“Kur luftonin për Vlorën më 1920, mendjen e kisha te Gllava. Kurrë mos e harroni vendlindjen!” Rushit DURAJ

Dikur lagjet Bashaj, Duraj e Cakaj ishin pjesë e fshatit Gllavë. Në vitin 1950 ndodhi ndarja. Për një farë kohe këto dy fshatra quheshin “Gllavë e Madhe e Gllavë e Vogël”. Vetëm dy përcaktorët (e madhe, e vogël) bënin dallimin, ndërsa çdo gjë tjetër mbetej e njëjtë si  më parë. Fshati Gllavë e Vogël, dikur nga më të bukurit, me bujqësi e frutikulturë të zhvilluar, me shkollë,  mulli, dyqan e qendër shëndetësore, edhe pse sot ka mbetur në mëshirë të fatit, në kujtesën e atyre që e kanë njohur vazhdon të rrjedhë i pastër e plot dinjitet.  Me natyrën e qeshur dhe me njerëzit kurdoherë të  dashur e  mikpritës, punëtorë, të qetë e modestë shfaqet ai në përfytyrimet tona.

Kur bie fjala për të voglën Gllavë, tërë përqendrimi shkon tek tri lagjet e saj: Bashaj, Cakaj dhe Duraj. Dy të parat, të vendosura rrëzë  kodrave  dhe tjetra  shtrirë në pllajën përballë, edhe pse të braktisura nga njerëzit, vazhdojnë të shfaqen plot hijeshi e madhështi. Sa herë zbret apo ngjit të përpjetën drejt Qafës së Gllavës, një pushim i shkurtër çlodhës në vendin e quajtur “Varret e Bashajt” i bën mirë çdo udhëtari. Prej andej gjithçka e ke si në pëllëmbë të dorës. Duke hedhur vështrimin tatëpjetë luginës së  lumit Luftinjë malli e dhembshuria rriten fuqishëm Përmasa edhe më të mëdha i jep kësaj treve historia e saj mbi 1500 vjeçare, e cila ruan e gjeneron përherë vlera të papërsëritshme. Ato janë të shumta, por urtësia, mikpritja e fisnikëria i lartësojnë banorët e kësaj treve. Për cilësitë shpirtërore të gllavjotëve është folur në të gjitha kohërat, por i paharruari Limo Paza në librin “Portrete buzjotësh” konkludon: “Natyra i ka falur gllavjotit më shumë se kujtdo tjetër: zgjuarsinë, zotësinë dhe intuitën”.

Vendin kryesor në pozitën gjeografike të Gllavës së Vogël e zë lugina e lumit Luftinjë. Ky lumë vjen nga territoret e fshatit Rabie, ushqehet e merr fuqi, krahas përroit të Zomos, edhe nga përrenjtë e Gllavës së Madhe, të Izvorit e Luftinjës. Ai, kur del nga shtrati, krahas rrezikshmërisë që paraqet për njerëzit, ka ngrënë edhe pjesë të majme toke. E megjithatë, banorët asnjëherë nuk kanë injoruar prurjet e tij të dobishme. Në rendimentet e larta të drithrave të bukës apo në perime e frutikulturë ka patur ndikimet e veta edhe lumi. Ishte  ujët e tij që misri  në fushën e Bibës e të Lekës të  rritej e bëhej det, apo që mokrrat e mullirit të Hamzos të bluanin pa pushim bereqetin për bukën e njerëzve. Të mos harrojmë se mokrrat e atij mulliri bluan, thërrmuan e bënë  copë e çikë edhe ëndrrat e bukura të xha Lilos, historinë e të cilit duhet ta njohë më të plotë edhe brezi i ri, ashtu siç ishte: e dhimbshme, e rëndë dhe shkatërruese jo vetëm për të, por edhe për njerëzit e tij e fshatin në tërësi.

Banorët e Gllavës së Vogël në të gjitha kohërat janë rreshtuar me forcat progresiste për lirinë e pavarësinë e Atdheut. Në krah të Tafil Buzit ka qenë luftëtari trim Hysen Daut Basha. Rreth vitit 1840, në moshën 25 vjeçare ai vritet në luftë me pushtuesit. Edhe kundër ushtrisë austro-hungareze përballja ka qenë e fortë. Shumë familje janë plaçkitur e torturuar, të tjera u detyruan të largoheshin e të vendoseshin në Roskovec e vende të tjera. Nga pjesëmarrësit në Luftën e Vlorës e në ngritjen e Flamurit, ai që luftoi e kontribuoi më tepër ishte trimi Rushit (Rasho ) Shahin  Duraj dhe Hajdër Ali Cakaj. Në luftën e vitit 1914 ka mbetur i vrarë Dule Rushiti, ndërsa gjatë LANÇ në radhët e forcave partizane ishin : Dule Mete Duraj, Abaz Kaso Duraj, Shefqet Limo Bashaj, Ceno Hajder  Bashaj, Veli Myslym Duraj, Qani Riza Duraj, Neki Tefik Bashaj, Teme Shahin Duraj, Ali Hajdër Cakaj etj. Ky i fundit, edhe pse me Dekretin nr. 6996, të vitit 1949  dekorohet me Medaljen e Trimërisë, me vendim gjykate nr. 21, datë 3. 5. 1973, krahas dënimit me 8 vite burg për agjitacion e propagandë do t’i hiqej edhe dekorata që mbante. Të dënuar të tjerë politikë nga ky fshat janë edhe Hamzo Faslli Duraj, Isa e Jaup Shaqir Duraj, Muharrem e Shefit Duraj etj.

Njerëzit e këtij fshati janë të besimit bektashi. Të gjitha shërbesat i kanë kryer në Teqenë e Gllavës, por nga gjiri i tyre ka dalë edhe kleriku Rakip Basha, i cili ka shërbyer për një kohë të gjatë në Teqenë e Drizarit. Edhe në këtë fshat ka mbizotëruar besimi kristian. Në vendin e quajtur varret e Bashajt janë varret e Kaurëve, ndërsa toponimet e tipit  “fusha e Lekës” etj mbeten disa nga gjurmët e këtij besimi.

Në maj të vitit 1957 krjohet kooperativa bujqësore me kryetar Shefqet Limo Basha e nënkryetar Hajro Sulo Basha, ndërsa në vitin 1964 bëhet bashkimi i kësaj ekonomie me Gllavën e Madhe. Në të gjitha vitet e kolektivizimit burrat e gratë e Gllavës së Vogël kanë punuar me vetmohim si askush tjetër. Për rritjen e rendimenteve në drithrat e bukës e në frutikulturë kontributi i forcave të punës ka qenë i madh. Krahas bujqësisë e blegtorisë, nga banorët e këtij fshati tregtia lakmohej e çmohej si fusha më e gjetur në përballimin e nevojave. Të gjithë janë marë nga pak me tregti, por më të dëgjuarit kanë qenë: Shahin Dauti, Hajro Sulua, Hasan e Ramadan Cakaj etj.

Në krye të pushtetit në fshat  fillimisht ka qenë Rushit Shahin Duraj e më pas  Ferrik Bashaj, Havako Cakaj, Bedri, Shahin e Eqerem Duraj, ndërsa pas vitit ‘90 kryepleqtë: Barjam, Idajet e Arjan Duraj, Skënder Cakaj etj.

Emigracioni e largimet nga fshati edhe për banorët e Gllavës së Vogël mbetën  pjesë e jetës së tyre. Deri në Amerikë kanë emigruar Sulo Dervishi, Ibrahim Duraj etj., por ky i viteve  ‘90 ishte më i rëndi.  Me keqardhje duhet pranuar se aktualisht fshati është braktisur tërësisht. Kanë mbetur vetëm 4 familje  (dy në Duraj e dy në Cakaj). Largimet morën përpjestime të mëdha. Një pjesë e të rinjve sot janë vendosur në Greqi e Itali, ndërsa gjithë të shpërngulurit e tjerë  në Tiranë, Fier, Vlorë, Ksamil etj.  Popullsia dhe territori:

 

Vitet 1938 1950 1969 1979 1989 1995 2001 2021
Banorë   140   180   205   300   360   295   138 20
Familje     31    40     44   54     66     62     28 4

 

Sipërfaqja e tokës bujqësore: 97 ha, nga të cilat 90 ha tokë arë dhe 7 ha sip.  me drufrutorë. Para çlirimit vetëm familjet e Shefit e Hamzo Duraj zotëronin rreth 8 ha tokë e mbi 100 krerë bagëti.

Historiku i shkollës Gllavë e Vogël, fillon me çeljen e saj në vitin 1957 nga mësuesit Limo Paza e më pas Ahmet Mihasi nga fshati Izvor. Për vite të tërë ky fshat arsimtarët i ka pasur të ardhur, si: Flamur Meni, Thoma Loli e Napolon Tërpo nga Gjirokastra, Ylli Karteri nga Vlora, Sotir Berici nga Saranda, Levend Ruçi e Medin Cana nga Izvori e Luftinja etj. Eshtë e dhimshme, por duhet pranuar se vetëm pas vitit 1980 i vjen radha Gllavës së Vogël që të ketë mësuesit e saj, si: Lule Zaim Basha, Bardhul Bako Duraj, Myrdar Ali Caka, Brahim Shyqo Duraj,  Orhan, Idajet e Guri Duraj, Afrim Sheme Bashaj, etj.

Përpjekjet për arsim edhe në këtë komunitet nuk kanë munguar. Ali e Hajdër Cakaj kishin studiuar në Turqi e Konicë, kurse Limo e Dervish Basha, etj. në shkollën turke në Teqenë e Gllavës. Një tjetër gllavjot që kishte studiuar në Turqi ishte Rakip Basha. Ai pas përfundimit të studimeve në Stamboll shërbeu si Baba Teqeje në Drizar të Mallakastrës. Jaup e Isa Shaqo Dura kishin kryer studimet në Itali. Edhe gatishmëria e Ahmet Duraj, Dilaver Bashaj, Bashkim Cakaj, Ismail Duraj etj., për të ndjekur studimet ishte një nxitje e fuqishme për brezin që vinte më pas. Jemi në vitin 1970, kur në zonën e Buzit për herë të parë hapet shkolla e mesme Izvor. E në këto kushte nxënësve të Gllavës së Vogël që kishin fatin të shkonin atje u dilte për detyrë  të siguronin tregues sa më cilësorë në përvetësimin e njohurive.

Sami Basha, ky burrë i zgjuar e gjithë kulturë, vetëm për djalin do t’më lutej e përgjërohej: “E kam të vetëm, ndaj dua ta përgatis që të ngasë shkollën më lart.” Nuk them se, për vajzën, Fadilen, ai nuk interesohej, por Xhevon e kishte pikë të dobët. Përshtypje më bënte edhe Muharremi me Shefen, të cilët nuk reshtnin së kujdesuri për nipin e tyre. Xhevair Basha gjithë investimin e bërë nga prindërit e xhaxhallarët e vlerësoi maksimalisht. Ai arriti të përfundojë me rezultate të larta inxhinierinë  mekanike dhe t’i rreshtohej me dinjitet armatës së madhe të këtij specialiteti. Në Tepelenë e më pas në Tiranë ai do të ngarkohej me detyra të rëndësishme, të cilat i kreu me përkushtim. Në lagjen Bashaj të gjithë nxënësit bënin përpjekje për t’u përgatitur. Po e nis me çunat e Jonuz Hetemit: Xhevitin e Kujtimin e urtë e të sjellshëm e më tej me djemtë e Neki Tefikut, Tafilin e Bilbilin tërë shkathtësi, me Xhevon e Fadilen e Samiut që shquheshin për sjelljen e tyre shembullore, me Sulon e Yllin e qetë të Ali Hajros, me Guriun fjalëpak e punëmbaruar të Ferrik Xhelos, me djalin e Qaniut, me Sadon e Mbarimen e Zaimit, me Zonjën e Rakipin punëtor si vetë babai i tyre Nazifi e më tej me  Hekuranin e Avniun e çiltër të Shefqet Limos.

Në lagjen Duraj etja për dituri e përparim mund të them se ishte edhe më e dukshme. Gëzim Duraj, që në matemetikë dallonte nga të tjerët, me një përgatitje sistematike ia doli të përfundonte studimet e larta për inxhinier miniere. Djali dhe nusja e xha Rashos, Shahini e Gjyslymja që sollën në jetë 5 djem e 3 vajza, i kishin vënë vetes si qëllim që fëmijët t’i bënin me shkollë. Këmbëngulja e tyre e kishte një bazë. Idajeti, djali për të cilin ata tregonin më tepër kujdes, rrezatonte një vullnet e këmbëngulje për ta patur zili. Ashtu, i  qetë e tëpër i urtë, sedërli e pasionant në asimilimin e çështjeve shkencore, nën kujdesin e së motrës arriti të përfundojë mjekësinë dhe sot, në një nga spitalet e Greqisë, plot zotësi e aftësi konkuron denjësisht.

Në historinë e Gllavës së Vogël vendin më të merituar e zënë nënat dhe gratë punëtore e zemërmira. Disa nga nënat shpirtmira e duararta që shkëlqenin në punë, familje e shoqëri ishin: Xhemile, Haire, Yzeme, Shaze e Zemeko Duraj, Selime, Fize, Rubie e Sanije Bashaj, Bejeko e Kanushe Caka etj. Jo vetëm në punë, por edhe në edukimin e mirërritjen e fëmijëve gratë e Gllavës së Vogël shkëlqenin. Kish prej tyre që lindën e rritën mbi 10 fëmijë, si Ervehe Bashaj e Zemeko Duraj etj.

Në korridorin e shkollës, një vend të dukshëm zinte grupi i të dhënave për pozitën gjeografike të vendlindjes, popullsinë, numrin e familjeve në vite, treguesit kryesorë të klimës, florës e faunës etj. E, në tërë atë paraqitje, ato që binin më tepër në sy ishin emërvendet: Varret e Bashajt, Gropa e Medinit, Sheshi i Reziut, Puset, Sheshi i Korijes, Shtëpi e Çobos dhe e Xhaferit, Çukat, Peçaj, Gropa e Koçiut, Dardha e zezë, Fusha e Lekës, Ara e Mamanit, Frashëri, Ngjoli, Fusha e Barjamit, Fusha e Bibës, Hija e Durajt, Mançet, Gropa e Hajdërit, Sheshi i Cakaj, Ara e Brahos, Bregu i Madh, Ara e Shkëmbit, Lisi i butë, Lisat e trashë etj. Nga të gjitha parcelat ku kultivohej frutikulturë, Gjoli më ka mbetur në mendje. Kam shëtitur çdo arë e ledh pëllëmbë për pëllëmbë. Edhe sot po të vete, di se cila është pjergulla më e mirë. Thonë për rrushin se gjatë pjekjes maksimale arrin ëmbëlsinë e mjaltit, por në Duraj këta kufij tejkalohen. Rakia, pekmezi, rehania, reçelnat e çdo nënprodukt tjetër që dilte nga rrushi i Gjolit nuk kishte të krahasuar me gjithçka që sot reklamohet brenda e jashtë trojeve tona. Edhe bajamet e fiqtë në atë territor janë të shumtë.

Lidhur me sektorin e shëndetësisë, investimet kanë qënë të pakta. Punonjësja e parë e këtij sektori ishte Sanie Allkushi, më tej Vitore Karteri, Manushaqe Jaupi, etj.

Skënderi, Luani, Idajeti e Behari vazhdojnë të mos i braktisin trojet e të parëve të tyre, edhe pse po vuajnë e heqin halle të mëdha lidhur me infrastrukturën rrugore. Gllava e Vogël  kurrë nuk pati fatin të kishte një rruge automobilistike. Një  jetë të tërë, pleq e fëmijë, ashtu gurë më gurë, dredhur  e përdredhur gjatë rrjedhës së  lumit Luftinjë, të robtuar e sfilitur për të zbritur deri në Izvor a Memaliaj. Sot mungesa e shkollës, e ndihmës mjekësore, e ndërprerjes së dritës elektrike dhe e prapambetjes në tërësi është njëra anë e medaljes, por braktisja mbetet edhe më e rënda. Dëshpërimi  është aq i thellë sa trojet e gjithçka  tjetër të lëna shkretë duket sikur hera-herës thonë: “Ikën të gjithë: të vjetër, të rinj, / U larguan dhe shpinën i  kthyen fshatit. /Gjithçka ka  mbetur si kau në brinjë, /Si qyqja në mëshirë të fatit!/Ngelën Tri Çukat me kokën mënjanë, /Rrallë dëgjohet zëri i bilbilit, /Braktisën gllavjotët trojet, vatanë/Dhe vendin e shenjtë të Baba Smailit.”