19 MAJ I “BUZI-FOLK”

   

E diela e 19 majit ishte dhe do të mbetet e veçantë për banorët e zonës së Buzit në Bashkinë Memaliaj. Ashtu siç qe paralajmëruar më herët, ata do të mblidheshin atë ditë pranvere në qendrën e njërës prej dy njësive administrative ku bëjnë pjesë të 28 fshatrat e kësaj krahine me emër, në Buz Qendër. Buzi do përjetonte atë ditë një rilindje të vërtetë. Kishin vite pa parë kaq shumë njerëz të mbledhur bashkë; kishte vite pa ndodhur një festë e tillë. Vargu i gjatë i makinave në të dy anët e rrugës shkonte diku tek gjysëm kilometër. Kjo shprehte interesim, dashuri për vendlindjen, mall për njeri-tjetrin, gjithçka njerëzore. Edhe moti po i kontribuonte me dritë e ngrohtësi kësaj sofre të këngës buziote. Siç i thonë në gjuhën popullore, “Dielli dukej që në mëngjes”, atë ditë në Buz. Dukej kudo, por mbi të gjithë në fytyrat e gëzuara dhe plotë optimizëm të Viktorit më shokë. Rrezatonte dritë e kthjelltësi, duke i evidentuar më qartë, si ngjyrat e natyrës, ashtu dhe ato të veshjeve. Një kolor mbreslënës. Ndërkohë, vendin e heshtjes së thellë të ditëve të tjera, këtë 19 maj po e zinte zhurma e bisedave të njerëzve. Midis pjesëmarësve të shumtë, ishin dhe kuadro e specialistë që kishin punuar e shërbyer në Buz gjatë viteve të monizmit; si Nikita Bollano, Jano Sotiri, Asqeri Nebiaj, Razi Kapllani, etj. Po afronte ora e fillimit të koncertit. Në skenë ngjitet moderatorja, 18-vjeçarja Lindita Alia, një bijë buziote, e cila ka kaluar këtu vetëm fëmijërinë. Ka një zë kumbues, të qartë dhe të rrjedhshëm. Emrin e parë që lançon është ai i kryetares së Njësisë Administrative Buz, Dituri Koçiu, që përshëndet të pranishmit në emër të Bashkisë Memaliaj. Pas saj, fjalën e mori Roshi Ajdini, nënkryetar i shoqatës “Tafil Buzi”, i cili u ndal në vlerat e këngës polifonike të Toskërisë dhe punën e bërë për përgatitjen e këtij koncerti festiv. U vjen radha grupeve pjesëmarrëse. Se tani fjalën e ka kënga. Ja tek ngjitet në skenë Sokol Metushi, Krenar e Gramoz Caca, Ladi Hyseni, Luan Halili, Xhafer Nuha dhe Ermand Seiti, në përbërje të grupit Memaliaj për të intepretuar: “I këndojmë Toskërisë”. Pas tij grupi i Buzit; me Trëndafile Mërtirin, Pëllumb, Zylyftar e Sadik Aliajn, Margarita Çapunin, Idajet Shuaipin, Bledi Dostin, Dritan e Sokol Koçiun dhe Shkëlqim Bilajn me këngën: “More Tafil Trimëria”. Grupi i mirënjohur i Kalivaçit, ku performojnë Vikor, Andand e Gazmir Aliu, Xhevdet Rama, Arben Kapa dhe Ladi Hyseni sollën për të pranishmit këngën: “Kalivaç nga lashtësia”. Qendra Kulturore e Fëmijëve Memaliaj (Gladiola Xhelita, Isla Zeka, Anja Zhupa, Ester Muka, Greisi e Daela Qendro, Greisi Çibuku, Natalia Hajdini, Valeria Likometi, Eriselda Muçubega dhe koreografe Suela Lusha) vazhdoi programin me “Vallen e Tropojës”. Si një “intemexo” e këtij programi erdhi përshëndetja e kryetarit të Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, i cili vlerësoi punën në përgjithësi të shoqatës dhe veçanërisht atë për përgatitjen e koncertit “Buzi Folk”. Në vijim ishte grupi “Thesare Labe” me këngëtarët Viktor e Gazmir Aliu, Margarita Pasha, Pajtim Jaupi, Xhevdet Rama, Piro Nakaj, Kostandin Goci, Pëllumb Aliaj dhe Persa Miha, që sollën për të parnishmit këngën kushtuar “Komandant Maliq Rabijes”, një figurë e njohur në krahinën e Buzit për kontributin e tij atdhetar gjatë dhe pas luftës. Më pas u ngjitën në skenë; Xhevaire e Agim Allkushi, Margarita Pasha, Rushan e Bashkim Brahimi me “Kënga mban kombin bashkuar”, si pjestar të grupit të Komarit. Në vazhdim, kënga “Zhapokikë, moj syshqiponjë” e grupit të Zhapokikës, i përbërë nga Adem, Gramoz, Zamir e Krenar Caca, Ermand Seiti dhe Xhafer Nuha. “Thesaret labe” sërish në skenë, këtë radhë me këngën “Trimi nga Toskëria”.

Në një moment kënga ja la radhën fjalës artistike. Në skenë ngjitet regjizori i mirënjohuri i RTSH-së, Xhelil Aliu, që interpretoi një fragment nga poema “Baladë për Tafil Buzin”. Të pranishmit ndiqnin tërë sy e vesh këtë zë kumbues, plot ngjyra interpretimi. Mjeshtrin e fjalës artistike e pason mjeshtri i këngës popullore, Ylli Baka, i cili ua lë radhën këngëtarëve; Sadik e Margarita Mirani, Bedri, Alush e Nasip Llanaj, Latif Basha, Kujtim e Meto Beta dhe Artan Veizi të grupit të Vasjarit, që interpretuan këngën: “Sorkadhe, nur i pasosur”. Radha i vjen instrumentistit popullor të fyellit, Gani Hoxha me “Melodi baritore”. Grupi i grave të Komarit interpreton këngën me motive dasme “Në sarajë të bandill Beut”, e pasuar nga kënga korale e nxënësve të shkollës Buz (Petrit e Paulo Kalemi, Mikel e Veli Mema, Beriseldo Dosti, Xhesion, Emanuel e Xhesika Allkushi dhe Kamela e Abi Caca), si dhe “Moj Taja, marshalla” e grupit të Kalivaçit. Këngëtari popullor Denis Marini, me muzikë të Klodian Qafokut dhe teskt të Flamur Muhametit, intepreton “Toskëri e bukur këndon”. Rikthehet grupi i Zhapokikës me këngën: “Kapedan me tre taborrë”, ai i Buzit me “Ejani në Buz” dhe dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve Memaliaj me “Valle koreografike e Kosovës”. Seria e përshëndetjeve vijoi me Rushan Brahimin, si këngëtari më i vjetër pjesmarrës në këtë koncert. “Mike ç’mi tërbove djemtë” e grupit të Memaliajt, “Nur, o Baba Xhelo, nur” e Komarit dhe “Sefedin Limja me famë” e grupit “Thesaret Labe” ishin tre interpretimet e fundit të grupeve polifonike, para se të ngjiteshin në skenë kryetari i shoqatës “Tafil Buzi”, Medin Duro, kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj dhe kryetari i degës së shoqatës në Tepelenë, Bedri Serjani, për të akorduar vlerësime e çerfikikata të ndryshme për këngëtarë, grupe folklorike, etj. Po kështu të njëjtën gjë bëri edhe biznesmeni i sukseshëm buziot, Hetem Barjami, në emër të “Vila Sofia Resort” për vlerësimet me motivacionin: “Mirënjohje nga SOFIA ON TOP”.

Së fundi, skena ju dorëzua këngëtarëve Ylli Baka, Klodian Rama, Elison Muçobega, Aldo Hoxha dhe Denis Mirani, të cilët e ndezën më tej këtë atmosferë të bukur festive.

Postimet të fundit