Nga Hetem QEMALLI

Sa herë që do të kërkosh rrënjët e të parëve të tu në mjedisin gjeografik ku ata kanë ndërtuar jetesën e tyre brez pas brezi, pengesa kryesore është hiri i informacionit të tretuar nën dhè, së bashku me mbartësit e trupave të tij. Si dihet, kjo lloj pengese ka ardhur kryesisht për arsye subjektive, të cilat lidhen me mungesën e gjërave të shkruara, që përbën ndërkohë, një ndër fatkeqësitë e historisë sonë mbarëkombëtare. Pastaj, edhe luftrat kanë pjesën e vet, dhe sidomos pushtimi i gjatë otoman i vendit, për më shumë se 5 shekuj, të cilat u bën shkak për prapambetje dhe lëvizje të shpeshta nga një vend në tjetrin, nga një krahinë në tjetrën. Hasmëritë kanë qënë produkt i drejtpërdrejtë i kësaj prapambetjeje. Në shumë raste ky fenomen negativ në jetën shqiptare është bërë shkak i fshehjes së gjurmëve dhe shkëputjes së zinxhit të trashëgimisë së trojeve të hershme farefisnore. Kështu që, përgjithësisht ky lloj informacioni nuk shkon më shumë se para 200 – 300 viteve…

Brenda këtij intervali kohor është edhe informacioni që kam mund të siguroj unë për rrënjët e të parëve të mi. Diku, tek 200 e ca vite më parë, në një “tarracë lumore” në krahun e djathë të Vjosës, pikërisht aty ku ndahet kufijtë fundor të Shëndëllisë me Golikun jetonin tre vëllezër. Ata kishin mbiemrin “Qemalli”. Nuk di të them nëse se ky ishte një llagap, apo emri i ndonjë gjyshi a stërgjyshi të tyre. Por nëse me njohuritë e mia modeste, do të mundohesha të spjegoja prejardhjen e kësaj fjale, do të thosha, se ajo mund të ketë kuptimin: “te mali” ose “qe (ishte) malli”. Mund të jenë dhe të dyja variantet, ku “malli” është në kuptimin e pasurisë, kurse “mali”, rrëza e malit Shëndëlli. Prej këtij momenti e tutje, copëzat e jetës njerëzore mjegullohen edhe më, por gjithësi nuk arrijnë deri në dy shekuj para erës së re, ku në “stenat e Aosit” hapeshin rrugët e Ballkanit drejt Epirit dhe mali i Shëndëlliut thirrej me emrin “Merop”. Ndoshta mund të arrijnë deri në atë kohë, kur territoret e Dragotit deri në afërsi të Këlcyrës u pushtuan nga prania e një gjarpëri masiv nga majat jugore të Trebeshinës dhe Shëndëlliut. Mesa duket u pëlqeu freskia pranë brigjeve të Vjosës dhe për disa kohë nuk do t’i lëshonin më këto territore. Frika dhe paniku ndër njerëz arriti kulmin. Pati nga ata që mblodhën plaçkat dhe ikën, për të mos u kthyer më pas. Gjithësesi, të parët e mi nuk ikën. Bashkëjetuan me këtë krijesë të frikshme e të rrezikshme. Ndoshta gjykuan, që të dy palët ishin “bijë” të natyrës, ndanin të njëjtin habitat, ishin pjesë e evolucionit të jetës së gjallë mbi tokë, ndonëse për të mbërritur nga “klasa e zvarranikëve” tek ajo e “gjitarëve”, duhej të kalonin miliona “vite dritë”. Dritë dhe errësirë bashkë, si “çifti” i vetëm i krijimit të qelizës së parë të jetës në tokë. Nejse, këto janë gjëra të thella, që edhe shkenca nuk ka arritur të thotë fjalën e vetë si duhet. Historitë e mia familjare janë të thjeshta, si vetë jeta njerëzore e këtyre këtyre shekujve të vonshëm, pavarësisht ngjarjeve specifike që e kanë shoqëruar jetën e gjyshërve dhe stërgjyshërve të mi. Ata arritën të bashkëjetonin me gjarpërinjtë në një territor. Nuk i ikën helmit të tyre, por nuk mund t’i rezistonit helmit njerëzor që prodhon hasmëria e vëllavrasja, edhe kur ajo mund të justifikohet disi, në raste veprash të rënda, që cënojnë moralin dhe traditën familjare. Pak a shumë, një situatë e tillë duhet të jetë bërë shkak, që tre vëllezërit “Qemalli” të braktisnin Dragotin. Natyrisht, unë nuk e di me saktësi, se çfarë lloj hamërie patën ata, kishin apo jo të drejtë në veprimin apo kundërveprimin e tyre. Di vetëm, që në vija të përgjithëshme, ky ishte shkaku i largimit. Ishte nder apo turp, virtyt apo ves; gjithëçka e morën me vete. Të tjerat ua lanë “gjarprinjëve” dhe historisë. Le që ç’ka u lanë gjarprinjëve, nuk mund ta merrnin dot, edhe sikur të donin. Ajo ishte një copë tokë atje ne mes të fshatit, “Lëmi i Qemalljave”, quhet edhe sot e kësaj dite. Pak më vonë, atë e lanë dhe gjarprinjtë. Me sa duket edhe ata paskan disa “kode ndershmërie”, nuk mund ta bëjnë të tyren “pronën e tjetrit”. Sepse Zoti u ka lënë atyre hapësirat e veta për t’u zvarritur, shumë më herët se sa njerëzve, sigurisht dhe shumë herë më të mëdha, në tokë dhe në ujë. Ndërkohë, njerëzit morën fare pak, atë ç’ka mbeti në tokë, kryesisht në fusha, lugina e kodrina; por gjithësesi u dha diçka të rëndësishme; mundësinë që të mos “zvarriten”, por të qëndrojnë në këmbë, ballë për ballë njeri-tjetrit. Në fund të fundit, kjo do të thotë përballje me ngjarjet, kërkesat dhe vëshirësitë e jetës. Në një farë kuptimi, edhe largimi nga një territor në tjetrin është një lloj “përballjeje”, që vetëm njerëzit kuptojnë dhe e realizojnë, në funksion të së ardhmes.
Nuk dihet saktësisht dita, që tre vëllëzërit “Qemalli”, lanë Dragotin. Po kështu nuk dihet, se cilat kanë qënë bisedat e tyre të fundit së bashku. E sigurtë është që kanë bërë shumë pak rrugë me njeri-tjetrin, ndoshta pak më tej vendit tek bashkohet Lumi i Bënçës me Vjosën, aty ku ka patur një mundësi për kalimin e lumit në krahun matanë. (Pasarela e Tepelenës nuk ka qënë ndërtuar në atë kohë). Janë përqafuar me njërin prej tyre, që siç tregojnë, u ngjit rrugës së Dukaj për të mbërritur në Salari. Asgjë nuk u morë më vesh për fatin e tij të mëvonshëm. Ndoshta nuk ka mundur të krijoj familje e të lërë pasardhës. Dy vëllezërit e tjerë vazhduan edhe pak kilometra rrugë së bashku, duke ecur poshtë fshatrave Damës e Kashisht derisa mbërritën në Tosk-Martalloz. Në një moment, ai që do bëhej, ndoshta stërgjyshi i babait tim, i thotë vëllait: “Unë nuk mund të vazhdoj më tej, do përpiqem të ndërtoj jetën në këto territore, buzë këtij lumi të vogël. Ti do qëndrosh?”. Me sa duket ai nuk është pajtuar me këtë zgjidhje. Mbase i ka kujtuar të vëllait se këtu nuk është më shumë se 15 km larg prej vendit nga kanë ikur, dhe ka vazhduar më tej. Eci jo pak, duke përshkuar kilometra të tërë, kaloi dhe lumin Devoll në kufirin verior të Kuçovës dhe sapo hyri në territorin e Dumresë, ndali. Aty do krijonte jo vetëm të ardhmen e tij familjare, por edhe një fshat të tërë, duke i dhënë emrin e vendlindjes buzë Vjosës prej nga iku së bashku me dy vëllezërit e tij. Në fund të viteve ’80, fshati Dragot i Dumres numëronte mbi 150 shtëpi dhe diku tek 1000 banorë.
Po le të kthehemi tek stërgjyshi i babait tim, që e mbolli pemën e familjes së tij aty ku sot ndodhet fshati Xhafaj, dikur lagje e Tosk-Martallozit. Gjyshi im, Bektashi është një prej nipërve të tij. Tjetri quhej Selim (la dy fëmijë Hamzon dhe Betullën), emrin e të cilit e trashëgoi babai i Astrit Qemallit. Ndërsa emrin e gjyshit tim e mban sot një nga vëllëzërit e mi, Bektashi. Ata kishin dhe një motër, Bike e quanin. Ishte martuar në Tosk-Martalloz, në fisin Cacaj. Por familja e saj u shua nga kolera, 7 vetë vdiqën brënda një nate. Po në një farë mënyre, edhe fëmijtë e Bektashit, po i shuante një lloj “kolere”, ende pa lindur. Jo një e dy…, por plotë 8 fëmijë që vdisnin në bark të nënës. Mbijetoi vetëm babai im, Shefiti, i cili jetoi plotë 92 vjetë, ndonëse punoi për rreth 25 vite në një sektor të vështirë siç ishte Miniera e Qymyrgurit Memaliaj. Në një farë mënyre jetesa e paraardhësve varet nga kushtet dhe mundësitë që krijojnë pasardhësit. Dhe gjyshi im, në këtë drejtim ishte një model i vërtetë. Bektash Cenja (kështu e thërrisnin gjyshin tim). Ishte një “derë e madhe”, siç i thonë. Nga një derë e tillë e mori dhe të shoqen, Pemben. Gjyshja ime ishte po kështu nga një fis i njohur, vajza e madhe e Myslym dhe Minushe Zenelit nga Selcka. Qeveritarët dhe zyrtarët e lartë të asaj kohe, nga do që kishin punë në zonën e Buzit, do mblidheshin për darkë tek shtëpia e gjyshërve të mi. Kishte shumë pasuri, por më të madhe se pasurinë kishte zemrën, kishte finsikërinë dhe burrërinë. Gjithë kursimet që siguroi gjatë 11 viteve punë në Turqi, i bëri pasuri. Bleu toka pafund rreth e qark në fshat, ku përfshiheshin rreth 80 dy tokë arë, mbi 200 dy kullota dhe po kaq pyje. Kishte 500 krerë dele, 250 krerë dhi, disa lopë e tre pendë qe, dy kuaj e kështu me radhë. Punës i rrinte në kokë, përgjegjësisë i dilte përpara. Madje kështu u nda nga jeta, atje në “frontin e punës”, teka po i hiqte majat misrit në arë, nga një infart në moshën 57 vjeçare. Në atë kohë, babai im Shefiti ishte 23 vjeç, në moshë madhore, por i vetëm. Pasuri e prona kishte plotë. Por dhe emrin e “derës së madhe” e mikpritëse, që trashëgoi nga i ati. Ishte martuar në moshë të re, pa mbushur 17 vjeç, me Havakon, një ndër tre vajzat e të mirënjohurit, Murat Beja, nga Bubsi i Parë. Familje me fis e emër të madh, edhe ajo e nënës sime. 3 djem dhe 3 vajza lindën Shefiti me Havakon. Më i madh ndër ne është Myrtezai, pastaj vjen Kushulla, Barija, unë (Hetemi), Fatmira dhe në fund Bektashi. Të gjashtë së bashku numërojmë 26 fëmijë (Myrtezai 3 djem e 2 goca, Kushulla 6 djem, Barija 4 vajza e 1 djal, unë 1 djal e 2 vajza, Fatmira 2 djem e 1 vajzë dhe Bektashi 3 djem e 1 vajzë), pa nipër e mbesa nuk numërohen…
Nuk di cili do kishte qënë fati i të gjithë ne fëmijëve, nëse babait do t’i kishte ndodhur gjë në Betejen e Tëndës së Qypit, edhe pse atje nuk shkoi me dëshirë, por i “rrëmbyer” nga Çeta e Ismail Golemit. Ishte janar i vitit 1944, e njohur në histori, si periudha e operacionit armik të dimrit. Në një nga ato ditë kishin bujtur në shtëpinë tonë pjestar të kësaj Çete. Gjyshja ime që njihej si një amvisë e shkëlqyer i priti me gjithë të mirat, siç pritej çdo mik që hynte në atë derë. Në fund u mbushi dhe çantat e shpinës me ushqime shtëpie, kryesisht kulaç e bulmet. Ato ishin në atë kohë, le që ekonomia jonë familjare kishte filluar të dobësohej për shkak të luftës së dytë botërore (1939-1945). Teka po dilnin, i thonë babait tim, Shefitit: “Eja na trego pak rrugën, deri sa të dalim nga kjo zonë!”. Gjyshja duke menduar se ishte një kërkesë e sinqetë u besoi. Babai i shoqëroi deri në Qafë të Kiçokut, dhe bëri të kthehej, por ata e morën forcërisht me vete. Drejt e në Tëndën e Qypit, ku siç dihet është zhvilluar një ndër betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme. Sapo mbërritën atje, e armatosën dhe e përfshin në formacionin e luftimit. Kohë e keqe, borë, akull. Po binte mbrëmja. Gjatë gjithë kohës babai mendonte se si do të “arratisej”. Vendi rreth e rrotull nuk ishte dhe aq i panjohur për të. Bubësin e Parë, prej nga ai kishte gruan, e ndante me Tëndën e Qypit një përrua, i cili pasi përshkon territorin e Ballabanit e Sukës derdhet në Vjosë. Në vijë ajrore nuk janë më shumë se 3-4 km larg. Babai gjeti momentin dhe shfrytëzoi errësirën e natës për t’u larguar. Nuk qëndroi më shumë se 24 orë atje, por pa tmerre me sy. Ja ashtu siç e përshkruan historia, ndoshta dhe më keq. Përfundimisht babai u kthyer shëndoshë e mirë pranë familjes, për të vazhduar jetën normale në vitet e mëvonshme, siç e solli koha, derisa u nda nga jeta në vitin 2002.





