Nipi i Maliq Rabijes

Nga Feti ZENELI

 

Në pllakën përkujtimore të obeliskut ngritur në nderim të veprës atdhetare të të rënëve në masakrën fashiste të 23 korrikut 1943, pas emrit të fundit të dëshmorëve lexojmë fjalët: “Rindërtuar nga Eduart Enver Zenelaj”. Pyesim për të. Na përgjigjen shkurt: “Është nipi i Maliq Rabijes”. Por nëse perifrazojmë Pesidentin e 16-të të SHBA-ve, Abraham Linkoln; shoqërisë së sotme, më shumë se historitë e gjyshit, i interesojnë bëmat e nipit të tij. Dhe në fakt, Eduarti ka plotë bëma me interes komunitar e atdhetar, duke përdorur mundësitë dhe pasuritë personale, që në përgjithësi i ka vënë me sakrifica të panumërta, rrugëve të emigracionit. Ashtu si gjyshi i vet. Nuk ka lënë virtyt të tij pa e trashëguar. Është rasti, që thënia e personalitetit dhe publicistit amerikan të shekullit të 18-të, Tomas Pein, se “virtyri nuk trashëgohet”, duhet marrë me rezervë. Nipi i Maliqit bën pjesë tek ata individë, që në shoqërinë e sotme shqiptare, numërohen me gishtat e njërës dorë. Pasi përfundon studimet e larta për administrim public. Pas disa eksperiencave të shkurtëra në sektorët ushtarak, në gusht të vitit 1991 emigron në Greqi. Me kursimet e siguruara nga puna e atjeshme, së bashku me të atin hapin një biznes ushqimor në Patos, i cili pati ecuri të mirë deri në kohën trazirave të krijuara për shkak të firmave piramidale. Ky moment shënon dhe aktin e parë me impakt social prej tij në dobi të komunitetit. Së bashku me të vëllain, Agronin, u shpërndajnë qytetarëve në nevojë të Patosit ndihma ushqimore dhe u falin atyre borxhet e krijuara nga blerjet me listë në market, që shkonin në një shumë diku tek 25 mijë dollarë. (Sikur ta kishte bërë shteti dhe qeveria e kohës një veprim të tillë, mund të kishim shpëtuar nga shkatërrimet katastrofike të ’97-ës). Në fillimin e këtij viti të mbrapsht emigron sërish në Greqi dhe fillon punë në Metronë e Athinës, si drejtues i një grupi punëtorësh prej 20 vetash. Ndërkohë bie në kontakt me Aristidh Kolën, intelektualin arvanitas me famë botërore, dhe ndjenja e thellë e patriotizmit e shtyn drejt individëve, grupimeve apo veprimeve me një impakt të tillë shoqëror. Në vitin 1999, së bashku me familjen e kushëririt të vet, Ilirjan Zenelit përgatisin në shtëpi mbi 2000 flamuj shqiptar për t’i përdorur në një nga protestat më të mëdha të shqiptarëve në Athinë kundër genocidit serb në Kosovë. Një kapitull të ri të kësaj qasjeje patriotiko-kombëtare ka hapur së fundi, edhe në Philadelphia të Amerikës, ku është vendosur qysh prej vitit 2015. Ndërkohë atje është dhe një nga zërat më të rëndësishëm të shoqatës “Bijtë e Shqipes”, ku aderon që nga viti 2019. Verën e nxehtë të këtij viti, në kuadrin e 80-vjetorit të Masakrës së Rabijes, emrin prej patrioti të vërtetë e gdhëndi në vendlindje, atje në obeliskuan ku është emri i Baba Abaz Rabijes dhe martirëve të tjerë të kësaj masakre. Duke investuar diku tek 12-13 mijë dollarë nga të ardhurat e veta bëri të mundur rindërtimin e obeliskut dhe rehabilitimin e varrezave të dëshmorëve të rënë në maskarën e 23 korrikut 1943. Ndoshta për raste të tilla e ka fjalën shkrimtari italian, Graf kur shkruan: “Patriotizmi i vërtetë nuk është ai që kërkohet të mburret në çastet solemne, por ai që çdo ditë e çdo orë kujdeset pa u lodhur për të mirën e përgjithëshme dhe nuk mburret me këtë”. Tani radha i ka mbetur shtetit, të bëjë atë copë rrugë nga Ninëshi në Rabije, për të vjelë të ardhura nga ky destinacion i veçantë turistik, që del përtej kufijve shqiptar.

Postimet të fundit