BASHKIM BRAHIMI ZGJIDHET KRYETAR I RI I SHOQATËS “TAFIL BUZI”

    

Ashtu siç ishte paralajmëruar, në datën 3 maj 2025, shoqata Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi”, mbajti Kuvendin e Jashtëzakonshëm për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj, pas dorëheqjes së parevokueshme të z. Medin Duro.

Kuvendin e çeli nënkryetari Asim Brahimi, i cili u ndal në vlerësimin e punës së z. Medin Duro në drejtimin e shoqatës, si dhe aktivitetet e ndryshme të zhvilluara prej saj në të shkuarën. Pas tij e mori fjalën nënkryetari Roshi Ajdini, i cili pasi raportoi në emër të Grupit të Punës për masat e mara lidhur me organizimin e këtij Kuvendi, u ndal në mënyrën se si do procedojmë për zgjedhjen e kryetarit të ri. Po kështu u ngrit një komision për drejtimin e punimeve të Kuvendit, si dhe sekretaria për realizimin e procesit të votimit i përbërë nga Hajro Latifi, Ferdinand Mimani dhe Skënder Daut.

Kuvendi vijoi me diskutime të shkurtra, ku u vlerësua puna e shoqatës deri më sot.

Nga ana e nënkryetarit organizativ, Hajro Latifi u lexua dorëheqja e kryeredaktorit të gazetës “Trebeshina”, z. Feti Zeneli; një dorëheqje e paralajmëruar, me arsyetimin e ngarkesës së madhe për shkak dhe të shumë angazhimeve të tjera.

Nga ana e Forumit të shoqatës dhe nga shumë degë të saj, propozimi i vetëm për kryetar shoqate ishte kandidatura e z. Bashkim Brahimi, i cili deri më sot ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Pati një mendim nga shumë delegatë që votimi për zgjedhjen e kryetarit të bëhej i hapur, por ishte pikërisht këmbëngulja e kandidatit Bashkim Brahimi që votimi të bëhej i fshehtë, dhe në fakt ashtu u procedua.

Pas numërimit të votive nga Komisioni i Votimit, rezultoi se nga 37 delegatë pjesmarrës, votuan që të gjithë (37 vota), që kryetar të zgjidhet z. Bashkim Brahimi. Mes duartrokitjeve z. Bashkim Brahimi, në cilësinë e kryetarit të ri të shoqatës Atdhetare Kulturore “Tafil Buzi”, falenderoj të gjithë delegatët për votëbesimin e tyre.

“Pavarësisht situatës jo të mirë shëndetësore që kam kaluar, -u shpreh ai, -nuk mund t’i shmangesha përgjegjësisë së kandidimit, dhe këtë detyrë e shikoj si një përgjegjësi të madhe, para strukturave të shoqatës, por edhe në raport me gjithë trevën e Buzit”. Më pas Bashkimi u ndal në objektivat madhore të shoqatës, realizimin brenda vitit 2025 të shtatores së kryeheroit tonë Tafil Buzi në qytetin e Tepelenës; fuqizimin e shoqatës nëpërmjet hapjes së degëve të reja, shtimin e anëtarësisë me elementë të rinjë, fuqizimin e financave të shoqatës, si dhe vazhdimësinë e botimit të gazetës “Trebeshina”, një herë në muaj, siç ka dalë deri më sot, me të njëjtin tirazh.

Në vendin vakant të Sekretarit të Përgjithshëm, z. Bedri Serjani në emër të degëve të shoqatës Gjirokastër, Tepelenë e Memaliaj, për të cilat është Koordinator, propozoi z. Roshi Ajdini, kandidaturë që u miratua me unanimitet të plotë.

Caktimi i një kryeredaktori të ri për gazetën Trebeshina do të bëhet në vazhdimësi, duke qenë se edhe me statut është kompetencë e Forumit të Shoqatës.

Mesazhi i madh e i qartë që sot u shpalos në këtë Kuvend të Jashtëzakonshëm ishte zotimi që shoqata “Tafil Buzi” të forcohet më tej, duke ecur në gjurmët e punëve të mira që janë bërë në të shkuarën, për të promovuar e lartësuar gjithnjë e më shumë trevën e Buzit.

Postimet të fundit