trojet e tyre, duke u vendosur si brenda edhe jashtë vendit. Rreth viteve 1880 disa familje nga fisi Ymeraj janë vendosur në afërsi të Patosit. Para e pas viteve  ‘50 rabijotët do të “pushtonin” territoret e naftës, kryesisht Fierin e Patosin. Kontributi i tyre në këto qytete ka qenë i vlerësuar në të gjitha kohërat. Ata kanë punuar me dinjitet dhe janë shquar jo vetëm si punëtorë e specialistë të palodhur, por edhe si qytetarë të denjë e drejtues të aftë në sektorin e naftës e të gazit.Të tillë ishin me dhjetëra, nga të cilët veçojmë Heroin e Punës Socialiste, Qemal Qamil Mahmutaj, inxhinierin e talentuar të shpimit e  drejtuesin e palodhur, Muharrem Refat Velaj, inxhinierin Artur Zylal Mahmutaj, drejtorin dhe biznesmenin Enver Isa Shehaj, specialistin e talentuar dhe shkrimtarin pasionant Daut Vela, mjekun kardiolog Novruz Faslli Caushi, dr. e Shkencave Marigo Mahmutaj etj. Aktualisht në Fier e Patos numërohen mbi 170 familje nga fshati Rabie.

Shumë prej djemve të Rabies u janë besuar detyra të rëndësishme në administratën shtetërore: Bashkim Fejzo e Avni Mahmutaj në diplomaci, Sami Jaupi në krye të pushtetit në rrethin Tepelenë, Agim Jaupi kryetar komune në Luftinjë, Rebani Jaupi dhe Bujar Ahmetaj në Policinë e Shtetit, Pëllumb Velaj drejtor bujqësie, etj.

Thesari më i çmuar për kulturën mijëravjeçare të Rabies, Buzit e Tepelenës është veprimtaria letrare e djalit të Avni Lamajt, fabulistit Ferit Lamaj. Ky talent i rrallë në fushën e fabulistikës e ka ngjitur krijimtarinë e tij në majat më të larta të letërsisë shqiptare. Birin e Rabies dhe nipin e Izvorit, Ferit Lamaj, tepelenasit e kanë pritur disa herë në Pallatin e Kulturës me mall e dashuri, duke i uruar krijimtari të frutshme.

Edhe Fitim Çaushi e Daut Vela, si shkrimtarë dhe  studiues të talentuar, janë nga Rabia. Ata, me veprat  e shkrimet e tyre me karakter historik, rreshtohen me dinjitet në radhët e intelektualëve të jugut.

Duke kërkuar mirëkuptimin e rabijotëve, për mungesë informacioni në këto radhë nuk kemi mundur të përfshijmë gjithë vlerat e tyre. Duhet të shkruanim edhe më shumë për qytezën e Gradishtës, për vendlindjen e burrave trima dhe dhjetëra intelektualë e specialistë të këtij komuniteti. Borxhli u mbetemi të rinjëve e të rejave. Ndryshe nga vitet 70-80, shumica e tyre sot kanë përfunduar studimet e larta brenda e jashtë vendit. Vetëm fëmijët, nipërit e mbesat e Sabri Fejzos e Kaso Jaupit bëhen mbi 40 vetë me arsim të lartë. E po të vazhdonim të shkruanim për çdo fis, nuk mund të rrinim pa folur për nipërit e mbesat e Maliq Zenelit, Mehmet Orhanit, Sulo Sadikut, të fiseve në Mahmutaj, në Shehaj, në Velaj, në Muhaj e në Memlikaj, për Jonidën e Feritit, për fëmijët e Bashkim Tushës, Mystehak Fejzaj, Enver Shehaj, Kadri Dovlajt etj. E nisëm me mjeshtrin e fabulës shqipe, Ferit Lamaj, dhe po e mbyllim me një fragment nga libri ”Rabia jonë dashuri dhe dhimbje” të shkrimtarit Daut Vela : “Vendlindja jonë është e mbetet e shënjtë dhe hyjnore. Ajo ka simbolet e saj që e bëjnë krenare. Ka simbolin e paqes, urtësisë dhe pajtimit, Bektash Malo Mahmutaj, simbolet e Luftës Antifashiste Baba Abaz Memushin dhe Maliq Zenelin, simbolin e punës, sakrificës dhe heroizmit, Heroin Qemal Mahmutaj, simbolin e dashurisë për njerëzit, Emiliano Abaz Memushin etj.”