“Një gotë ujë të pastër doja të pija,/Nga burimet e tua, e imja Zhapokikë,/ E në kodrat e bukura doja të flija,/Ku vetja do më dukej si në Amerikë.”

Petrit MERA

Fshati Zhapokikë ndodhet në vepri-perëndim të Tepelenës, shtrihet në dy vargje kodrash në lartësinë 800 m mbi nivelin e detit dhe në anën e djathtë të rrjedhjes së lumit Luftinjë. Fillon me ish fabrikën e tullave ose më saktë me brinjat e lagjes Meraj, vazhdon majë kodrave dhe Zhapokikën e Sipërme deri kufi me fshatin Izvor. Eshtë pjesë e Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj. Shkruhet për këtë vendbanim  në regjistrat e vitit 1431 të Vilajetit Klisura (Këlcyra). Fshatra me këtë emër gjejmë edhe në rrethet Berat e  Dibër. Në librin e  historianit Piro Tase, në pjesën “Zhapokika dhe elementi sllav”, nënvizohet se ky toponim vjen prej “jablloko”, që sllavisht do të thotë mollë. Në vitin 1937 Parlamenti shqiptar vendosi që ky toponim me prejardhje sllave  të zëvendësohej me emrin shqip “Majasi”.

Shumica e fshatit në hershmëri ishte vendosur në “Kikaj”, por shtëpi ka pasur edhe në Minaj, Manaj, te Kullla e Aliut, te Kreu i Kishës, i Kashtës etj. Edhe te Rrapi i Zenelit janë ndeshur gjurmë të këtij vendbanimi. Në shumë troje janë gjetur murishte të vjetra,  qypa, tjegulla, qeramika, pesë furra “të kuqe” në Pajaj, në Kashtaj e Moreçe, të cilat shërbenin për pjekje  poçerie e tjegullash. Nuk janë vetëm murishtet e rrënojat në lagjen e vjetër  “Motopalaj” që hedhin dritë për lashtësinë e këtij vendbanimi, por edhe toponimet Qafa e Nishanit dhe e Melovës, Maja e Bardhë, Maja e Zezë, Gjoklula, Zagoni, Shullëri, Mbrezia, Moreçet, Korrila,Vakëfet, Vodica, Paraleci, Shala e kalit, Gjurmët e mushkës, Ara e Çomos, Guçomeços, Petkos, Vidhi i Divanesë, Brego i Loshit, i Fshesës, Vilat, etj.

Zhapokika është fshati me shtrirjen më të madhe në krahinën e Buzit. Në përbërje të këtij vendbanimi kanë qenë edhe lagjet Danaj e Selaj, të cilat pas viteve ‘50 i bashkohen Luftinjës. Si një nga vendbanimet më të hershme, në gjirin e tij ruhen vlera historike, arkeologjike, minerare e social-kulturore. Vendosja e banorëve majë kodrave me gjelbërimin e përhershëm të mares,  i japin këtij territori edhe më tepër bukuri dhe madhështi. Kur je në majën e Rrodhajt apo në lartësi të tjera dhe hedh vështrimin tej në horizont, gjthçka të duket sikur e ke si në pëllëmbë të dorës. Prej andej sheh Buzin, Tri Çukat e Gllavës, Trebeshinën, Shëndëllinë, majën e Levanit, Koshtanin, Amanikaj e një pjesë të fshatrave të Dervenit e Labërisë.

Vende kulti të fesë kristiane janë  kishat në Taraj, në Mëne, Qafa e Kishës në Meraj etj. Gjithashtu, para se të vesh në Canokaçaj,  nga gërmimet e bëra janë gjetur skelete njerëzish, vegla pune e  relike që vertetojnë se aty ka ekzistuar kisha dhe  “varreza e fshatit të dikurshëm, Kikaj”.

Në Zhapokikë feja islame ka qenë e mbetet sunduese. Si vende kulti të këtij besimi veçojmë xhaminë në qendër të fshatit, e cila deri në vitin 1962 shërbeu edhe si shkollë fillore. Në xhami ka shërbyer Muharrem Dervish Kanushi, i arsimuar në vendet aziatike dhe që zotëronte disa  gjuhë të huaja. Vende të tjera kulti kanë qenë edhe faltorja te Vidhi i Divanisë, Vakëfi në Toraj etj. Në qendër të fshatit ndodhen varret e klerikëve Mustafa e Miftar Kabashi. Ata kishin studiuar në vendet e Lindjes. Dikur këtij vendi të shenjtë i shërbente Selime Kabashi, ndërsa aktualisht z. Shefqet Kabashi. Më kontributin e njerëzve të fshatit po ndërtohet tyrbeja e klerikëve Mustafa e Miftar Kabashi dhe Baba Hyso Delviçanit.

Në vitin 1940 kemi ndarjen e këtij fshati në dypjesë: Zhapokika 1 dhe Zhapokika e Sipërme, ndërsa pas viteve ‘80 kjo ndarje do të thellohej edhe më tej. Në territoret e Zhapokikës1 krijohet fshati Ballaj, ndërsa në Zhapokikën e Sipërme, Luadhaj.

Lagjet kryesore të Zhapokikës1 janë: Kanushaj, Memishaj, Alimemaj, Cacaj, Kabashaj, Rrodhaj, Selaj, Bishanaj, Meraj, Canokaçaj e Sinomemaj. Lidhur me fiset e këtij fshati, historiani Kujtim Kabashi shprehet se krahas autoktonëve ka edhe të ardhur nga Vasjari, Progonati, Dhëmblani, Dukaj, Turani, Bubësi i Përmetit, Skrapari etj.

Në qoftë se para çlirimit  emigrimi në Turqi, Amerikë, Greqi apo Itali nuk e kishte kaluar shifrën e 40 burrave, pas viteve ‘90 mbi 40% e zhapokjotëve do të emigronin në vende të ndryshme të botës dhe po kaq u larguan në qytetet brenda vendit. Vendosja e tyre në Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Tepelenë e Memaliaj solli që deri në vitin 2018 në fshat të banonin rreth 40 familje. Pas vitit 2020 e në vazhdim malli dhe dashuria për vendlindjen është rritur. Këtë e tregojnë kontributet financiare për ndërtimin e rrugës së fshatit, të tyrbesë dhe investimet në sektorin e bujqësisë.

Njerëzit e Zhapokikës në të gjitha ngjarjet historike kanë qenë prezent. Bako Zhapokika ishte njëri nga më të besuarit e Ali Pashës në mbledhjen e taksave, ndërsa nga oficerët e tij më trima ishte Dule Dervishi, i cili luftoi deri në Janinë, Prevezë e Artë. Në përballjet më andartët grekë luftuan deri në Labovë Adem Fejzo Mahmutaj e Selfo Lato Caca. Kryeplaku i Zhapokikës Lato Dervishi, i veshur me fustanellën 300 kindëshe, konsiderohet si një ndër organizatorët e përpjekjeve me armë në dorë kundër pushtuesit. Pas vitit 1912 kontributi i zhapokjotëve për interesat e atdheut ka qenë edhe më i madh. Zenel Myftar Zhapokika mobilizoi dhjetëra burra trima në mbrojtje të Pavarësisë, ndërsa në Luftën e Vlorës më 1920 çeta e Zhapokikës udhëhiqej me zotësi nga Hodo Mahmutaj, Islam e Mançe Hasani, Haxhi Shahini e Ismail Pashua. Më 1914 rreth 100 burra nga Zhapokika i bënë pritë me armë në dorë grekut në Kodër e në Qafën e Miricës, ku vija e frontit arrinte deri tek Brinjat e Merajt. Në këtë aksion humbi jetën Riza Canokaçaj. Në kalendarin e vitit 1918 të shoqërisë “Vatra” në  Amerikë mes shumë atdhetarëve Tepelenas, që jepnin kontribute në drejtim të vendit të tyre, ishin edhe Xhafer Qerim Zhapokika, Adem N. Zhapokika, Qazim V. Zhapokika etj. Sipas dokumenteve që ndodhen në arkivën e Komitetit të veteranëve Tepelenë, nga luftëtarët e fshatit Zhapokikë në ngjarjet e viteve 1912, 1914, 1920, veçojmë: Dule e Lato Dervishi, Shuaip Shuaip Kanushi, Qamil Shuaip Memisha, Sadik Ismail Çiçaj, Adush Avdo Alimemaj, Zenel Hamit Cacaj, Jonuz Maliq Ballaxhiaj, Zenel Myftar Ballaxhiaj, Sulo Brahim Meraj, Halil Meto Rrodhaj, Xhafer Dule Rrodhaj, Brahim Ismail Alimema etj. Këshilli Nacionalçlirimtar i fshatit Zhapokikë kishte këtë përbërje: Qazim Meraj kryetar, Xhelal Kabashi sekretar dhe anëtarë: Xhafer Rrodhaj, Adush Alimemaj, Adem Cacaj, Selim Ballaxhiaj dhe Sulo Meraj. Në komandën e vendit : Kareman Mehmeti, Mersin Meraj e Mystehak Alimemaj.

Më 27 qershor 1943 në betejën e Rrapit të Dervenit, së bashku me forcat e tjera partizane, u radhitën edhe 22 burra trima zhapokikas. Mbi 36 partizanë morën pjesë në radhët e LANÇ. Nga radhët e tyre u flijuan në altarin e lirisë për të mbetur të paharruar në themelet e historisë 6 bijtë më të mirë të Zapokikës: Ilmi Memishaj,  Nasip Alimemaj, Selim Alimemaj, Sadik e Daut Ciçaj, Ramiz Isufi e Zaim Ballaxhiaj. Kur flitet për vlerat e luftës, veterani Medin Axhemi  do të kujtonte. “Na çuan në shtëpinë e Banush Velikos , e cila mbeti përherë e hapur për luftëtarët e lirisë. Nga kjo derë dolën tre partizanë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për familjen e Adem Hyso Cacës “etj. Ndërsa në shkrimin  “Nga Mavrova në Zhapokikë, tri mandata në një ditë” u thuret himn dëshmorëve të Brigadës VI Sulmuese: Selim Alimema, Daut Ciçaj dhe Ramiz Isufaj. Të tre u nisën bashkë për në luftë, gjithmonë bashkë në radhët e Brigadës VI Sulmuese, në aksionet e saj luftarake e në krah të njeri tjetrit mbetën të vrarë nga plumbat e armikut. Ata ranë më 31.03.1944, për të mbetur të pavdekshëm.

Ky fshat ka hyrë në histori edhe me emrin “Kryengritja e Zhapokikës”. Kjo lëvizje në Jug kundër pushtetit të kohës, radhitet e dyta pas asaj të Postribës në Veri. Në kuadër të kësaj ngjarje, në oborrin e shkollës së fshatit Zhapokikë, më 09. 10. 2014, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani do të jepte medaljen “Nderi i Kombit” me këtë motivacion: “Në vlerësim  të veprës së lartë të vetmohimit, sakrificës dhe shpirtit të lirisë së bijve të Zhapokikës, Luftinjës dhe Kamçishtit në kryengritjen e vitit 1948”.

Mbajnë statusin e të dënuarit politik: Begë Veiz Rrodhaj, Nuro Xhafer Rrodhaj, Sefer Yzeir Sela, Xhelal Riza Canokaçi, Haredin Alush Sela etj. Edhe pse numri i të dënuarve politikë dhe  “kryengritja e Zhapokikës” për vite të tëra do të rëndonin banorët e kësaj treve, diferencimet klasore nuk kanë qenë shumë të theksuara. Ky komunitet është shquar për një bashkëjetesë të pranueshme, pa dallime të bujshme e të dëmshme. Zhapokikasit janë karakterizuar si njerëz punëtorë, bujarë e mikpritës  që donin e respektonin njëri-tjetrin,  pavarësisht pengesave e barrierave politike. Ata mbeten të nderuar e të respektuar në fushën e bashkëjetesës e të marrëdhënieve me njëri-tjetrin, falë edhe sjelljes e qëndrimeve tolerante të drejtuesve kryesorë të kësaj ekonomie, të djemve të fshatit: Muharrem Kanushi, Bashkim Myslymi, Sami e Drita Alimema, Gëzim Kabashi, Qani Caca, por dhe të salarjotit Zoto Lama.

Në vitin 1936, nga ana e zhapokikasve u tentua të çelej shkolla fillore, por kryetari i Komunës së Buzit nuk i mbështeti. Ajo u hap vetëm më 1945, me 30 nxënësve e me mësues të parë Spiro Çarka nga Zagoria e Gjirokastrës. Si godinë shkolle fillimisht shërbeu xhamia e fshatit. Shkolla 8-vjeçare u ngrit më 1968 me drejtor të parë Xhafer Kuçi, ndërsa e mesmja hapet më 1987 me drejtoreshë Shqiponja Memisha. Kanë dhënë mësim në këtë shkollë me dhjetëra mësues : Hasan Xhepi nga Tirana, Nevzat Liço nga Korça, Riza Sinoimeri, Ptoleme Gjoka,Vasillo Valeri, Athina Llaja, Kostandin Kuçuqi, Valentina Tarifa, Rushit Mullaraj, Mërkur Cukalla, Vehet Basha, Petrit Shena, Petrit Llaka, Sami Alimema, Fatime Kanushi, Selaudin Shehu, Bedri Serjani, Lulo Lula, Ali Ajdini, Irena Jaupi etj. Shkollën “6 dëshmorët” Zhapokikë e kanë drejtuar mësuesit Lalo Lala, Agimarta Shehu, Qani Caca, Luan Memisha, Murat Memalla, Sami Alimema, Aseni Sinomati, Aseni Caca, Fatime Kanushi, Roland Varfi, Krenar Shehu, Elinor Lala, Sajmir Saliu, Gramoz Caca, Luan Gjergo, Kujtim Kabashi, Petrit Sulejmani dhe Irena Jaupi. Edhe pse lista e mësuesve që kanë dhënë mësim është e gjatë, në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, mirënjohja e veçantë  shkon për mësuesit veteranë të këtij fshatit : Agush e Qemal Caca, Haki Sinomemi, Naime Bishani, Qani Caca, Fatime Kanushi etj. Shkolla e mesme Zhapokikë do të ishte arritja më e madhe e viteve “80. Në inagurimin e saj mori pjesë ministri i kohës,  biri i Tepelenës, Skënder Gjinushi. E ndoqën arsimin e mesëm jo vetëm nxënës nga Zhapokika, por edhe ata nga Vasjari, Luftinja e Amanikaj. Në këtë periudhë numri i nxënësve të shkollës “6 Dëshmorët” do të arrinte mbi 250, ndërsa në vitin shkollor 2017-2018 aty kishte 11 nxënës. Në vitin 1970 hapet kopshti me 26 fëmijë.

Sektori i shëndetësisë në Zhapokikë arrin gjendjen e tij më të mirë në vitin 1979, kur në krye të Qendrës shëndetësore vjen mjeku i talentuar gjirokastrit Spiro Thomai e më pas djali i fshatit dr. Shuaip Kanushi. Në shërbimin shëndetësor kanë dhënë kontributin e tyre edhe infermierët: Zonjë Alimema, Tajane Sinomati, Adush Alimema, Pashako Paza, Luljeta Myslymi etj.

Drejtuesit e pushtetit në fshat kanë qenë të shumtë: Kaso Asimi, Lato Dervishi, Xhafer Qerimi, Avdulla Nurja, Qamil Shahini, Adem e Dëro Bikua, Caush Agua, Idriz Dervishi, Ali Bilbili, Zenel Myftari, Neim Bishani, Begë e Meto Rodhaj, Riza Kanani, Tahir Ruci, Skënder Mera, Ferrik Ballaxhiaj, Xhelal, Skënder, Gëzim e Kujtim Kabashi e deri tek k/pleqtë: Shefqet Kabashi, Lato Kanushi, Veli Bishani, Qemal Rrodha etj.

Njerëzve të Zhapokikës u janë besuar detyra të rëndësishme drejtuese në organet e pushtetit e administratën shtetërore.

  1. Drejtues në lokalitetin Buz e Komunën Luftinjë: Veli Mera, Myslym Dero, Hate e Myrto Alimema, Muharrem Kanushi, Qani Caca, Shefqet e Kujtim Kabashi etj.
  2. Kanë kryer detyra të rëndësishme në institucionet kryesore të rrethit: Mersin Mera, Qemal Adem Caca, Luan Shaho Memisha, Riza e Muazezë Kanushi, Myrto Mera etj.
  3. Kanë drejtuar këshillin e bashkuar Zhapokikë: Drita Alimema, Bashkim Myslymi, Sami Alimema e Qani Caca.
  4. Djemtë e Zhapokikës janë shquar edhe në sektorët e ushtrisë e policisë së shtetit: Petrit Mehmet Caca, Feti Zenel Rrodhaj, Hajri Kanani, Kujtim Agush Cacaj, Selim Mera, Mystehak, Selim, Halil e Besnik Alimema, Petrit e Xhemal Kanushi etj.

Krenar ndihet Zhapokika, Buzi e Tepelena për arritjet shkencore të prof. Valter Memishës, i cili  drejton një institucion të rëndësishëm pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Kudo ku ai punoi, si mësues në Tepelenë, pedagog e dekan në Universitetin  “Eqrem Cabej” Gjirokastrër dhe aktualisht në krye të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë Tiranë, e karakterizoi vullneti e përkushtimi maksimal.

Në vitin 1957 krijohet kooperativa bujqësore me kryetar të parë Ferrik Ballaxhiaj e pas tij Selam Mera, Sulo Bishani e Teme Kabashi. Me vendim të Këshillit të Bashkisë Memaliaj nr.23, dt. 24.4.2019 z. Teme Feta Kabashit i jepet titulli “Qytetar Nderi”. Zhapokika ishte qendra e ekonomisë bujqësore e drejtuar për vite me radhë nga treshja: Zoto Lama, Muharrem Kanushi e Bashkim Myslymi. Në mbarëvajtjen e punëve të kësaj ekonomie, krahas kryetarit Muharrem Kanushi,  kanë kontribuar edhe Skënder Muçi, Myfyt Sela, Reshat Çela, Ferrik Mahmutaj, Sadedin Dalani, Muharrem Doko etj. Të shumtë kanë qenë edhe specialistët e ardhur nga jashtë ekonomie: Kristaq Bërxholi, Jorgo Kromidha, Agim Paza, Mihal Dralo, Kristaq Misha, Flamur Meçe, Avdul Ruçi, Bujar e Moza Kapllani, Behari Lulo, Mojsi Sala, Adriatik Mateli, Izet Çela, Barjam Kërpi, Teme Hoxha, etj. Të palodhur janë treguar edhe specialistët e kuadrot e fshatit: Gjon e Aseni  Caca, Mustafa, Gëzim, Shefqet e Kujtim Kabashi, Agron, Pëllumb e Flamur Mera etj. Fuqia më e madhe në bujqësi, blegtori e frutikulturë kanë qenë njerëzit e thjeshtë, burrat e gratë punëtore, të rejat e të rinjtë energjikë. Ata ishin me qindra por, për shpirtin e palodhur ndaj vendlindjes, veçojmë: Skënder, Haredin e Teme Kabashin, Veli, Çelo e Selam Meraj, plakat e nderuara Lala Rrodha, Pashako Mera, etj.  Një pjesë e tyre nuk rrojnë më. Shumë të tjerët janë shpërndarë brenda e jashtë vendit duke filluar nga 102 vjeçari Hajredin Sela e deri tek më të rinjtë e këtij komunteti.

 

Dy fjalë për popullsinë dhe territorin e këtij fshati:

 

Vitet 1923 1927 1945 1969 1979 1989 1995 2001 2021
Banorët  469 491 510 772 1029 767 680  347 182
Familjet    97 100 129 158   210 170 152   78   43

 

Për Zhapokikën, nga statistikat e vitit 1995, krahas popullsisë, evidentohen edhe këto të dhëna:  tokë bujqësore 332 ha, nga të cilat: 275 ha arë, 20 ha pemishte, 21 ha vreshta e ullishte e të tjerat tokë jobujqësore. Në vitet ‘80 rënia e numrit të banorë vjen si rezultat i krijimit të fshatit të ri Ballaj me 342 banorë.

Zhapokika ka qenë zona me vendburimet më të pasura të qymyrgurit. Së bashku me Pellgun e Luftinjës oto ishin thesaret më të rëndësishme të industrisë minerare. Krahas drejtorit të parë të Minierës së Qymyrgurit Hate Adush Alimemaj, kontribute kanë dhënë edhe specialistë e drejtues të tjerë të këtij fshati, si: Xhemal Kanushi, Muharrem Caca, Petrit Mera, Njazi Memisha, Celo Mera etj. Fabrika  e Pasurimit në Sektorin III i ngjante një qyteze të vogël. Vlerat më të mëdha në nxjerrjen e qymyrgurit u takojnë zhapokjotëve. Ata ishin me dhjetëra: Jaho, Sulo, Astrit, Satedin e Ismail Alimema, Nuro, Bashkim e Veiz Rrodha, Barjam e Njazi Memisha, Brahim, Estref, Mehmet, Mato e Qemal Caca, Haki, Jaçe, Skënder, Kastriot, Muharrem, e Zenel Mera, Selman e  Zeqo Kanushi, Kadri, Gani e Pelivan Bishani etj. Heronjë të heshtur mund të quhen minatorët e fiseve Rrodhaj, Alimemaj, Memishaj, Kanushaj, Cacaj, Meraj. Disa në punë e sipër edhe janë lënduar e plagosur: Tasim e Medin Alimema, Luan e Sabri Mera, Arshi Bishani e Teme Kabashi, por mirënjohja më e thellë shkon për ata që dhanë jetën e tyre e që u flijuan thellësive të nëntokës për të mos vdekur kurrë, si:  Reshat Kanushaj, Dule Rrodhaj, Enver Memishaj, Sami Tafaj, Ali Kabashi, Hajri Ballaxhiaj e Gani Kanushi.

Djemtë e fshatit Zhapokikë kanë luftuar e punuar me mish e shpirt në të gjitha kohërat, me qëllim që fshati i tyre t’u mbijetonte të gjitha përballjeve e vështirësive të panumërta. Zhapokjotët (sofra zhapoqote),shpërndarë brenda e jashtë atdheut, bëjnë përpjekje që vendlindjen të mos e harrojnë, që trojet të mos vjetërohen, që gjithçka të ripërtërihet e të zhvillohet.