Letër profesorit tim të gjuhë-letërsisë, Agim Xhelili

NGA SELCKA NË MONTREAL,

ME VËSHTRIMIN PËRPARA DHE ME MENDJEN PRAPA*

 

Letër profesorit tim të gjuhë-letërsisë, Agim Xhelili

Nga Ajet NURO

 

 

I dashur profesor, do të desha të shprehem pak më gjatë për disa pyetje që më bëtë kur folëm herën e fundit së bashku.

Po ju drejtohem Juve si mësuesit tim, bashkëfshatarit dhe mikut të familjes sime, që më ka ndjekur qysh nga vegjëlia. Koha na ndau të jetojmë larg, por gjithmonë afër me problemet dhe ngjarjet e mëdha të jetës.

Si e kujtoni vendlindjen tuaj, Selckën?

Unë kam studiuar në tre “universitete”: atë të Selckës, të Gjirokastrës dhe atë të Montrealit. Në Gjirokastër isha në vitin e fundit të studimeve duke përkundur ëndrrën e të qenit mëues i diplomuar në gjuhë dhe letërsi. Ngjarjet e vitit 1997 i dhanë fund jo vetëm kësaj ëndrre, por dhe gjithë atyre planeve që kisha thurur për të jetuar dhe punuar në vendin tim. Diploma e vetme që kam është ajo e universitetit të Montrealit, në degën ekonomi dhe politikë. Selcka ngelet “universiteti” më i rëndësishëm i jetës sime, pasi me të lidhet fëmijëria, rritja, edukimi, kalitja me sfida e vështirësi nga më të ndryshmet. Nga familja, gjyshja, babai dhe xhaxhai im, por dhe familja më e gjerë unë kam mësuar shumë. Familja nuk është një fjalë abstrakte, por ajo simbolizon këshilla, konsultime dhe veprime konkrete. Konkretisht, kur në familje duhej bërë ndonjë aksion si mbledhja e ushqimit për bagëtitë për dimër (kur kishim…) babai dhe xhaxhai na mblidhnin dhe diskutohej ndarja e punëve dhe mënyra e veprimit si dhe orët kur do ta realizonim këtë gjë. Xhaxhai im ishte një nga bletërritësit më të mirë jo vetëm të zonës, por edhe më gjerë. Nga ai mund të mësoje shumë, por shtegtimi që u bënte bletëve, ashtu siç e organizonte ai, do të ishte një mësim organizimi edhe për ndërmarrje të mëdha. Por unë nuk kam mësuar veç nga familja. Unë kujtoj xha Zeqon, që ishte një matematikan autodidakt dhe të gjithë habiteshim me shpejtësinë me të cilën ai bënte mbledhjet apo zbritjet, shumëzimin apo pjesëtimin. Unë kujtoj me nostalgji shokët e babait, xha Idaiun, xha Dylon, xha Novruzin apo xha Demirin, por dhe shoqe të mamasë si Beqarja, Bukuria apo Kajamja për të mos i përmendur të gjitha. Kur takoheshin prindërit e mi me ta, unë hapja veshët për të mësuar historira apo qyfyre që ushqenin jetën e atëhershme. Kur flisnin të moshuarit atje tek ne, fjala kishte peshë. Nuk po i përmend të gjithë shokët e fëmijërisë, sepse ata janë të shumtë apo edhe bashkëfshtarët e tjerë me të cilët u rritëm, por nuk mund të rri pa përmendur dy ekipet tona të futbollit: “Bujqësia” dhe “Arsimi” nga ku dilte dhe ekipi përfaqësues i Selckës, që na kishte bërë krenarë në zonë, por edhe në fshatrat e Përmetit, si Ballabani dhe Suka. Në atë kohë edukimi bëhej në familje dhe plotësohej në shkollë. Respekt për mësuesit tanë ndër vite! Por, nëse nuk do t’i bëje gjërat si duhet, vërejtja që “do të haje” ishte “e bëre si filani” dhe tek ne gjeje histori apo analogji për çdo lloj sjelljeje. Ne kemi aq shumë histori dhe ngjarje gazmore, saqë kur tregoj histori nga Selcka, ka nga ata që më pyesin: “More, sa milionë është kjo Selcka jote?”

Pse në Kanada?

Më 1997 shkova në Itali. Italinë e kisha parë si dritare nga ku futej kultura, pasi pothuajse gjithë filmat që transmetonte televizioni i vetëm shqiptar, kishin siglën e RAI-t. Shpejt kuptova se Kanadaja mund të më ofronte diçka më shumë. Pas një viti në Romë, me gjithë familjen (vajza ime, Julia, ka lindur në Romë) u shpërngulëm në Montreal, Kanada. Montreali është metropoli i provincës së vetme frankofone të Kanadasë dhe duke ardhur nga një vend latin menduam për lehtësitë e integrimit dhe, fatmirësisht, pas një viti fillova të flisja frëngjisht, por edhe u aktivizova për të përkthyer për refugjatët shqiptarë që mbërritën në Kanada, për shkak të luftës në Kosovë. Montreali dhe Kebeku, ashtu si gjithë Kanadaja, janë shumë të ftohtë dhe, për të qëndruar dhe jetuar këtu, duhet ta duash këtë vend. Unë e dua aq shumë këtë vend, sa nuk ka të ftohtë që do të më bënte përshtypje. Kanadanë unë e imagjinoja si një vend të pafund (ashtu siç është në të vërtetë…) ku prodhohet grurë dhe drithëra të tjera dhe kaq. Në fakt, Kanadaja është një nga demokracitë më të zhvilluara dhe një nga 7 vendet më të industrializuara të botës. Duke folur për demokracinë kanadeze, parimi i “qeverisjes me përgjegjësi” është një nga karakteristikat kryesore që e dallojnë.

Ç’do të thotë të jesh emigrant dhe sidomos larg në Amerikën e Veriut?

Nuk është asnjëherë e lehtë të jesh emigrant. Larg të dashurve, larg vendlindjes, në një mjedis të ri, gjuhë dhe kulturë të re. Por je i lirë të zgjedhësh, i lirë të studiosh dhe të punosh i paparagjykuar, pa komplekse, me një njohje paraprake të të drejtave dhe detyrimeve, me respekt për pronën dhe njerëzit, asnjë gjë nuk është e vështirë. Në Kanada jeton dhe punon, ndoshta, pjesa më e edukuar e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Perëndim. Kjo falë edhe përzgjedhjes që qeveria kanadeze dhe ajo e Kebekut u bëjnë aplikantëve.

Sa i lidhur je me atdheun?

Nga Italia ka qenë më e lehtë për të ndjekur se çfarë ndodh në Shqipëri, pasi mediat i kushtojnë më shumë vëmendje vendit të vogël fqinj. Kur mbërrita në Kanada, më duhej të shkoja në një bibliotekë për të lexuar në internet se çfarë ndodhte në Shqipëri. Sot është më e thjeshtë. Sidoqoftë, kur je në Shqipëri, e do atdheun, por dashuria për të merr një formë tjetër kur je larg. Kurrë nuk kisha pasur një arsenal me flamuj, veshje kombëtare dhe simbole të tjera, që na lidhin me vendlindjen, siç e kam sot në shtëpinë time. I zënë me punë, shpesh i them vetes të mos merrem me çfarë ndodh në hapësirat shqiptare, por e shoh që nuk më rrihet pa kaluar momente të tëra me lexime apo me edicione lajmesh për të qenë i përditësuar me jetën e vendit tim. Nga ana tjetër, jam tejet kritik dhe i pakënaqur me ritmin sesi ecin gjërat në Shqipëri. Në janar 1991 kam vizituar qytetin “Studenti”, ku ishin shenjat e lëvizjes studentore dhe në një parullë shkruhej: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Pas 30 vjetësh, shqiptarët luftojnë për të njëjtën kauzë, por pa atë entuziazëm.

Dukeni aktiv në komunitetin tuaj…

Nuk mund ta kuptoj jetën time këtu pa miqtë dhe shokët, pa komunitetin tonë këtu në Montreal. Unë krijova në fillim të viteve 2000 uebsitin “Albemigrant. com” dhe më pas “Tribuna Shqiptare”, që doja të ishte pikë referimi për gjithçka ndodhte në hapësirën e diasporës shqiptare. Gjithmonë kam dashur që aktivitetet që bënim këtu, t’i pasqyronim në mediat shqiptare dhe më pas edhe në mediat e diasporës. Këto të fundit kanë një të mirë që nuk janë të varuara, nuk presin ndonjë ndihmë nga qeveria dhe rrjedhimisht të pacensuruara. Kemi fatin që në qytetet ku jetojmë si emigrantë, nuk kemi kufi mes njëri-tjetrit. Ku ka më bukur se të kesh miq nga Librazhdi apo nga Shkodra, nga Vlora dhe nga Kruja, nga Gjakova apo nga Prishtina. Im atë kishte kënaqësi të ndante një gotë raki me një mik a një shok. Këtë dëshirë ma ka transmetuar në gjen. Jam krenar që kam ecur në gjurmët e gjyshit tim, Jaho Sinanit, që ishte aktiv në federatën e famshme VATRA.

Ju shkruani shpesh për diasporën…

Po, shkruaj dhe besoj shumë se diaspora ka shumë për të bërë në atdhe. Çdonjëri prej nesh nuk e la Shqipërinë ngaqë nuk e donte, dhe as që të punonte për të. Jam i bindur se çdo shqiptar e ka lënë Shqipërinë për një jetë më të mire për vete dhe familjen dhe, kur ky qëllim është arritur, ai/ajo mund të mendojë edhe për Shqipërinë. Dhe kur them diaspora mund të bëjë për Shqipërinë, kam parasysh një diasporë të mirorganizuar dhe të emancipuar dhe jo për diasporë që jeton në demokraci perëndimore dhe në praktikat e saj ka ato mënyra organizimi dhe veprimi si dikur… Ne kemi përvojën e shkëlqyer të organizatës VATRA. Sot, në kushtet që jetojmë, një VATËR e dytë, e përkushtuar vetëm për të ndihmuar hapësirat shqiptare nuk është e pamundur. Për ta bërë, duhen gjetur Fan Nolët apo Faik Konicët e kohës.

Çfarë vendi zë politika tek ti?

Kam studiuar politikë dhe më pëlqen politika. Një nga detyrat që i edukohet një qytetari në Kanada është pjesëmarrja aktive në politikë. Si qytetar i mirë që e vlerësoj veten, nuk kam munguar kurrë të votoj. Unë nuk jam marrë ndonjëherë me politikë aktive. Tek-tuk kam ndihmuar fushata elektorale për kampin dhe pikëpamjet politike që unë quaj më afër meje, por kaq. Kënaqësi të veçantë kam ndier kur kam shoqëruar në fushatë elektorale një kandidat shqiptar për deputet në parlamentin federal. Duke studiuar politikë, herë pas here kam bërë krahasime mes politikës shqiptare dhe asaj perëndimore dhe kam shkruar artikuj për ngjarje politike në Shqipëri. Të them të drejtën, unë jam tejet kritik ndaj ecurisë së demokracisë tek ne, tek mungesa e drejtësisë, mosrespektimi institucional i pronës private dhe elemente të tjera, kushte për demokracinë evropiane…

Puna juaj?

Pasi kreva disa punë të ndryshme, u diplomova në vitin 2009 për ekonomi dhe politikë. Fillova punë si këshilltar financiar në një nga institucionet më të rëndësishme financiare në Kanada që quhet Sun Life. Puna ime është të ndihmoj qytetarët të kenë financa të shëndosha, që do të thotë mbrojtje e familjeve të tyre nga ngjarje të papritura, si: vdekja e parakohshme, sëmundjet, invaliditeti, mbrojtja e investimeve siç ëshë hipoteka, krijimi i llogarive të kursimit me avantazhe fiskale, krijimi i planeve për pensionet dhe studimet për fëmijët. Unë jam me fat që kam një mundësi të ndihmoj njerëzit në momentin që ata kanë më shumë nevojë. Nuk besoj se ka profesion më të bukur se ky.

Jeni i suksesshëm?!

Unë kam lindur në Selckë dhe jam edukuar fillimisht aty dhe në Buz dhe këto fakte në vetvete përbëjnë sakrifica, të cilat fëmijëve të mi nuk do t’u duhet t’i bëjnë. Them se me këtë bazë, shto dhe edukimin e shëndoshë të familjes, kudo që të isha sot, do të kisha një farë suksesi. Suksesi nuk ka kufi, por unë jam i kënaqur që jam integruar në jetën ekonomike e sociale të Kanadasë dhe jam aktiv në jetën e komunitetit shqiptar në Montreal. Dua të ndaj me ju një ndodhi: Nga fillimi i viteve 2000, në faqen “Albemigrant” kisha një rubrikë lajmesh, që më dërgoheshin dhe shpërndaheshin automatikisht tek ata që regjistroheshin. Më kontakton një shqiptare nga Ukraina dhe më thotë se ajo dhe djali i saj jetonin në kushte të vështira dhe donin ndihmë nga “vëllezërit shqiptarë”. Lajmi u përhap mes emigrantëve dhe një grup shqiptarësh në Greqi mundën ta tërheqin dhe ta punësojnë. Ndiej kënaqësi që kam bërë listen e bizneseve (faqet e verdha) në Montreal, ku shqiptarët interesohen të punojnë me shqiptarë dhe më pyesin: “Njeh njeri  nga shqiptarët që bën këtë apo atë lloj pune…” Shkova një ditë në një ndërmarrje me pronarë shqiptarë për t’i informuar që ata si ndërmarrje duhet të bënin një plan pensioni për punëtorët e tyre. Një nga pronarët, që është dhe miku im, më pyeti: – Është i detyrueshëm? – Po, i them unë. – Po eja ta bëjmë,- më thotë. Po nuk e bëra me ty, me kë do ta bëj? Janë këto momente që ndihem i privilegjuar t’u shërbej, mes të tjerëve, edhe bashkëkombasve  të mi. Duke qenë i licencuar në dy provincat më të mëdha të Kanadasë, Kebek dhe Ontario, mundësitë janë pa fund. Madje, duke pasur mundësi dhe strategji fiskale, shqiptarët janë më të interesuar se kombet e tjera dhe, fatmirësisht, klientët e mi më të mirë, janë shqiptarët. Unë këtë e quaj sukses. Në nivelin personal dhe familjar, unë jam me fat që shoqen e jetës e kam nga vendlindja, nga Buzi. Asgjë nuk do të kisha arritur, nëse Alma nuk do të më mbështeste në ato që unë kam ndërmarrë.

Sot ne u gëzohemi fryteve të punës sonë dhe kemi dy fëmijë, që ndihen po aq shqiptarë dhe tepelenas sa edhe ne.

Së fundi?

Së fundi, do të doja të përshëndes “emigrantët” e Selckës dhe gjithë buzjotët që janë shpërndarë gjithandej në botë dhe anembanë Shqipërisë. Jam i bindur që ajo dashuri që ndiejmë për vendlindjen ne që jemi më larg, e ndiejnë edhe ata që jetojnë në Tiranë, Vlorë, Durrës apo Sarandë. Ështe sukses për buzjotët që të bashkuar rreth shoqatës “Tafil Buzi” dhe nëpërmjet gazetës “Trebeshina”, që ju përgatisni, mbajnë lart emrin e heroit tonë, që ka vlerësimin “Nder i Kombit” dhe traditat më të mira të zonës sonë. Pa këtë dashuri, asnjë gjë e tillë nuk mund të arrihej. Ne, ngado që të shkojmë, do ta kemi mendjen prapa, atje në  Tepelenë, Buz e Selckë, atje ku nisi gjithçka për ne.

*Botuar në Nr. 60 të Gazetës “TREBESHINA” Mars 2021

Postimet të fundit