Miniera e qymyrgurit dhe fushat e fshatit Dervishaj janë pasuritë tona më të mëdha, të cilat duhen shfrytëzuar brez pas brezi. Ismail HETEMI

Dervishaj para viteve ‘80 ka qenë lagje e Xhafajt dhe e T. Martallozit, ndërsa në fund të viteve ‘80 shpallet fshat më vete. Në përbërje të tij janë fiset: Dervishaj, Çela, Ruçi e Jaupi. Në fushën e Dervishajt ndodhen shkolla 9-vjeçare “Ismail Caca”, zyrat e ish-komunës, kurse sot të Njësisë Administrative Luftinjë. Për prejardhjen e emrit ndikim ka pasur vetë lagjja Dervishaj, si më e madhja e këtij fshati. Në këtë territor, bektashizmi ka qenë e mbetet zotërues.
Dervishaj shtrihet në një kodër të bukur mes fshatrave Luftinjë, Xhafaj, T. Martalloz e Buz. Në vitin 1995 kishte mbi 25 familje me 141 banorë, ndërsa regjistrimet e vitit 2001 evidentuan 25 banesa, 24 familje dhe 114 banorë. Ka një sipërfaqe toke mbi 155 ha, nga të cilat 81 ha arë, vreshta e ullishte 10 ha, 6 ha kullota dhe mbi 61 ha pyje.
Nga ky fshat përmendim, Ismail Hetemin si drejtues i parë i kooperativës Xhafaj-Dervishaj. Djemtë e tij : Hetemi, Dashnori, Arbeni, Bujari e Ardjani me punën e tyre në familje, shoqëri e kudo janë vlerësuar e çmuar në të gjitha kohërat. Të tilla janë edhe familjet e Enver Çelës, Ramiz Jaupit, Novruz e Petref Dervishit, Bajam Islam Dervishi, Qamil Ruçi etj. Edhe specialistët me arsim të lartë: Bashkim e Shyqyri Çela, Shahin e Reshat Dervishi etj kanë kryer detyra drejtuese në Buz, në Maricaj, në ish komunën Luftinjë dhe sot në bashkinë Memaliaj. Ata, punëtorët e minierës dhe shumë nga të rinjtë e sotëm, duke lartësuar emrin e vendlindjes, mbeten vlerë e shtuar e këtij komuniteti.
Fëmijët e këtij vendbanimi shkollën do ta ndiqnin në T. Martalloz. Vetëm në vitin 1990 do të kemi hapjen e shkollës fillore me mësuese Qeriba Dervishi e më pas Laureta Jaupi. Ka pasur e ka kopsht fëmijësh dhe qendër shëndetësore, ku për vite me radhë ka shërbyer infermierja e talentuar, Tajane Sinomati.
Pas viteve ‘80 edhe në lagjet e fshatit Dervishaj numri i specialistëve me arsim të lartë do të rritej nga viti në vit. Vlen të përmendim këtu familjet e Shahin Dervishit e Bashkim Çelës, të cilat kanë në radhët e tyre nga 5 vetë vetë me arsim të lartë, por edhe vajzat e Bekim Dervishit, djemtë e Halim Jaupit, fëmijët e Reshat e Islam Dervishit etj, të cilët i janë përkushtuar rrugës së arsimimit. Për fshatin Dervishaj edhe më shumë duhet të flitet e shkruhet, sepse banorët e tij kanë dhënë një kontribut të veçantë në bujqësi e minierë. Të tilla ishin familjet e Islam, Petref, Barjam, Novruz, Refat, Hajri, Resul, Servet e Celo Dervishit. Ndërsa në fisin Jaupi do të përmendim Ramizin, Kujtimin, Aliun, Haxhiun e Halimin. Nga fisi Çela të përkushtuar për punë e mikpritje do të evidentonim familjet e Ilmiut, Ahmetit, Asllanit, Rizait, Elverit, Bashkimit, Myftarit, Besnikut, Fatosit etj. Nga Ruçajt : Qamili, Fatmiri, Novruzi, Skënderi etj.
Në ngjarjet e mëdha historike edhe nga ky fshat ka pasur burra që kanë luftuar me trimëri në mbrojtje të atdheut, si: Nebi Nexhip Çela, Resul Dervishi etj. Resuli në vitin 1943 pushkatohet nga italianët dhe shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Duke shkruar për Dervishaj, nuk mund të rrimë pa sjellë disa konsiderata për shkollës 9 vjeçare “Ismail Caca”. Në fushën e Dervishajt, tek rrepet shekullorë pranë ish komunës Luftinjë, pas viteve “90 çdo ditë gumëzhinin zërat e fëmijëve e shpalosej pasioni në mësimdhënie. Shkolla 8-vjeçare dikur ishte në krye të fshatit T. Martalloz, por më pas ajo do të zbriste në fushën e Dervishajt me qëllim që t’i vinte në ndihmë një komuniteti edhe më të gjerë. Ajo u shërben nxënësve të 5 fshatrave (T. Martalloz, Dervishj, Xhafaj, Luftinjë e Ballaj). Para vitit 2000, si klasa mësimi shërbenin ambientet e një reparti ushtarak. Në vitin 2005 ndërtohet shkolla e re e kompletuar me bazën e nevojshme materiale. E gjitha kjo falë djalit tepelenas, ministrit të kohës z. Luan Memushi, për të cilin duhet thënë se bëri shumë për shkollat e rrethit Tepelenë. Shkolla e T. Martallozit për kohën renditej ndër më të mirat e zonës. Për periudhën 1999-2004 atë do ta vijonin çdo vit mesatarisht mbi 120 nxënës, ndërsa në vitet në vazhdim si kudo ky numër filloi të ulej. Nuk duam t’i mbushim këto radhë me sukseset e arritura, as të qahemi e të rrëfejmë për situatën tejet të vështirë të krijuar në arsim pas viteve ‘90. Nga tërë puna e bërë, shkolla “Ismail Caca” ndihej e motivuar, sepse pati nxënës që arritën të ecnin përpara, të vazhdonin shkollat e mesme e të larta dhe sot disa prej tyre janë pjesë e administratës shtetërore. Ata ishin shumë, por do të veçonim: Françesko e Irena Ballaxhia, Esmeraldo e Selim Sinomati, Vezirelda Tafaj, Embiona Dervishi, Elda Kasa, Enxhi Nana etj. Mirënjohja më e madhe shkon për komunitetin e kësaj hapësire, për prindërit, mësuesit e gjithë nxënësit e asaj zone. Do të veçoja drejtorin e shkëlqyer, të paharruarin Petrit Sulejmeni, si dhe mësuesit e palodhur: Pëllumbeshën, Mandin, Qeribanë, Aliun, Sinanin, Klodildën, Fatmirin, Irenën, Tashën etj. Me konsideratë kujtoj kryetarin e Bordit të shkollës, Bujar Dervishin, Kryetaren e Komitetit të prindërve, Antoneta Çiça, vëllezrit Besnik e Fatos Çela, punonjësit e komunës: Petritin, Qaniun, Krenarin, Muharremin dhe dy punonjëset e klubeve: Teftën e Toshen që na shërbenin me plot mirësi e bujari.71
E për ta mbyllur këtë ekzpoze, si mishërim i vlerave më të mira të njerëzve në Dervishaj, do të donim të portretizonim dy nga djemtë e këtij fshati, Bashkim Çelën e Shahin Dervishin. Tërë veprimtarinë e tyre në punë, shoqëri e kudo e karakterizoi ndjenja e lartë e përgjegjësisë dhe përkushtimi për detyrat e ngarkuara. Ndershmëria e korrektësia i ka shoqëruar në vazhdimësi. Kanë qenë të zgjedhur në organet e pushtetit në fshat e në komunë. Bashkimi për disa vjet rresht ishte edhe anëtar i Këshillit të rrethit Tepelenë. Arritjet në mbarëvajtjen e punëve në komunën Luftinjë flasin edhe për mundin, djersën e përkushtimin e djemve të fshatit Dervishaj. Edhe në bashkinë Memaliaj shfaqen të papërtuar në zgjidhjen e problemeve dhe në komunikimin me njerëzit. Ata, duke u dalluar për ndjenjën e lartë të korrektësisë e ndershmërisë, mbeten nëpunësa të afirmuar, të aftë e të devotshëm.
