“Të mos harxhojmë gjakun, municionet e kohën kundër njeri-tjetrit! “

Barjam Ali RREDHI

 

Në fillim të viteve ‘40 Arrëza e Vogël ndahet nga fshati mëmë. Sipas Arif Lamaj, në kohën e organizimit të Këshillave Nacionalçlirimtare (viti 1942) fshati ynë u mëvetësua nga fshati Arrëz. Janë 4 mëhallët e mëdha: ajo e kreut (Kikaj+Rrapaj+Kabadhaj), e mesit (Lalaj), e fillimit (Rredhaj+Hasanaj)dhe e tejmja (Lamaj+Xifaj), që i kanë dhënë kuptim e vlera këtij vendbanimi në të gjitha rrjedhat e kohës. Arrëza e Vogël shtrihet mbi një kodër piktoreske që mbështetet fort në pjesën veriore të malit Trebeshinë. Nëtë fshat të çon rruga Berat- Këlcyrë. Kur je në lartësitë e Trebeshinës apo Shëndëllisë, pamja e tij të krijon idenë e kuvertës së anijes që vozit me bash drejt detit, ndërsa, parë nga lartësitë e Buzit, shtëpitë e vendosura aq pranë njëra-tjetrës duket sikur janë të lidhura dorë më dorë e me pak shtrirje në drejtimin jug-veri.58

Sipas arkeologëve , ky vendbanim ka qenë i banuar qysh prej epokës së neolitit. Qeramikat e zbuluara, numizmatika, pitosat e gjurmë të tjera , dëshmojnë për hershmërinë e tij, ndërsa dokumenti i parë osman kadastral i vitit 1583  e saktëson edhe më mirë lashtësinë e Arrzës. Disa toponime hedhin dritë edhe për besimin kristian të banorëve arrëzjotë. Pranë Rozecit ekziston një vend me emrin “Qafa e Manastirit”, ndërsa nga toponimet e kësaj treve përmendim: Lisi i Tahirit, Lisi i Vërtopit, Bregu i Manastirit, Bregu i Lamajt, Bregu i Kabadhit, Gorrica e Kasos, Shullëri, Gropa e Derrit, Përroi i Syziut, Llaskaji, Arra e xha Madhit, Ura e Fierit, Fusha e Nuriut, Sheshi i Manes, Varri i Lulos etj.

Bektashizmi ka qenë e mbetet besimi kryesor i tyre. Si objekte kulti kanë shërbyer teqetë, tyrbet e mekamet. Besimtarët e Arrzës së Vogël ritet e tyre i kryenin në Teqenë e Baba Feimit në Maricaj, në Teqenë e Baba Islamit në Kiçok dhe në atë të Rozeçit.

Fillimet e viteve ‘40, këtë fshat do ta gjejnë me 30 familje e 130 banorë.

Për më shumë ndiqni tabelën më poshtë :

 

Vitet  1969 1979 1989 1995 2001  2019
Familjet      75     71     68     50     21        8
Banorët    340   331   322   285   114      23

 

Regjistrimet e vitit 2001 evidentuan 49 banesa, 21 familje dhe 114 banorë. Lidhur me territorin, statistikat e vitit 1995 tegojnë se ky fshat kishte mbi 123 ha tokë bujqësore, nga të cilat: tokë arë 98 ha, pemishte 16 ha, vreshta 9 ha dhe me qindra ha kullota.

Fiset kryesore janë Kikaj, Kabadhaj, Rrapaj, Lalaj, Rredhaj, Hasanaj, Lamaj dhe Xifaj. Sipas librit “Arrëza e Vogël, vendlindja jonë” disa nga kryefamiljarët sipas lagjeve janë: Në Kikaj: Mato, Rexhep, Halim, Qerim, Mete, Halim e Dine Kikaj. Në Kabadhaj: Sherif,Veiz, Avni, Zenel, Guçe e Ramiz Kabadha. Në Rrapaj: Muço, Karafil, Qazim, Riza, Hasan, Belul e Maliq Rrapa. Në Lalaj: Hysi, Gani, Xhezo, Islam, Xhevit, Xhemali, Lalo, Veli, Refat, Dervish, Abedin, Feti e Haxhi Lala. Në Redhaj: Jaho, Teme, Kaso, Tahir, Halil e Muharrem Redha. Në Hasanaj: Brahim, Seit, Myftar, Avdulla, Skënder, Resul, Nuri, Shaqo Hasani. Në Lamaj: Xhemo, Sulo. Dine, Mete, Hyso, Bilo, Kaso, Riza, Jashar, Hane, e Sinan Lamaj. Në Xifaj: Tahir Xifaj. Fisi më i madh është Lalaj. Fisi Rredhaj duhet ta ketë prejardhjen nga Myzeqeja. Prefekti i Beratit, gjyshi i Osman Rredhaj, për disa vite ka qenë nga ky fis.

Njerëzit e fshatit Arrëz e Vogël shquhen për  historinë e tyre të lavdishme, për traditat e zakonet e mira dhe për shpirtin liridashës në të gjitha kohërat. Banorët e saj kanë ditur të orientohen  e të marrin vendimet e duhura edhe në situata tepër të vështira. Ata i përkasin  armatës së kapedan Tafil Buzit. Edhe pse provuan plagët e rënda të kurbetit, dashurinë për vendin e tyre asnjëherë nuk e harruan. Myftar Hasani me një grup shokësh kish emigruar në Francë, Elmaz Rredhi në Turqi, Tahir Xifaj me shokë u nisën për në Amerikë etj. Shumë arrëzjotë mbështetën Shpalljen e Pavarësisë e Luftën e Vlorës, ndër të cilët përmendim: Asllan Ali Lalaj, Dervish Zeqir Lalaj, Abedin Brahim Lalaj, Tare Brahim Hasanaj, Elmaz Rushit Rredhi, Shaqo Kareman Hasanaj,  Qazim Zylal Rrapaj, Zake Arif Lamaj,  Kaso Hajro Lamaj, Meto, Sinan,Tahir e Xhevit Lamaj. Por epopesë së LANÇ iu përkushtuan fshaçe si askush tjetër.

Në tetor të vitit 1942, krijohet Këshilli  Nacionalçlirimtar me kryetar Tahir Xifin, sekretar Halil Rredhaj dhe anëtarë: Xhemali Lalaj, Qerim Kikaj, Feti e Xhemo Lalaj. Të gjithë arrëzjotët u bënë  pjesë e luftës së madhe për liri, por partizanë të inkuadruar në formacionet luftarake evidentohen: Barjam Aliu (Rredhi), Haxhi e Gani Lalaj, Kaso Rredhi, Avni, Ramiz, Teme e Zenel Kabadhi, Qerim Kika, Hysni, Lalo, Ali, Shefit, Barjam Lalaj, Haki Hasanaj, Reiz Rrapaj, Rakip e Riza Lamaj, Nazif e Qemal Xifaj, etj.

Arrëza e Vogël, në raport me numrin e banorëve, për lirinë e atdheut derdhi gjak më shumë se të tjerët. Kanë statusin “Dëshmor i Atdheut”: Barjam Rredhaj. Barjam Lalaj, Hysen Lamaj, Hysni Lalaj, Rakip Lamaj, Ramiz Kabadhi, Riza Rrapa e Teme Kabadhi. Të paharruara do të mbeten fjalët e heroit të Bregasit, të Barjam Aliut të pavdekshëm. Ai, para se të binte në fushën e betejës, i rrethuar nga forcat e Gjon Markagjonit do të lëshonte një thirrje vllazërore:  “Unë quhem Barjam Ali Rredhaj nga Arrëza e Tepelenës. Jam nga një fshat në shpat të malit Trebeshinë që i ngjan Oroshit tuaj. Të mos harxhojmë gjakun, kohën e municionet kundër njëri-tjetrit, por ejani të bashkohemi kundër gjermanit!” Rezistenca e partizanëve, guximi për çarjen e rrethimit dhe heroizmi mbretëroi në gjithë kompaninë. Zëri i arrëzjotëve si në kor do të gjëmonte edhe në beteja të tjera. Ata, duke i dhënë fuqi  e zemër njëri-tjetrit, betoheshin:  “Nuk e lëmë lavdinë të tretet, /Bij të Fejzo Arrzës jemi, /Sikur asnjë të mos mbetet, /Ne dhe vdekjen hak e kemi!” Trimërisë dhe heroizmit të partizanëve arrëzjotë, prej Oroshit do t’u këndohej kënga:  “Tetë tetor sa zbardhi dita, /u rrethuan ca petrita. /Djemë trima toskërie, /fjala, pushka u kish hije. /Si azgan shokët i priu, / Kapidan Barjam Aliu “.

Në arkivat e kohës gjenden të shkruara për heroizmat e qëndrimet burrërore të arrëzjotëve kundër andartëve grekë, gjatë luftës së parë e të dytë botërore, por luftimet nga 3 deri me 7 korrik 1943 mbeten një faqe e shquar lavdie e krenarie. Fshati me 30 shtëpi e 130 banorë, tri ditë e tri net do të luftonte pa pushim kundër një reparti italian, të cilin nuk e lejoi të hynte në trojet e veta. Në ato luftime gratë të armatosura deri me granata dore  luftuan me heroizëm krah burrave. Ato ishin e mbetën rezistenca më e fuqishme ndaj pushtuesit, të cilat  do të shquheshin  për disiplinën e lartë, organizimin e përsosur dhe vendosmërinë dinjitoze. Të tillë ishin edhe grupet e pleqve dhe fëmijëve 13 e 4 vjeçarë. Ata përshkruhen me shumë hollësi nga djemtë e fshatit, Musa Xifaj e Lavdi Hasani në librat e tyre. Fashistët bombarduan edhe me predha me napalm djegien e shtëpive. Arrëza e Vogël edhe pse u dogj dy herë nga fashistët italianë e gjermanë, pas çlirimit shumë shpejt e mori veten dhe u vu në krye të punëve për rindërtimin e fshatit dhe kthimin e shpresës tek njerëzit. Dëshmi të luftrave për mbrojtjen e Atdheut janë edhe dy lapidarët në Qafën e Kiçokut dhe ai në qendër të fshatit. Luftimet në Qafën e Kiçokut dhe mbrojtja që iu bë Bregasit do të evidentonin me dhjetëra luftëtarë lirie. Arrëzjotët kanë dhënë jetën e tyre edhe pas çlirimit të vendit. Janë vrarë aksidentalisht në minierën e Memaliajt tre djem të këtij fshati, të cilët sot gëzojnë statusin e dëshmorit të punës. Ata ishin vëllezërit Qani e Mane Kaso Lamaj dhe Dervish Qemal Lamaj.

Arrëza e Vogël cilësohet edhe si fshati më arsimdashës në zonë. Avni Sherif Kabadhi mund të quhet mësuesi i parë i këtij fshati. Në vitet ‘30 ai e të tjerë tentuan t’u mësonin shkrim e këndim burrave e grave arrëzjote. Më 1946 hapet shkolla fillore me rreth 18 nxënës e një mësues, ndërsa më vonë numri i klasave mësimore arrin në dy. Disa nga mësuesit e hershëm që kanë dhënë mësim në shkollën e këtij fshati ishin:  Nebi Muçaj, Novruz Gjonçi nga Damësi, Koço Vllahu nga Gjirokastra, Musa Kanushi nga Zhapokika, Sotir Çoka nga Mbrezhdani, Zyra Bunga nga Elbasani, Abaz Lamka nga Damësi, Ahmet Demaj nga Velça e Vlorës, Serafin Goxhioni etj. Mësuesja Zyra Bungo kujton: “Dekadat e shumta që kanë kaluar nuk kanë mundur t’më shuajnë nga kujtesa kohën kur kam punuar mësuese në rrethin e Tepelenës. Kur jepja mësim në Arrzën e Vogël, banoja në shtëpinë e Riza Rrapaj. Për familjen e tij e për gjithë fshatin ruaj kujtimet më të mira. Vërtet banoja te Zakja, por të gjitha shtëpitë e arrëzjotëve i kisha të hapura. Nuk pati familje e festë familjare ku të mos ndodhesha edhe unë. E kam ndierë veten të privilegjuar midis atyre njerëzve dashamirës, bujarë e mikpritës. Të tilla ishin familjet e Haxhi Lalës, Tahir Xifit, Abedin Brahimit, Islam Hazbiut e shumë familje të tjera. Në Arrzën e Vogël, e mbyll rrëfimin ajo, jam ndier kurdoherë midis njerëzve me zemër të madhe”.

Disa nga studentët e parë të këtij fshati janë: Eqerem e Hilmi Lala, Sali Hasani e Bardhyl Rredhi, të cilët pas përfundimit të studimeve të larta do të punonin në institucione të rëndësishme. Eqeremi për disa vjet ka qenë edhe në ambasadën tonë në Kinë, ndërsa Bardhyl Rredhi në organizmat e  NATO-s e të OKB-s. Fëmijët e Arrzës së Vogël për të ndjekur 7-8-vjeçaren  kanë sakrifikuar më shumë se të tjerët. Fillimisht ata shkonin në Maricaj, më vonë në Arrëz të Madhe e pas vitit 1968 në Golemaj. Në vitin 2001, për shkak të rënies së numrit të nxënësve, mbyllet shkolla 8-vjeçare Golemaj dhe hapet cikli i lartë në Arrëz të Vogël me drejtor djalin e fshatit Bashkim Hasani dhe mësues Florie Hasani, Estref Rrapaj, Blerina Kika, Pëllumb Zeneli etj. Nga bankat e shkollës “Barjam Aliu” dolën më qindra nxënës, disa prej tyre ndoqën arsimin e mesëm e të lartë. Djemtë e arsimuar e të përgatitur të Bregasit kanë shërbyer e punuar me devotshmëri në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, por në ushtri e arsim ata kanë dhënë kontribute e kanë investuar më shumë. Eshtë nder për arrëzjotët që nga gjiri i tyre të kenë dalë pedagogë e nëpunës me grada e tituj shkencorë, si: Lavdi e Sali Hasani, Gëzim e Bardhul Rredhi,etj.

Sa kënaqësi ndieje mes arrëzjotëve! Kur uleshe mes njerëzve trima e të besës, lindur e rritur rrëzë legjendarit Trebeshinë, si me magji gjithë qenien ta pushtonin ndjenja të forta përulësie dhe krenarie. Sa të vërtetë e të sinqertë njerëzit atëherë! Sa shumë vlera mishëronin e përcillnin tek moshat e reja! Për të nënvizuar vlerat shpirtërore e intelektuale të arrëzjotëve po i kthehem librit të z. Musa Xifi, i cili ndër të tjera nënvizon: “Krenohem për çdo gjë të mirë që ka lidhje me Arrëzat. Kush nuk do të mburrej me Fejzo Arrzën e Hysen Goxharaj?! Çfarë duhej të bënin më shumë Barjam Aliu e Çelo Arrëza që të shpalleshin Heronj të Popullit?!. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më nostalgjik bëhemi! Më bëhet zemra mal për qindra arrëzjotë me arsim të lartë që i shërbejnë me besnikëri atdheut, për ata që mbajnë titullin e lartë të  “Profesorit” e të  “Doktorit të Shkencave”. Emocionohesha, vazhdon rrëfimin e tij Musai,  kur ndiqja në Televizor, diskutimet e zjarrta të deputetit tonë Medin Duraj. Kam ndier e ndiej kënaqësi kur në radio thuhej “topin tani e ka portieri Rredhi”, kur “këndon Ylli Baka “, kur dëgjon “unë jam Alda Çibuku “ apo kur dëgjoj se me sa ndjenjë recitohen vargjet brilante të nuses arrëzjote, Kozeta Zylo”.

Edhe autori i këtij libri ka detyrimin të shprehet për arrëzjotët. U jam mirënjohës gjithë njerëzve të Bregasit: Eqerem Lalës, Musa Xifit, Lavdi Hasanit, Islam e Muharrem Lamës, Gëzim Rredhit, Hajri, Kadri e Dylaver Lalës, Selim Rrapit etj., të cilët më dhanë kënaqësinë t’i njihja nga afër e të bashkëpunoja me ta. Gjatë tre vjetëve që drejtova pushtetin në fshatrat e Buzit, puna më lidhte edhe me njerëzit e drejtuesit e pushtetit në Arrzën e Vogël. Kujtoj me respekt dy këshilltarët e rrethit, Zini e Kadri Lalën, të cilët punuan me vetëmohim për të zgjidhur problemet e fshatit e të zonës. Vlerësoj kryetarin e këshillit Ahmet Lala, që tërë veprimtarinë e tij e përshkoi thjeshtësia e korrektësia, qetësia e çiltërsia. Ishte drejtuesi që qenien në detyrë kurrë nuk e konceptoi sipas huqeve të agait apo beut të fshatit. I ngadaltë e i qartë në të folur, serioz dhe i përpiktë në detyrë. Doemos, ai do të ecte në gjurmët e drejtuesve më të hershëm, të burrave  të dëgjuar e me emër tբ Bregasit, si: Abedin e Haxhi Lalaj, Tahir Xifaj, Halil Rredhaj, Hasan e Riza Rrapaj etj.  Deri në fund të mandatit Ahmeti gëzoi besimin e zgjedhësve, por ajo që e dallonte arrëzjotin, fjalëpakë e punëmbaruar, ishte mënyra e komunikimit me njerëzit. Zgjidhjen e një problemi, të një mosmarrëveshjeje, të një ankese a kërkese ia nënshtronim me domosdo gjykimit të shumicës. Nuk mund të veproje ndryshe, pa i pleqëruar mirë punët, sidomos, me më të vjetrit e fshatit, si: Haxhi Lala, Riza Rrapa, Islam Lama, Fatime Lala, Xhemile Çibuku, etj.

Për disa vjet rrjesht më kishin caktuar të drejtoja kompaninë e rezervistëve arrëzjotë. Si shumë njësi ushtarake, edhe Batalioni i Buzit bënte përpjekje për të arritur rezultate të mira. Nuk i harroj  lëvizjet e zboristëve nga Rozeçi drejt kufirit me Greqinë. Për të arritur deri ne Hllomo, udhëtohej vetëm natën. Marshimet në rrugë e pa rrugë, në shi e në dëborë, ishin sa të frikshme e të rrezikshme aq dhe kurajoze e të fuqishme për njeriun që i duhej atij sistemi. Në çdo hap që hidhje duhej të bëje llogari kokën. Në gjithë atë itinerar të frikshëm shquanin arrëzjotët e guximshëm e sypartembur. Ata jo vetëm në qitjet me armë, por në të gjitha disiplinat rezultonin të parët. Pëlqeja më shumë mirëkuptimin në radhët e tyre. Kurrë s’kish bërë vaki që arrëzjoti të linte pas arrëzjotin apo në çastet më të vështira të mos ndihmonin njëri-tjetrin. Komandanti i Batalionit Eqerem Ahmati dhe komisari Iliaz Dana, kur bënin konkluzionet e stërvitjeve, shpesh nënvizonion se arritjet e kësaj njësie ushtarake e kanë bazën, veç të tjerave,  edhe tek disiplina, shpirti luftarak e kompaktësia arrëzjote.60

Mirënjohjen për vlerat e njerëzve të Trebeshinës, për “heronjtë” e   luftës e të punës, për intelektualët e  historinë arrëzjote, besoj se e shprehin më së miri edhe këto vargje:  “Pse shfaqen kaq madhështor/,e gjithmonë  prijnë në ballë?/Mos vallë mali shekullor/i bënë njerëz të rrallë?/Trebeshina dhe arrzjotët/ nga njëri-tjetri kanë marrë. /Si Tafili nga buzjotët/që mbetën një e të pandarë”.