GAZETA LAJMËTARI (1988 – 1991)
Gazeta “Lajmëtari” ka qënë gazetë lokale e Rrethit Tepelenë (Organ i Komitetit të Partisë) në vitet 1988-1991. Numri i parë i saj ka dalë në 1 mars 1998. Ishte një botim periodik, thellësisht i politizuar, siç qe çdo botim tjetër i asaj periudhe të regjimit komunist. Por ndërkohë, me të mirat dhe të metat e asaj, ajo gazeta mbetet pjesë e historisë së rrethit Tepelenë, ku bënte pjesë dhe krahina jonë – Buzi. Pra, në një farë mënyre, është edhe pjesë e historisë së Krahinës së Buzit dhe 28 fshatrave, që e përbëjnë atë.
Janë 3-4 vite jetë, që prindërit, gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë; pra të gjithë ata që sot janë tek 50 vjeç e sipër (pa përfshirë moshat shkollore të asaj kohe), i kanë jetuar së bashku me këtë gazetë. Kjo do të thotë, se shumë prej nesh gjejnë aty një pjesë të jetës së vet, ndërkohë që më të rinjtë gjejnë kujtimet për paraardhësit e tyre. Natyrisht aty ka propagandë e fjalë boshe, por ka dhe realitet e fjalë me vend. Ka jetë, punë e sakrifica, siç ka edhe tradita, kulturë, art e letërsi. Ka artikuj fund e krye politiko-ideologjik, siç ka dhe reportazhe, skica, portrete apo tema shoqërore, që e shmangin deri diku, politizimin ose e përdorin atë sa për fasadë. Ka vështirësi e mungesa pa fund, por ka edhe festa e gëzime të ndryshme, kuptohet aq sa i lejonte koha dhe mundësitë. Kësisoj, në një kuptim ose në tjetrin, është një pjesë jete dhe historie e së shkuarës, që nuk mund të trajtohet sikur nuk ka ekzistuar kurrë. Ka shumë që s’e gjejnë kërrkund veten në atë histori, siç ka dhe shumë të tjerë, që i mbush me kujtime e nostalgji. Askush nuk e ka të drejtën t’i heq arbitrarisht tjetrit bindjet dhe formimin që ka, sikundër dhe nuk mund t’i imponohet, përndryshe e zbatojmë keq pluralizmin, ndoshta dhe më keq se monizmin. Nejse, rreth kësaj teme mund të flasësh pa fund, por nuk është as koha dhe as vendi…
Në fund të fundit, ajo është një pjesë e së shkuarës që rri në vendin e vet, por edhe në kujtesën e shumëkujt prej nesh, që gjithësesi, askujt nuk i imponohet. Jam i bindur që do të ketë ndjekësit e vet, sikundër mund të ketë dhe kundërshtarët e saj, të cilët janë më komod se askush tjetër, pasi mund ta kalojnë pa ja hedhur sytë, duke e shpërfillur si një gjë që s’ju përket. Gjithësesi, kjo pjesë e historisë, si çdo pjesë tjetër e saj, nuk mund të zhbëhet, sikundër nuk mund ta bëjë askënd, as më të mirë e as më të keq se ç’ka qënë.
Më i painteresuari për ekspozimin e kësaj pjesë të historisë së shkuar lokale dhe krahinore të Tepelenës, në fakt duhet të isha unë, si ish-Redaktor i Gazetës “Lajmëtari”, pasi do t’ju jepja armë kritizerëve të mi, t’më sulmonin nëpërmjet atyre që kam shkruar; një pjesë si “komunist” dhe të tjerët si “bukëshkalë”, por duke bërë bilancin e interesit personal me atë të përgjithshëm, prevalon ky i fundit. Në emër të këtij interesi, mos kompleksimit nga e shkuara dhe bindjes se, pa vlera individuale nuk mund të bëhemi nxitës promovues të vlerave shoqërore, e marrë përsipër një rrisk të tillë.
Nga Feti ZENELI
Ish-Redaktor i Gazetës “LAJMËTARI”
