“Hajmali kam për t’i bërë,/malet e Buzit të tërë,/Gurët ku është varri yt,/Do t’i bëja Mekë të dytë.”    Maliq LILA

Të shkruash për fshatin Buz Kalemaj, është privilegj e kënaqësi. Historia merr vlera e përmasa të fuqishme, sepse në trojet e tij u lind një nga prijësat më të shquar të popullit shqiptar, Tafil Buzi “Nderi i Kombit”. Biri i Buzit, oficeri i Ali Pashë Tepelenës,  njeriu më i besuar i Mehmet Aliut të Egjiptit, edhe pse u  arsimua në Stamboll e punoi për disa vite oficer në administratën e lartë të këtij vendi, doli një nga kundërshtarët më të fuqishëm të Perandorisë Osmane. Në letrat që i dërgoheshin Portës së Lartë, lidhur me rrezikun që i kanosej asaj nga kapedanët shqiptarë,  lexojmë :  “Këta të mallkuar shqiptarë nuk janë në dobi të shtetit.Të gjitha këto banda i bashkërenditin veprimet me udhëheqësin e tyre të vjetër, me Tafil Buzin, i cili ka mbledhur luftëtarë në kazanë e Grebenesë për t’i ngritur kundër qeverisë. Ai po ngre gjithë Toskërinë për të shtënë në dorë kalanë e Beratit.  Tafili, pasi arriti të hidhte në dorë kalanë, zboi rojet dhe për disa ditë mbajti vetë çelësat e kalasë. Vendosi brenda saj roje të tjera, gati 100 vetë, të cilët i mori proporcionalisht nga të nëntë kazatë: nga Vlora, Tepelena, Dëshnica, Tomorrica, Skrapari, Mallakastra, Nahija e Beratit, Sulova dhe Vërça”.

Nga vepra e prof. Petrika Thëngjillit veçojmë: “Rebeli Tafil Buzi mban të pushtuar gjithë Beratin dhe kështjellën e këtij qyteti. Ai figuron si një nga shefat e kryengritjes në të gjitha lëvizjet revolucionare të Shqipërisë. Tafil Buzi , kreu i të revoltuarve shqiptarë, ia doli të mashtroi vigjilencën e turqve. I famshmi T. Buzi kërcënon të ngrejë përsëri flamurin e revoltës, në mos e ka ngritur.” Trimi i vegjëlisë do të shpallte  botërisht se: “Shqipëria duhej të çlirohej dhe të qeverisej vetëm prej shqiptarëve! 63 Për një kohë të shkurtër ai arrin të afirmohet si strategu i lëvizjeve të mëdha për çlirim kombëtar. Me cilësitë e një udhëheqësi popullor e të një kapedani me dimensione të rralla prezantohet nga historiografia shqiptare e ajo botërore. E kanë pagëzuar atë si  “asllanin e Shqipërisë”, “diellin në llohë të rëndë”,  “përmbi trimat kryekëngë”, “besë e shpresë për lirinë”. Tafili ishte njeriu më i besuar i themeluesit dhe krijuesit të Egjiptit modern, i Mehmet Aliut, i cili kërkonte që edhe Shqipëria të shkëputej nga Perandoria turke si Egjipti dhe të bëhej autonome. Tafil Buzi u lind në mars të viti 1798 në familjen me tradita të Kapo Karemanit, në fshatin Buz të rrethit Tepelelë. I biri i Kapos dhe i Shanisë do të ishte një nga udhëheqësit e mëdhenj të kryengritjeve antiosmane. Ai trumbetonte kudo se osmanllinjtë nuk janë të aftë të qeverisin. Me përmasat që koha i dha  kësaj legjende, Tafili mbetet madhështor në majën e figurave historike të kombit shqiptar.  Padyshim edhe krahina e  Buzit ka të drejtën e saj legjitime të krenohet,  të mburret e lëvdohet, por pa e tejkaluar masën. Sa dobët tingëllojnë disa zëra, sidomos pas viteve ’90: se Tafili ka më shumë lidhje me këtë e atë fis apo me përpjekjet që bëhen nga njerëz të veçantë për të  “zbukuruar” jetëshkrimet e tyre me bëmat e kapedanit. Jetën e veprën e Tafi Buzit e ka vulosur historia. Për Tafilin është një dosje voluminoze në Muzeun e Tepelenës, janë arkivat brenda e jashtë Atdheut. Askush s’do të merrte guximin të dilte mbi këto të vërteta, duke shkruar për orgjinën e Shanisë që ishte bijë nga Kolonja, për gruan e Tafilit që ishte bijë nga Rehovica e Skraparit, për dy djemtë e tij, për Karemanin dhe Asllanin, etj.

Tafili, ky simbol i përjetësisë së vlerave të patriotizmit e atdhetarisë, është vlerësuar në të gjitha kohërat. Kapedani mbetet i pavdekshëm në mijëra vargje e në qindra këngë të popullit. Të tillë e kanë bërë edhe historianët e shquar Petrika Thëngjilli, Mexhit Kokalari, Limo Paza, Ministria e Mbrojtjes etj., dhe gjithë burimet e informimit brenda e jashtë vendit. Mirënjohja e thellë shkon për Shoqatës “Tafil Buzi” e anëtarësinë e saj, për gjithë banorët e fshatit Buz Kalemaj, për familjen e Ali Kapos që ka ngjallur e ringjallur disa herë kapedanin e njerëzit e fisit të tij, si dhe vëllezërit Sefer, Shkëlqim e Gjolek Tomorr Kalemaj që bënë të mundur ngritjen e bustit të Tafilit në Buz qendër

Po cili është historiku i Buz Kalemaj?

Intelektualët e këtij fshati ende nuk janë mbledhur për ta shkruar atë. Edhe pse ai është nga më të pasurit e krahinës,  në këtë libër në mënyrë modeste kemi evidentuar disa nga çështjet më kryesore. Në ndarjen administrative të vitit 1924, territoret e Buz Kalemaj kanë qenë pjesë e fshatit Buz, ndërsa pas vitit 1927 do të kemi ndarjen e Buzit në dy fshatra: Buz i Madh e Buz i Vogël. Me Dekret nr. 1986, dt. 24janar 1955  “Buz i Vogël” do të ndahej më tej në dy fshatra: Buz Kalemaj dhe Buz Golemaj. Mori emrin Kalemaj, sepse banorët me këtë mbiemër përbënin shumicën. Le të themi se në këtë përcaktim mund të ketë ndikuar edhe fakti që në Kalemaj ka trojet e veta kapedan Tafili. Ky fshat ka qenë gjithmonë pjesë e komunës dhe lokalitetit Buz, ndërsa sot i Njësisë Administrative Buz, Bashkia Memaliaj. Shtrihet në veri-perëndim të rrethit Tepelenë, kufizohet me fshatrat Buz Qendër, Kurtez, Golemaj, Shalës, Selckat, Komar e Bardhaj. Përbëhet nga pyje, ku më tepër rritet druri i lisit, por  edhe shkoza, mëlleza, thana, lajthia, frashëri, etj.

Disa nga fiset kryesore të fshatit B. Kalemaj : Kalemaj, Dostaj, Hoxhaj, Bakaj, Aliaj, Shehaj, Jaubellaj, Dervishaj etj.  Në mesjetë ky vendbanim duhet të ketë qenë më i banuar, gjë që vërtetohet edhe nga gërmadhat e vjetra në Dervishaj, Aliaj, Dostaj, Seranaj, Malkaj apo nga sarajet e Tafilit në krye të fshatit etj. Dëshmi të hershmërisë janë edhe disa fragmente tubash qeramike në Bakaj, të cilat hamendësojnë ekzistencën e një tubacioni në lashtësi. Këto dhe të tjera gjurmë argumentojnë tezën se ky fshat daton të jetë ndër më të vjetrit në krahinë dhe si një qytezë e njohur në Pashallëkun e Janinës. Në territoret e këtij vendbanimi ka kaluar rruga Berat-Janinë.

Nga regjistrimi i vitit 1945, sipas fiseve apo lagjeve kryesore, kemi evidentuar disa nga  kryefamiljarët e kësaj periudhe: Në Dostaj:Hysenj Rexhepi(1875), Bektash Sako(1878) dhe Teme Sako(1893), etj. Në Bakaj: Hasan Muharremi(1885), Sheme Muharremi(1888), Sali Hetemi(1914), Nazif Hysua(1927), Riza Muhameti(1900), etj. Në Bakaj janë edhe familjet e Veli Sheme Coraj(1881) e Muharrem Coraj ardhur nga Gllava. Në Kalemaj: Kareman Asllani(1860), Ali Kapua(1910), Ibrahim Dauti(1880), Neim Hasani (1888), Fejzi Haredini(1909), Zenjel Hasani(1877), Hajdër Hajro (1875),Kasëm Abedini(1911), Ali Kasëmi(1880), Sami Arifi(1895), Muke Abazi(1887), Muço Haxhiu(1890) etj. Në Jaubellaj : Faslli Arifi(1885), Sabri Jaubelli,Tefik Qazimi(1890) etj. Në Shehaj: Dervish Ganiu(1880), Halil Ganiu(1910), Gani Halili(1947), Hiqmet Dervishi(1928) etj. Në Hoxhaj: Feti Jaupi(1989), Barjam Nuro(1905), Hysni Muke(1889), Mane Teme(1918). Në Aliaj: Zylyftar Abedini(1870).

 

Lidhur me popullsinë dhe territorin e fshatit Buz Kalemaj jepen këto të dhëna :

 

Vitet 1920 1938 1969 1979 1998 1995 2001 2021
banorë    75   150   286   350   346   282   120      12
familje    15     25      51      65     61     49     42        3

 

Rregjistrimi i prillit 2001 për B. Kalemaj evidenton 42 ndërtesa, 42 banesa, 120 banorë, nga të cilët 66 meshgkuj dhe 54 femra.Tokë bujqësore 156 ha, nga të cilat:  127 ha tokë arë e të tjerat drufrutorë. Para çlirimit në këtë fshat si familje e pasur cilësohej ajo e Dervish Gani Shehut që kishte dhe teqenë me 20 ha tokë e mbi 150 kokë bagëti.67 Vende  kulti të fesë kristiane janë :  kisha në Fushë Arrë, kisha katolike në Hambar e ngritur nga italianët etj. Ekzistencës së këtij besimi i shërben edhe grupi i toponimeve “varret e kaurit” etj.  Si objekte kulti të fesë islame përmendet teqeja e ngritur në shek. XVII nga Baba Jonuzi. Në këtë institucion fetar kanë shërbyer edhe Sheh Mahmuti, Ahmeti, Resuli, Ganiu, Dervishi dhe aktualisht familjarët e Reshat Shehut. Vende të shenjta janë edhe xhamia në qendër, mekami në Bakaj, Guri i Hoxhës , mekami Baba Lofata, Baba Shabani, Lisi i Hoxhajt, i Serjanit etj.

Fshati Buz Kalemaj ka lënë gjurmë të thella në lëvizjen kombëtare për çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit shqiptar. Në ngjarjet e mëdha historike banorët e këtij fshati kanë marrë pjesë masive. Kontributi i tyre jo vetëm si mbështetës të kapedan Tafilit, por në të gjitha luftërat ka qënë i dukshëm. Në dokumentet e komitetit të veteranëve Tepelenë dhe në AQSH gjejmë emrat e patriotëve të këtij fshati, si : Arif Jaho Jaubellaj, Haki Muharrem Baka, Brahim Daut Kalemaj, Bido Kaso Kalemaj, Xhevit Muharrem Bakaj, Dervish Gani Shehaj, Haki Bakaj etj. Lidhur me  Luftën LANÇ, sipas kujtimeve të veteranit Medin Axhemi, mësojmë se:  Këshilli Nacionalçlirimtar  u formua më 22 shtator 1942, në shtëpinë e Dervish Ganiut. Në atë takim ishin edhe Resmi Goxhaj, Hysen Dostaj, Feti Jaupaj, Hyso Dautaj, Faslli Arifi,  Hysni Muke, Sefedin Lime, Hysen Rexhepi etj. Këshilli fillimisht ishte i përbashkët për të dy fshatrat e Buzit (Buzi i Madh + Buzi i Vogël),  i cili kishte këtë përbërje: Dervish Gani Shehu-kryetar, Faslli Arif Jaubelli sekretar dhe anëtarë: Hyso Dino Dautaj, Hajro Sadik Kasëmaj, Xhelo Hamit Zaçaj, Resul Dalip Goxhaj. Në janar 1943 këshilli ndahet në dy fshatra: Buzi i Madh do të kishte këshillin e vet me kryetar Taip Llakën e sekretar Asllan Kasëmin, ndërsa Buzi i Vogël pas janarit të vitit 1943 do të kishte këshillin e tij me kryetar Veli Qamil Kalemin, nënkryetar Dervish Shehun e sekretar Kaso Bido Kalemin dhe anëtarë Resul Goxhaj e Hyso Dautaj. (Të dhënat janë marrë nga historiku i Buzit qendër, i hartuar nga Taip Llaka, Sefedin Lime, Asllan Kasëmi, Muharrem e Qamil Dosti, Jaho Jaubelli e mësues Niqita Bollano)

Në komandën e vendit ishte Riza Muharrem Bakaj, ndërsa anëtar i këshillit krahinor Halil Gani Shehu e Dervish Ganiu. Ky i fundit ka qenë edhe anëtar i këshillit të qarkut. Kontributi i banorëve të Buzit të Vogël në luftë  ka qenë i dukshëm.  Statusin “Dëshmor i Atdheut” e ka marrë Ilir Bashkim Kalemi. Nga fshati Buz Kalemaj pati që u inkuadruan edhe në radhët e Batalionit nacionalit “Tafil Buzi”. Për këtë formacion nuk gjejmë të dhëna të plota lidhur me pjesëmarrjen dhe aktivitetin e tij luftarak, por bashkëkohësit evidentojnë se krahas luftës kundë pushtuesit, mes forcave partizane e atyre  të ballit nuk pati përplasje të forta. Banorët e fshatit Buz i Vogël, edhe pse të ndarë sipas dy grupimeve politike, asnjëherë nuk provokuan e nuk nxitën mosmarrëveshjet mes tyre. Në këtë luftë u vra komandanti i Batalionit “Tafil Buzi”,  Hysni Qamil Kalemi, të cilin pas viteve ‘90 Presidenti i Republikës  e shpalli Martir të demokracisë, ndërsa këshilli i komunës Buz “Nderi i Komunës”.

Kanë marrë statusin e të dënuarit politik Faik Kapo Kalemi, Hysni Qamil Kalemaj, Hysen Muharrem Kalemaj, Ibrahim Hekuran Buzi, etj.

Për qeverisjen e fshatit përpjekjet asnjëherë nuk kanë munguar. Vlerësohet kontributi i kryepleqve Faslli Arif Jaublli, Qamil Daut Kalemi, Muço Ali Hoxha, Kareman Asllan Kalemi etj, i kryetarëve të  pushtetit Sadik e Xhezo Bakaj, Xhafer Aliaj, Sadik Kalemi, Qamil Dosti, Nesip Kalemaj etj. Veli Qamil Kalemi ka qenë jo vetëm kryeplak, por edhe i zgjedhur në këshillin krahinor.  Shumica e fiseve janë autoktonë, por ka edhe të ardhur:  Hoxhaj ardhur nga Mezhgorani, Jaubellaj nga Kolonja, Shehaj nga Shehajt e Tepelenës etj. Kanë ardhur nga Gllava familjet e Veli e Muharrem Coraj, të cilët morën mbiemrin  “Bakaj”. Shumë famijle të këtij fshati, të larguara në shek. XIX apo dhe më parë, janë vendosur në Fier, Vlorë, Mallakastër, Lushnjë, Berat, Roskovec etj. Janë me dhjetëra familje nga Buzi që banojnë në fshatrat Kallm i Madh e Kallm i Vogël në Fier, në Rrerës të Patosit, në Buzmadh të Fierit etj.

Në këtë fshat nuk ka munguar tipi i shkollës turke “Mejtep”, ndërsa shkolla fillore e arsimit shqip do të hapej më 1918, tek xhamia e fshatit. Fillimisht mësim do të jepte imami Dervish Ganiu. Nxënësve u vunë në dispozicion dy abetare, njërën e kishte vetë imami e tjetrën e dhuroi Faslli Arifi. Më vonë në këtë shkollë emërohen mësues Reshat Mullaraj nga Mezhgorani, Hysni Abedin Gjonça nga Damësi, Pasho Kallulli etj. Gjatë viteve ‘30, me hapjen e shkollës në qendër të Buzit, shkolla në Kalemaj mbyllet dhe do të hapej përsëri në vitin 1959 ku dhanë mësim mësuesit: Thoma Jovani, Androkli Naqellari, Eqerem Shena, Mersin Hoxha, Elisabeta Naka, Pushime Paza etj. Një kontribut të çmuar në arsimimin e fëmijëve në vendlindje e jshatë saj kanë dhënë mësuesit e talentuar Medi, Kapo, Sanie, Arjana e Mjaftoni Kalemi, Hiqmet, Xhevair, Myrteza, Dashuri, Entela  e Valbona Shehu, Xhevdet, Bardhul, Halime, Hatixhe e Xhevrie Hoxha, Muhamet e Ethem Baka, Trëndafile Aliaj etj. Në sektorin e shëndetësisë ishin vajzat e po  këtij fshati që punuan me zell e përkushtim në zonën e Buzit e kudo, si: Fatmira, Tefta, Engjëllushe e Floreshë Kalemi, Lumturi e Floreshë Hoxha, Liljana, Engjëllushe e Festime Shehu, Kismete Jaubelli etj.

Janë arsimuar jashtë vendit: Brahim Daut Kalemi, Shaban Buzi, Dervish Shehu, Haki Muharrem Bakaj, Faslli Jaubelli, Brahush Aliaj, Hysni Kalemi, Petref Kalemaj etj. Gjatë qeverisjes së Zogut kanë punuar në xhandarmëri: Veli Kalemi, Hasan Bakaj e Sabri Jaubelli. Brahim Kalemi pas përfundimit të studimeve në Athinë, kthehet në atdhe dhe punon në administratën shtetërore si taksidar në disa zona të rretheve Gjirokastër, Tepelenë e Mallakastër. Sikurse shkruan Tomorr Kalemi në gazetën “Trebeshina”, Brahimi ka mbaruar gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ka zotëruar disa gjuhë të huaja dhe mbi 15-vjet ka punuar në Amerikë.

Në vitet ’20-‘30 shumë buzjotë emigruan në Francë, Greqi, Itali, Turqi e Greqi, nga të cilët veçojmë: Sheme Muharrem Bakaj, Vrenoz Dine Bakaj, Hyqmet Asllan Kalemaj, Hajdër Hajro Kalemaj, Bido e Ali Kaso Kalemaj, Qerim Hasan Kalemaj etj. Njëri prej të emigruarve në Amerikë ishte dhe Faslli Jaubelli, i cili ka qenë anëtar aktiv i Shoqërisë Vatra. Kur kthehet në Atdhe solli libra e gazeta në gjuhën shqipe. Arifi për pak kohë do të ishte edhe sekretar i komunës Buz.

Largimet nga Buz Kalemaj pas viteve ‘90 morën përmasa si kurrë më parë. Aktualisht në fshat kanë ngelur vetën 3 familje. Në Tiranë janë vendosur  mbi 45 familje, në Durrës 16, në Sarandë 26, në Berat 18, në Elbasan e Tepelenë nga 9 familje, kurse në Fier, Lushnjë, Skrapar, Vlorë, Gjirokastër, mesatarisht nga 5 familje. Një pjesë e mirë e banorëve të B. Kalemaj kanë vite që punojnë në vende të ndryshme të botës.

Kooperativa bujqësore në fshat është ngritur në prill 1958. Kryetari i parë u zgjodh Sade Arifi e pas tij Reshat Shehu, Jaho e Mehmet Jaubelli. Për mbarëvajtjen e  punëve, si kudo edhe në Buz Kalemaj është treguar kujdes ku gjithçka të rridhte sipas praktikave të kohës. Drejtuesit e pushtetit, të ekonomisë dhe bashkëfshatarët Qamil e Veli Kalemi, Qamil Dosti, Xhezo e Zonjë Baka, Arif, Ali, Haredin, Sade e Nure Kalemi, Mehmet e Jaho Jaubelli, Xhemil e Reshat Shehu, Petrit, Tomorr e Kamber Kalemi, Xhafer Aliaj, Riza e Hasim Hoxha etj., kanë bërë përpjekje për normalitetin e zhvillimeve në atë komunitet. Edhe nëpunësit e respektuar të këtij fshati: Bardhul,  Xhevdet e Resmi Hoxha, Medi e Kapo Kalemi, Xhevair e Myrto Shehu, Tëndafile Mërtiri etj., këtij qëllimi i kanë shërbyer. I bëjnë nder krahinës kuadro e specialistë, lindur e rritur në Buz Kalemaj. Disa, pas studimeve të larta, punuan me ndershmëri në rrethe e institucione të rëndësishme të vendit. Kanë shërbyer me përkushtim e kanë lënë emër të mirë ushtarakët e këtij fshati: kolonel Petref Kalemi, Hiqmet Dervishi, Hysni, Namik e Hyso Baka, Enver Riza Hoxha, ekonomistët Halil, Ramiz e Fato Shehu, Resmi e Izet Hoxha, ish- sekretari i Shoqatës  “Tafil Buzi” dhe oficeri i MPB, Hetem Baka,  kryetarët e degëve të Shoqatës “Tafil Buzi” Sarandë e Berat, Medi e Kareman Kalemi, mjeshtri i projektimit të urave, inxhinier Arif Faslli Jaubelli, si  dhe inxhinierët e talentuar Ramadan, Zeqir e Abedin Kalemi, Muhamet Sheme Baka, Hyso Baka, Gani, Agim e Mirela Shehu etj. Kontribute kanë dhënë edhe Njazi Shehu, Ali, Fejzi, Arshi, Edmond, Shefqet e Enrik Kalemi, Sadik Aliaj, Sali, Karafil, Seit e Tajar Bakaj etj.

Në Buz Kalemaj fiset, familjet, njerëzit e dëgjuar e me emër janë të shumtë. Për disa jetëshkrimi paraqet vështirësi, sepse nuk ke ku siguron të dhënat bazë. Sikurse u tha edhe më lart, aktualisht në vendlindjen e Tafilit kanë mbetur vetëm 3 familje, ku  më i moshuari është Kamber Kalemi. Ai,  si gjithmonë, është gati të flasë për historikun e fshatit e për zonën në tërësi. E kam takuar disa herë, por më 4 qershor 2018 në prani të nipit të tij, Astrit Qemalla, më preku kur tha : “Jo për mua! Të paktën, për vëllezrit e mi në Elbasan shkruaj dy fjalë, sepse dera e Muço Kalemit ka qenë e madhe e më rrënjë të hershme. Ne, vazhdoi Kamberi,  jemi të fisit Aliaj. Austrohungarezët kanë pushkatuar 12 burra nga fshatrat e Buzit, nga të cilët: Teme, Ali e Brahush Aliaj ishin nga fshati ynë. Brahushi kish studiuar në Turqi, andej kish marrë edhe nusen, Gjyslymen (Nuren). Në Elbasan janë vendosur shumë nga bashkëfshatarët tanë, ndër ta edhe tre djemtë e Muço Kalemit, për të cilët Kamberi jep këto të dhëna:

Shaban Muço Kalemi u lind në vitin 1935 në Buz, arsimin bazë e mori në vendlindje. Për pak kohë punoi edhe mësues në Buz e Izvor, më tej llogaritar në spitalin e Tepelenës, në sektorin elektrik Memaliaj, më pas në Divjakë e Korçë. Me detyrën e financierit ka punuar edhe në sektorët e Ministrisë së Mbrojtjes, në ndërmarrjen e bonifikimit Elbasan deri sa doli në pension.

Ramadan Muço Kalemi: Pas përfundimit të studimeve të larta për inxhinier ndërtimi, shërbeu në radhët e ushtrisë. Në Elbasan ka ndjekur me përkushtim veprat ndërtuese. Ishte një specialist i aftë e i ditur. Pas viteve ‘90 u mor me aktivitet privat. Vajza e tij, Juliana Kalemi është sekretare pranë universitetit Elbasan.

Luftar Muço Kalemi: Në studimet e kryera ka fituar specialitetin e topografit. Gjithë puna dhe aktiviteti i tij lidhet me sektorin hekurudhor Tiranë -Elbasan. Ka kryer detyra të ndryshme si specialist e drejtues ndërmarrjesh.

Në morinë e vlerave të vendlindjes së Tafilit bëjnë pjesë dhjetëra personalitete, të shkolluar brenda e jashtë atdheut, me kontribute në sektorët e ushtrisë e policisë, në arsim, shëndetësi e kudo. Kur të shkruhet historiku i këtij fshati, besoj se ata që i kanë dhënë emër vendlindjes do të zënë një vend më të plotë e të merituar. E kjo ka mundësi të arrihet, sepse sot buzkalemasit duhet të jenë më të çliruar nga ngarkesat në vite. Figurat historike e personalitetet e fshatit B.Kalemaj janë të shumta, por duke paraqitur portretin e njërit prej bijëve të shquar të vendlindjes së Tafilit, besoj se kemi ezauruar e thënë gjithçka. E ky është Sadik Kalemi. E kush nuk e ka njohur kryetarin e kooperativës bujqësore Rabie e Selckë, drejtuesin elegant të sektorit të tregtisë Buz,  nëpunësin e palodhur e plotë sqimë të kësaj treve që artin e komunikimit me njerëzit dukej sikur e kish të lindur! Kudo ku punoi e drejtoi shpalosi vetëm përgjegjësi, përkushtim, korrektësi e dinjitet. Atë e gjeje gjithmonë  në krye të ekonomisë që drejtonte,  ditën e natën,  të shkrirë me njerëzit jo vetëm në punët e bujqësisë, por edhe në aktivitetet artistike e sportive kur kishte kohë të lirë. Pas viteve  ‘90, familja Kalemi u vendos në Çorovodë. Edhe në gjirin e skraparlinjve Sadiku shpalosi thjeshtësinë, korrektësinë dhe mirësinë e karakterit të buzjotëve. Në lamtumirën që i jepet këtij personaliteti me cilësi të rralla, gazetari i nderuar Luan Caka mes të tjerave do të shprehej:  “Si mund ta nxërë varri këtë njeri që punoi  e jetoi ndershmërisht 76 vjet? Na iku një nëpunës i mirë, një prind i rrallë, një mik e shok i pazëvendësueshëm! Së bashku me Nuren, lindën, rritën dhe lanë pas dy djem e tri vajza, të cilët patën aftësinë “t’ua grabisnin” prindërve të tyre, kulturën dhe njerëzillëkun e çmuar. Humbja e tij, për ne skraparlinjtë, krijoi një boshllëk të rëndë. Nuk kemi njohur njeri më fisnik se Sadik Kalemi, i cili na solli këtu një “copë” Tepelene!”

Edhe pse në radhët kushtuar vendlindjes së Tafilit, donim të nënvizonim vetëm vlera e arritje, mosrealizimi i objektivit të vitit 1978  për të ngritur muzeun e Tafilit mbeti një merak i madh për tërë krahinën. Me rastin e 180 vjetorit të lindjes së tij u bënë plane masash e u caktuan detyra konkrete nga pushteti në Buz e ai në rreth, por nuk u bë e mundur gjetja e një godine. Buzjotët mbetën të keqardhur që nuk shfrytëzuan as punën studimore dhe gatishmërinë e pakursyer që ofroi historiani Maliq Lila. Ambicioze ishin planet e tij lidhur me figurin e Tafilit. Muzeun për kapedanin në qendër të Buzit ai e konceptonte si vendin ku duhej të himnizohej qëndresa e  popullit shqiptar ndaj pushtuesit. Në qoftë se në ballë do të vendosej busti i prijësit,  me shkronja të mëdha, sugjeronte i paharruari Lila duhej të prinin vargjet kushtuar kapedanit:  “O Tafil,  harbiergjendë,/ Diell në llohë të rëndë!/O Tafil,  famëfarfua/, Shenjtëri gjer në thua!” Me besimin, se ajo që nuk u bë për dekada me radhë, tepelenasit krahas përpjekjeve që po bëjnë për muzeun e Ali Pashës, një vend nderi duhet t’i rezervojnë edhe prijësit të Toskërisë, Tafilit të madhërishëm.