“Lavdia e të parëve dhe e vlerave të shumta janë e mbeten dritë për ne dhe brezat që do vijnë.”   Shyqyri  VELA

 

Sa mbërrin në Qafën e Kiçokut, fshati që ndodhet më pranë këtij territori quhet Golemaj. Ky vendbanim dikur ka qenë lagje e Buzit e më pas e Buzit të Vogël, por me Dekret Nr. 1986, dt. 24. 1. 1955 ndahet prej këtij të fundit dhe shpallet fshat më vete. Gjithmonë ka qenë në varësi të lokalitetit apo komunës Buz, ndërsa aktualisht pjesë e Njësisë Administrative Buz, Bashkia Memaliaj.

Ndodhet në skajin verilindor të Tepelenës. Nga lindja kufizohet me Kondasin dhe Bubësin e Përmetit, nga Veriu me Shalësin e Selckën, nga perëndimi me B. Kalemaj, Buzin Qendër e Kurtezën, kurse nga jugu e juglindje me fshatrat Arrëz e Vogël e Maricaj. Përshkohet nga dy përrenj të vegjël të cilët, pasi bashkohen në lagjen Goxhaj, vazhdojnë rrjedhën e tyre në lumin e Shalësit që buron nga Bubësi i Përmetit e përfundon në lumin Osum të Beratit”. Në tërësi, banorët e këtij fshati kanë ardhur nga fshatrat e Skraparit, Përmetit e Tepelenës. Si më të hershëm mund të cilësohen fiset Lamaj, Myrtaj, Ajazi dhe Aliaj. Dy prej familjeve më të vjetra, ardhur nga Golemi i Kurveleshit, mbeten argumenti më i mirë edhe i vet emrit të këtij fshati. Kur Buzi i Vogël u nda në dy fshatra, njëri u quajt Buz Kalemaj e tjetri Buz Golemaj. Mundësia për t’i vendosur këtij të dytit një emër shqip ka qenë më e madhe, sepse “Golem” bën pjesë në grupin e toponimeve me origjinë sllave. Por fakti që me  këtë emër ka fshatra edhe në Gjirokastër, Kavajë e Shkodër apo arsye të tjera mund t’i kenë orientuar drejtuesit e kohës në parapëlqimin e këtij emërtimi.

Nga gërmimet e bëra janë zbuluar gjurmë dhe objekte qeramike. Hershmërinë e këtyre trojeve e vërtetojnë edhe ekzistenca e varrezave shumë të vjetra dhe Lisi qindravjeçar i Varreve, i cili në vitin 1965 u shkul aksidentalisht dhe në atë vend u ndërtuan disa objekte socialkulturore. Qendra e fshatit ka qenë e vendosur në vendin e quajtur “Sheshëz”, parcelë e fisit Dautaj. Nga toponimet e besimit kristian do të veçonim Bregun e Kolës, rrënojat e kishës në lagjen Goxhaj, Qafën e Manastirit në ish-repartin e Rozeçit etj. Banorët e Golemajt janë bektashinj dhe shërbesat i kryenin në Teqenë e Bregut të Kolës ku ka shërbyer Baba Islami si dhe në Teqenë e Qafës së Kiçokut.

Për Golemaj është folur e shkruar edhe më parë, por në historikun e tij rëndësi merr pozita gjeografike dhe luftrat pa mbarim që atë e kanë shoqëruar. Qafa e Kiçokut dhe tërë vija e frontit ku janë zhvilluar betejat shekullore kanë bërë që ky vend të ishte arenë e përballjeve mes focave ndërluftuese. Pasojat e tmerrshme të sulmeve të andartëve grekë, lufta mes italianëve e grekëve në vitet 1940-1941 dhe LANÇ kanë kaluar edhe mbi shpinën e golemjotëve. Në të gjitha ngjarjet historike ky komunitet ka nxjerrë luftëtarë trima, ndër të cilët përmenden: Xhafer Myrto Xhaferaj, Hysen Guri Golemaj, Hazbi Vrenoz Ajazi etj. Disa herë Golemaj është rrënuar e shkatërruar nga djegiet dhe bastisjet e hordhive turke, austrohungareze, serbe, greke, italiane etj. Ai dhe fshatra të tjerë rreth Qafës së Kiçokut janë rrënuar e shkatërruar nga bombardimet. Vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, Golemaj është djegur 3 herë.

Fshati ndahet në dy pjesë: qendra dhe lagjet Goxhaj e Selamaj. Fiset më kryesore janë: Aliaj,Velaj, Myrtaj, Dautaj, Ajazi, Selamaj, Lamaj e Goxhaj. Në regjistrin themeltar të vitit 1945 kemi shkëputur disa prej kryefamiljarëve sipas fiseve. Në Goxhaj: Feti Sadik Goxhaj, Zaim e Hekuran Goxhaj, Muhamet e Idajet Goxhaj, Axhem e Sami Goxhaj, Qamil, Mehmet, Istref, Bektash e Nuredin Goxhaj, etj. Në Selamaj: Fejzo Karafil Selamaj (1870), Dalip Qazim Selamaj (1895), Myftar, Abedin e Kamber Selamaj. Në Dautaj: Hyso Dine Dautaj (1880), Bido, Shefit, Latif, Neshat, Qazim, Haki, Teme e Hyso Dautaj. Në fisin Ajazi: Hazbi Vrenoz Ajazi (1880), Muharrem, Ilmi e Sali Ajazi, Zeqo Jonuz Ajazi (1898),Teme Jonuz Ajazi. Në Velaj: Refat Velisha Velaj (1880), Hajdër Dule Velaj (1880). Në Myrtaj: Ibrahim e Qani Xhafer Myrtaj, Demir Bejo Myrtaj(1890), Sulo Ceno Myrtaj, dhe Musa Haxhi Lamaj, Jashar Veiz Aliaj.

Disa tregues për popullsinë dhe territorin:

 

Vitet 1939 1945 1969 1979 1989 1995 2001 2018
Familjet     12     19     43     51     54     35     15       3
Banorët     80   110   212   255   275   167     76     12

 

Nga të dhënat statistikore të vitit 1995 mësojmë se ky fshat ka pasur tokë bujqësore 159 ha, 123 ha tokë arë dhe 35 ha pemtore. Fshati Golemaj në vitet ‘80 kishte mbi 50 familje, ndërsa sot rezulton më i braktisur i zonës së Buzit. Në dokumentet zyrtare këtë fshat e gjejmë edhe me emrin Buz Golemaj. Kryetari i parë i këshillit të fshatit ka qenë Teme Dauti. Në formacionet partizane gjatë LANÇ marrën pjesë: Ali  Hysen Dautaj, Ali Liço Dautaj, Hane Xhafer Myrtaj, Shyqyri Haxhi Velaj, Rexhep e Xhemal Velaj, Teme Dautaj, Hekuran Goxhaj. Dëshmorë të Atdheut: Shyqyri Velaj e Ali Dauti.

Falë pozitës gjeografike, rrugës nacionale Berat-Këlcyrë dhe komunitetit gjithë vlera, Golemaj për vite më radhë pati zhvillime ekonomike, arsimore e kulturore. Zyrat e administratës vendore, vatra e kulturës, shkolla, qendra shëndetësore, dyqani i tregtisë, kopshti, çerdhja dhe njerëzit që shërbenin në këto institucione u dhanë banorëve pamjen e një qendre të pranueshme për kohën. Ky fshat në periudha të caktuara ka qenë qendër kooperative dhe qendër sektori për fshatrat Shalës e Arrëz e Vogël. Kanë drejtuar e punuar në adminisrtatën e kësaj ekonomie: Ilmi Ajazi, Resmi Hoxha, Razi Kapllanin, Asqeri Nebiu, Shahin Dervishi, Nexhip e Alem Velaj, Qemal Harizaj, Mbaresë Demaj, Hiqmet Goxhaj etj.

Shkolla fillore hapet më 1948 në lagjen Llokovë me mësues të parë Pasho Rrapon nga Nivica e Tepelenës e pas tij: Nase Guga, Kasjani Alinanaj, Janaq Bleca, Shefki Lamkaj, Jorgo Mekshi, Sotir Gjici, Llazo Papa, Luan Çarçani, Bardhul Hoxha etj. Në vitin 1966 Golemaj do të kishte edhe një tjetër shkollë fillore, atë në qendër të fshatit me mësues të parë Medi Kalemin, ndërsa  8-vjeçarja do të çelej më 1969 me drejtor të parë Ethem Bakaj. Shkollat e këtij fshati kanë patur drejtues e mësues të aftë e të përkushtuar në mësimdhënie. Falë kontributit të tyre të çmuar, cilësia e arsimimit të fëmijëve do të rritej ndjeshëm. Pjesa më e madhe e nxënësve që dolën nga shkolla 8-vjeçare Golemaj do të vazhdonin arsimin e mesëm e të lartë. Nga bankat e kësaj shkolle ka dalë edhe Prof. Lavdi Hasani, specialistët Alem Velaj, Luan Goxhaj, Behare Selamaj, Servet Dauti, Lula e Fejzo Selami, muzikanti i talentuar Jonuz Ajazi etj. Të shumtë janë edhe ata që u arsimuan në shkollat ushtarake, si: Shkëlqim, Vladimir e Teme Goxhaj, Agron e Ylli Myrtaj, Skënder e Ferrik Dautaj, Alket Velaj etj. Pas vitit 2001, për shkak të rënies së numrit të nxënësve, shkolla në Golemaj do të mbyllej dhe nxënësit do ta vijonin mësimin në Arrëz të Vogël. Kopshti i fëmijëve do të hapej në vitin 1978 me 24 fëmijë me edukatore Merushe Myrtaj. Qendra shëndetësore e drejtuar nga Shyqyri Velaj do të shquhej për shërbimin e kualifikuar ndaj njerëzve.

Më 14 prill 1957 bëhet kolektivizimi i bujqësisë me kryetar Ilmi Ajazin. Më vonë do të kemi kooperativën e bashkuar me tre fshatra e pas vitit 1970 atë të Buzit. Krahas zgjerimit të tokës arë e të plantacioneve me frutikulturë, në rritjen e rendimenteve bujqësore do të ndikonte edhe rezervuari i Rozeçit.

Fshati Golemaj  në vitet ‘70 – ‘80 të shek. XX do të cilësohej më i veçanti, më i qeti dhe më i kompletuari në zonë. Eshtë pak të thuhet se ai ishte model për qendrat e tjera të banuara. Klasifikohej si i tillë për treguesit cilësorë në arsim e shëmdetësi, për shpirtin punëtor, mikpritjen dhe qëndrimet korrekte në punë, shoqëri e kudo. Kur ndodheshe mes banorëve të këtij fshati jo vetëm të zgjedhurit si: Hysen e Seit Ajazi, Sanie Velaj, Medin e Muharren Myrtaj, Ilmi Ajazi, Ismail, Hiqmet e Hazbi Goxhaj, Minushe Myrtaj, Bukuri Goxhaj etj, por edhe intelektualët Nazmi Ajazi, Shyqyri Velaj etj. i kishe në krah  me mendimet e alternativat progresiste. Në Golemaj gjithçka të motivonte. Kolektivi i shkollës 8-vjeçare, qendra shëndetësore dhe pushteti në fshat do të ishin tri pikat kyçe të përvojës së përparuar. Nuk ka nevojë të zgjatesh për drejtuesin dhe deputetin model Seit Ajazi, për çiftin shembullor Shyqo e Sanie Velaj apo Muharrem e Merushe Myrto,  por edhe për mësuesit e talentuar: Vasil Bici, Spiro Cinga, Petro Vasili, Medi Kalemi, Bardhul Hoxha, Nazmi e Muhamet Ajazi etj, sepse ata i treguan me vepra vlerat si nëpunës të përkushtuar e intelektualë vizionarë jo vetëm në Golemaj, por  kudo ku punuan.

Kur shkruan për fshatin Golemaj, të shfaqen me dhjetëra shokë, miq e nëpunësa shteti me integritet, si: Gëzim e Lula Selami, Shyqo, Agron e Vladimir Vela, Ilmi, Seit e Nazmi Ajazi, Hysen e Skënder Dauti, Hiqmet, Ismail e Hazbi Goxhaj, Medin, Hetem, Muharrem e Agim Myrtaj etj. Të tillë janë edhe djemtë e Brahim Xhaferit: Xhaferi, Hania e Petriti, të cilët kanë vite që janë vebdosur në qytetin e Tepelenës. Tek fisi i Brahim Xhaferit (Brahimi, Qaniu e Orhani), duhet nënvizuar tregëtia e tyre e hershme. Ata, vendosur me banim në Qafën e Kiçokut, kishin dyqan shtëpie dhe një klub. Shpirti punëtor i golemjotëve pas viteve “90 ka fituar vlera edhe në ekonominë e tregut, Ka prej tyre që kanë arritur suksese në emigracion, të tjerë me sipërmarrjet private kanë fituar emër e vlerësime, si : Agron, Asqeri e Valentina Velaj në Memaliaj, Shyqyri Velaj, Skënder e Hysen Dauti në Ksamil, Gentjan e Elda Ajazi në Tiranë etj.

Për të zgjedhurit e fshatit Golemaj mund e duhet të flitet edhe më shumë, por dy fjalë po ia kushtojmë ish kryetarit të pushtetit, Hysen Ajazit. Ai në vitet ‘70 simbolizonte  qëndrueshmërinë e një pushtetari të ndershëm. Me sjelljet, qëndrimet e veprimet e tij kish fituar respektin dhe besimin tek  njerëzit. Vlerat si i zgjedhur, inteligjenca dhe kurajoja me të cilat hynte në debat, diskutonte e bashkëbisedonte kishin në epiqendër  ndryshimin, zhvillimin e progresin e shoqërisë.

Figura që lartësojnë fshatin Golemaj ka në të gjitha familjet, ka në fiset Myrtaj, Velaj, Goxhaj, Dautaj, Ajazi, Selamaj, Lamaj, Aliaj etj. Jo vetëm të rriturit, por edhe nipërit e mbesat e këtyre fiseve kanë arritur të rrezatojnë cilësi të mira në tërë veprimtaritë e tyre brenda e jashtë atdheut. E njëri prej tyre është Nik Xhelilaj, i cili në gjithë aktivitetin kombëtar e ndërkombëtar shquhet si një ndër aktorët më të suksesshëm.  Niku, duke mbartur vlera dhe cilësi nga të dy krahët, nga Vlora e Tepelena, do të fitonte përmasat e një artisti të madh, nëqoftëse një ditë do të arrinte të interpretonte figurën  e  njërit prej prijsave  shqiptarë, atë të Tafil Buzit, “Nderi i Kombit”.