“Në fije të perit fat i Shqipërisë,/Ndaj Gllava u bë kështjellë e lirisë”.
Arben DUKA

Në veri-lindje të Tepelenës, kufi me Beratin, ndodhet fshati Gllavë. Për shkak të pozicionit gjeografik apo si kuota më e lartë e zonës, ky fshat shpesh identifikohej me Tri Çukat. Më vonë, pas dyndjeve sllave, duke u shfaqur si kryevend i këtij territori do të merrte emrin Gllavë (kokë, majë, kryevend). Falë kuptimit që mbart ky emërtim, toponime të tilla gjejmë edhe në Kosovë e Maqedoni, si: Maja e Gllavës në Koshare, në Opojë, Kaçina Gllava, Ilina Gllava etj. Në vitin 1937, Parlamenti shqiptar vendosi ta zëvendësojë këtë emër sllav me emrin e bukur shqip “Çukëza”. Gllava është më tepër se 1500-vjeçare. Për dekada me radhë ka qenë pjesë e trevës së Mallakastrës dhe Beratit, por pas vitit 1912 e në vazhdim është qeverisur nga komuna, lokaliteti Buz e rrethi Tepelenë. Sot ky vendbanim është pjesë e Njësisë Administrative Buz, Bashkia Memaliaj. Nga veriu kufizohet me Zhapokikën e Plashnikun e Beratit, nga lindja me Komarin, nga jugu me Bardhaj, Luftinjën e Sipërme e Gllavën e Vogël dhe nga perëndimi me Rabien.
Si fshati më fundor i rrethit, ndan apo më mirë të themi bashkon Tepelenën me Beratin. Tri Çukat, duke qenë të barazlarguara jo vetëm nga këto dy qendra urbane, por edhe nga Skrapari, Dëshnica e Mallakastra, do të shërbenin edhe si urë lidhëse për këto treva. Ishte kjo arsyeja që Baba Murat Gllava do t’u kërkonte organeve shtetërore të kohës që vendlindja e tij të shpallej qendër tregtare, pse jo dhe administrative. Kjo kërkesë gjeti miratimin e Parlamentit shqiptar në vitin 1928, por nuk arriti të vihej në zbatim, sepse ish-deputeti, Murat Cenaj, u largua shumë shpejt nga jeta.22 Gllava, si një nga trevat më të vjetra, ka ekzistuar si e tillë që në shek. V të erës sonë. Në një dokument të vitit 1019-1020 të kryepeshkopit të Ohrit përmendet me emër. Fshati Gllavë ndodhet në lartësinë e 800 m mbi nivelin e detit. Tri Çukat e Gllavës, shpallur Monument Natyre, kanë marrë vlerësime maksimale si pikat më strategjike dhe vendpushimet më të sigurta për forcat ushtarake. Skënderbeu dhe Tafil Buzi ngritën garnizone të fuqishme ushtarake rrëzë këtyre maleve. Edhe austro-hungarezët dhe italianët, gjithë potencialin e tyre ushtarak në këtë zonë e vendosën. Benito Musolini i shkeli disa herë këto territore, ndërsa më 9 mars 1941 nga lartësitë e malit të Komarit do të komandonte divizionet e Armatës së IX italiane kundër ushtrisë greke. Nuk ka ushtarak apo fuqi ushtarake që të mos i ketë çmuar e vlerësuar veçoritë e rralla e gati të mbinatyrshme të këtyre lartësive.
Gjetjet e shumta arkeologjike të enëve qeramike, të qypave me monedha në Malas, Dautaj e tek Faqja e Valles dhe rrënojat në Coraj, Ajdinaj e Çairet vërtetojnë se ky territor ka qenë i banuar qysh në lashtësi. Objekte kulti të besimit kristian janë kishat në Ajdinaj e në Merdanaj, Varret e Kaurit në Coraj, shtëpia e Hasan Ngjelës, Vreshti i Gjonit në Dautaj, Fusha e Lekës etj. Ndërsa gjurmët e institucioneve dhe objekteve të fesë islame janë edhe më të shumta: Teqeja bektashiane e Gllavës e ngritur më 1883 nga Baba Ismaili, Teqeja e Sheh Mustafait, Tyrbeja e Baba Ismailit, Tyrbeja tjetër ngritur më 2014, mekamet në Shehaj ngritur mbi 500 vjet më parë, si dhe mekamet në Merdanaj, Dautaj, Coraj etj. Nga 9 klerikë që ka nxjerrë ky fshat : Dervish Feimi është Dëshmor i Atdheut, Baba Murat Cenaj deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa Baba Shefqet Mahmutaj, pushkatuar në vitin 1948, Martir i Demokracisë.
Banorët e fshatit Gllavë kanë qenë të vendosur në 13 lagje, 6 në qendër, 4 në periferi, ndërsa lagjet Bashaj, Cakaj e Duraj gati 1 km larg qendrës së fshatit. Në vitin 1950 ky vendbanim ndahet në dy fshatra : Gllava e Madhe dhe Gllava e Vogël. Sipas historikut të fshatit disa nga fiset kryesore sipas lagjeve janë :
| Në Ajdinaj: Riza e Vesel Vrenozi, Musa e Haki Dervishi, Veli Hajdëri, Ydai e Myrto Muhameti, Barjam Çobo e Muhamet Meleqi, Selman e Qani Ismaili, Adem e Sefer Myslymi, Zano Shahini, Muharrem Dajlani, Veiz Mehmeti, Hamzo Hasani, Ramadan Rushiti, Xhemo Merko etj. |
| Në Allkaj: Jashar Aliu e Ramadan Karafili. |
| Në Allkushaj: Feta e Llane Hamiti, Skënder, Ali e Laze Mançja, Kaso Lulo e Zenjel Metja etj. |
| Në Cenaj: Rakip, Neim, Teki e Ethem Habibi, Xhevait Mino, Ceno e Zeman Dajlani, Seit Jaho etj |
| Në Coraj : Sabri Halimi, Asllan Qazimi, Abaz e Jonuz Sheme, Hekuran Myrto, Nexhip Haxhiu, Qani e Baki Dajlani, Nuredin Coraj, Gani e Jashar Ademi etj. |
| Në Dautaj: Zeqir Hatja, Nebi e Mino Cenua, Yzeir Shuaipi etj |
| Në Mahmutaj : Refat, Ahmet e Shefqet Hajdëri, Alisha e Adem Alushi, Barjam, Xhelo e Feim Hazbiu, Qamil Demua, Xhelil Selmani, Bilal Sherifi, Abedin Brahimi, Sheme, Kasëm e Nuro Hasimi etj |
| Në Malas : Hajro e Feim Sulçja, Durre e Haxhi Malasi, Yzeir e Abedin Ademi, Shahin, Ramadan e Zeqir Dino, Kasëm Bajrami, Ceno Malasi, Taho Bequa etj |
| Në Merdanaj: Kaso,Vesel, Sali e Neki Muharremi, Veli Muhameti, Hasan e Xhevit Zirka, Sefer e Belul Selfo, Musa Sadiku etj. |
| Në Shehaj: Sheh Mustafai e Sheh Muharremi, Zaim Iliazi, Riza e Sabri Shehu etj |
Para e pas çlirimit, me dhjetëra familje janë vendosur në Berat, Fier Patoz e Lushnjë, por edhe në fshatrat Komar, Buz, në Zhapokikë të Tepelenës e të Beratit, në Selckë, Plashnik etj. Në rrethet Berat, Fier e Lushnjë gjejmë gati 1200 qytetarë me mbiemrin Gllava.
Disa të dhëna lidhur me popullsinë e fshatit Gllavë :
| Vitet | 1923 | 1927 | 1945 | 1969 | 1979 | 1989 | 1995 | 2001 | 2018 |
| banorë | 448 | 470 | 561 | 366 | 469 | 505 | 399 | 179 | 51 |
| familje | 90 | 96 | 124 | 79 | 97 | 119 | 91 | 35 | 12 |
Në vitet ’50 – ‘60 ka një rënie të numrit të popullsisë, sepse pas vitit 1950 kemi dy fshatra, Gllavë e Madhe e Gllavë e Vogël. Fshati ka një territor prej 1200 ha, nga të cilët: tokë bujqësore 182 ha, tokë arë 143 ha, vreshta e pemë 31 ha dhe pjesa tjetë pyje e kullota. Vetëm Mali i Gllavës ka një sipërfaqe mbi 300 ha.
Gllavjotët në të gjitha ngjarjet historike kanë shfaqur vlera. Ata janë ndodhur në krah të kapedan Tafilit, ndërsa në mbështetje të Shpalljes së Pavarësisë e Luftës së Vlorës do të ishin: Skënder Manço Allkushi, Rushit Shahin Duraj, Llane Hamit Allkushi, Haxhi Osman Malasi, Xhafer Meleq Coraj, Muhamet Merdani, Jashar Ali Allkaj etj.23 Çeta e Gllavës, me 40 luftëtarë, e udhëhequr me guxim e urtësi nga Medin Gllava e trimi Llane Hamiti, krahas kontributit që dha për mbrojtjen e Kuvendit të Sinjës dhe Shpalljes së Pavarësisë, do të shquhej në betejat kundër andartëve grekë e austrohungarezëve, por edhe në përballjet me forcat rebele. Më 20 gusht 1919 në kuvendin e organizuar në qendër të Buzit për mbrojtjen e fateve të atdheut, nga Gllava do të merrnin pjesë Musa Dervish Ajdini, Yzeir Mane Malasi, Halim Hajrulla Coraj etj.
Në shtator të vitit 1943 ngrihet Këshilli Nacionalçlirimtar me kryetar Feta Allkushaj, nënkryetar Zeqir Dautaj dhe sekretar Ali Malasi.24 Në LANÇ morën pjesë mbi 20 partizanë. Dhanë jetën për çlirimin e atdheut Skënder Coraj dhe Feim Mahmutaj, të cilët gëzojnë statusin “Dëshmor i Atdheut”. Dëmet e shkaktuara nga lufta ishin të rënda edhe për Gllavën. U dogjën shkolla e fshatit, teqeja, shtëpitë e Demir Kasos, Njazi Abazit, Zeqir Hates etj. Pushtuesit gjerman, krahas bastisjeve e djegieve, morën peng burrat e fshatit Vesel Ajdinin, Ismail Allkushin, Hysen Shehun etj.
Në krye të pushtetit në Gllavë kanë qenë kryepleqtë Barjam e Dervish Ajdinaj, Ceno Malasi, Qamil Mahmutaj, Halim e Kadri Coraj, Enver Allkushi, kryetarët e këshillit : Sabri Rizai, Zaim Iliazi, Novruz Allkaj, Hysni Allkushi, Syrja Malasi e Fatime Cenaj. Në rang ekonomie pushtetin e kanë drejtuar Shahe Shehu, Qani Ajdini, Syrja Merdani, Xhevdet Çoraj e Selman Serjani. Kur u hedh një sy gjithë drejtuesve të pushtetit në vite, zbulon edhe një vlerë të çmuar në qeverisje, atë të gjithëpërfshirjes. Të 10 lagjet e këtij fshati i gjejmë të përfaqësuara këshilltarë, kryepleq dhe kryetarë.
Gjatë LANÇ, gllavjotët ditën të orientohen dhe të përballen me sukses ndaj qëndrimeve nga njëra anë të kreut të Ballit, të beratasit Qamil Nuellari, dhe nga ana tjetër të drejtuesve të lëvizjes nacionalçlirimtare. Me gjakftohtësi e mençuri u kapërcyen mosmarrëveshjet, duke mos pasur përplasje deri në gjakderdhje. Njerëzit e Tri Çukave edhe gjatë kësaj lufte i mbajtën hapur shtëpitë e tyre, strehuan çetat partizane të Ramiz Aranitasit, Abaz e Zenel Shehun, Baba Fejzon, Mustafa Matohitin etj. Por pas çlirimit, me gjithë punën, luftën e shpirtin human për progres e liri, në momente të caktuara Gllava, Buzi, Shalësi, Luftinjat e Zhapokikat nuk do t’u shpëtonin paragjykimeve e qëndrimeve të ashpra politike. Kohërat sollën që të dy fshatrat e Gllavës të kenë një numër të madh të dënuarish politikë. Vetëm nga Gllava e Madhe janë 12 të tillë : Kasëm Barjam Malasi, Shefqet Hajdër Mahmutaj, Neim Habib Cenaj, Ali Jashar Allkaj, Beqo Sheme Mahmutaj, Shefit Llane Allkushaj, Demir Kaso Allkushaj, Feti Sabri Coraj, Muharrem Muhamet Allkushi, Zyber Gani Cora, Avdulla Xhevait Cenaj, Qamil Gani Coraj etj.
Emigracioni ka shoqëruar njerëzit e këtyre lartësive. Deri në Amerikë kanë emigruar Llane Hamiti, Jashar Aliu, Duro e Haxhi Malasi, Muhamet Merdani etj. Në Turqi: Manço Allkushaj, Hajrulla Coraj, Shahin Ajdinaj, Hate Dautaj, i cili nuk u kthye dot i gjallë pranë familjes. Edhe në Greqi, Rumani dhe Egjipt kanë emigruar gllavjotët. Ata, krahas të ardhurave ekonomike, do të sillnin në vatrat e tyre edhe kulturën e përvojën e vendeve të zhvilluara. Emigracioni, shifrat më të mëdha i arriti pas viteve ‘90. Mbi 95% e gllavjotëve janë larguar nga fshati. Rreth 35% e tyre janë sistemuar me punë e familje në shtetet më të zhvilluara të botës. Nga të gjitha fiset ka të emigruar në Itali e Greqi, ndërsa në Amerikë vetëm nga lagjet Ajdinaj e Malas janë mbi 50 vetë. Brenda vendit, qyteti më i lakmuar i gllavjotëve është Tirana me 84 familje, Berati e Kuçova me 54 dhe Fieri me 56 familje.
Në Gllavë për periudhën 1889-1912 ka funksionuar shkolla turke, të cilën e vijuan gllavjotët dhe shumë të tjerë nga krahinat e rretheve Berat,Tepelenë e Mallakastër. Për kohën ky institucion, për 20 vjet me radhë luajti një rol të rëndësishëm. Ngritja e funksionimi i shkollës turke i dedikohet shpirtit arsimdashës të gllavjotëve, kryeplakut Dervish Ajdini dhe teqesë drejtuar nga biri i fshatit, Baba Ismail Gllava. Gjatë shek. XIX dhe në fillimet e shekullit XX shumë gllavjotë kanë studiuar në vende të ndryshme të botës. Të tillë nuk ishin vetëm klerikët Baba Ismaili, Baba Murati, Baba Muharremi, Baba Shefqeti e Dervish Emin Dautaj, por edhe Sabri Ajdini, Neim Cenaj e Demir Allkushi që studiuan në Itali, Ceno Malasi në Janinë etj. Teki Cenaj, Feti Coraj e Abaz Mahmutaj që kishin përfunduar shkollën tregtare në Vlorë. Ndër të shkolluarit në shtetet evropiane do të shquhej profesori i shkencave pedagogjike, Kasëm Malasi. Edhe Et’hem Habib Cenaj (Gllava) ka kryer studimet ushtarake në Austri.
Shkolla fillore në Gllavë u çel në vitin 1916 me mësues të parë Reshat Mullai nga Mezhgorani e më pas Mehmet Kuqari nga Përmeti. Me vendimin e dt. 8. 3. 1918, mësues në Gllavë emërohet Hysni Abedini nga Damësi, me rrogë 90 franga ari, ndërsa me vendimin e dt. 19. 12. 1937 emërohet mësuesi Xhemil Dragoti me pagë ditore 4 franga ari. Më 24. 9. 1935 do të emërohej mësuesi Grigor Muço me pagë 160 franga ari. Në shkollën e Gllavës kanë dhënë mësim edhe Kristaq Capo, Odhise Ngjela, Antigoni Mata, Nekie Ymeri, Pirro Xhagjika, Adelina Kallanxhi, Myfyt Dhrami, Miço Kagjini, Nazmi Gorica, Rrapo Dalipi, Avdo Luzi, Limo Paza e me dhjetëra të tjerë. Shkolla 8-vjeçare hapet më 1964. Ajo gjatë gjithë ekzistencës së saj ka qenë e përbashkët me fshatin Komar. E kanë drejtuar atë për vite me radhë bijtë e fshatit: Bedri Dauti, Syrja Merdani e Flatun Coraj, djali i Komarit Asim Brahimi dhe gjirokastritët Koço Vllaho e Vasil Llahana. Në shkollën 8-vjeçare Gllavë kanë dhënë mësim mbi 50 mësues nga rrethet Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, Përmet e Berat e Tepelenë, ndër të cilët përmendim : Vasil Gjati, Jani Margariti, Bejo Shanaj, Selami Gjoni, Murat Memalla, Lulo Lula, Mersin Arapi, Koço Miçi etj. Kur flasim për mësuesit e fshatit, në krye të tyre qëndron Kasëm Malasi dhe pas tij : Naxhie Malasi, Ramadan Merdani, Ruze, Mjaftoni e Ardiana Cora, Tefta e Shqiponjë Shehu, Asllan e Petrit Ajdini etj. Numri i gllavjotëve me arsim të mesëm e të lartë deri në vitet ‘70 ka qenë i ulët. Vetëm pas viteve ‘80 ai njohu rritje. Nga 20 vetë që ishin me arsim të lartë në fund të viteve ‘80, sot kanë arritur në mbi 210 të tillë. Natyrisht , pas viteve ‘90, edhe të rinjtë gllavjotë do të diplomohen si arkitektë, juristë, mjekë, inxhinierë ndërtimi, por ajo që gëzon sot këdo është se djem e vajza me arsim të lartë ka edhe nga lagjet Allkaj e Cenaj, dikur të privuara nga kjo e drejtë.
Pas vitit 1970 edhe shërbimi shëndetësor do të njihte zhvillime. Punonjësi i parë i shëndetësisë ishte ndihmësmjeku Dhimitër Magllara nga Gjirokastra e më pas: Argjiro Nini nga Saranda, Avdi Beqiri e Shpresa Dashi nga Tepelena. Më pas do t’i jepnin jetë këtij sektori vajzat e fshatit: Sanie Allkushi, Bukuri Cora, Nazike e Rufedi Malasi, Mjaftuni e Miranda Dauti, Margarita Mahmutaj dhe përgjegjësja e qendrës shëndetësore Semine Serjani, e cila shërbeu për një kohë edhe më të gjatë se të tjerat.
Në prill të vitit 1957 krijohet kooperativa bujqësore e drejtuar nga djemtë e fshatit: kryetar Ceno Dauti, nënkryetar Zaim Shehu e shef llogarie Sabri Ajdini. Edhe më vonë kjo ekonomi është drejtuar nga bijtë e saj: Medin Merdani, Zija Dauti e Selman Serjani. Në mbarëvajtjen e punëve kanë kontribuar shumë specialistë. Në degën e prodhimit: Pavllo Barka, Sami Jaupi, Lahe Shena, Barjam Coraj, Sotir Nini, Shefqet Hoxha etj; në degën e planit: Agim Bushi, Hajdër Dyrmishi, Haredin Gjoni, Hetem Mahmutaj, Petrit Malo e Pëllumb Molla; në degën e financës: Sabri e Sami Ajdini, Astrit Dauti e Syrja Malasi etj. Vlera do të manifestonin edhe specialistët e mesëm: Vito Malasi, Përparim Cena, Feta Allkushi, Xhevdet Malasi, Selam Allkaj, Hetem Allkushi, Hasan Dauti etj.
Pas çlirimit një numër i konsiderueshëm gllavjotësh largohen nga fshati dhe vendosen në Memaliaj, Berat, Fier, Tiranë e Tepelenë. Ata me qëndrimet e punën e tyre fituan respektin e këtyre komuniteteve. Një pjesë u vlerësuan edhe me detyra drejtuese. Të tillë ishin djemtë e lagjes Coraj, oficerët madhorë: Petref Kalemi e Hysni Baka. Në Tiranë krahas profesor Kasëm Malasit do të kemi edhe djemtë e tij, inxhinierëtTomorr e Esat Malasin, në Fier: Selam Ajdinin, Qemal Dautin, Ali e Brahim Shehun, djemtë e Ramadan e Shahin Malasit,Tomorr Shefit Allkushin e Tomorr Neki Ajdinin, në Vlorë : Ali Ajdinin e Përparim Corën, në Tepelenë: Muhamet Ajdini, Hate Dauti, Hetem Barjami e Bedri Serjani, në Berat: E’them Gllava (Cenaj), Kasëm Mahmutaj, në Memaliaj: Sali, Medin, Sefer, Belul, Ramadan, Zirkë e Kujtim Merdani, etj.
Gllavjotët kanë kontribuar fuqishëm në minierën e qymyrgurit Memaliaj, në ndërmarrjen e ndërtimit e në sektorë të tjerë të ekonomisë. Kur flasim për minatorët, të paharruar do të mbeten veteranët e minierës Sali, Medin, Sefer, Belul, Ramadan, Zirkë e Kujtim Merdani, Hajro Coraj, Ceno Dautaj, Gramoz Malasi, Novruz Mahmutaj, Ferrik Malasi, Hetem Ajdinaj etj. Vlerësime janë bërë edhe për punën e specialistëve të ndërtimit Veli e Muhamet Merdani, Petref Refati, Qemal Xheviti, Veli Hajdëri, Myrto Muhameti, Nebi Cenua, Veli Jashari, etj.
Komuniteti gllavjot nuk është shquar vetëm për bashkëjetesën mes fiseve, por edhe me fshatrat e krahinat e tjera. Në këto arritje kanë patur ndikime të veçanta miqësitë apo krushqitë e lidhura. Mbi 30 % e lidhjeve martesore janë bërë brenda fshatit. Gllavjotët kanë dhënë e marrë jo vetëm me fshatrat e krahinës së Buzit, Dervenit e Krahësit, por edhe me fshatrat e rretheve Berat, Skrapar e Përmet.
Në krah të Babë Dudë Karbunarës, çeta e Medin Gllavës së bashku me çetat patriotike të Baba Kamber Velabishtit, Reiz Mane Skëndit e Çerçiz Topullit do të jepnin një kontribute të çmuara për mbrojtjen e trojeve shqiptare, mësimin e gjuhës shqipe dhe shpartallimin e çdo pushtuesi e tradhtari.
Prof. Bardhosh Gaçe, me monografinë”Baba Medin Gllava’, hedh dritë edhe për shumë ngjarje historike, të cilat për vite me radhë i mbuloi errësira. Veprimtaritë patriotike të klerikëve gllavjotë në krah të Çerciz Topullit, Babë Dudë Karbunarës, Baba Ahmet Turanit, Ismail Qemalit e Princ Vidit janë gjurmë, të cilat një ditë do të zënë vendin e nderit në historinë kombëtare. Në Teqenë e Gllavës, në ditët e para të gushtit 1914, do të mbërrinte çeta e Çerçiz Topullit, e cila përqendroi armatime, municione dhe ushqime për aksionet luftarake që do të ndërmerrte.
Kontributin e Teqesë së Gllavës dhe shpirtin liridashës të gllavjotëve nuk e zbehën e as e nëpërkëmbën qëndrimet e paragjykimet politike në kohë lufte e paqe. Përkundrazi, figurat historike të Baba Ismailit, Baba Medinit dhe Baba Muratit ndrijnë e shkëlqejnë përkrah lavdisë së atdhetarëve të tjerë. Ata i shërbyen me devotshmëri kombit në ditët më të vështira dhe në veçanti për arsimimin e njerëzve, ndërsa luftës për liri e pavarësi i qëndruan gjithmonë në krye.
Banorët e Gllavës e të zonave të tjera do ta gjenin lirinë e tyre të besimit në madhështinë e Teqesë dhe Tyrbesë së Baba Ismailit. Bektashinjtë e djeshëm e të sotëm kanë patur e kanë institucionin e tyre ku falen, i cili qëndron gjithmonë me derën hapur për të pritur besimtarë. Kompleksi i objekteve të kultit në krye të fshatit Gllavë është madhështor, ku një punë të lavdërueshme ka bërë edhe z. Alizot Cenaj.
Vlerësimet për Gllavën e banorët e saj janë bërë në të gjitha kohërat nga studiues, historianë, shkrimtarë, personalitete e udhëtarë të ndryshëm.
