“Moj Luftinjë, Luftinja plakë, /Moj Luftinja në luginë, /Jam tek ti e nuk jam larg, /Të dua nuse në çdo stinë!”

Ibrahim Hajro LATIFI

 

Luftinja, një nga fshatrat e hershme të krahinës së Buzit, shtrihet në të dy anët e lumit me të njëjtin emër. Ndodhet në veri të Tepelenës, në lartësinë 450 m mbi nivelin e detit. Fillon me lagjen Sinomataj, vijon me majën e Melovës, Korrilën, Ogrenin në Memëzot e përfundon me lagjen Sinandemaj, kufi me Gllavën. Nga Veriu kufizohet me Izvorin e Gllavën, nga lindja me Buzin, nga Perëndimi me Zhapokikën, ndërsa në Jug me fshatrat Ballaj e Dervishaj. Fshati Luftinjë përmendet në defterët e Turqisë, ndërsa në hartën e vitit 1520 e gjejmë me emrin “Luptinë”. Në kohën e sundimit osman ky vendbanim ishte qendër administrative e krahinave të Tepelenës e Mallakastrës, në vitin 1924 qendra e njësisë administrative për 26 fshatrat e Krahësit e Buzit. Pas çlirimit e deri në vitin 1948 në lagjen Sinoimataj u vendosën zyrat e lokalitetit, për periudhën 1992-2016 Luftinja do të ishte  qendër komune me 15 fshatra, ndërsa sot Njësi Administrative e  Bashkisë Memaliaj.

Vetë rrënja e emrit të këtij fshati shpreh qartë prejardhjen e toponimit Luftinjë. Luftërat shekullore për mbrojtje dhe mbijetesë kanë qënë bashkudhëtarët shekullorë të këtij komuniteti. Fshati Luftinjë ka ekzistuar qysh në kohën e romakëve. Krahas luftërave romake, betejat më të mëdha evidentohen përballjet me ushtritë osmane, të cilat kulmojnë me Kryengritjen e Mallakastrës në vitin 1947. Kapedan Sadik Luftinja, në krah të strategut Rrapo Hekali, luftoi me heroizëm e trimiëri. Ai do ishte edhe njëri nga firmëtarët e Memorandumit të Sinjës drejtuar mbretit Oton të Greqisë ku kërkohej mbështetja e shtetit fqinj për kryengritjen e madhe shqiptare. Fshatrat e Pellgut Luftinjë u përfshinë në vorbullën e luftës mes Italisë e Austrisë. Vera përvëluese e vitit 1916 ka qenë shumë e ashpër. Austriakët ishin vendosur në lartësitë e Gllavës, kurse italianët mbanin kufirin buzë Vjosës, luginën e lumit Maricaj e deri në Kiçok. Në përballjet me këta pushtues prinin luftëtarët Muharrem Shabani dhe Elmaz Mehmeti nga Zhapokika, Qamil Rakipi e Idriz Hyseni nga Luftinja dhe gruaja e mençur e trime nga Izvori, Lulja e Ali Xhelos,  e cila u bë protagonistja dhe organizatorja kryesore e grevës së Delvinës.

Luftinja e hershme ka pasur 18 lagje me mbi 40 fise. Kështu, në lagjen Sinomataj ishin fiset(Asllanaj, Loshaj, Qorraj, Avdiaj, Veizaj, Malanaj etj), në Selaj( Selaj,Gagaj), në Didaj( Taraj, Rrapomeraj, Didaj), në Muçodemaj( Bilaj, Selmanaj, Merdanaj, Latifaj, Llacaj, Vadhaj, Likometaj), në Xhaferaj(Xhaferaj, Mihasi), në Rrapaj( Rrapaj, Zylaj, Caushaj), në Canaj(Canaj, Sakaj, Hundaj), në Likaj(Likaj Malkaj, Maliqi), Danaj, Zekaj, Dokaj, Mushamata, në Belicë apo Bardhaj( Bakaj, Nanaj, Mënaj), Shahaj, Malkaj, Lamaj, Dautaj, Velaj, Mukaj(Mukaj, Stafaj, Dinaj, Goxhaj) dhe Sinodemaj. Theksojmë se  fisi Danaj dikur ka qenë pjesë e Zhapokikës. Në Xhaferaj janë gjetur varre të vjetra. Si vende kulti të fesë kristiane përmenden rrënojat e kishës në Malkaj, varret e kaurit në Lamaj, ndërsa objekte kulti të fesë bektashiane janë Teqeja e Baba Kanberit në Sinandemaj, Mekami i Baba Isufit, i Sheh Ali Arapit, Tyrbe e  Mekame në Didaj e Sinomataj etj.

Pellgu i Luftinjës dallohet jo vetëm për bukuritë e shumta natyrore e pasuritë nëntokësore, por edhe për pjesëmarrjen e banorëve të saj në ngjarjet historike të vendit. Luftinjotët kanë manifestuar gjithmonë shpirtin human, bujarinë, mikpritjen e trimërinë. Nga kjo trevë kanë dalë njerëz atdhetarë e të besës, të cilët kanë treguar heroizëm në të gjitha betejat e zhvilluara me pushtuesit osman. Edhe në ngjarjet e viteve 1912 e 1920 kontributi i tyre do të ishte i fuqishëm, ku shquhen luftëtarët Shahin Mukaj e Jemin Muçodemaj, Adem, Veli, Nuro, Maliq, Myftar e Haki Sinomati, Halim, Kaso, Dervish e Taip Didaj, Hazbi e Rexhep Selaj, Hajro Likaj, Xhafer Xhaferaj,  Ali Rrapaj, Idriz Hyseni, Qamil Canaj etj. Epopeja e Luftës Nac. Çl. do të demonstronte edhe më shumë vlera të çmuara lirie e atdhetarie. Në këtë luftë morën pjesë mbi 35 partizanë, të rreshtuar në formacione të ndryshme luftarake, ku do të prinin: Muharrem Shabani, Shahin Aliu, Hajri Danaj, Zaim e Qemal Rrapaj, Qani e Veli Sinomataj, Veli Likaj, Selam, Nasip e Medi Didaj, Tefik, Jonuz e Ramiz Selaj, Hajri Danaj, Bektash Binaj, Hekuran e Barjam Muçodemaj etj. Në këshillin nacionalçlirimtar të Luftinjës ishin: Taip Avdulla Didaj, Qani Sherif Sinomataj, Gani Muharremi, Ismail Sinomati, Lato Likaj, Arif Selaj etj. Një ndihmesë të veçantë në luftën për liri do të jepte edhe fisi Selaj. Tefik Hazbi Selaj, një nga partizanët e parë të krahinës së Buzit, shquhet për zgjerimin e lëvizjes çlirimtare. Ai, në krah të Mustafa Matohitit, Medi Axhemit, Ismail Xhemaliut e Sefedin Limes, kontriubuoi maksimalisht në ngritjen e këshillave, të çetave territoriale, të çetës “Verikoll” etj. Djali i Selajt, arriti të rreshtonte në radhët partizane edhe të shoqen, Kanushe Sela, nipin Kanan Sela dhe bashkëfshatarët: Shyqyri e Veli Sinomataj, Nasip Didaj, Jonus Selaj, Barjam Muçodemaj etj. Në komandën e vendit ishin: Latif Fejzi Lika, Qani Sherif Sinomati  dhe Qani Adem Sinomataj.

 

Popullsia dhe territori:

 

Vitet 1923 1928 1945 1969 1979 1989 1995 2001 2017
Banorët   493   510   590   623   824  594   486   358    120
Familjet   112   118  134   139   155  133   124     71      24

 

Shkolla fillore u hap më 1946, fillimisht në shtëpinë e Sherif Avdullaut në Didaj e më pas tek fusha e Hanit, me mësues Muzafer Kalo nga Luzati, Shefki Lamkaj nga Damësi, Besim Tafili nga Vasjari etj, ndërsa 7-vjeçarja çelet më 1963. Në vitet ’90 Luftinja, krahas shkollën 8-vjeçare, do të kishte edhe tri shkolla fillore për lagjet Sinomataj, Didaj e Canaj. Në shkollën fillore Sinomataj kanë dhanë mësim Muzafer Dida, Bashkim Myslymi, Avni Lala, Lahe Sela, Sinan Sulozeqi etj. Në vitin 1993 shkolla 8-vjeçare “Tefik Hazbiu” ndryshon vendndodhjen, nga Didaj në Rrapaj. Fillimisht si godinë u përshtatën disa ndërtesa të ish minierës së qymyrgurit, ndërsa pas vitit 2015 ndërtohet shkolla e re në fshatin Rrapaj. Nga mësuesit e drejtuesit e shumtë të kësaj shkolle, përmenden: Niko Pano,Thanas Hoda, Myftar Laze, Besim Tafili, Koço Kondi, Hysni Kapaj, Fejzi Duraj , Shefki Lamkaj, Vasil Piraliu, Ylli Karteri, Fatos Shehu, Fotaq Dushi, Abaz Arapi, Guri Halili, Apostol Prifti, Ferrik e Dudë Selmani, Petrit Velaj (Sulejmani), Idajet Danaj, Vezir Zhupa, Rakip Balliu, Drita Hodo, Lindita Çela, Enkeleda Fejzo, Manjola Zhupa, Edlir Zoto, Ibrush Malo, Bedri Serjani, Arjan Danaj, Pëllumb Gorani, Haseni Sinomati, Muzafer Dida, Hajro Latifi, Vjollca Zeka, Lahe Selaj, etj.

Në tërësi, luftinjotët kanë investuar për arsimimin e brezave. Disa nga intelektualët më të vjetër të këtij fshati u ngarkuan me detyra të rëndësishme në institucionet shtetërore. Si të tillë përmendim : Ferrik, Iliaz e Veli Danaj,  Myfyt Selaj, Bashkim, Ilirian e Engjëlli Dida, Aseni Veli Sinomati, Ethem Binaj, Estref Rrapaj, Hajro Latifi  etj.  Nga ky fshat ka dalë shefi i parë i seksionit të shëndetësisë të rrethit Tepelenë, Qani Sherif Sinomati, ndërsa Hatixhe Didaj e Merushe Selaj të zgjedhura në forumet kryesore të partisë e pushtetit në rreth. Luftinjotët përmenden edhe për kultivimin e vlerave zakonore të bujarisë, mikpritjes, burrërisë dhe atdhetarisë. Nga burrat me emër përmenden Taip Avdullau, njeri zakonlli që i dëgjohej fjala, Maliq Dervishi, njeri fjalëpak, por fjala e tij kishte peshë. Figura të respektuara kanë qenë edhe  Qani Sherifi, Muhamet Zeneli, Hasan dhe Hekuran Rrapaj, Shaban Ismaili, Abaz Hysniu, Mehmet Hamzua etj “.

Nëntoka e Luftinjës, duke filluar nga Selaj e deri në grykëderdhjen e lumit Luftinjë, ka shtresa të pasura qymyrguri të tipit “linjit”, me një trashësi 60-120 cm dhe me një vlerë kalorifike nga më të lartat e vendit tonë. Sektorët e minierës në Selaj, Danaj dhe Mukaj ishin një burim i mirë të ardhurash dhe vende pune për sistemimin e njerëzve. Me dhjetëra punëtorë e minatorë të kësaj treve kanë derdhur djersën e tyre në thellësitë e nëntokës, si: Veli, Pëllumb e Halim Sinomati, Fejzo, Myslym, Muzafer, Tefi Sela etj. Në vitin 1957 në Luftinjë krijohet kooperativa bujqësore me kryetar Xhemal Sela, Qani Sinomati, Muhamet Beda etj. Më pas kemi bashkimin me Luftinjën e Sipërme ku kryetar do të ishte Veli Meraj.

Fshati Luftinjë ka hyrë në histori edhe për pjesmarrjen e njerëzve të tij në Lëvizjen e vitit 1948 kundër sistemit komunist. Dy nga organizatorët kryesorë të Kryengritjes së Zhapokikës do të ishin Jonuz Luftinja dhe Xhemal Brahimi. Familja e Xhemalit, thotë Barjam Muçodemi, ishte e pasur. Vetë Xhemali mori pjesë në LANÇ. Mbi 10 ditë në shtëpinë e tij u strehuam me dhjetëra partizanë. Në vitin 1948 Xhemal Brahimi do të ishte një nga drejtuesit kryesor të Kryengritjes së Zhapokikës. Ai edhe pse i shpëtoj përpjekjes nga forcat e policisë së shtetit, familja e tij u dënua e u persekutua rëndë për një periudhë të gjatë. Presidenti i Republikës i dha birit të Luftinjës titullin “Nderi i Kombit”. Të dënuar të tjerë politikë nga ky fshat kanë qenë edhe  Elmaz Rakip Muçodemaj, Mehmet Shahin Muçodemaj, Jonuz Zenel Luftinja, Maliq Dervish Didaj, Shaqo Lime Muçodemi, Mehmet Kaso Didaj, Salo Kaso Didaj, Xhafer Adem Sinomati, Shefqet Taip Didaj, Bejo Xhemal Asllani, Muharrem Zeneli etj.

Pas vitit 1924 Luftinja ndahet në dy fshatra: Luftinja nr.1 dhe Luftinjë e Sipërme apo Luftinja nr.2. Në vitet  ’80 të shekullit XX në territorin e dy Luftinjave do të krijoheshin  edhe dy fshatra të rinj (Rrapaj e Bardhaj). Në dokumentet statistikore para vitit 1990, lidhur me numrin e banorëve e të familjeve, gjejmë këto të dhëna: Luftinja Nr. 1 kishte me 124 shtëpi e 600 banorë, Luftinja e Sipërme 120 shtëpi e 616 banorë, Rrapaj 90 shtëpi e 460 banorë dhe Bardhaj  30 shtëpi e 150 banorë.

Aktualisht Luftinja Nr.1 përbëhet nga 6 lagje : Sinomataj, Selaj, Didaj, Muçodemaj, Xhaferaj e Latifaj. Ato dikur ishin të populluara, por pas viteve ‘90 numri i banorëve ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Në Sinomataj nga 40 familje, sot janë vetëm 6, në Selaj një, ndërsa në lagjet e tjera braktisjet janë më të pakta. Të shumtë janë ata që kanë drejtuar fshatin si: Arif Selaj, Medin Kaso Didaj, Maliq Dervishi, Taip Didaj, Sali Latifi, Lefter Sinomati, Laver Muçodemaj, Petref Dida, Armando e Namik Muçodemaj.

Për luftinjotët mund e duhej të  shkruhet edhe më shumë, por në këto radhë po sjellim Barjam Qazim Muçodemaj. U lind më 15.01.1928 në Luftinjë. Plaku 94 vjeçar ka vite që banon në qytetin e Tepelenës. Çdo mëngjes del nga shtëpia e bën shëtitjen e zakonshme. Edhe pse vitet mbi shpinë kanë bërë punën etyre, ai mbahet mirë. Trupi i tij i drejtë si rrepet e Pellgut Luftinjë, veshja me shumë hijeshi, hekurosja e kollarisja më shtyu ta pyesja për familjen, por kur mora vesh se gruaja kishte 20 vjet që e kishte lënë i shpreha mirënjohje për djemtë e nuset me të cilat ai bashkëjeton. Barjami ka qenë partizan në Brigadën XII Sulmuese. Ka punuar në minierë, në kooperativë e sektorë të tjerë. Kur i kërkon të shprehet për Luftinjën, ai në krye vendos  fisin Muçodemaj. Me mbështetjen e Ali Pashë Tepelenës ne, nënvizon xha Barjami, kishim edhe shtëpi 2-3 katëshe. Bako Llaci ka qenë luftëtar i Ali Pashës, ndërsa Ismail Muçodemi kapet nga greku, burgoset në Athinë e atje vdes. Kur e pyet për disa nga burrat e dëgjuar të fshatit, ai si të tillë nga të vjetrit përmend Medin Kason, Maliq Dervishin, Demir Brahimin, Vrenoz Cenon, Sali Hajron, Qani Muharremin, Qani Didën,  Muhamet e Brahim Muçodemin e deri te më të rinjtë, si Laver Muçodemi, Fejzi e Myfyt Selaj etj. Edhe Telo Rrapaj në shkrimet e tij vlerësonte kontributet e Idriz Zekës, Haki Malkës, Caush Agës, Qamil Cana, Xhafer Rrapa, Arif Sela, Gani e Sali Muçodema, Hamide Muçodemaj,Vasijeko Canaj, Merushe e Fatime Rrapa, Lule Dida, Nurie e Lule Selaj, etj.

Djemtë e vajzat e Luftinjës, duke ecur me vendosmëri në gjurmët e të parëve, në tërë veprimtarinë e tyre brenda e jshtë vendit kanë arritur rezultate të mira. Ata në sektorët ku kanë punuar e punojnë kanë bërë progres, por në drejtim të arsimimit e kualifikimit kanë siguruar tregues shumë herë më të mirë se prindërit e tyre. Të tillë nuk janë vetëm pedagogët e shquar Përparim e Lindita Xhaferaj që aktualisht banojnë në Australi, por edhe Bashkim Dida në Amerikë, Myfyt Sela në Fier, Hajro Latifi në Tiranë etj. Kanë përfunduar studimet e larta: Altin, Elidiana, Rajmonda e Esmeralda Xhaferaj. Të tillë ka edhe në Didaj, Muçodemaj e Sejaj, si: Ludian, Deliana, Xhuliana e Orgerta Dida, Denisa e Armando Muçodemaj, fëmijët e Myfyt e Myslym Selaj, Deliana e Marius Sela etj. Luftinja “plakë”, me rininë e sotme e të ardhmen e saj, ndoshta një ditë do të arrijë të shfaqet nuse në çdo stinë, ashtu sikurse e ëndërronte i paharruari Ibrahim Hajro Latifi.