“Vila Sofia”, agrobiznesi që ringjalli zonën e Buzit…

“Vila Sofia”, agrobiznesi që ringjalli zonën e Buzit…

Nga Feti ZENELI

fetizeneli@yahoo.com

 

Kur udhëton nëpër vende të njohura, për të takuar njerëz me të cilët ke ndarë disa nga hallet dhe gëzimet e jetës në një kohë të vështirë, emocionet vijnë në shumë mënyra dhe ta pasurojnë shpirtin hap pas hapi. E vetmja gjë që shkon pa u ndjerë në raste të tilla është koha e udhëtimit, pavarësisht largësisë dhe gjëndjes infrastrukturore të rrugës. Duket sikur makina bëhet me krah fluturimi dhe kujtesa nxjerrë kokën në dritare për të parë shumëçka që sytë nuk po arrijnë ta shohin më, sepse kanë kaluar vite të tërë ndryshimesh. Ndërkohë edhe imagjinatës më të fuqishme do t’i mbushej balli plotë djersë nga sikleti i mosparashikimit të asaj që ka ndodhur në këtë distancë vitesh…

 

***

 

Ishte ditë e shtunë, 12 Korrik 2020. Kohë pandemie, siç dihet. Prej javësh ishim bërë personazhe të një jete të ngrirë, sikur sa hap e mbyll sytë, dikush na kishte shtyrë në arktik. Çoroditja, vetmia dhe frika kishin “konfiskuar” gjithë hapësirat e “hipotekuara” të shpresës. Sapo kishim dalë nga izolimi i detyruar për shkak të Corona Virusit, por situata vazhdonte të ishte e rëndë. Ankthi dhe pasiguria të shoqëronin kudo, ndaj ndjenja e gëzimit dhe kënaqësisë në jetën e përditshme ishin tepër të brishta. Kumti, ftesa, njoftimi bëheshin më të vështirë për t’u përcjellë, se sa për t’u formuluar, sepse edhe fjala nuk qarkullonte aq lirshëm, sa më parë. Jo për shkak të mjeteve teknike të komunikimit, por për arsyen njerëzore të të mos bërit “shkak”… Rituali dhe tradita kishin mbetur pa përqafime dhe duarshtërngime të ngrohta shpirtërore. Gjithëçka mblidhej e çmbështillej lëmsh në zemrën e gjithsecilit.

Sidoqoftë në raste të rralla ceremonish familjare e shoqërore, guximi kishte filluar të kapërcente pragje, kufij të ngushtë lagjeje e qyteti, madje të të ftonte miqësisht, që të shkoje disa kilometra larg vendbanimit, sidomos në zonat rurale, kur pasiguria nuk ishte më i vetmi shoqërues i sigurt në krahun tënd. Banorët e këtyre vendeve e përjetonin pandeminë “on line”, kryesisht nëpërmjet asaj që shihnin në televizor. Megjithatë një pjesë e këtyre zonave, siç ishte dhe Gëllava e “tre Çukave” të njohura, ku unë po shkoja, vuanin një izolim tjetër, atë të mungesës së investimeve publike në infrastrukturën rrugore, ndoshta dhe më të tmerrshëm për shkak të zgjatjes në kohë. Çuditërisht, e njëjta situatë edhe këto tre dekadat e fundit në periudhën e zhvillimeve demokratike, për një aks që dikur lidhte qëndrat e rëndësishme tregtare antiko-mesjetare nga Berati në Gjirokastër e mandej në Janinë.

Por bir i këtij fshati, biznesmeni i njohur, Hetem Barjami, kishte vendosur “të thyente akullin” dhe ta çante këtë izolim me forcën modeste të një investimi privat. Pa filluar ende mbyllja e detyruar për shkak të pandemisë, çifti Barjami la Tiranën dhe u zhvendos në Gëllavë, ku nisi ndërtimin e një bujtine të pagëzuar me emrin e mbesës (vajzës së djalit) “Vila Sofia”, në trojet e të parëve të tij. Mjaftuan 3-4 muaj pune intensive dhe gjithëçka ishte gati për t’u inaguruar në prani miqësh e njerëzish të tjerë, që t’i do zemra afër, sidomos në kohë të tilla si këto të pandemisë, pse jo dhe për të pritur vizitorët e parë.

Ky ndërtim mund të jetë ngjizur me idenë e një shtëpie banimi për rehatimin e familjes së zgjeruar tashmë me nipër e mbesa, siç janë shprehur më vonë në intervista të ndryshme çifti Barjami, por tradita e veçantë e mikpritjes, për të cilën shquhet tërë krahina e Buzit, dhe intuita sipërmarrëse, janë bërë shkak i ndryshimit të destinacionit, qysh sa kanë nisur të hapen themelet.

Akti dhe investimi i ndërmarrë ndoshta ishin unikal për situatën e vështirë që po kalonte pothuajse mbarë bota, ku shumica e njerëzve e shtynte ditën me rimburësime pagesash nga shteti. Natyrisht që kjo nuk ishte një zgjidhje e momentit, thjesht për t’u arratisur nga “burgu” i Covid-it, por një vendim i mirëstudjuar, pasi Hetemi dhe Natasha kishin gati 3 dekada biznes në “profesion të lirë”, shumicën e kohës në Tiranë. Mbase mund të ishin larguar edhe më shpejt nga kryeqyteti, për t’u “rehatuar” këtu mes bukurive të natyrës, që zbresin magjishëm, mëngjes për mëngjes, së bashku me diellin prej “tre Çukave” të Gëllavës, por ndoshta shpresonin që të mos kthehen në të njëjtën rrugë, që i kishte detyruar të iknin nga këto troje. Pra, të mos udhëtonin sërish nëpërmjet kalldrëmit të zi dhe pluhurit ngjyrë gri, që në të njëjtën gjëndje infrastrukturore kishte përcjellë prej gati një shekulli me radhë; ngjarje lufte, ovacione kolektivizimi dhe së fundi, edhe ditirambe demokratizimi. Por ata, si biznesmenë të sukesshëm e dinë më mirë se kushdo tjetër, që pritja dhe shtyrja “për nesër” e punëve që duhen bërë sot, nuk janë element suksesi. Ndaj dhe nuk pritën më gjatë, duke parë që edhe premtimet për rrugën Ballaban-Berat, qoftë të qeverisë ashtu dhe të të zgjedhurve zonalë ishin më afër realizimit se sa çdo herë tjetër, në këto 30 e ca vite demokraci…

 

***

 

Si bir i atyre anëve, e njoh mirë atë rrugë dhe atë zonë, pasi për 4-5 vite rresht, nga ’83 deri në ’87-ën kam punuar si Shef Finance në ish – Kooperativën Bujqësore Selckë, fqinje me atë të Gëllavës. Në Selckë, ku Hetemi erdhi të drejtonte Degën e Planit të kooperativës, nis dhe njohja ime me të. Në fillim të vitit ’88, kur unë u transferova me punë si redaktor i Gazetës “Lajmëtari”, miqësia jonë do vazhdonte edhe më e fortë në Tepelenë, pastaj në Tiranë, për të mbetur e tillë edhe sot e kësaj dite. Ndërkohë rrethanat e sollën, që udhëtimi im nga Selcka në Tepelenë për në punën dhe profesionin e ri, të kalonte nga Gëllava. Nuk më kujtohet saktë dita, por ishte mes shkurti i vitit ’88. Ndërsa po bëja dorëzimin e detyrës së shefit të Financës, shoh të futet në zyrë ish-zv/kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Tepelenë, Tomorr Malaj i shoqëruar nga shefi i Kuadrit të këtij komiteti, Bedri Serjani.

-Po bën dorëzimet, -më tha Tomorri, pasi u përshëndetëm me njeri – tjetrin, -por nuk ke ku shkon pa ndihmuar pak edhe xha Samiun (Sami Ajdini – shef Finance në Gëllavë), që të mbyll bilancin. Mbaro shpejt dhe do shkojmë bashkë në Gëllavë. Pastaj prej andej drejt e në Tepelenë…”

Ishte hera e parë që zbrisja në qendër të fshatit Gëllavë, ndonëse rreth e rrotull kisha qënë me qindra herë. Zyrat e ish-kooperativës ndodheshin vetëm pak metra më lart vendit ku ngrihet sot “Vila Sofia”. Pas 32 vitesh po rikthehesha sërish në të njëjtin vend, natyrisht me një tjetër arsye, pavarësisht se në të dy rastet motivon “gjesti miqësor” dhe shpirti njerëzor. Tek po kaloja në krah të zyrave të dikurshme, instiktivisht ktheva kokën, që më mbeti ashtu pas edhe disa metra më tej, pasi në vend të ndërtesës pashë një pirg rrënojash. Me sa duket ishte forca magnetizuese e kujtimeve të dikurshme mbreslënëse, por dhe ngrirja e pavullnetshme e shikimit përballë rrënimeve “gjurmlënëse”, pavarësisht se nuk isha më i papërgatitur për pamje të tilla. Aktualisht në këto zona të thella, ka më shumë rrënime se ndërtime. Koha tashmë e vjetëron me shpejtësi këtë lloj informacioni. Po të flas më gjuhën e profesionit të parë, kemi të bëjmë me llogari të një bilanci negativ, që zor se gjendet “Financier” ta mbyll, po qe se nuk del ndonjë “Ekonomist” të investojë…

E vetmja gjë që nuk kishte ndryshuar përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore ishin bukuritë natyrore, të cilat binin edhe më shumë në sy, për shkak të dritës e gjelbërimit stinor në atë ditë të nxehtë korriku. Këtu dehesh me blerimin e natyrës, ajrin e pastër, aromën e çajit dhe sherebelit, etj.

“Tre Çukat” e Gëllavës janë monumentet e kësaj bukurie, të këtij “kryevëndi”. Është një bukuri që flet me gjuhën e lashtësisë dhe të historisë së veçantë njerëzore. Ka të paktën 15 shekuj që flitet kjo gjuhë, por që gradualisht ka filluar të harrohet, sidomos në këto vitet e demokracisë. Sepse gllaviotët kanë nisur të mësojnë gjuhë migrimi dhe emigrimi kudo në botë. Janë larguar prej këtej gati 90 për qind e banorëve të fundviteve ’80. Një situatë që nuk sqarohet me asnjë përgjigje, sado thellë shpirtit të dalë, sado e argumentuar që të jetë. Në fund të fundit: “Fjalë, Imzot, fjalë!…”. Fjalë ngushëlluese, të ndara nga njerëzit dhe sendet që përfaqësojnë. Fjalë që nuk e kanë peshën e “gurit të rëndë… në vendin e vet”, apo forcën e duhur të ndjeshmërisë, që të virbojnë shpirtin si; “vendlindje”, “trashgimi”, “atdhedashuri”; por edhe “traditë”, “fisnikëri”, “mikpritje”, “mundësi”… Se zemra lodhet njëlloj si trupi, ku i vetmi melhem është fjala me urtësinë e saj; fjala e njeriut të vërtetë, që më së shumti e gjen larg zhurmës dhe reklamave joshëse të qytetit; ja atje në Gëllavë, Selckë, Buz…, duke ndërtuar e restauruar nën “vëzhgimin e vazhdueshëm” të kohës, si në “Viti 1984” të George Oruellit, sepse; “kush ka në dorë të shkuarën, ka në dorë të ardhmen, kush ka në dorë të tashmen, ka në dorë të shkuarën”….

***

Ndërkohë si pakuptuar kishim hyrë në territorin e fjalës të lidhur me punën, ku goja ja lë vëndin dorës, shpirtit dhe mendjes. Përballë kishim Hetemin dhe gjithë familjen e tij; njeriun që të ofron buzëqeshjen në vend të fjalëve. Janë ato raste, kur “puna flet vetë”, mjafton të jesh i vëmëndshëm gjatë vizitës së ambienteve të ndërtesës, mënyrës së aredimit, cilësisë se paisjeve të përdoruara, e kështu me radhë. Gjithëçka ishte në vendin e vet, vendosur në mënyrën më të mirë të mundshme; me shije, bashkëkohësi dhe largpamësi, edhe pse ndodhemi në ditën e parë të aktivitetit të këtij biznesi, ku thjesht do zhvillohet një ceremoni inguruese me miqë e të ftuar të familjes Barjami. “Pjata e parë”: Gëzim, hare dhe buzëqeshje!. “Pjata e dytë”, po ashtu! Pastaj, “e treta”, “e katërta”…, nuk kishin shumë rëndësi. Njerëzit ndjeshin të ngopur; me mall, dashuri, kujtime e përqafime vëllazërore.

Shumëkush që ndodhej aty, kryesisht bashkëfshatarë e bashkëkrahinarë të Hetemit, mesa duket kishin harruar se ç’kishin lënë pas dhe çfarë i priste kur të ktheheshin, teksa gëzonin e festonin sikur “Vila Sofia” të ishte shtëpia e të gjithëve, “pronë e përbashkët”. Fillimisht mendova se, ky perceptim optimist, mbase krijohej për shkaqe subjektive, që lidheshin me miqësinë dhe dashamirësinë time të hershme ndaj Hetemit dhe familjes së tij. Por fjalë e shprehje të tilla uruese si: “Qofsh i bekuar, që po i kthen shpresën gjithë krahinës së Buzit!”, më jepnin në drejtë në konstatimin e bërë. Gjithësesi, mund të gabonin sytë, por jo zemra. Sepse, po aq sa për investimin e realizuar, Hetemi përgëzohej edhe për iniciativën e ndërmarrë, për hapin e hedhur drejt rikthimit në vendlindje; pra për faktin që po bëhej shëmbull frymëzimi. Shpesh në jetë, na qëllon që të mbetemi pasiv e të parealizuar, duke na mbuluar mjerimi dhe prapambetja, thjeshtë për mungesë të një shembulli të tillë. Krahina e Buzit, ku bënë pjesë edhe Gllava e “Vila Sofia”, e ka shumë të domosdoshëm këtë lloj udhërrëfimi, për shkak të braktisjes masive që ka ndodhur, pothuajse në çdo fshat të saj. Sidoqoftë, jemi ende në ditën e parë, rrethuar nga optimizmi “i pa fre”, që prodhon shpirti, zemra e tradita në raste të tilla. Të shohim çdo të ndodh më tej. Por pak skepticizëm, gjithësesi dukej …

***

E enjte, 19 janar 2023. Ende nuk janë mbushur tre vite të plota nga dita e inagurimit të “Vila Sofia”, krahasuar me atë fillim korriku të 2020-ës. Duhen të presim edhe 5-6 muaj të tjerë. Në përbërje të Shoqatës “Tafil Buzi” më krijohet mundësia të vij sërish këtu, këtë herë “në palcë të dimrit”. Ishte një aktivitet i përbashkët, edhe me pjesmarrjen e këngëtarit të mirënjohur buziot, Ylli Baka. Përgjithësisht, isha i informuar për arritjet mbreslënëse të këtij biznesi, qoftë drejtpërdrejtë nga miku im i vjetër Hetemi, ashtu dhe nga media, shkrimet apo kronikat e të cilës e përshkruajnë me superlativa rrugëtimin e bërë. Cilësime të tilla duken pak të fryra në pamje të parë, por po të kemi parasysh kohën e shkurtër, pengesat dhe vështirësitë e njohura infrastrukturore të zonës; s’ka diskutim, që për “Vila Sofia”, gjithëçka tregohet me vërtetësi dhe realizëm.

Pati një moment gjatë aktivitetit të mësipërm, kur së bashku me shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur, Thanas Dino qëndruam pak vetëm me Hetemin. Qe çasti kur plotësova dhe apdeitova informacionin, që ishte shumë herë më i bollshëm, se sa ai që dija. Nuk u besova veshëve kur dëgjova shifrën e rreth 3000 turistëve të huaj që kishin vizituar “Vila Sofia”, në harkun e pak muajëve. Të shumtë në numër, por një pjesë e mirë edhe “me klas” e cilësi, përsa i përket vendeve nga vinin. “Shumica, -thotë Hetemi, -janë nga vendet perëndimore; anglezë, amerikanë, hollandezë, danezë, gjermanë, spanjollë, francezë, austriak, italianë, zviceranë, suedezë, belgë, finlandezë, norvegjezë… Nga vendet e lindjes më pak; kryesisht çekë e polakë; por edhe letonezë, bjellorusë, ukrahinas, pakistanezë… nga gjithë bota. Nuk kanë munguar as ata nga Brazili, Alaska, Zelanda e Re, etj. E pëlqejnë shumë natyrën e zonës; relievin, pyjet, bimësinë, produktet bio, ajrin e freskët me “0” lagështi…”.

Teksa dëgjon këtë panoramë shifrash e faktesh me turistë të huaj, në një vend apo zonë, ku “të huajtë” e fundit, parë në këto anë, ndoshta kanë qënë ushtarët pushtues të Luftës së Dytë Botërore, s’ka ç’të duhen tregues të tjerë, qoftë dhe ata për numrin e madh të vizitorëve apo turistëve vendas, ku në krye qëndron Tirana; e pasuar nga Berati, Fieri, Gjirokastra, Elbasani, etj., por që nuk mungojnë as qytetet bregdetare, si; Vlora, Durrësi e Saranda.

Ç’ne gjithë ky interes, për një vend, ku siç e kemi përmendur herë pas herë, mungon infrastruktura minimale?! Ç’rol ka këtu natyra dhe sa i plotëson “mungesat” e saj, dora e njeriut? Apo ndoshta gjithëçka duket e jashtëzakonshme këtu, për shkak se s’ka me ç’të krahasohet rreth e qark?

Këto e shumë pyetje të tjera do të të dalin përpara herë pas here, deri sa të bindet edhe skeptiku më i fundit, se nuk po fantazojmë në asgjë; përkundrazi kemi ende shumë gjëra të tjera për të thënë.

Treguam pak më sipër për Hetemin; familjen, jetën, punët, biznesin në Tiranë…, por talenti dhe shpirti sipërmarrës i tij shfaqin një dimension të ri, prej “babaxhani”, këtu në vendlindje. E “vodha” këtë term nga një status fb i Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Frida Krifca: “Me Hetemin, babaxhanin e Vila Sofia në Gllavë, diskutuam mbi interesin e madh të vizitorëve për të zbuluar bukuritë e zonës, si dhe rrjetin e bashkëpunimit që ka krijuar me barinj e fermerë për të furnizuar bujtinën me prodhime të zonës…”.

Sa i gjetur ky term! Hetemi është vërtetë një biznesmen “babaxhan”. Jo dhe aq për llojin dhe masën e investimit, se sa për vendin ku ka investuar dhe impaktin pozitiv që ka krijuar nëpërmjet këtij investimi në të gjithë zonën, qoftë edhe duke mos i futur fare në llogari, fjala vjen; rreth 50 mijë euro për shtrimin pjesor me bitum dhe 100 kamion zhavor për riparimin e një segmenti rrugor prej 5 km; shpenzime këto të nxjerra nga xhepi i tij, ndërkohë që të tjerët, jo më lekë, por edhe fjalën e mirë, zor se e nxjerrin nga goja. Se, ca nuk dinë të mendojnë mirë, sepse kështu janë edukuar tërë jetën; të tjerët nuk duan, sepse janë ziliqarë, zemërliqë e mosmirënjohës. Por jeta kjo është!…

Duke mos u ndalur tek rastet individuale, që janë frymëzuar për t’u rikthyer me investime sado të vogla në krahinë, qëndrojmë edhe pak tek impakti i përgjithshëm social-ekonomik që ka krijuar kudo “Vila Sofia”. Mendoj, se edhe vetë sjellja e qeveritarëve dhe të zgjedhurve karshi krahinës ka ndryshuar prej saj. Ata nuk vijnë më si turistë elektoral, po për punë. Sepse janë bindur që ka mundësi dhe resurse; ka sipërmarrës të një formati ndryshe nga ata që shohin interesin e ngushtë vetijak dhe investojnë e sponsorizojnë vetëm në tregun komercial, pa përfillur interesat bazike të shoqërisë dhe komuniteteve. Ndërkohë mund të themi me bindje, se “Vilas Sofia”duhet të jetë bërë një ndër shkaqet, për të mos thënë kryesori, që projekti i rehabilitimit të Rrugës Ballban-Berat të jetë gati për zbatim shumë shpejt.

Nga ana tjetër, në saj të këtij biznesi, qysh prej dy vitesh, menysë së aktiviteteve të Bashkisë Memaliaj, i është shtuar dhe ai i çeljes së sezonit turistik. Ky i sivjetshmi, do të jetë i treti. Edhe më i begatë se dy të parët.

Po të shkosh tani në Gllavë tek “Vila Sofia”, Hetemin e gjen atje mes punëtorësh. Po shtohen kapacitet akomoduese. “Vitin e kaluar në muajtë e verës, -thotë ai, -në ditë të caktuara nuk kishte dhoma bosh për turistët e huaj, ndaj po shtoj 5 dhoma druri dhe një sallë eventesh. Në vazhdim kemi projekte dhe me ambicioze shtimi e zgjerimi të kapaciteteve”. Gjithëçka është e kuptueshme, ndërkohë që guida turistike e “Vila Sofia”; me “Shkëmbin e Bardhë”, “Ujvarën dhe Urën e Gigovës”, “Lisin me tri zemra”, “Liqenin e Komarit”, “Çukën e Gllavës”, “objektet e kultit”, “tunelet e komunizmit”; dorë më dorë e gojë më gojë, ka shkuar deri në skajet më të largët të globit, si sugjerim për të tjerë, i atyre që i kanë parë e shijuar këto mrekulli natyrore.

 

***

 

…Në kthim ndalëm për pak çaste në Malas. Fishkëllima e erës, që vjen që nga mali i Tomorrit, grindet me shpatet e “Çukave të Gllavës”, për të zbritur si fllad mbi çatinë e “Vila Sofia”, poshtë në fshat. Ndoshta Hetemi ka ndaluar këtu jo si vizitorë, por me idenë e ndonjë projekti të ardhshëm. Është e pamundur që ky vend stragjik, ku janë bërë plane lufte, dhe nga vet Skënderbeun e strateg të tjerë ushtarak, vendas e të huaj, t’i ketë shpëtuar plan-biznesit të njeriut, që

në më pak se tre vite nisi të bëjë historinë e rigjallërimit të një krahine të tërë, siç është Buzi, me plotë 28 fshtara dhe një territor diku tek 180 km2.

 

DESTINACIONE TURISTIKE

 

MONUMENTE NATYRORE TË BUZIT

Nga Prof. Dr. Lavdi HASANI

 

Krahina e Buzit bënë pjesë në Bashkinë Memaliaj, dhe në tërësinë e saj përmbledh 28 fshatra, dikur dy njësi vendore më vete, ish-Komuna Buz dhe Luftinjë. Kjo trevë e banuar nga njerëz të mrekullueshëm, ku liria, ndershmëria dhe drejtësia janë konsideruar thelbi i shpirtit dhe i tërë qënies së tyre, ngërthen në vetvete, edhe një sërë monumentesh dhe ish-monumentesh natyrore, që jo vetëm mund të përdoren si atraksione shumë sinjifikative për zhvillimin turistik të zonës por, nga ana tjetër, ato shërbejnë si dokumentarë të historisë, traditave dhe vlerave të vetë rajonit dhe popullsisë së kësaj treve. Fshatrat e Buzit, me malet, çukat, kodrat, grykat, honet e shkëmbinjtë gjigandë; me pyjet, pllajat, livadhet, lëndinat e fushat pjellore; dallohen jo vetëm në planin gjeostrategjik, por dhe për  peizazhin e bukur, për vlerat e shumta mbi e nën tokësore dhe ato turistike. E gjitha kjo hapësirë karakterizohet nga një biodiversitet i pasur, që vjen si rezultat i faktorëve fiziko-gjeografikë dhe evolucionit historik.

Padyshim, në kushtet e zhvillimit të turizmit malor, s’ka se si të mos përmendim fillesat e  vargmaleve Trebeshinë-Dhëmbel-Nëmërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto; Malin e Trebeshinës dhe atë të Shëndëlliut. Këto dy vargmale e kanë fillesën pikërisht në trevën e Buzit.

 

MALI I TREBESHINËS

 

Mali i Trebeshinës me një lartësi prej 1922 m në Majën e Dejanit shtrihet prej Qafës së Kiçokut në veri e deri në Grykën e Këlcyrës në Jug. Ka një gjatësi të përgjithshme prej 20.5 km. Në relievin e tij dallohen: Maja e Vërtopit, Maja e Surinit, Maja e Dërrasës dhe Maja e Dushkut (aty mbi Këlcyrë). Kurrizi i tij vjen gati i sheshtë me amplituda të vogla të lartësive relative dhe është shumë i përshtatshëm për hiking sidomos në sezonin e verës. Aty rritet bima mjekësore e çajit të malit (Siderites herba). Duhet theksuar se këtu, në këtë gjini kemi një sërë llojesh, e ndër to përmendim Siderites scardica, që gjendej në sasi të konsiderueshme dhe dallohet për cilësitë mjaft të mira. Duke qënë një mal me kurriz gati të sheshtë, për mbledhjen e kësaj bimësie aty ngrinin çadra e punonin me muaj të tërë shumë grumbullues bimësh mjekësore, madje të ardhur deri prej rajoneve të Beratit. Por nga qe ai mal kalohej edhe nga makinat (si rezultat i ekzistencës së rrugës nga prezenca në majën e tij të një pike strategjike ushtarake), kjo pasuri u shfrytëzua barbarisht dhe sot është rralluar konsiderueshëm. Ndër zonat më të thepisura të tij janë; Gurët e Nikosit, Biga e Oborreve, Guri i Korbit, etj. Në të gjenden disa gropa që njihen me emrin Gribot, kanë përmasa të ndryshme dhe karakterizohen nga 3-5 m thellësi. Njëra prej tyre mbi fshatin Arrëz e Vogël ka një sipërfaqe prej rreth 750-800 m2. Në anë të saj gjendej një lis shumë i madh që njihej më emrin “Lisi i Vërtopit”. Me këtë toponim ky vend thirret edhe sot.

 

LISI I VËRTOPIT

 

Ky lis, mbaj mend nga vogëlia, kishte  një kurorë shumë të madhe dhe një trung që për ta rrokur duhet të bashkonin duart 3-4 burra. Ai mbahej si një pemë e shenjtë, çudibërëse.

Qysh prej Lashtësie, Lisi është një nga pemët më të shenjta. Ai simbolizon forcë, mbrojtje, qëndrueshmëri, guxim, besnikëri, njeri (trupi i njeriut). Lisi shpesh lidhet me Perënditë e Bubullimës dhe konsiderohet si emblema e Perëndive të Qiellit dhe Pjellorisë. Po kështu, ai mund të simbolizojë edhe vetëtimën e zjarrin. Rrënja indo-evropiane e fjalës “lis” është identike me rrënjën e fjalës “pemë”. Lisi po ashtu konsiderohet edhe si një simbol i lashtë i jetëgjatësisë, i fuqisë mashkullore, mençurisë, forcës dhe qëndrueshmërisë.  Për më tepër, ky dru është një simbol i prosperitetit, pjellorisë dhe energjisë shpirtërore. Lisi i kushtohet Zeusit, Thorit, Perunit dhe Perëndive të tjera të Bubullimës. Altari i Zeusit ishte i rrethuar nga lisat, dhe po ashtu, një korije lisi u rrit edhe rreth Tempullit të Perunit. Për nder të Perun, zjarret nga degët e lisit digjen vazhdimisht. Sipas disa besimeve, Krishti u kryqëzua me një kryq lisi, i cili ishte bërë prej lisi, agrena ose aspen. Nën hijen e lisit të Mamrianit, Zoti iu shfaq Abrahamit. Ai njihet si pema e shenjtë edhe midis keltëve dhe sllavëve. Në Krishtërim, lisi është një simbol i Krishtit, si një forcë që shfaqet në telashe, në qëndrueshmëri, besim dhe virtyt.

Si e cituam më lartë, një misticizëm të tillë gëzonte edhe Lisi Vërtopit. Më kujtohet aty rreth pranverës së vitit 1968, me mësuesit në krye, shkolla na organizon një ekskursion, pikërisht në këtë vend. Pasi u ngjitëm ngadalë e në “kolonë për një” drejt majës së Vërtopit, më në fund mbërritëm pranë Gropës së Gribotit, buzë së cilës qëndronte hijerëndë lisi në fjalë. Kjo gropë ishte tamam si një amfiteatër me bazament të butë aluvional e me bar, tamam si një fushë futbolli. Ushtrimi i riteve fetare në atë kohë ishte i ndaluar, pasi vet feja ishte shpallur e jashtëligjëshme. Megjithëse ne nuk e ndjenim dhe nuk e kuptonim sakt një gjë të tillë, gjithësesi dukej qartë që, në shumë familje, ritet fetare vazhdonin të kryheshin tinëz. Kështu, ndërsa ishim duke luajtur për qefin tonë në ambientet e këtij stadiumi natyror, befas më zë syri dy shoqet tona më të rritura që kishin vajtur pranë trungut të kësaj peme dhe po kryenin disa rituale, për mua disi të çuditshme. Nuk bëra zë, pasi e njihnim rrezikun, por kuptova, se ato po faleshin dhe kryenin rite religjioze pranë asaj peme të shenjtë. Kjo tregonte se bashkëfshatarët tanë ja njihnin këto veti pemës magjike. Disa prej tyre, në fshehtësi e me kujdes, i bënin objekt bisedash familjare, fakte të tilla. Kjo kishte ndodhur, besoj, edhe në familjet e këtyre nxënëseve, të cilat me kujdes dhe në fshehtësi, ndoshta dhe me porosi të familjarëve, po kryenin ritin e lutjes pranë pemës të shenjtë. Si çdo gjë, edhe kjo pemë u zhduk parakohe nga habitati i saj nga dore e faktorit antropogjen.

 

Mali i Shëndëlliut:

Në krahun perëndimor të Trebeshinës, po ashtu madhështor, shtrihet edhe Mali i Shëndëlliut. Ky mal ka një lartësi prej 1766 m në “Majën e Shëndëllisë” të pozicionuar gati në qendër të gjatësisë së tij. Ai fillon në luginën e Lumit të Maricaj, vazhdon me një ngritje të butë deri në lartësinë e këtij fshati dhe më andej lartësia rritet më vertikalisht deri në majën e tij më të lartë. Ai në anën jugore të tij bashkohet me binjakun e tij, Malin e Trebeshinës në një qafë me lartësi të konsiderueshmë që quhet “Qafa e Mezhgoranit”. Më andej të dy bashkë mbyllen nga rrjedha e Lumit të Vjosës në “Grykën e Mezhgoranit”. Duke qënë së ai nis më në jug se ai i Trebeshinës, ai ka edhe një gjatësi më të shkurtër, rreth 14 km. Ky malë si edhe Mali i Trebeshinës kanë si karakteristikë kryesore se në to rritet me sasi bima mjekësore më cilësore në vendin tonë që është ajo e çajit i malit (Siderites herba ); – Duhet theksuar se në këtë gjini kemi një sërë llojesh, ndër to, në malet në fjalë gjendet me sasi Siderites scardica. Ky malë nuk ka maja të tjera veç asaj kryesore  por  ka si karakteristikë prezencën e puseve ujëmbajtës. Faqja lindore e këtij mali, nën efektin e rrezeve të diellit të mëngjesit dhe rezervave ujore nëntokësore që ai mban, ndihmon në një rritje më masive e më të harlisur të kësaj bime mjekësore. Kështu, kur ishim fëmijë, së bashku me prindërit tanë, ngriheshim herët në mëngjes dhe niseshim për grumbullimin e kësaj bime në këtë malë. Shfrytëzimi i kësaj pasurie në mjediset e këtij mali, për vetë terenin e thyer të tij, ishte më e vështirë. Për këtë arsye prindërit na mbanin tërë kohës pranë e nën kujdes për t’i paraprirë çdo aksidenti të mundshëm. Si edhe e theksuam më sipër ky malë karakterizohet nga prezenca e rezervave ujore nëntokësore. Ndër format më të përhapura të këtyre rezervave ujore janë puset dhe hinkat karstike me përmasa relativisht të vogla në diametër nga 1 – 3 m dhe me një thellësi deri 4 – 16 m. Këto gropa nuk kanë rrjedhje sipërfaqësore.  Ndër to më të përmendura janë  Gropa e Pusit dhe ajo e Serëzës. Këto hapësira karstike në forma shpellore 7 – 12 m të thella  në këtë malë janë vetëm dy; “Shpella e Sulos” dhe “Shpella e Ariut”.

 

Gropa e Pusit ose Pusi Shëndëlliut:

Eshtë një pus shumë i njohur nga çdo visitor i atyre mjediseve.  Edhe unë kam kujtimet e mia lidhur me të. Kur shkonim për grumbullimin e bimëve medicinale në këtë malë, në pushimin e drekës, gjithë bujtësit grumbulloheshim rreth këtij pusi për vaktin e drekës me gjithë ç’kishim marrë me vete. Por në atë vapë vere dhe pas një pune jo pak të mundimshme, gjëja e parë që na tundonte  ishte pikërishtë shuarja e etjes. Vetëm pas kësaj mund të të vente mëndja dhe të uleshe për të ngrënë. Kështu bëmë edhe ne. Kujtoj që lidhëm dy – tre rripa mesi bashkë për të zhytur në ujin e posit e për të mbushur pagurët tanë. Pusi me një diametër në grykë prej rreth 1.5 m nuk ishte më i thellë se rreth 2.5 – 3 m. Në momentin që përgatiteshe për të shuar etjen më së shumti ngeleshe i zhgënjyer. Dhe përse gjithë kjo ?!

 

Sepse uji i këtij pusi, e pabesueshme por më se e vërtetë, ishte jashtëzakonisht i ftohtë. Kjo jo vetëm se temperaturat e trupit dhe ambientit ishin tashmë më së të larta, por edhe pse temperature e këtij uji ishte shumë e ulët. Në gjykimin tim temperatura e ujit të tij duhet të ishte aty midis 4 – 10 gradëve celësiues. Por, edhe sikur kjo temperaturë të ishte në maksimumin që vrehet në kësi rastesh të ngjashme, deri në 12 o C, përsëri kontrasti me temperaturën e trupit tonë apo me atë të mjedisit e bënte të papërballueshëm përdorimin nga ne të këtij lëngu vital. Kështu nxorëm enët tona të mbushura me uji dhe i vendosëm t’i rrihnin  në maksimum  rrezet e diellit përvëlues të stinës. Mezi duronim sa uji i thyente pak vlerat ekstremisht të ulëta të temperaturës së tij dhe fillonim të shijonim pak nga pak lëngun e jetës. Pas kësaj më në fund shtronim dhe shijonim drekën me menunë e paracaktuar.

 

 

Çukat e Gllavës:

Më së miri dhe në mënyrën më të plotë për vlerat e këtij monumenti natyror shkruhet në sajdin e vet Bashkisë së Memaliaj ku ky resurs bënë pjesë. Ja çfarë shkruhet aty:

“Çukat e Gllavës janë klasifikuar si monument natyre. Ato ndodhen në fshatin Gllavë të njësisë administrative Buz në Bashkinë  Memaliaj, 45 km larg vetë qytetit  të Memaliaj.  Fshati Gllavë është një nga më të vjetrit në gjithë vendin. Ai ka ekzistuar që në shekullin e pestë të Erës Sonë, rreth 1500 vjet më parë.  Përmendet si emër në një dokument pronësie të Peshkopatës së Ohrit që në fillim të shekullit të XI. Maja më e lartë e Çukave të Gllavës shtrihet mbi 1000 metra lartësi, nga ku mund të shohësh në 360 gradë ishullin e Sazanin, qytetin e Fierit, Beratin, Kuçovën, Tepelenën, Memaliajn, Gjirokastrën, Delvinën, Sarandën, etj. Në to të qetësohet frymëshkëmbi-mi dhe harron që je aty, sepse shpirti të shkon aq lart sa të duket se, kur librat e shenjtë përmendin parajsën, përshkruajnë pikërisht këto vise.

Ngjitja për në majën e Gllavës gjarpëron aq bukur duke dhuruar një panoramë mahnitëse. Nga lartësitë e Gllavës, në Mars të vitit 1942, Benito Musolini drejtoi operacionin e 28 të Divizioneve të Armatës së Nëntë Italiane, në frontin e Luftës Italo–Greke. Si pika më e lartë e Jugut në Majën e Gllavës u vendosën për herë të parë antenat e kompanive telefonike dhe aty janë akoma dhe sot.  Dikur në këtë pjesë ka qenë rruga antiko-mesjetare, e cila dallon nga gjurmët e kalldrëmta që shfaqen herë pas here përgjatë saj. Ajo lidhte qendrat e rëndësishme tregtare të asaj kohe, që vijonin nga Berati në Gjirokastër e mandej në Janinë. Kjo bënte që fshatrat përgjatë kësaj vije të ishin mjaft të zhvilluara, si rezultat i tregtisë dhe shkëmbimit. Ky fakt ruan akoma elementë të kulturës dhe sjelljes njerëzore në këto vende, ku më së shumti spikat mikpritja.”

Të gjithë pothuajse kemi udhëtuar për në qytetin e Janinës  të vendit fqinjë – Greqisë, dikur qendra administrative e pashallëkut të Janinës nën zotërimin e vet Ali Pashë Tepelenës . Në rrethinat e Kallpaqit, në faqen e një kodre, të bie menjëherë në sy një parrullë e madhe “OXI”. Pikërisht aty është vija më fundore  ku fronti pushtues i ushtrisë së Duçes u thye përfundimisht nga luftëtarët grek. Pas kësaj fitimtarët, nisur nga kushedi ç’arsye, e ndoqën nga mbrapa ushtrinë italiane deri sa ata rifituan rezistencën me frontin e krijuar midis këtyre dy grupimeve në rajonin e Buzit. Ndërsa fronti grek kishte kapur lartësitë e Malit të Trebeshinës, ai italian i përgjigjej nga Çukat e Komarit nën komandën edhe të vet Duçes (siç është përmendur edhe më sipër). Parë nga lartësitë e Trebeshinës grekët shquanin frontin kundërshtar mbi një nga tri majat e larta e të rrumbullakosura në formën e gjysmë-kokrrës së një veze. Pikërisht për këtë morfologji të tyre grekët i quajtën “avgatë” (vezët). Sot ato njihen edhe me emërtimin vendas “Tri Çukat e Gllavës” por edhe me emrin e “pagëzuar”tashmë nga ushtria greke “Tri Avgat e Gllavës”. Në njerën prej këtyre pikave gjendet dhe e ashtuquajtura “Pema e dashurisë”.  Për shkak të kësaj beteje të ashpër, vetë banorët e zonës përfunduan muhaxhirë nëpër shpella e fshatra të tjerë dhe fshatra të tërë u rrafshuan. Kur, për shumë arsye,  shkelnim në lartësitë e Trebeshinës ne bëheshim dëshmitarë të prezencës së gjyleve të artilerisë italiane, sa një bojë njeriu, mbetur si trofe të pashpërthyera të kësaj lufte në ato anë. Më vonë barinjtë , duke i ngritur në këmbë, i përdornin ato edhe si kolona mbajtëse të rrethimit të vathave të bagëtisë.

 

“Pema e dashurisë”:

Një tjetër monument natyror, ndoshta jo i vetmi ndër  më të rinjtë në zonën e Buzit, është edhe “Pema e dashurisë”. Ajo ndodhet në lartësitë e njerës prej Çukave të Gllavës. I vetmuar dhe krenar aty qëndron një lisë shumëvjeçar që mban të gdhendur në trungun e tij figurën e një zemre. Thuhet se kjo pemë ka qënë prezente në atë vend qysh para Luftës së Dytë Botërore kur aty kishte zënë vend fronti i ushtrisë italiane. Thuhet gjithashtu se, ushtarët italian, të gjendur largë familjeve dhe të dashurave të tyre, kanë gdhendur në trungun e pemës këtë symbol dashurie. Kjo e besueshme po të mbajmë në konsideratë edhe preferencat dhe pasionet romantike tashmë të njohura të italianëve. Me rritjen e pemës janë rritur në mënyrë të konsiderueshme edhe përmasat e kësaj simbolike të dashurisë njerëzore. Thuhet po ashtu se çiftet që lidhin martesë dhe që e kanë mundësinë ta vizitojnë këtë pemë e bëjnë pikërisht aty edhe premtimin dashuror.

Cilatdo qofshin komentet lidhur me këtë objekt ai tashmë është kthyer në një resurs mjaft interesant e atraktiv.

Shkëmbi i Bardhë:

Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve është një monument natyror që  gjendet mes gjelbërimit të pyllit të dendur në fshatin Buz Kalemaj të njësisë administrative Buz, Bashkia Memaliaj. Është i lartë 15 metra dhe i ndarë në tri pjesë masive nga një çarje në formën e shkronjës “T”.

 

 

 

Shkëmbi është shumë interesant për madhështinë e tij apo edhe për terenin ku ai gjendet, gjë që në pamje të parë nuk gëzon karakteristikat e një tereni shkëmbor.

 

 

Bunkerë dhe tunele të komunizmit :

Bunkerët dhe tunelet e komunizmit në zonën e Buzit janë dëshmi e të kaluarës komuniste në vend, dhe janë ndërtuan me qëllim mbrojte. Ato janë realisht  objektet natyrore më të reja me vlerë ekoturistike në këtë zonë. Në rajonin e Buzit ndodhen 6 bunkerë me përmasa jo të zakonshme me largësi rreth 30 km larg qytetit Memaliaj që është kryeqendra e kësaj bashkie. Dy bunker ndodhen në fshatin Gllavë,  dy bunkerë në fshatin Komar dhe dy  bunkerë në fshatin Arrëz e Vogël. Teksa dikur ishin planifikuar si objekte për mbrojte në rast lufte, sot bunkerët janë atraksion turistik.

 

 

Tunelet (Bunkerë) të Arrzës së Vogël janë edhe me të mëdhenjtë dhe kanë si karakteristikë se janë me hyrje – dalje të pavarura pra në formën e shkronjës “U”. Dikur ata ishin të mbushur , njëri me shumë municione të rënda , kurse tjetri me karburant. Ky i fundit nga një rrugë mbi tulelet mbushej me karburant dhe në një pikë më të ulët se vet ai kishte saraqineskën e shkarkimit. Në rrëmujën që kaloi vendi në vitin e mbrapësht 1997 gjithë ky karburant u vodhë nga kontrabandistë të dalë jashtë kontrollit të shtetit.

 

Shkëmbi i Dokos:

Aty, buzë luginës së lumit të Maricaj, pranë fshatit Tosk-Martallos, ndodhet një shkëmb i madh brenda të cilit ekziston një shpellë e thellë. Sipas gojëdhënave të deritshme thuhej se aty nuk ka mundur të futet asnjë eksplorator. Bile edhe ata që e kishin ndërmarrë një iniciativë të tillë kishin dështuar. Dhe arsyeja na qënkësh se, sa tenton të futesh në të, një zhurmë e fortë mistike, shurdhuese dhe e padurueshme të bënë të kthehesh mbrapsh. Njerëzit gjykonin se ndoshta në thellësitë e kësaj shpelle duhet të ketë koloni të mëdhaja bletësh dhe shumë mjalt. Pikërishtë kjo zhurmë vinte nga këto koloni masive të këtij insekti. Por ç’dim sot për Shkëmbin e Dokos? Tashmë është evidente se aty nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një shkëmb brenda të cilit fshihet një shpellë por edhe me ekzistencën e një kishe brenda kësaj të fundit.

    * Kisha në shkëmbin e Saliaj (Dokos) në Maricaj: Afër fshatit Maricaj në brendësi të Shkëmbit të Dokos (më herët është quajtur Shkëmbi Saliaj), që arrin lartësinë 20 m, në faqen e prerë si me thikë, gjëndet një guvë e madhe. Sipas banorëve, dikur ishin një palë shkallë prej druri me anën e të cilave, nga jashtë, mund të ngjiteshe deri tek hyrja e shpellës. Faqet e saj janë të mbuluara me piktura murale të vjetra shënjtorësh. Në Maricaj gjurmët e besimit kristian janë ende të pranishme. Emërtimet “Kryqi i Sipërm” dhe “Kryqi i Poshtëm” si simbolika të krishtërimit përforcojnë mundësinë e ekzistencës së kishave e të besimit kristian. Si gjurmë krishtërimi në Maricaj mund të interpretohen edhe “Çezma e Dhimajve” rreth 800 m larg Kryqit të Sipërm dhe disa varre të hershëm. Në kishën te “Shkëmbi i Dokos” gjenden ikona të shumta të Krishtit dhe të Shën Marisë, të cilat ruheshin në gjendje shumë të mirë. Ndoshta nga kjo kishë e hershme në shkëmb, me ikona të Shën Marisë, ka marrë emrin dhe vetë fshati Maricaj. Duke udhëtuar nëpër këtë zonë nuk është e vështirë të provosh prezencën e besimit kristian, i cili ka lënë gjurmë të thella në Buz e kudo në Tepelenë. Një kishë tjetër në një pozicion të ngjashëm me “Shkëmbin e Dokos” në Maricaj ndodhet në Kalivaç, buzë Vjosës .(Thanas Hoda ”Rrugët e jetës më shpien në Labovë” fq.87-88).

  1. Ura e Gigovës:

Ura e Gigovës atraksion kulturor, ndodhet në fshatin Selckë e Vogël të njësisë administrative Buz, bashkia Memaliaj. Gjendet në shtrirjen midis maleve të fshatrave Selckë e Madhe – Komar të bashkisë Memaliaj dhe maleve të fshatrave Zhapokikë dhe Panarit të bashkisë Berat.

Aty rrjedh dhe uji i bekuar i Gigoves i cili ka prurje të pashtershme dimër behar.

Mendohet se është ndërtuar 260 vite më parë nga Kurt Pasha i Beratit. Aty rrjedh dhe uji i bekuar i Gigovës i cili ka prurje të pashtershme gjatë stinës së dimrit dhe verës. Për shfrytëzimin e ujit të tij masiv e të pastër Kristal në vitin 1971 u ndërtua një hidrocentral i vogël që furnizonte me energji fshatrat; Selckë e Madhe,Terpan, Panarit dhe Selckë e Vogël.

Sot kjo urë për veçantinë që mbart shërben si atraksion kulturor për vizitorët.

 

 

Liqenet artificiale:

Liqeni i Komarit në fshatin Komar, Liqeni i Rozeçit (apo i Arrzës së Vogël; shpesh thirret dhe Liqeni i Golemaj e që ndodhen pranë fshatrave të mësipërm), Liqeni i Shalsit po i njësisë administrative Buz, apo edhe Liqeni i Izvorit në njësinë administrative të Luftinjës, etj. janë pjesë e teritorit të Buzit në Bashkinë Memaliaj. Ndodhen në të shumtën e rasteve në distancën  mbi 25 km larg qytetit Memaliaj. U ndërtuan kryesisht aty midis viteve 1960 -1980 për të mundësuar vaditjen e tokave, ndërsa sot këto rezervuare shërbjnë si atraksion natyror ku vizitorët mund të zhvillojnë sporte të ndryshme si peshkim, not, lundrim me kanoe, etj. Shumica e tyre shtrihen në rajone të virgjëra natyrore. Vlerat relaksuese pranë këtyre mjediseve janë të patjetërsueshme.

Liqeni i Komarit                                                     Liqeni i Rozeçit

 

Rrënojat arkeologjike të kalasë së Rabies:

Në jugperëndim të fshatit Rabie të njësisë administrative Luftinjë, bashkia Memaliaj në kodrën e Rabies ndodhen rrënojat e kalasë së Rabies (një kala antike e antikitetit të vonë). Kalaja ndodhet në majën më të lartë të kodrës shkëmbore, në lartësinë 880 metra midis fshatit Rabie dhe luginës së Përroit të Luftinjës (degë e lumit Vjosë). Ky vendbanim sipas të dhënave historike daton që në epokën e hekurit.

 

Mullinjtë e shumtë:

Në fshatin Selckë e Madhe ka pasur disa mullinj të vendosur në burimet e Gigovës ku nga kjo edhe sot këtij vendi i ka mbetur emërtimi “Mullinjtë e Shumtë”. Ata bluanin me ujin e bollshëm të burimit të Gigovës (rreth 60 litra uje/sek, rreth 3 km larg fshatit). Deri në vitet 1960, dalloheshin rrënojat e disa mullinjve. Në punë ishin vetëm dy. Thuhej se ishin në pronësi të Teqesë së Memaliajt, derisa u shpronësuan. Mulli ka pasur, po aty, edhe Arif Haxhiu e Avni Shehu nga Selcka e Madhe. Aty bluanin drithin fshatrat, Selckë e Madhe, Selckë e Vogël, Arrëz e Vogël, Shalës, Golemaj, Buz, Komar, Llokovë, Bardhaj, por edhe disa fshatra të Përmetit, si:  Mazhaj, Bubësi; fshatra të Beratit, si Dodoveci, Liqedhi, Panariti, Çorrogjafi, …etj. Aty vinin edhe nga fshatrat e Mallakastrës, si: Çorrushi, Kuta, etj.  Nga viti 1945-ë e në vijim si mullixhinjë kanë punuar Hysen Mullai nga Bubësi e pas tij Riza Brahimi nga Selcka e Vogël. Më vonë punuan Zeqo Durmishi dhe Reshat Shehu nga Selcka e Madhe, Ali Ruçi e Refit Iljazi nga Selcka e Vogël dhe Hajdër Jahaj e Qemal Shehu nga Selcka e Madhe, i cili edhe e privatizoi atë të mbetur funksional pas shpërbërjes së kooperativës në vitet 1990. Para ndërtimit të mullinjve me ujë pleqtë tregonin se në Selckë kishte mullinj me erë, por nuk ka asnjë të dhënë të dokumentuar apo gjurmë të tyre.

Mbajmë mend se në shumë raste edhe nga A. Vogël shkonin aty për të bluar drithin. Kur ne i pyesnim prindërit tanë përse preferonin të shkonin aq larg kur një i tillë ndodhej edhe në fushën e Kurtjezës. Dhe ata na shpjegonin se ashtu u delte më mirë pasi e fitonin kohën duke mos mbajtur radhë. Kjo tregon se aty punohej me rendiment më të lartë për vetë energjinë ujore disponibël si dhe për vetë numrin e këtyre mullinjëve.

 

 

Postimet të fundit