Asim BRAHIMI

 

Nga Asim BRAHIMI

Në një nga takimet në kryesinë e shoqatës “Tafil Buzi” këtë fundtetori u ndodha para një të papriture. Midis të pranishmëve të njohur ishte një burrë i pashëm, me thinja e me syze. Kur më erdhi radha e prezantimit, ai më tha: “Të njoh dhe të mbaj mend, mësues Asimi. Kam qenë nxënësi yt në klasën e pestë në Gllavë!” Këto e të tjera më habitën për memorien e kthjellët që kishte dhe më emocionuan më shumë pasioni me të cilin fliste dhe respekti që ende ruante për gjithë mësuesit e vitit shkollor 1966-1967. Ky ishte biri i Rabies dhe i Tepelenës, siç e quan veten ai me krenari, Daut Vela.

Gjatë bisedës për problemet e krahinës sonë, Dauti hapi çantën dhe na dhuroi botimin e tij të fundit, (pas tetë veprave të tjera me tematikë nga më të ndryshmet), të titulluar “Rabia jonë – dashuri dhe dhembje”.

Libri të bën për vete me paraqitjen estetike, me kopertinën tërheqëse, por mbi të gjitha, me titullin tepër domethënës për vendlindjen, për të cilën z.Daut shprehet që në fillim të librit: “Vendlindja të jep një ndjenjë që nuk e merr askund, të derdhësh lot nga malli për të… Vëllezër e motra rabijotë, dhuroni dashuri njerëzore… dhe mos u varni nga askush tjetër tjetër për të marrë dashuri”.

Materiali i trajtuar në këtë botim metaforikisht “i ngjan një sofre rabijote, të madhe e të begatë, e mbushur me më të mirat prodhime e gatime të atij fshati, duke filluar nga rakia e rrushit pa spërkatje, siç thotë autori, e deri tek revania, bakllavaja dhe mishi në hell, ku rreth saj rrinë rabijotët dhe rabijotet nga të gjithë brezat, për të diskutuar ardhmërinë e Nënës së tyre.”

Rabia jonë, dashuri dhe dhimbje, është vendlindja, që sipas autorit, nuk matet me sy, ajo matet me zemër e vlerësohet me shpirt. Ajo është dhimbje dhe dashuri, ajo është e shenjtë se të solli në jetë…”

Është kjo një nga arsyet pse Dauti e fillon librin e tij me ‘thënie filozofike’ (aforizma) për vendlindjen dhe respektin për të, si p.sh:

“Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen.” – Naim Frashëri

“Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta.” – Sami Frashëri

“Vendlindja është poezi, është dramë, është bukuri, është mrekulli.” – Daut Vela

Ia vlen që në vijim të mendimeve tona të shkruajmë strofën:

… Unë gjithmonë përpiqem të bëj miq,

Por ata nga vendlindja i dua shumë,

Eh, moj vendlindja ime e dashur,

Nuk di çfarë ke injektuar tek unë?…

Dhe t’i japim përgjigje pyetjes retorike të poetit në këtë strofë nëpërmjet mendimeve që do të shprehim. Si djalë dhe prind rabijot, Dauti e do Rabien me gjithçka, që nga antikiteti me qytezën ilire, Gradishtën, me mbishkrime me shkronja helene, që ndodhen në Qendrën Kombëtare Arkeologjike Tiranë dhe në Muzeun e Oksfordit në Angli. “Ky zbulim, sipas prof. dr. Hasan Cekës, i bërë në vitin 1969, në fshatin Rabie, Tepelenë, është i lashtë, i thadruar mbi një bllok guri gëlqeror, me gërma të bukura, të rregullta, ruhet në Qendrën Kombëtare të Arkeologjisë Tiranë…”

Të dhënat për fshatin Rabie datojnë rreth viteve 1800 me rreth 18 lagje, duke vijuar me 6 lagjet vendase të hershme: Dordhaj, Mahmutaj, Muçaj, Sulaj, Tushaj, Ymeraj.

Prej këtej autori përpiqet t’i përgjigjet pyetjes duke u ndalur në rrugëtimin e rabijotëve në rrjedhë të viteve në disa momente kyçe të saj: Për lashtësinë dhe vlerat patriotike të rabijotëve në vite komuna e krahinës së Buzit, për 15 vite rresht (1928-1943) ka mbajtur emrin “Komuna e Rabijes”. Trima rabijotë, si: Adem Mino Fafaj, Ceno Hamit Dovlaj, Halim Feta Ahmetaj, e deri tek Taro Kojdhel Caushaj, rreth 12 burra, kanë qenë përkrah Tafil Buzit dhe Rrapo Hekalit. Veprimtaria atdhetare e rabijotëve është dukur edhe në mbrojtje të Pavarësisë apo në krah të Selam Musait më 1920, luftuan mbi 16 burra trima e patriotë. Rabia dhe rabijotët janë të nderuar që në gjirin e tyre kanë pasur një vatër patriotizmi si Teqeja e Rabies, e ngritur nga Baba Selman Martaneshi më 1909, për të cilin populli këndoi:

“Baballarët të mirë qenë,

Që të gjithë në Tepelenë,

Por në krye, përmbi krye,

Qe Selmani në Rabie…”

Aty kanë shërbyer dhe shumë misionarë të Fesë Bektashiane, por ai që i dha lavdinë, qe Baba Abaz Sherif Memushaj, bashkë me 30 burra të tjerë, që me qëndrimin e tyre heroik, në korrik 1943, pranuan flijimin dhe jo dorëzimin tek pushtuesit italianë.

Rabija në rrjedhë të viteve rritej dhe lartësohej para të tjerëve, bijtë e saj u bënë aktivistë të ngjarjeve të kohës, si: Krijimi i Këshillit Nacionaçlirimtar më 15.10. 1942, me 7 anëtarë. Nga 38 bijtë që morën pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, 7 janë shpallur Dëshmorë të Atdheut.

Pas Çlirimit, bijtë rabijotë i gjen në fronte nga më të ndryshmet: në radhët e ushtrisë dhe policisë kontribuan 13 veta, 15 të tjerë në administratën shtetërore, në drejtimin e kooperativës bujqësore, të këshillit popullor apo rindërtimin e fshatit pas tërmetit të vitit 1969.

Migrimi dhe emigrimi i familjeve rabijote zënë vend të rëndësishëm në libër, gjë që tregon punën sistematike dhe me pasion të z. Daut. Të gjithë rabijotët, kudo që janë, sipas autorit, përpiqen të ruajnë identitetin kombëtar dhe krahinor, me vlerat e tyre . E ndër ta, si pasuri dhe thesar i çmuar, Dauti përmend:

Ezopin shqiptar”, fituesin e Medaljes së Argjendtë në konkurse të zhvilluara në Itali e SHBA dhe të shumë çmimeve të tjera, autorin e mbi 60 librave, fabulistin Ferit Lamaj, veprat e të cilit janë përkthyer në anglisht, frengjisht, spanjisht, italisht, greqisht, rumanisht etj.

Poeti Myfit Shaban Caushi, autor i 6 vëllimeve me tematikë të ndryshme.

Krijuesi dhe studiuesi Fitim Rushan Caushi, autor i 22 librave.

Dhe, pa dyshim, në këtë podium nderi zë vend të veçantë edhe autori i këtij botimi, z. Daut Velaj. Të gjithë janë vlera që tharmin e kanë marrë nga “Nënëmadhja” Rabie, për të cilën duhet të krenohen. Ja pra, të dashur lexues, me këto më sipër i dhamë një përgjigje shqetësimit të poetit: “Nuk di çfarë ke injektuar tek unë?”

Po, i dashur dhe i respektuar Daut! Rabia juaj u ka dhënë gjithçka të mirë nga gjiri i saj. Dhe ti me të drejtë kërkon nga vëllezërit dhe motrat e tua, nga fëmijët, nipërit dhe mbesat, që të mos harrojnë kurrë këtë “Nënëmadhe” dhe të mos u ngjajnë kurrë atyre gojëfarmakëve që thonë: “Do hedh dy gurë pas krahëve kur të iki dhe s’kthehem më!” Ky është një mallkim, kurrë të tilla! Duajeni vendlindjen me dashuri dhe dhimbje, sepse edhe vetë jeta kështu është ndërtuar.

Pasuria shpirtërore dhe intelektuale e rabijotëve është e madhe dhe e pashtershme. Ata japin kontributin e tyre në fusha të ndryshme, si në sport, naftë, fermerë, minatorë, sipërmarrës rreth 14 të tillë dhe rreth 20 të tjerë intelektualë me arsim të lartë: agronomë, mjekë, specialistë nafte, mësues, veterinerë, drejtues të lartë ushtarakë etj. Përgatitja e tyre profesionale dhe aftësitë menaxheriale i bëjnë ata intelektualë dhe drejtues të suksesshëm, duke lartësuar kështu familjet e tyre dhe vendlindjen e shtrenjtë, Rabien. Ja, pra, kjo është një tjetër arsye pse Dauti pyet. E meritojnë të gjithë të respektojnë njëri-tjetrin dhe të gjithë së bashku të respektojnë shoqërinë, aftësitë intelektuale dhe të lartësojnë emrin e Rabies së tyre të dashur, duke u përpjekur që të gjithë së bashku të ndreqin atë që nuk është më e mirë dhe bukur si më parë, sipas kujtesës së autorit.

Në libër gjejmë rreshta prozaikë me frymë romantike si vargjet e Bajronit, Pushkinit e Naimit, kur flet për klimën e mrekullueshme të Rabies. Autori duket sikur fluturon me krahë në mjedisin natyror të Rabies së mbuluar nga gjelbërimi thuajse gjithëvjetor, me burime ujore të shëndetshme, me 300 ditë me diell në vit, me frutikulturë të shumëllojshme, përveç agrumeve. Të gjitha këto me nënproduktet e tyre, si rakia, pekmezi, rehania, vaji i ullirit, nga blegtoria mishi ‘bio’ me shije të pakrahasueshme, dhe me gjalpin, djathin, gjizën, të shijuara në natyrën mrekullisht të pastër, të shtojnë jetëgjatësinë. “Nga vendlindja, thotë autori, përveç ajrit, diellit, ujërave, ushqimeve ‘bio’, merr edhe kujtimet, të cilat duke u kombinuar me këto e bëjnë jetën e njeriut më të qetë dhe shpirtërisht të lartësuar. Këto mrekulli e bëjnë Rabien të dashur për të ndjerë bukuritë e saj edhe për të huajt që kanë filluar të tregojnë interes për ta vizituar dhe shijuar, nismë që duhet shoqëruar, siç është edhe dëshira e Dautit, me investime nga më të ndryshmet në infrastrukturë, mjedise banimi, toka me pemë frutore, etj., etj…

Vlera të veçanta në këtë botim ka kapitulli “Rabia në prozë dhe poezi”. Aty na del Dauti një vëzhgues i mirë i realitetit, që i dhemb shpirti dhe i digjet zemra nga vlerat e shumta të Rabies që sot kanë humbur, janë zvetënuar, prandaj u bën thirrje së brendshmi të gjithëve të vënë dorë mbi këto plagë dhe t’i shërojnë ato. Është kjo arsyeja e antonimisë në titull (dashuri dhe dhimbje), që e bën autorin edhe romantik. Të tillë janë këta autorë. Le të kujtojmë këtu këto vargje të poetit romantik rus, Nekrasovit, i cili shkruan:

…Edhe e varfër, edhe e pasur

Edhe e dobët, edhe e fuqishme

Qenkëshe ti, nënë Rusi!…

Ndërsa realisti ynë i Rilindjes Kombëtare, A. Z. Çajupi, shkruan:

…E dashura mëmëdhe,

Të dua dhe kështu si je,

Po kur të të shoh të lirë,

Do të të dua edhe më mirë!…

Kështu realizmi dhe romantizmi gërshetohen në krijimet në formën e prozës poetike dhe të poezive të mirarrira. Për këto vlera nuk do të zgjatemi shumë , sepse mendojmë t’i kthehemi një here të dytë, por do të ndalemi në detajet tërheqëse në to, ku dhe romantikja i bën shoqëri.

I lindur në një familje, si shumë të tjera, jeta nuk i ka krijuar kushte të mjaftueshme, të cilat Dauti i kujton me dhimbje si është rritur në djep të shtruar me kojs, në mungesë të shtresave, e ka zënë gjumi edhe duke vënë nën kokë një gur apo dërrasë në mungesë të jastëkut. Por me shumë mall flet për përkushtimin e prindërve, sidomos nënave, kur kishin mundësinë t’i ushqenin me bukë të ngrohtë ponice, të lyer me gjalpë e të shoqëruar me rehani edhe me pekmez ‘bio’, siç thotë Dauti.

I lindur mes maleve të Komarit, Gllavës e Zhapokikës, ai i quan vendet e mia, nga Buzi në Trebeshinë e Tepelenë, krenohet për çdo gjë që rritej në Rabie (zerdelia, kumbulla, qershia, mani, thana, molla, fiku, rrushi dhe koridhi i kuq..). I prekur nga fjalët e një shoku të fëmijërisë, “ky vend ka nevojë dhe për ju, mos e harroni, ndihmojeni”, Dauti shkruan me dhimbje për ty, Rabie, dhe u bën thirrje bashkëpatriotëve të hedhin sytë nga vendlindja:

… Thirrja ime shkon për të gjithë,

Kush i thotë vetes rabijot,

Të ndihmojmë sado pak,

Që ta bëjmë Rabien zonjë.

Të dashur lexues bashkëkrahinorë buzjot e më gjerë! Nëse u bie në dorë apo e bleni, lexojeni librin “Rabia jonë – dashuri dhe dhimbje”, sepse Dauti kur shkruan e ndien thellësisht:

… Ti je dashuria dhe dhimbja ime,

Se më solle në jetë kur kishim varfëri,

Më përkunde në djepin prej druri,

Mbushur me kojs, pranë vatrës me hi…

 

Dhe apelon fort:

 

Le t’i bashkojmë që të gjithë zërat,

Keni për të parë se oshëtijnë fort,

Do tundin qeverinë qendrore dhe lokale,

E Rabia atëherë do të ketë zot!

 

 

 

 

 

Asim BRAHIMI

 

 

U lind në fshatin Komar, në 20.04.1943 në familjen e bashkëshortëve Gani dhe Hateme Brahimi. Është djali i dytë i kësaj familjeje me gjashtë fëmijë, i rritur me përkujdesjen prindërore dhe me trashëgiminë më të mirë të genit të fisit Brahimi dhe fshatit të tij.

Është ndër të parët fëmijë të lagjies dhe fshatit Komar, që së bashku me Haxhi Brahimin, Qamil Brahimin, Sadik Bejko, Hasan Kapllani, Ferrik Caushi, Shefqet Bakiaj, Abaz Brahimi, etj., do të ishin lajmëtarët e intelektualëve të ardhshëm, që do të punonin në vende punë të rëndësishme si në arsim, shëndetësi, ushtri, inxhinieri, etj.

Është diplomuar në Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi në vitin 1964 dhe specializuar në kursin pasuniversitar për filozofi.

Ka punuar mësues dhe drejtues në disa shkolla si: Buz, Gllavë, Memaliaj, Tepelenë, Hormovë, Tosk Martalloz. Ka qënë drejtor i parë e Kabinetit pedagogjik të rrethit Tepelenë, hapur në janar 1970, si dhe metodist dhe inspektor në Drejtorinë arsimore Tepelenë nga viti 1997-2002.

Në punën e tij është karakterizuar për ndershmëri e aftësi të larta profesionale në mësimdhënie dhe drejtim, cilësi me të cilat ka fituar respektin dhe simpatinë e mësueve dhe kolegëve.

Me shpërnguljen në Tiranë në 2004, punoi si mësues dhe drejtues në shkollën e mesme jopublike “Elina”. Edhe këtu, për aftësi profesionale, modestinë, thjeshtësinë dhe marrëdhëniet e ngrohta e korrekte me nxënësit dhe kolegët fitoi admirimin dhe respektin e të gjithëve. Kulmi i këtyre veprimtarive arriti me “Projekt 5” dhe paraqitjen e historikut “Elina, një dritare e re në rrugën e bukur të dijes”. Vlerësimi për këto veprimtari janë fjalët e drejtoreshës së shkollës, Valbona Kërçiku: “Ishte fat për mua të kisha profesor Asimin pjesë të stafit. Ai kujdesej deri në detaj për çdo veprimtari, prandaj akoma dhe sot i shohim me endje në R.T.SH. Profesor Asimi i takon një gjenerate që sa vjen e po rrudhet, i takon asaj gjenerate që me të drejtë do ta quamin Shkollë. Njerëz, në radhë të parë, profesionistë, që kanë frymëzuar dhe do të vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata nxënësish, mësuesish dhe mendimtarësh”. E së bashku me këto fjalë shumë domethënëse, në një dhuratë simolike shkruhej: “Profesor Asimi! Përkushtimi juaj është aq i çmuar sa një diamant dhe aq i pafund sa sekondat që do të shënojë kjo orë!”

Asimi ka dhënw ndihmesë si redaktor dhe hartues i historikut të fshatit të tij Komar “Komari në rrjedhën e viteve”. Duke falënderuar grupin e punës dhe bashkëpunimin e shumë bashkëfshatarëve, ai thotë: “Ju përgjigja thirrjes së brendshme e shpirtrave që prehen në vendlindje dhe dëshirës së zjarrtë të pjesës tjetër të fshatit që janë shpërndarë gjithandej Shqipërisë e jashtë saj, duke mbajtur premtimin e këngës:

 

Hajt të vemi dhe njëherë

Në Komar ku kemi lerë!

Ku do lindin shumë të tjerë

Që breznia të mos shterë!

 

Duke shprehur mirënjohjen për besimin që patën për mua, shpresoj që të kem heshur në letër dashurinë e zjarrtë të bashëfshatarëve të mi për njeri-tjetrin. Mirënjohje përjetësisht të gjithëve!

Asimi është një aktivist i mirë i Shoqatës “Tafil Buzi” dhe bashkëpunëtor i rregullt i Gazetës sonë “Trebeshina”. Nga mendja dhe dora e tij kanë dalë kronika, ngjarje të rëndësishme jo vetëm për krahinën e Buzit, reportazhe për vendlindjen tonë, intervista, shkrime zemre për njerëzit e dashur që na janë larguar nga kjo jetë, përvojën e pasur gati gjysëmshekullore, si një ndër “nëpunësitë kryesore” të shtetit. “Dy janë nëpunësitë kryesore të shtetit: nëna dhe mësuesi”, ka thënë Viktor Hygo; dhe këtë funksion (mësuesinë), Asimi e ka përmbushur më së miri me pasion të parreshtur, me përkushtim të përditshëm, me profesionalizëm e, mbi të gjitha me respet e dashuri për nxënësit dhe njerëzit që ka njohur).

Të gjitha këto shkrime tashmë ndodhen në librin e tij: “Malli që të djeg xhanë”, libër që lexohet me kërshëri. Përvoja dhe personaliteti i tij do të jenë një vlerë për shoqatën dhe në të ardhmen.

 

Ka botuar:

 

KOMARI NË RRJEDHËN E VITEVE

 

MALLI QË TË DJEG XHANË

Postimet të fundit