“Kujto çdo grua, çdo burrë/ dhe trojet ku t’i ke lerë. /Selckën mos e harro kurrë, /se mbetesh njeri pa vlerë!” Sadik ZAÇAJ

Në vitet ‘30 Selcka e Vogël do të shkëputej nga fshati mëmë dhe do të mbetej fshat më vete. Ky vendbanim në vitin 1938 do të kishte rreth 38 familje me 130 banorë, ndërsa në vitin 1989 do të arrinte në mbi 85 familje me 407 banorë. Konsiderohet si fshati më i skajshëm i zonës së Buzit, me rreth 50 km larg Tepelenës, por po kaq larg edhe nga Berati, Skrapari e Përmeti. Selcka e Vogël ndodhet në veri-lindje të krahinës së Buzit, shtrihet në një terren të rrethuar nga kodra me lartësi 680-700 m mbi nivelin e detit. Pika më e ulët e këtij vendbanimi është lumi i fshatit me 300 m mbi nivelin e detit, ndërsa më e larta, maja e Përrielit me 831, 5 m. Fshati përbehet nga lagjet Përriel e Barmë, të vendosura në dy kodra të bukura e të barazlarguara nga njëra-tjetra. E para (Përrieli) është pagëzuar me këtë emër për vetë pjerrësinë ku ajo shtrihet, ndërsa e dyta (Barma) për barin me shumicë që lëndinat e livadhet e saj kanë. Selcka e Vogël kufizohet me Selckën e Madhe, Shalësin, Komarin, Panaritin, Vokopolën, Dodovecin dhe Liqedhin.
Në hershmëri, banorët e këtij fshati i përkisnin besimit kristian. Një gjë të tillë e vërtetojnë toponimet e shumta, por edhe rrënojat e dy kishave, njëra pranë shkollës 9-vjeçare dhe tjetra mes kabinës elektrike dhe varrezave në lagjen Barmë. Në lagjen “Përriel” ndodhet një vend i quajtur Qafa e Kaurit, ndërsa tek Përroi i Merdanit gjenden varre të shumta sipas modelit të krishterë. Në fshat është një vend me sipërfaqe të madhe, i quajtur Kisha e Përrielit. Aty, në vitin 1970, janë zbuluar dy qypa me kapacitet deri 60 litra, si dhe sende, mjete e mbetje të shumta qeramike. Këto gjetje, varret e kaurit dhe toponimet Begu i Hanit, Qafa e Nishanit, Ara e Ramos, Fushat e Balliut, Skënderit, Sabriut, Muratit etj. argumentojnë se trojet e këtij vendbanimi janë relativisht të lashta.
Banorët e Selckës së Vogël janë të besimit mysliman, të sektit bektashi. Ata prej kohësh kanë frekuentuar institucionet fetare më të afërta, si Mekamin e Baba Tahir Vokopolës, Dervish Hasanit në Panarit e më larg Teqenë e Baba Aliut në Tomor dhe atë të Çërrilës në Mallakastrër.
Nga dëshmitë e të moshuarve mësohet se në kohën e zëvendësimit të besimit kristian me atë islam, në këtë vendbanim janë vendosur tre fise: Gumaj nga Vokopola, fisi i Bejdush Gjinarit dhe ai i Liço Veshit me prejardhje nga Progonati. Pas viti 1840 vjen e vendoset fisi Lika i kryesuar nga Cenia dhe Malkua dhe më pas pasardhësit e tyre: Shaho, Jaup, Xhafer, Mane, Tare, Hysni e Kamber Lika, ardhur nga Molla e Kuqe, Kosovë. Pas vitit 1900 vjen fisi Memaj (Myrto e Shaban Mema nga Vinokashi dhe Çerciz e Shuaip Mema nga Ballabani). Në vitin 1915 do të vinte nga Këlcyra fisi Zaçaj i kryesuar nga Elmaz Rakipi,Veliu e Sadiku. Duhet nënvizuar se fisi Zaçaj, pasi shpërngulet nga Konica fillimisht vendoset në Këlcyrë. Rreth vitit 1890 vjen nga Arrëza Jashari e dy djemtë e tij: Kalua dhe Hasani. Brahimajt kanë ardhur nga Maricaj, Ali Ruçi nga Zhitomi. Në vitin 1910 në lagjen Barmë vendoset fisi Iliazi, ardhur nga Gllava, ndërsa fisi Skëndaj do të vinte nga Shalësi rreth vitit 1929.
Banorët e Selckës së Vogël kanë ardhur nga treva të ndryshme të vendit, nga rrethet Përmet, Skrapar, Berat, nga fshatrat Rabie, Gllavë, Maricaj etj. Me kalimin e viteve bashkëjetesa e tyre u rrit, u forcua e mori jetë. Ky komunitet, duke qenë kompakt, jetoi në harmoni e dashuri të plotë, asnjëherë nuk pati konflikte e mosmarrëveshje. Ai u dallua në të gjitha kohërat për mikpritjen, bujarinë dhe cilësitë e larta njerëzore. Këto vlera forcuan edhe më shumë respektin e bashkëpunimin me fshatrat e rretheve Berat, Përmet e Skrapar. Në bashkëjetesën brenda fshatit e me fqinjët kanë ndikuar edhe lidhjet martesore. Vetëm brenda fshatit numërohen mbi 50 krushqi, brenda krahinës 54, me Dëshnicën 53, me Tërpanin 48, etj. Nga Dëshnica e Tërpani miqësitë e shumta kanë ndodhur me fshatrat Komarak e Tozhar.
Duke qenë larg Tepelenës, kurbeti apo emigrimi kanë qenë pjesë e jetës së banorëve të këtij fshati. Disa nga emigrantët e hershëm janë : Elmaz Rakip Zaçaj, (6 vjet në Amerikë), Veli Rakip Zaçaj (9 vjet në Amerikë), Sadik Rakip Zaçaj (11 vjet në Amerikë) e Veiz Çerçiz Mema (10 vjet në Francë). Këta burra, krahas anës ekonomike, sollën në fshat edhe më shumë dije e kulturë perëndimore. Ata, me zgjuarsinë e përgatitjen e tyre, do të bëheshin për bashkëfshatarët e tyre bërthama ku mund të mësoje e ndryshoje në mentalitet e në formim. Duke propaganduar vlerat e shteteve më të përparuara, rritën tek të rinjtë optimizmin, dashurinë për jetën, për dijen, për punën e shpresat për një të ardhme më të mirë.
Në të gjitha ngjarjet historike banorët e Selckës së Vogël kanë shfaqur vlera atdhetarie e patriotizmi shëmbullor. Gjatë Luftës së Parë Botërore fshati sulmohet nga austrohungarezët. Qëndresa popullore ishte e fortë, aq sa në përpjekje me këto forca do të vritej dhe një oficer i tyre. Austrohungarezët, për të terrorizuar banorët, dogjën lagjen Përriel dhe rrëmbyen 4 burra, të cilët i pushkatuan në lagjen Dostaj të Buzit. Në vitin 1943 krijohet Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar. Sipas dokumenteve në Muzeun e rrethit, firmosur nga Xhevair Brahimaj, Sinan Zaçaj, Kaso Iliazi e Gani Lika këshilli përbëhej nga: Elmaz Zaçaj, Gani Lika, Tahir Iliazi, Nure e Hysen Brahimi e Kalem Mema. Filimisht kryetar zgjidhet Gani Lika, por për një periudhë të gjatë kryetar i këtij këshilli do të ishte Sinan Zaçaj. Në radhët e formacioneve partizane u rreshtuan 12 djem të fshatit, të cilët u shquan për guxim e vendosmëri në luftë me pushtuesit. Ata ishin: Hamzo, Mustafa, Muharrem e Ramadan Iliazi, Mero, Ramiz, e Nexhip Brahimaj, Banush e Jaup Likaj, Shefit Zaçaj, Skënder Skëndaj e Zirkë Hasani. Dëshmor i Atdheut i fshatit Selckë e Vogël është Muharrem Iliazi.
Në këtë fshat të largët vullneti për arsim, dije e kulturë ka pasur ndjeshmëritë e veta. Njerëzit edhe në mungesë të shkollës do të bënin përpjekje këmbëngulëse për të mësuar shkrim e këndim. Kurset kundër analfabetizmit të drejtuara nga Sinan Zaçaj, Murat Memaj e Riza Brahimaj këtij qëllimi do t’i shërbenin. Shkolla fillore u hap në shtator të vitit 1949 me mësues Jaçe Haska nga Gjirokastra e më pas Burhan Shehu, Niko Bega, Arif Ahmeti, Godo Peta, Kadri Nora, Ilia Cakuli, Hekuran Zaçe, Kamnber Hoxha, Naim Myrtaj, Ilia Cakuli etj. Periudhën më të gjatë si mësues në Selckën e Vogël e ka shënuar çifti Napoleon e Polikseni Terpo nga Gjirokastra (1976-1990). Në vitin shkollor 1981-1982 do të hapet shkolla 8-vjeçare, me mësues Esat Nura, Mystehak Cenka, Muzafer Hoxha nga Vagalati e Fatmir Selmani. Drejtori i parë i shkollës 8-vjeçare “Muharrem Iliazi” do të ishte Mystehak Cenka. Krahas shkollës, fshatin e ka zbukuruar edhe kopshti i fëmijëve e vatra e kulturës . Këto institucione të rëndësishme ndikonin në pajisjen e njerëzve me kulture e dije. Sipas Ethem Memës, në vendlindje numërohen me dhjetëra nxënës që kanë mbaruar arsimin e mesëm e të lartë. Mbi 15 prej tyre kanë përfunduar shkollën për mësuesi, 10 për mjekësi, 5 ushtaraken, 6 ekonomikun, 4 specialistë blegtorie, 6 mekaniken etj. Banorët e këtij fshati u janë mirënjohës mësuesve të ardhur, në krye të të cilëve qëndron Napoleon Tërpo. Kontribute do të jepnin edhe arsimtarët e fshatit, duke filluar nga mësuesi i tyre i parë z. Sadik Zaçe e me radhë: Barie, Alketa e Pajtim Zaçaj, Ylli Likaj, Dhurata e Albana Iliazi, Ramiz Brahimaj etj.
Në fshatin më fundor të Tepelenës, sikurse është Selcka e Vogël, edhe sektori i shëndetësisë do të shënonte arritje. Fillimisht kemi përgatitjen me kurse të shpejta të Selvi Likës dhe Engjëllushe Iliazit, ndërsa më pas do të përfundonin shkollën e infermierisë Ilmie Lika e Zana Zaçaj. të cilat do të kontribuonin maksimalisht për shëndetin e banorëve. Në ambulancën e këtij fshati kanë shërbyer me përgjegjësi infermieret Bukuri Coraj, Kismete Agaj dhe veterania Ilmie Skënder Brahimi . Vlerësimet për punonjësit e këtij shërbimi nuk kanë munguar. Në gazetën “Trebeshina”, mars 2018, me autor Et’hem Mema do të lexojmë artikullin “Ilmie Skënder Brahimi, Heroinë” e Selckës së Vogël”. Kur flasim apo shkruajmë për punonjësit e shëndetësisë, banorët e Selckës së Vogël duhet të ndihet krenarë, sepse nga gjiri i tyre ka dalë mjekja Zengjine Iliazi. Ajo është e para vajzë nga krahina e Buzit që përfundoi fakultetin e mjekësisë dhe shërbeu me dinjitet në Selckë, Buz, Tepelenë, Durrës e kudo. Zengjinja, edhe pse sot banon në Itali, mbetet një ndër vlerat e mjekësisë në krahinë e më gjerë.
Popullsia e fshatit në vite:
| Vitet | 1934 | 1945 | 1969 | 1979 | 1991 | 1995 | 2001 | 2018 |
| Banorët | 130 | 179 | 242 | 338 | 450 | 343 | 103 | 45 |
| Familjet | 38 | 46 | 52 | 71 | 96 | 62 | 20 | 11 |
Në regjistrimet e vitit 2001 fshati Selckë e Vogël ka pasur 55 ndërtesa, 103 banorë, nga të cilët: 51 meshkuj e 50 femra, 203 ha tokë bujqësore, nga të cilat: arë 185 ha, pemishte 15 ha e të tjerat tokë jobujqësore e truall. Pas viteve ‘90 popullsia ka ardhur në rënie, duke arritur që sot të jenë rreth 10 familje me 40 banorë.
Në mars të vitit 1957 edhe në Selckën e Vogël u bë kolektivizimi i bujqësisë. Kontribuan në këtë bashkësi ekonomike fiset Skëndaj e Zaçaj, të cilët dorëzuan sipërfaqe të mëdha toke, bagëti e kafshë pune. Fillimisht kjo ekonomi dispononte 100 ha tokë. Në vitet e fillimit, krahas punës vetëmohuese të njerëzve punëtorë e të urtë, duhen vlerësuar edhe aftësitë organizuese e drejtuese të kuadrove të parë të kësaj ekonomi: të kryetarit Sinan Zaçaj, të llogaritarit Riza Brahimaj, brigadierit Gani Lika, magazinierit Jonuz Iliazi e të dhjetëra burrave e grave të palodhura. Në Vitin 1965 Selcka e Vogël do t’i bashkohej një ekonomie më të madhe, me qendër Selckë. Në luginën e këtij fshati e në çdo parcelë të saj mbizotëroi puna e kualifikuar dhe rezultatet e larta në bujqësi, frutikulturë e blegtori. Rendimentet e larta : në grurë 40 kv për ha dhe në misër mbi 120 kv për ha do t’i vendosnin brigadat e këtij fshati në pararojën e krahinës. Vlera e kontribute në arritjen e treguesve ekonomiko-financiarë, në punën me njerëzit dhe në organizim e drejtim janë shquar Sinan Elmazi, Sabri Iliazi, Paris, Enver e Bedri Lika, Bekim Skëndi, Zenepe Zaçaj, Estref Mema, Kaso, Vasieko, Engjëllushe, Jonuz e Zini Iliazi, Nexhip e Xhevair Brahimi, etj.
Edhe pse banorët e Selckës së Vogël ishin me shumë kilometra larg qendrës së krahinës e rrethit, përpjekjet për një jetë dinjitoze me veprimtari argëtuese nuk kanë munguar. Gëzimet familjare, dasmat e aktivitetet kulturore të rinisë zhvilloheshin të bukura e cilësore. Grupet e këngeve e valleve me melodi nga Skrapari, Berati e Përmeti arrinin kulmin kur këndoheshin nga Tahir e Hamzo Iliazi, Çerçiz e Muharrem Memaj, Gani e Xhafer Likaj etj. Grupi i këngëtarëve Hamzo e Xhelo Iliazi u vlerësuan edhe në Festivalin e Gjirokastrës. Por ata që i dhanë gjallëri jetës rinore ishin instrumentistët e orkestra e fshatit: Muharrem Mema e më pas Sabri, Sadik e Razmi Iliazi, Estref, Shuaip e Luftar Mema, Xhafer Lika etj. Mirënjohje për këto personalitete. Ata do të punonin me përkushtim që jeta e njerëzve e sidomos e rinisë të ngjallte optimizëm e besim për ditë më të mira.
Çdo fis në Selckën e Vogël ka kontribuar në mbarëvajtjen e punëve, por për vlera e cilësi të larta organizimi e drejtimi janë dalluar: Sinan Elmazi, Riza Brahimi, Sabri Iliazi, Tahir Zeneli, Nure Brahimi, Veiz Cerçizi, Zylfie Skëndaj, Gani e Paris Likaj, Shefiko e Refie Zaçaj, Bekim Skëndaj, Cerçiz Mema, Xhelo Iliazi, Qazime Ruçi, Hankushe e Xhevriko Likaj, Hatixhe e Nerënxë Iliazi, Sulltana Brahimaj etj. Nga ky fshat kanë dalë djem të arsimuar, të cilët do të punonin e drejtonin edhe në administratën shtetërore, si: Sadik Zaçe, Agron Iliazi e Gëzim Brahimaj, ekonomistët Zylfie e Dashnor Iliazi, Xhezmie Lika, Vullnet e Paulin Mema, specialistët e blegtorisë: Ethem e Vullnet Mema, Zihni Iliazi, Veli Zaçaj, Petrit Brahimaj, Sefer Iliazi etj.
Pas ndryshimeve demokratike e hapjes me botën, largimet nga fshati morën përmasa të mëdha. Të parët që nisën udhën e kurbetit do të ishin: Bujar, Razmi e Alfred Iliazi, Krenar e Pajtim Zaçaj, Estref e Fari Mema, Fajkosh Skëndi, Petrit Brahimi, Ferdinat Lika etj. Nga 96 familje që kishte fshati më 1991, sot nuk numërohen as 8 familje. Pjesa më e madhe kanë emigruar në shtetin grek (Memaj, Likaj e Zaçaj në zonën e Patrës e të Kallamatës, kurse fisi Iliazi e Brahimaj në ishullin e Kakirthos). Një pjesë e familjeve janë vendosur në Tiranë, Durrës, Sarandë, Berat e Tepelenë. Të vjetër e të rinj, integruar mirë brenda e jshtë atdheut, me sjelljet e sakrificat e bëra po tregojnë se vijnë nga një fshat ku puna, mikpritje dhe përkushtimi për familjen e jetën janë e mbeten gjërat më të shenjta.
Gjatë shkrimit të historikëve të fshatrave të Buzit, kur binte fjala për Selckën e Vogët, porosia ishte që të mos harroja Sinan Elmazin. “Ai, shprehet Shyqyri Ruçi, ka mishëruar kurdoherë burrin e zgjuar prej natyre, studiuesin pasionant të kohës, njeriun e drejtë dhe energjik të zonës”. Sinani në krye të Këshillit Nacionalçlirimtar e të ekonomisë së fshatit, i zgjedhur në pushtetin vendor të zonës, të rrethit e qarkut punoi gjithmonë me ndjenja të larta devotshmërie. Përkushtimi për të sjellë ndryshime cilësore në vendlindje dhe këshillat plot vlera që ai jepte mbeten aktuale edhe për sot: “Mos trego ç’të shtroi, këshillonte xha Sinani, por si kuvendoi! Çudi me disa njerëz, ironizonte shpesh ai, mullarët me bar i pandehin thesarë!” etj.
E nisëm historikun me vargjet e z. Sadik Zaçaj. Ai, Bekim Skëndaj, Sabri Iliazi dhe grupi i punës do të jepnin ndihmesën e tyre të pakursyer në mbështetje të historisë krahinore, ndaj dhe meritojnë vlerësimet më të mira. Dy fjalë për z. Sadik Zaçaj. Në gjurmët e të atit eci dhe i biri. Mësuesi i gjuhës së huaj kur jepte mësim në shkollën e mesme Buz në vitin 1978 do të dallohej jo vetëm si mësimdhënës i zoti, por edhe si një djalë i qetë, energjik e gjithë kulturë. Të gjithë shprehnin konsiderata, ndërsa xha Sefedini konkludonte: “Dardha nën dardhë do bjerë”. E Sadik Zaçaj do t’i ngjiste shkallët e karrierës shpejt. Populli i fshatrave Selckë e Madhe, Selckë e Vogël e Komar do ta zgjidhte atë kryetar të Këshillit të Bashkuar për periudhën 1979-1989. Më pas ai do të ishte drejtor i shkollës 8-vjeçare “Muharrem Iliaziç Selckë e Vogël, ndërsa pas viteve ‘90 mësues në Tiranë.
Për vlerat e fiseve Brahimi, Hasani, Iliazi, Lika, Mema, Ruçi, Skëndo e Zaçaj mund të shkruhet pambarim. Në morinë e njerëzve punëtorë e të përkushtuar të këtij komuniteti nuk mund të rrinim pa përmendur specialistin e ndërtimeve Novruz Iliazin, Riza Brahimin, Murat Memën, Bekim Skëndin, Vero e Paris Likën etj. Kemi zgjedhur t’i mbyllim këto radhë me mikun e hershëm të rinisë buzjote, me të paharruarin Sabri Iliazi. Në vitet ’70, Sabriu do të ishte në udhëheqjen e rinisë së rrethit. Aktivisti i paepur dhe drejtuesi i rinisë buzjote filloi t’i ngjiste shpejt shkallët e karrierës. Populli i fshatrave të kooperativës bujqësore Selckë e zgjodhi atë kryetar. I përkushtuar në punë sa nuk ia gjeje shokun. Ne, të rinjtë e atyre viteve, prisnim që ai të ngjitej më lart e të ecte vetëm përpara, por kohërat me bubullima e vetëtima atë e të tjerë nuk i lanë të qetë. Pati momente që rrebeshet donin t’i ndalnin në vend, por jeta kish vërtetuar se lisat e krahinës së Buzit nuk jepeshin kollaj. Sabri Iliazi dhe shumë djem të fuqishëm të kësaj zone marshuan me kokën lart, me dinjitet e krenari.
