
Kryetari i Shoqatës “Tafil Buzi”, Medin Duro u takua sot pasdite, datë 14 Qershor 2023 me kryetarin e Shoqatës “Beslidhja Gorare”, Koçi Tahiri. Në takim u diskutua rreth shkëmbimit të eksperiencës dhe modaliteteve të bashkëpunimit midis këtyre shoqatave me tradita e zakone, pak a shumë të njëjta, por dhe për përfshirjen e Shoqaqës “Tafil Buzi” në këshillin koordinues midis shoqatave simotra, ku aktualisht bëjnë pjesë përfaqësues të disa shoqatave të tjera të Shqipërisë Juglindore, si Shoqata “Kolonja” me kryetar Dragush Butka (fis i Sali Butkës), Shoqata “Opari” me kryetar Arjan Jaupllari (zv/Ministër i Bujqësisë), Shoqata “Mokra” me kryetar Ramadan Kllogja (rapsod popullor), Shoqata e “Vakëfëve” me kryetar Petrit Zeneli (studjues, historian), etj. Krahinat dhe fshatrat në të cilat shtrijnë veprimtarinë e tyre këto shoqata social-patriotike përfaqësojnë, si me thënë, jo vetëm ajkën e traditave dhe zakoneve më të mira të vendit tonë, por janë njëherësh edhe zona të mbushura në çdo pëllëmbë të tyre me ngjarje, kulturë, lavdi e histori mbreslënëse qysh nga lashtësia deri më sot.




