NË SARANDË PËR TAFIL BUZIN

Nga Roshi AJDINI

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës

 

Në 23 maj 2025, një përfaqësi e shoqatës “Tafil Buzi”, e përbërë nga kryetari Bashkim Brahimi, Sekretari i Përgjithshëm Roshi Ajdini, nënkryetari Eduart Zeneli dhe anëtari i Forumit Shkëlqim Dalani, u takua me kryetarin e Bashkisë Sarandë Oltion Çaçi, në zyrën e këtij të fundit. Që në fillim kryetari thotë me të qeshur: “Për mua si djalë nga fshati i Ali Pashës, është kënaqësi të pres në zyrë përfaqësues të shoqatës “Tafil Buzi”. E në fakt kjo thënie ka vlerë pasi këto dy figura, Aliu dhe Tafili, janë identiteti tepelenas, janë burrat më të shquar të rezistencës antiosmane.

Më tej, kryetarit ju bë i ditur aktiviteti i shoqatës “Tafil Buzi” ndër vite, dhe në këtë kuadër ju prezantua edhe nisma madhore për vendosjen e shtatores së Tafil Buzit në qytetin e Tepelenës. Kryetari i bashkisë ishte në dijeni të ekzistencës së degëve të shoqatës në Sarandë dhe Ksamil, ku pas viteve ‘90-të jetojnë një komunitet i madh të ardhurish nga treva e Buzit, të cilët janë integruar plotësisht dhe janë bërë të suksesshëm me punët dhe aktivitetet e tyre private. Pastaj iu parashtrua një kërkesë me shkrim që, institucioni të cilin ai drejton të shikojë mundësinë ligjore për të kontribuar financiarisht në realizimin e shtatores së Tafil Buzit. Menjëherë kryetari thirri shefen e tij të kabinetit duke i lënë porosi që kërkesa në fjalë të trajtohej me përparësi. Takimi mikpritës me kryetarin e bashkisë Sarandë na dha më shumë optimizëm dhe ndjesi pozitive, se diçka me siguri që do të bëhet.

Pastaj takimet do të vazhdonin në terren me biznesmenë dhe degët e shoqatës. Para se të shkohej në Ksamil në një takim të zgjeruar me degën e shoqatës, u ndalua për një kafe me z. Qazim Qendra, biznesmen i suksesshëm por edhe patriot e kontribues në shumë nisma për krahinën e Toskërisë. Qazimi ashtu i qetë, i qeshur, i matur në ato që thotë, na mirëpriti, na falenderoi dhe inkurajoi për nismën lidhur me vendosjen e shtatores. “Do jem pjesë e kontributit, -tha, -pasi për mua krahina jonë e Toskërisë është gjithmonë e para në mendjen dhe zemrën time”.

U vijua më pas me takimin në Ksamil, i cili ishte lënë për në 1700, por që gati një orë para, buziotët kishin ardhur në lokalin e mariciotit Krenar Beshiku. Kryetari i degës së shoqatës, Skënder Dauti hapi takim duke falenderuar për praninë, si dhe duke theksuar përpjekjet për mbajtjen gjallë të frymës së shoqatës “Tafil Buzi”, por edhe të traditave e zakoneve të trevës buziote nga vijnë. Ai bëri thirrje, që sa më shumë buziotë t’i përgjigjen nismës për shtatoren. Në pas e mori fjalën kryetari i shoqatës Bashkim Brahimi, i cili vlerësoi degën e Ksamilit si më aktiven dhe ritheksoi rëndësinë e vendosjes së shtatores së Tafil Buzit në Tepelenë. Më tej, me shumë modesti ai u shpreh: “Në këtë detyrë mund të ishin shumë të tjerë para meje, por djeshmëria dhe dashuria për vendin nga vijmë, ishte shtysa dhe motivimi kryesor të pranoja postin e kryetarit të shoqatës”. Nga të pranishmit në takim u shprehën gjithashtu mjaft mendime me vlerë për rolin e shoqatës në mbajtjen gjallë të traditave dhe zakoneve të zonës, por dhe gadishmëria e tyre për të kontribuar financiarisht lidhur me shtatoren. Dy takimet e fundit në Ksamil u bënë në dy ambiente biznesi me përfaqësues nga treva e Buzit; me Valter Beshikun dhe Ilir Goxhajn. Edhe këto dy takime, të cilat kishin në fokus shoqatën “Tafil Buzi” dhe nismën për shtatoren, gjetën mirkuptimin dhe gadishmërinë për t’u bërë pjesë e angazhimit dhe kontributit financiar. Diku afër mbrëmjes u larguam nga Ksamili, shumë më entuziast dhe të motivuar se kur i nisëm takimet. Bashkëbisedimi nga afër; të parit sy më sy, të komunikuarit si burra të një treve ka impaktin e vet. Sepse kështu tjetri ndjehet dhe të vlerësuar. Ikëm nga Saranda dhe Ksamili, duke i uruar për një sezon turistik të mbarë, por edhe me premtimin që me buziotët për t’u parë më shpesh, sy më sy.

Postimet të fundit