Ta duam vendin ku u lindëm e u rritëm! Ta zbukurojmë atë me punën, pasurinë dhe mirësinë e familjeve tona!   Elmaz Mehmet PAJA

Luadhi është krijuar me dekretin Nr. 7027, dt. 15. 2. 1986. Përcaktuese për këtë fshat të ri ishin lagjet Paja, Qenanaj, Kalemaj e Vishaj. Para shkëputjes nga fshati Zhapokikë e Sipërme, ky territor quhej Keçerisht(rrënja e këtij toponimi “keçe” është sinonimi i emrit vajzë). Mori emrin Luadhaj për vetë pozicionin që ka një vend rrethuar nga kodra e me ujë. Nga gjetjet e hershme arkeologjike,  interes paraqet një furrë pjekjeje e periudhës së Epirit në lagjen Paja. Në vitin 1986 Luadhi kishte rreth 40 shtëpi me 150 banorë, në vitin 1995 mbi 130 banorë e 22 familje. Regjistrimet e vitit 2001 konfirmojnë 25 banesa, 22 familje dhe 89 banorë, ndërsa sot të 4 lagjet e tij janë boshatisur. Tokë bujqësore janë mbi  55 ha, nga të cilat: tokë arë 50 ha dhe drufrutorë 5 ha.. Luadhi është pjesë e Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj.

Disa nga familjet kryesore sipas fiseve :

 

Në Kalemaj : Brahim Muharremi, Mehmet e Sefer Demua, Barjam Beluli, Isuf Batua, Shefit Isufi, etj
Në Pajaj : Elmaz, Teme, Zeqo dhe Hyso Mehmet, Avni e Ramo Elmazi etj
Në Vishaj : Musa e Dule Shefiti, Xhafer Limja, Qani Musai, Haxhi, Xhemal e Hazbi Jaupi etj
Në Qenanaj : Dervish Maliqi, Selfo Yzeiri, Resmi Banushi etj

 

Njerëzit e Luadhit një kontribut të vlerësuar kanë dhënë në mbarëvajtjen e punëve në minierën e qymyrgyrit Memaliaj. Jo rastësisht minatorët e Keçerishtit cilësoheshin “heronj” të nëntokës. Gjatë gjithë viteve në minierë, ata janë shquar për punë të palodhur, vendosmëri e përkushtim në thellësitë e nëntokës. I tillë ishte shefi i sektorit Qani Visha, brigadieri i kudondodhur Hysen Kalemi, minatorët veteranë Shefit, Brahim, Barjam  e Xhevit Kalemi, Syrja e Ferrik Vishaj, Zaim e Idajet Paja, Adem Qenani etj. Gjatë viteve të kooperativës, burrat dhe gratë e Keçerishtit do të shquheshin në të gjitha proceset e punëve në bujqësi të drejtuar nga Barjam e Marije Kalemi, Selvi Visha etj.

Banorët e këtij fshati janë të besimit bektashi. Si objekte kulti janë mekamet e Baba Lulos e Baba Muratit, të cilëve për një kohë të gjatë u ka shërbyer Dervish Qenani. Në tërësi njerëzit e Keçerishtit ishin të varfër, por kishte edhe familje me ekonomi të mirë. Lidhur me familjet e pasura, në historikun e fshatit Zhapokikë e Sipërme që ndodhet në Muzeun e rrethit lexojmë: “Një nga familjet e pasura në Zhapokikë ishte edhe ajo e  Elmaz Mehmetit, e cila kishte 11 ha tokë, 600 krerë bagëti e 20 kafshë pune”. Njerëzit e këtij fshati kanë kontribuar në të gjitha ngjarjet historike të vendit. Në Kryengritjen e Zhapokikës morën pjesë Teme Mehmet Paja dhe Mehmet Demo Kalemaj. Ata dënohen më burg, ndërsa sot kanë statusin e të dënuarit politik.

Shkolla fillore do të çelej në vitin 1970 me mësues të parë, djalin e Myslym Dëros, Bashkim Myslimi. Kjo shkollë fillimisht është hapur në shtëpinë e Ceno Vishës e më pas ndërtohet godina e re në qendër të fshatit. Mësim për shumë vite do të jepte djali i Zhapokikës, Ramiz Isufi. Për një periudhë të gjatë në këtë vendbanim kanë funksionuar çerdhja, kopshti i fëmijëve dhe ambulanca shëndetësore. Pushtetin në fshat e kanë drejtuar Ceno e Syrja Visha.

Në territorin e Keçerishtit të djeshëm apo Luadhit të sotëm është e zhvilluar bima e koçimares. Jo vetëm rakia që nxirret nga frutet e kësaj bime, por sidomos mjalti i dalë nga nektari i lules së mares mbetet një produkt shumë kurativ. Si mjeshtra në mbarështrimin e bletëve në këtë trevë  përmendet Ceno Visha dhe i paharruari Ramiz Isufi. Paraqitjen e këtij fshati të ri e zbukurojnë dhjetëra familje, burra e gra, të rinj e të reja. Edhe pse ka vite që ata janë larguar e vendosur në qytete brenda e jashtë vendit, me punën dhe aktivitetit e tyre nderojnë vendlindjen. I tillë është ushtaraku Kastriot Seit Visha, i cili shërben me përkushtim në qytetin e Vlorës. Të shumtë janë djemtë e vajzat e këtij fshati që kanë emigruar në Greqi, Itali e deri në Amerikë.Të tjerë janë biznesmen të sukseshëm. Me investimet dhe sipërmarrjet private ata kanë krijuar vlera në ekonominë e tregut, si: Arben e Petrit Paja, Sabri e Vladimir Kalemi, Ardian Vishaj etj.

Historikun e fshatit Luadh e filluam me disa nga porositë e “Nderit të Krahinës”, Elmaz Mehmetit. Ky amanet i të parëve po realizohet më së miri nga brezat e sotëm. Banorët e larguar, me kontributet e tyre financiare, po rregullojnë rrugën e fshatit. Shumica janë të rinj e të reja. Në vargun e madh të njerëzve që dhanë ndihmesën e tyre për ndërtimin e rrugës janë : Ceno, Altin, Enkeleda dhe Eli Visha, Vajzat e Ramadan Pajës, Lefter, Adem e Ismail Qenani, Ardian e Robert Visha, Arben, Mitat e Idajet Paja, Muharrem, Semine, Vladimir, Xhevit, Fatos, Mirjana e Lumturi Kalemi, Arben e Liri Visha, Armando e Fatmir Paja, Doshi Visha dhe djemtë e tij, Myzafer Paja, Flutura Qenani, Pëllumb Paja etj. Në listën e gjatë të kontribuesve bien në sy emrat e shumë miqve, nipërve e mbesave të këtij fshati, si : Ismail e Gëzim Sinandemi, Joni Grabova, Mentor Muka, Leonard Malaj, Denis Mançe, Neim Pasha, Faik, Agim e Zyrdi Muçodemi, Hajri Ballaxhia etj. Për hartimin e këtij historiku ndihmuan banorët e Luadhit dhe në veçanti Ceno Visha.