“Mallëngjyer po vij unë,/Të puth, të bie në gjunjë, /Dhe të çmallem Badra ime, /E lavdishmmja, plot kujtime.” Barjam Tare DURMISHAJ

Në jug-perëndim të fshatit Buz, rreth 2 km larg qendrës, në lartësinë mbi 300 m mbi nivelin e detit ndodhet Badra. E vendosur mes Përroit të Kuq e atij të Tavajt, me një pamje panoramike të përkryer, ku maja e Sukezës dhe e Karkanjozit (810 m) i japin pozitës gjeografike të këtij vendbanimi të hershëm përmasa e vlera të admirueshme.
Badra, dikur lagje e fshatit Buz, shkëputet prej tij në vitet ‘80 dhe shpallet fshat më vete. Aktualisht është pjesë e Njësisë Administrative Buz, Bashkia Memaliaj. Kufizohet me Buzin Qendër, Bardhaj, Luftinjën e Sipërme dhe Xhafaj. Emri Badër i ka fillesat e veta në antikitet. Vende me këtë emër gjejmë edhe në Kosovë e në trojet shqiptare të Maqedonisë. Nga dëshmitë e Kalasë së Shkupit del se në veri të vendlindjes së Justinianit të Parë ndodhet një fshat me emrin Badër. Këto gjurmë i përkasin shek. IV-VI. Disa toponime në Badrën e Buzit, si: Kosova, Gjurmët e mushkës, varret e vjetra ilire apo vendosja e banorëve të këtij fshati në një teren sa shkëmborë aq dhe strategjik, lënë hapësira për ngjashmëri e lidhje të këtij vendbanimi me trevat e tjera shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë.
Për hershmërinë e banorëve të Badrës flasin gjetjet arkeologjike në vendin e quajtur Kosovë, në Selishte, në Mamaj etj. Në varret e vjetër, mbuluar me rrasa guri, janë gjetur armë luftarake, si: thika, shpata, mburoja e monedha të ndryshme. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punishtet e qeramikës tek Gorrica e Guçes, në Xhelalaj, te Balta e Kuqe etj. Dëshmia më e veçantë në këto troje janë “Dy gjurmët e mushkës”. Ato ngjajnë me gjetjet në Revisht të Buzit dhe me studimet arkeologjike në fshatin Klos të Elbasanit. Sipas legjendës mësojmë “Në kohën e pushtimit osman, Pashai me ushtrinë e tij rrethuan Kalanë. Princesha e kalasë, për të mos rënë në duar të turqve, hidhet me gjithë mushkën mbi një pllakë shkëmbi”. Gjurmët e lëna mbi pllakën e gurtë edhe në Badrën tonë mund të kenë lidhje me dëshminë e kësaj legjende që tregohet në Klos të Elbasanit.
Për lashtësinë e trojeve dhe identitetin e banorëve të saj dëshmi të gjalla janë traditat, zakonet dhe arkitektura e këtij vendbanimi. Shtëpitë karakteristike dykatëshe me avlli, rrethuar me mur guri të skalitur, me oda e dhoma të veçanta i bëjnë këto ndërtesa të dallueshme nga fshatrat e tjera të zonës. Edhe ballkonet e vendosura në drejtim të jug-perëndimit apo kopshtet e parcelat e sistemuara mirë, çdo udhëtari që hedh vështrimin mbi to i krijojnë bindjen se ka të bëjë me një vendbanim të vendosur në kushte të sigurta mbrojtjeje nga pushtuesit. Vlerat e çmuara të këtij vendbanimi kanë mishëruar tek banorët jo vetëm vendosmërinë e treguar në punën e fuqishme e djersën e derdhur në vite, por edhe thjeshtësinë, çiltërsinë e mikpritjen në familje, shoqëri e kudo. Badra me rrethinat e saj kërkon studime më të specializuara. Ndoshta vajza e Astrit Kasëmit, arkeologia Bujare Kasëmi, në të ardhmen mund të vërë në lëvizje institucionet e linjës për të gjurmuar në vendlindjen e saj. Si vende kulti të fesë kristiane janë varret masive të kaurëve tek Shkoza e Dhimos dhe kisha në Durmishaj.
Fëmijët e Badrës do të bënin në këmbë gati 1 orë për të vazhduar mësimet në shkollën e Buzit. Në vitin 1973 edhe Badëra do të kishte shkollën e saj fillore. Disa nga mësuesit që dhanë mësim në këtë shkollë ishin: Hekuran Zaçaj, Muhamet Bakaj, Floreshë Zaçaj, Ahmet Kasëmi, Merjeme e Liri Osmani, Bajame Serjani, Valbona Miçi, Vasilika Nika, Xhemile Dyrmishi, Gëzime Zeka, Hajri Kasëmi, etj. Duhet nënvizuar se mirënjohja shkon për mësuesin e parë të këtij fshati që dha mësim në shkollën e Buzit, për Asllan Kasëmin, por edhe për mësueset Merjeme e Liri Osmani, Ahmet Kasëmi, Petrit Dyrmishi, Nerënxë e Hajri Kasëmi etj.
Banorët e Badrës, si pjesë e pandarë e komunitetit buzjot, janë shquar për vlera të larta patriotizmi e atdhetarie. Në të gjitha ngjarjet historike burrat trima të këtij fshati kanë dhënë ndihmesën e tyre të pakursyer për lirinë e pavarësinë e Atdheut, nga të cilët veçojmë:
Sadik Kasëmi : Mori pjesë aktive në çetën e Buzit në luftë kundër pushtuesve osmanë në vitet 1878-1890. Edhe në vitet 1910-1914 ai dhe buzllinjë të tjerë do të rreshtoheshin me çetat e Reiz Skëndit e Çerçiz Topullit në luftë kundër andartëve grekë. Sadiku do të kontribuonte edhe në shpalljen e Pavarësisë e në mbrojtje të Qeverisë së Ismail Qemalit.
Hajro Sadik Kasëmi: Emigroi 10 vjet në Amerikë. Ishte pjesëtar aktiv i shoqatës “Vatra”, atje mësoi shkrim e këndim e mjeshtërinë e punës. Kthehet nga kurbeti në vitin 1919 duke sjellë me vete edhe abetaret e para. Ai mundësoi zhvillimin e tregtisë, shtoi kopenë e bagëtive, ndërtoi një mulli bloje te Përroi i Kuq etj. Zgjidhet në këshillin zonal të luftës çlirimtare dhe nisi partizan djalin e tij, Haki Kasëmaj bashkë me vëllezërit Veli, Selfo e Asllan Kasëmi.
Haki Kasëmaj: Në moshë 15 vjeç me një trup të zhvilluar, i fortë e me sy të ndritur, shpalosi vlera. Bashkë me xhaxhanë, Selfon, hodhën pushkën krahut e dolën malit për liri. Inkuadrohen në Batalionin “Baba Abaz” e më pas në Brigadën V Sulmuese. Pas çlirimit Hakiu përfundon studimet ushtarake dhe shërbeu një jetë të tërë në radhët e ushtrisë shqiptare, duke kryer detyra të rëndësishme. Në Elbasan ishte komisar brigade me gradën “Major”. Bashkë me Razien lindën, rritën dhe edukuan 9 fëmijë. Hakiu ishte njeriu e ushtaraku model. Vendlindjen e donte me shpirt. Ai mbetet një figurë e nderuar dhe e respektuar për krahinën.
Selfo Sadik Kasëmaj: Në vitin 1943 doli malit për lirinë e atdheut. U rreshtua në Brigadën V Sulmuese, ku mori pjesë aktive për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës. Plagoset në LANÇ, duke mbetur invalid për gjithë jetën. U martua me Kolen, me të bijën e Llane Hamitit, trimi i Çetës së Gllavës.
Xhafo Avdo Osmanaj: Varfëria, së bashku më vëllanë Faslliun, u imponoi qysh fëmijë të punojnë te të tjerët. Pas vitit 1935 ndodhet me punë në Himarë, Vlorë, Tepelenë. Mori pjesë në LANÇ, duke dhënë kontributin e tij në radhët e Brigadës VIII Sulmuese. Pas çlirimit edhe pse i sëmurë punoi në ndërmarrje të ndryshme e në minierë. Ishte i ndershëm e i sinqertë në shoqëri, një familjar model e baba plot dhembshuri. Ai la pas një emër të mirë në fis, në fshat e krahinë.
Baro Myftar Dyrmishaj: Si gjithë të tjerët në vitin 1917 edhe kjo familje, me forcën e armëve kundër pushtuesve austohungarezë largohet nga trojet e veta e nisen drejt Delvinës. Zeneli lindi në rrugë e sipër në fshatin Luzat. Në kampin e Delvinës shpërthyen revoltat, në gusht 1918 kthehen në fshat. Tare Dyrmishi më 1920 merr pjesë me armë në dorë kundë pushtuesve italianë, ndërsa në vitin 1943 Shefiti doli partizan duke mbetur yll i pashuar për lirinë e Atdheut. Edhe vëllai i tij Tefiku, partizani i Brigadës V Sulmuese, luftoi deri në Vishegrad ku u plagos duke mbetur invalid për tërë jetën.
Pjesëmarrës në LANÇ nga Badra kanë qenë Shefit, Sefer e Tefik Dyrmishi, Selfo, Haki, Asllan e Veli Kasëmaj, Xhafer e Ceno Osmanaj etj. Njëri prej partizanëve, Shefit Dyrmishi ra Dëshmor i Atdheut.
Disa shifra për numërin e banorëve të fshatit Badër:
| Vitet | 1945 | 1969 | 1979 | 1989 | 1995 | 2001 | 2020 |
| Familjet | 18 | 27 | 32 | 35 | 21 | 20 | 4 |
| Banorët | 61 | 84 | 96 | 105 | 88 | 46 | 18 |
Mbi 25 familje badërjote banojnë në Tiranë, ndërsa në Elbasan, Fier, Vlorë e Berat janë më pak. Sipas statistikave të vitit 1995 Badra ishte me 21 familje e 88 banorë, tokë arë 57 ha arë, shkollë fillore, kopsht fëmijësh etj. Badra ka dy lagje të mëdha: Kasëmaj e Dyrmishaj. Sipas regjistrimeve të vitit 1945 kemi këto familje kryesore: Në lagjen Kasëmaj: Ramadan Qazim Kasëmaj (1925), Alush Muharrem Kasëmaj (1926), Selman Dule Kasëmaj (1885), Hajro, Veli, Sefedin, Dine, Selfo e Asllan Sadiku, Hani Dajlan Kasëmaj (1880), Barjam Yzeiri, Shahin e Ramadan Qazua, Alush Muharremi, Shero Sakua e Caush Kasa. Ndërsa në lagjia Dyrmishaj: Zenel Riza Durmishi (1917) Tare Barjam Durmishi (1873), Faslli Beqo Osmani (1895) Xhevaire Osmani (1905) dhe fëmijët e saj: Shaniko Veli Osmani, Hake Veli Osmani (1935), Ramadan Veli Osmani (1935) e Eqerem Veli Osmani (1941), Haredin Mersini, Kanan e Sefer Osmani, Baro Myftari, Riza, Shefit, Zenel e Tefik Dyrmishi.
Duke qenë më pranë qendrës së Buzit, mundësia e njerëzve të Badrës për t’u shkolluar nuk ka munguar. Me dhjetëra djemë e vajza kanë mbaruar shkollat e mesme e të larta. Disa nga këta janë ngarkuar edhe me detyra të rëndësishme: Ushtaraku Eqerem Osmani arriti deri drejtor i Drejtorisë së Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes, Asllan Kasëmi : sekretari i këshillit në LANC, sekretar lokaliteti e kryetar i kooperativës së Buzit, Barjam Dyrmishaj shef regjimenti në Elbasan, Haki Kasëmaj komisar Brigade, Tefik Riza Dyrmishi shef i degës ushtarake Elbasan, inxhinieri mekanik Ramadan Osmani kreu detyra të rëndësishme në qytetet Kuçovë dhe Poliçan, dr. Hysni Kasëmi shef i seksionit të shendetësisë e i klinikës dentare Tepelenë etj.
Si drejtues i pushtetit në ekonominë e Buzit, detyra më lidhte edhe me Badrën, por veprimtaria e qëndrimi i admiruar i banorëve të atij komuniteti në punë, familje, shoqëri e kudo kish bërë që rrallë të zbrisja atje. Për të gjitha familjet vlerësimet ishin nga më të mirat, por ai që shquante në drejtimin e punëve, me korrektësinë e zbatimit të ligjeve e rregullave të shtetit ishte i palodhuri dhe i kudondodhuri Asllan Kasëmi. Nuk e teproj kur them se ai, neve të qendrës, na bënte “zgjimin”. I papërtuar në kryerjen e detyrës, i veçantë në komunikimin me njerëzit dhe shembullor si nëpunës i administratës shtetërore në mbajtjen e dokumentacionit. (Kaligrafia e tij dhe nënshkrimi “A. Kasëmaj” më shfaqeshin sa herë insistoja për një shkrim të bukur tek nxënësit). Duke çmuar e vlerësuar shpirtin e garës tek njerëzit e fiseve në Durmishaj e Kasëmaj, veçoj edhe qetësinë e Sulo e Ali Kasëmit, urtësinë e Ilmi Durmishit, korrektësinë e mësues Ahmetit e Petritit dhe përkushtimin maksimal në fushën e dijes të dr. Hysniut, i cili si të vetmen rrugë për të mbijetuar me krenari në këtë botë tejet të vështirë, çmonte e çmon armatosjen me dije e njohuri shkencore.77
Kur shkruan për Badrën, një vend të merituar në historinë e saj zënë edhe gratë fisnike e punëtore të këtij fshati. Të rralla e të veçanta jo vetëm në punë e shoqëri, por edhe si si nëna shembullore e familjare të zonja. Burrnesha të vërteta do të ishin nënë Hanua e Xhevaire Osmani. Xhevaires i ra fati të ishte burrë e grua në familje. Ajo do të ishte anëtare e Këshillit Nacionalçlirimtar dhe nënkryetare e organizatës së gruas në Buz. Krahas grave, me mirënjohje kujtohen burrat e drejtë e të ndershëm të këtij fshati : Dinia dhe Bejazja që lindën, rritën dhe edukuan 13 fëmijë, Xhelali, Ganiu, Alushi e Dania e deri tek më i riu, ushtaraku, Agim Kasëmi si dhe Zenel, Izet e Shefqet Durmishaj, ekonomistja Drita Kasëmi, Astriti, Serjani e Hajri Kasëmi etj. Në vitet e para të ndryshimeve demokratike, djali i Badrës Ahmet Kasëmi do të kryente detyrën e kryetarit pluralist të Këshillit të Bashkuar Buz. Disa nga drejtuesit e pushtetit në fshat ishin Asllan, Hajri e Sokol Kasëmi, Ilir Osmani, etj.
Për Badrën mund të flitet e shkruhet pambarim, por ajo që më shtyu më shumë për t’i zgjatur këto radhë ishte edhe insistimi i Bajames (bashkëshortes time), e cila punoi për gati dy vjet si mësuese në atë fshat. Me mirënjohje ajo kujton: Nalon, Bukurinë, Shazen, Bejazen, Kolen, Shaken, Fekon, Bejushen, Haxhirenë etj., të cilat shquheshin për sjelljen e çiltër e shpirtin e lartë human jo vetëm ndaj punonjësve të arsimit e shëndetësisë, por edhe ndaj çdo nëpunësi e njeriu që punonte në shërbim të jetës së tyre. Bejaze Kasëmi ose Aneja, në 98 vitet e saj shfaqi vetëm cilësi e vlera nga më të çmuarat. E thjeshta, bujarja, gojëëmbla! Cili udhëtar që kaloi te Porta e Madhe nuk u ul te sofati i saj? Kush nuk shijoi nga dora e saj një kafe, një gotë dhallë, një fetë bukë me gjalp dhe në ikje një degë borziloku që ajo i rriste me shumë dashuri?78(Gazeta”Trebeshina” prill 2021)
E për ta mbyllur, një mirënjohje e veçantë shkon për djalin e Badrës, për ushtarakun Barjam Durmishaj. E nisëm paraqitjen e historikut me vargjet e tij, i cili mbetet i veçantë nga gjithë të larguarit në vite. Ai shquhet për mallin e dashurinë e trojeve ku i ka rënë koka, për Buzin e Madh, për krahinën, vlerat e çmuara dhe njerëzit e saj. Të gjitha këto Barjami di t’i ndajë me të tjerët e sidomos me brezin e ri, t’i pasqyrojë mjeshtërisht në gazetën “Trebeshina” dhe në librin “Buzi i Madh”.
