Nga Shefqet MEKO
Shkrimtar, publicist
Minneapolis, USA

Leximi i gazetës “Trebeshina”, e cila që nga emri të kujton qëndresën dhe mendimin ndryshe (si Kasëm Trebeshina), do t’u mbijetoj gjatë “tekave” të tregut, duke mos pësuar asnjë “erozion”. Sepse për të gjithë periudhën e botimit, me periodicitetin e saj dhe larmishmërinë e temave që trajon, ajo është bërë një shembull i madh mediatik, edhe pse i përket një bashkësie të veçantë në Tepelenë, Shoqatës “Tafil Buzi”.
Nuk mund të harroj diçka: Kur isha fëmijë, im At rrëfente historitë e luftës. Një ndër to lidhej me Tepelenën dhe tepelenasit. Frymëzimet e nxitjet e para për t’u arratisur nga posta e Xhandramërisë në Borsh të Sarandës, i pati marrë nga Mustafa Matohiti, i cili shërbente si im At, pra me karabinierinë italiane. Por një ditë befas foli publikisht: “Atdheu na thërret, ne duhet t’i pergjigjemi”, duke bërë që edhe babai im të merrte rrugën e duhur. Matohiti ishte për mua fytyra heroike e Tepelenës, që më pas do njihja mjaft njerëz të mirë personalisht, nga ato anë, përfshi dhe Krahinën e Buzit, një pjesë e të cilëve tashmë janë kontribute intelektuale edhe në gazetën “Trebeshina”.
Kur kryeredaktori, ish-kolegē të dikurshëm, “poeti pa fjalë”, siç e quaj unë, Feti Zeneli më dërgoi linkun e faqes së internetit të Shoqatës “Tafil Buzi” (shoqata-tafilbuzi.al), u hap një dritare e re kujtimesh për mua. Nuk kam pse ta fsheh; u ndjeva i nderuar, por dhe i emocionuar nga ky gjest fisnikëria i mikut tim të vjetër. Nëpërmjet shfletimit të kësaj faqeje mora informacion për krahinën e Buzit, por dhe për gjithë Tepelenën, pasi në një nënfaqe të saj janë hedhur edhe të gjithë numrat e Gazetës “Lajmëtari”, organ lokal që ka dalë para viteve ’90 në rrethin e Tepelenës. Si një adhurues i rebelit dhe patriotit luftëtar Tafil Buzi, emrin e të cilit e mban të lartësuar shoqata në fjalë, në të dy këto gazeta gjeta mjaft shkrime për këtë figurë, ndaj së cilës s’duhet rreshtur së punuari e së nderuari veprën e tij për liri e pavarësi kombëtare.
Është interesante, se si heronjtë dhe trimat e këtij vendi, me drithijet e tyre të pashmangshme, por me shkëlqimin patriotik konstant, mbeten pishtarë për brezat dhe kohët që do vijnë. I tillë mbetet dhe Tafil Buzi, por për mua edhe Mustafa Matohiti, ndonëse mes tyre qëndron një “shekull distancë” kohore.
Misioni i Gazetës “Trebeshina”, që buron nga patriotizmi, vlerat, kultura, tradita dhe shpirti qëndrestar i buziotëve është bukurarrirē, duke krijuar “vizione të reja mbi të njējtën trashëgimi”, sikurse shënohet në një editioral të saj. “Trebeshina” është bërë “syri e veshi” i qindra i intelektualëve që kanë parë për herë të parë lindjen e diellit nga lartësitë e malit me të njëjtin emër, sikurse autori i këtyre radhëve e ka parë nga Mali i Thatë. Gazeta “Trebeshina” duke qënë tej çdo shabllonizmi apo klisheje partiake, është kthyer në një “turbinë” e mendimit të lirë, sikurse ishte edhe vetë modeli i shkrimtarit dhe intelektualit Kasëm Trebeshinës, komshiut emërmirë të kësaj treve që u vetshkri për të mbrojtur të vërtetën dhe lirinë njerëzore.
Një e vërtetë transformuese ka ndodhur në shoqërinë shqiptare, që falë lirisë për t’u organizuar dhe vetorganizuar, shoqatat e ndryshme atdhetare apo ato profesionale, kanë sfiduar partitë politike që janë kthyer në “prona kryetarësh”, duke rifreskuar forumet me njerëz dhe ide të reja, krejt ndryshe nga “uzurpimet politike”. Tek ky dinamizëm shoqëror qëndron fuqia gjeneruese e shoqatave në Shqipëri. Ndaj shoqata “Tafil Buzi” të ngjan me një flamur që valvitet mbi shpatullat e moçme të Malit Trebeshinë, ndërsa gazeta me emrin lapidar, të ngjason me një turbinë avioni që vijon “fluturimin”, jo vetëm në atë territor të ngushtë të krahinës, por në të gjithë Shqipërinë e botën mbarë, siç erdhi dhe këtu tek unë në Amerikë.
Pse më gëzon kjo shoqatë e kjo gazetë?
Sepse kur shikoj aktivitetet e shumta dhe shkrimet me tematikë të gjërë, kur lexoj për vlera dhe personalitete nga Buzi, më duket vetja “tosk tepelene”, sikur kam bredhur anë e mbanë rrëpirave të malit Trebeshinë.
Grupime të tilla e provojnë veten të jenë një “neuron aktiv” që kurrë nuk mpihet, kurrë nuk paralizohet. Mjafton të kujtojmë faktin, se tashmë Shoqata “Tafil Buzi” bashkëpunon me një një sërë shoqatash simotra, përfshi dhe “Besëlidhja Gorare” duke krijuar një “duet”, ku polifonisë së kësaj krahine, fjala vjen, i bashkohet dhe isoja ime gorare. Dhe të gjitha së bashku krijojnë një “kor” pune e gëzimi rreth një Flamuri që mbante Tafil Buzi, Teki Kolaneci, Mustafa Matohiti dhe Babai im.
Pse të mos jem entuziast edhe pse nuk kam mundur të ngjitem ndonjëherë në majë të Trebeshinës?… Suksese Shoqatës “Tafil Buzi” dhe Gazetës “Trebeshina”!





