LUM KUSH KA E BËN MIQ NGA VENDLINDJA E TAFIL BUZIT!* Nga Ylli ZIÇISHTI

Largimi nga Tirana dhe ngarkesat politike që më shoqëronin ishin të rënda, por shpirti gjeti qetësi e ngrohtësi pranë njerëzve, lindur, rritur e burrëruar në gjoksin e Trebeshinës dhe krahët e Shëndëllisë. Jo vetëm Arrëza, Maricaj e T.Martallozi, por gjithë fshatrat e Buzit mbeten pjesë e pandarë e jetës sime. Nuk besoj se ndonjë vend tjetër do të bënte më shumë sesa bëri Tepelena për mua në vitet ‘80. E kam thënë me dhjetëra herë: “Para buzjotëve e tepelenasve nuk vë të tjerë mbi krye”. Më mbajtën e më trajtuan si birin e tyre. Më pritën me dashuri e mirësi tepër njerëzore. Më vlerësuan e më trajtuan si askush tjetër. Dhe pas 8 vjetësh, kur koha e deshi, më përcollën për në Tiranë. Më nisën pranë familjes më të shëndetshëm, të burrëruar e të kalitur në vështirësi. Kudo gjeta ngrohtësinë e nënës. Një gotë ujë apo dhallë, pak bukë të thekur, një gotë raki ballëkazani dhe fjala e ëmbël shoqërojnë mikun në ato anë. Jo vetëm në 28 fshatrat e Buzit, por edhe në Vëndreshë të Skraparit, Dëshnicë të Përmetit, Bendaj të Plashnikut, Rehovë e Vokopolë të Beratit dhe kudo në Tepelenë kam takuar njerëz me zemër të madhe. Në dhënien e shërbimit mjekësor pata bashkëpunimin e sinqertë të organeve të pushtetit, të ekonomisë dhe gjithë punonjësve të institucioneve shëndetësore të zonës.

Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për gjithë maricjotët: për familjet e fiseve Tringa, Beshika, Vreka, Guci etj, për Aliun e mama Sanien në Velaj dhe për gjithë nënat duararta e shpirtmira të këtij fshati. Në T.Martalloz miqtë e mi ishin edhe më të shumtë: në familjen e madhe Merkaj, në Kasaj, Cacaj e Jaupaj, ndërsa në Vagalat derën e kisha të hapur kudo. Fjalët më të mira për fisin Hoxha, Metaj, Kërbizaj e Bregasi! Në Arrëz të Madhe tek Sami e Selvi Hoxha, Sabri e Gjolek Velaj, në Goxharaj e Ismailaj, në Duraj tek njerëzit e Medinit, Fatmirës e Kaso Bakës e tek të gjitha fiset arrëzjote gjeta mbështetje për mbarëvajtjen e punëve. Në Xhafaj kam qëndruar në çdo shtëpi, por nuk do të harroj mikpritjen e veçantë tek nënë Sherina e Astrit Qemallit, por dhe në Osmanaj, Koçiaj, Cacaj e Hamzaj. Kujtoj me respekt e dashuri Bekim e Teme Hoxhën, drejtorin e shkollës së mesme Petrit Llaka, shkrimtarin Halil Qendro, specialistët Tomas Tuholli, Agim Avduli, Ferdinant Shehu, Zaho Kuka, Pashun Memisha, Luman Boni, Dhiogjen Jorgo etj, të cilët kishin lënë qytetet për të shërbyer në Maricajt.

Nuk mund të rri pa i ndarë arritjet e sektorit të shëndetësisë të viteve ‘80 me bashkëpunëtorët e mi. Mirënjohje pa fund për disiplinën shembullore të Fatmira Duros, Ajet Latës, Refie Velës, Razie e Nadire Shehut, Drita e Dallëndyshe Hoxhës, Liri Koçiut etj, për drejtorin e spitalit të Buzit, dr. Abaz Brahimin, dr. Zeno Jaho, Shuaip Kanushin, dr. Hysni Kasëmin, dr. Lefter Manon, dr. Dilaver Alushin etj. Nuk e tepëroj kur deklaroj se shërbimi shëndetësor në vitet 1980-1990 ishte i shkëlqyer, krahas arritjeve të tjera, në këtë periudhë nuk pati asnjë vdekje 0-1 vjeç. Sukseset, falë edhe mirëkuptimit me personelin e spitaleve Tepelenë e Memaliaj: me dr. Xhafer Majkon, Abaz Progonatin, Behar Nuellarin, Esheref Shehun, Sotir Cekën, Nazmi Velën, Neshet Hadërin etj.

Buzjotët, memaljotët dhe tepelenasit mbeten miqtë e mi më të mirë. Asnjëherë s’më shqetësuan e s’ma hodhën në sy problemin tim politik. Të gjithë më hapën dyertë me bujari e fisnikëri, ndërsa unë me shumë dashuri e besnikëri u hapa zemrën dhe u fala shërbimin mjekësor ditën dhe natën. Respekte pa fund për ata njerëz të fismë dhe me cilësi nga më të arrirat! Lum, kush ka e bën miq nga vendlindja e Tafilit! Le të mbeten këto dy fjalë zemre në librin “Krahina e Buzit dhe Tepelena” si mirënjohja më e thellë për një komunitet nga më të rrallët në jugun e Shqipërisë.

*Marrë nga Libri “Krahina e Buzit dhe Tepelena” me autor Bedri SERJANI

Postimet të fundit