DREKË FESTIVE ME RASTIN E FESTAVE TË FUNDVITIT

 

Shaqata “Tafil Buzi” e ka shndërruar në një traditë të përvitshme, tashmë, organizimin e një dreke festive me rastin e festave të fundvitit. E shtuna e 23 dhjetorit të këtij viti, ishte dita e zgjedhur për një veprimtari të tillë, këtë herë. Zakonisht vendi mikpritës ka qënë Tirana, edhe për shkak të vendosjes këtu në kryeqytet të selisë së shoqatës, por këtë herë u zgjodh një pikë e ndërmjetme në territorin administativ të Bashkisë Memaliaj, ku përfshihet dhe zona e Buzit. Duke patur parasysh rrjetin e degëve të shoqatës në Tiranë, Durrës, Lushnjë, Dimal, Berat, Fier, Vlorë, Tepelenë, Delvina, Sarandë, Ksamil, etj., Lokali “Vëllezërit Zeqaj” në Qesarat, ku u zhvillua kjo drekë, i bie pak a shumë të jetë në qendër.

Sekretari organizativ, Hajro Latifi, na informon me detaje për masat e marra dhe punën e bërë për mbarëvajtjen e kësaj ceremonie festive, menjëherë pas mbledhjet së kryesisë së zhvilluar në fillim të këtij muaj. “Me përjashtim të përfaqësuesve të degëve Durrës dhe Lushnjë, të gjitha degët e tjera ishin të pranishme me përfaqësuesit e tyre”, thotë ai.

Masat ishin marrë të plota, koha ishte si në ditë pranvere, gjë që i kontribuonte pozitivisht atmosferës festive në ambientet e brendshme të lokalit. Rreth orës 12 gjithëçka ishte gati. Mund të ishte filluar pak më shpejt, por kryetari dhe nënkryetari i shoqatës ishin pjesmarrës në një veprimtari të përbashkët me Bashkinë Memaliaj, lidhur me pritjen dhe shpërndarjen e disa ndihma ushqimore që Fondacioni “Xhemati Myslym Ahmadi e Shqipërisë”, kishte akorduar për familjet në nevojë në territorin e Bashkisë Memaliaj.

Dreka festive nisi me fjalën e kryetarit të shoqatës, Medin Duro, i cili përshëndeti dhe uroi për një vit të ri të begatë në 2024-ën për çdo buziot, kudo që ai ndodhet, brenda apo jashtë vendit. Në këtë aktivitet festiv ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, që bëri po kështu përshëndetjet dhe urimet e tij të përzemërta për të gjithë komunitetin buziot.

Dreka kaloi në një atmosferë të gëzueshme, me këngë valle e dolli, duke respektuar traditën që kanë ceremoni të tilla festive, por njëkohësisht dhe traditat e zonës në përgjithësi.

Ky aktivitet festiv u mundësua falë finacimit të zotërinjve: Medin Duro (kryetar i shoqatës), Bashkim Brahimi (sekretar me rininë), Asim Lamaj (financier i shoqatës) dhe Arben Kasëmi (kryetar i degës Vlorë).

Postimet të fundit