Nga Feti ZENELI
Me Koçi Tahirin, kryetar i Shoqatës “Beslidhja Gorare”, ishim takuar disa herë “telegrafisht”, këto kohët e fundit, në promovime librash e aktivitete të ndryshme social-kulturore, të organizuara nga miqtë tanë të përbashkët. Por takimin “tetë a tetë” me njeri-tjetrin, megjithëse e kemi synuar e kërkuar disa herë, e realizuam vetëm ditën e sotme. Dëshirën për t’u takuar sa më shpejt e zhvleftesonte, si padashje, ngarkesa respektive e punëve. Sidoqoftë, vështrimi mbetet përpara nga e ardhmja e bashkëpunimit dhe forcimit të miqësisë mes nesh, jo vetëm si individë, por dhe si grupime, krahina a më gjerë. “Letrat kredenciale”, që shkëmbyem për të fituar besimin reciprok të njeri-tjetrit, ishin numrat e fundit të Gazetës “Trebeshina”, botim periodik i Shoqatës “Tafil Buzi” dhe Gazetës “Beslidhja Gorare”, botim periodik i Shoqatës me të njëjtin emër. Këtë gjë e këmi bërë, pa u takuar nga afër, dhe për disa numra të tjerë.
Është kënaqësi e privilegj të kesh një mik si Koci Tahiri, në gjenet njerëzore të të cilit janë paketuar “kromozome” fisnikërie, vlerash dhe virtytesh të larta të familjes shqiptare. Nuk po shkojmë shumë larg në rrënjët e trashëgimisë së tij, pasi gjithëçka e lashtë është koncentruar tek Koçi Plovishti, i cili përveçse atdhetar e firmëtar i Komitetit të Fshehtë Krahinor “Beslidhja Gorare-1906”, ka qënë pjesmarrës aktiv në Çetën e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos e Themistokli Gërmenjit. Luftëtar e patriot për 20 vite rresh, por edhe punëtor i palodhur për t’i garantuar familjes mirëqënie e pasuri në kohë mjaft të vështira, ku varfëria dhe mizerja qenë ulur këmbëkryq në të katër anët e vendit tonë. Në këto gjurmë eci dhe i ati i Koçiut, Tahir Çakëri, i cili mori pjesë si partizan gjatë Luftës për çlirimin e vendit. Por ai bënte pjesë në ata çlirimtarë, që më pas, do i “pushtonte” diferencimi klasor, si “familje e pasur”. Në raste të tilla, ideologjia ta shumëzonte me “zero”, jo vetëm kuntributin, por gjithë të ardhmen. Dhe befas shpalleshe “i padëshirueshëm” për pushtetin popullor. Fillimisht mund të të jepnin dhe mbështetje, të të promovonin dhe në poste drejtuese, por befas e shihje veten buzë gremine, ku nuk të vinte në ndihmë asgjë, aq më pak e shkuara e ndritur. Madje të shkuarës nuk duhej t’i referoheshe as në bisedat private me miq e shokë pune. Sepse intrigat e së tashmes helmonin më shumë se “kobra”. Nga ky lloj “helmi” e pësoi edhe Koçiu. Kush ishte ky “helm”? Deformim i një pohim të vërtetë, i këtij trashëgimtari atdhetarësh e luftëtarësh ndër breza: “Luftën e bëmë ne që kishin pasuri…”. Kaq mjaftoi, dhe Koçiu u shkarkua si “Zhukovi” nga kryetar kooperative në një ekonomi bujqësore të asaj kohe në Librazhd. Pastaj fillon kalavri i ndëshkimeve dhe vuajtjeve pa fund, në galeritë e nëntokës apo në birucat e burgjeve. Fati i buzëqeshi disi me ardhjen e demokracisë, por vitet e rinisë nuk ja kthente kush. Humbi shumë gjëra, por vitytet dhe vlerat njerëzore, nuk arriti t’ja prekte kush. Sepse ato ishin bërë pjesë e gjakut dhe AND-së të familjes së tij fisnike. Me ato vlera u shfaq ai si “Pishtar i Demokracisë”, si ish-Deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe tash së fundi, si Kryetar i Shoqatës “Beslidhja Gorare”, ku po jep një kontribut të çmuar për promovimin e vlerave të kësaj krahine me emër të madh në Shqipëri. Se ja, vetëm dokumentari “Kapedanët e Gorës”, shfaqur edhe përtej Atlantikut i ka kushtuar 8 milionë lekë. Këto ditë botoi edhe vëllimin e 18-të të librit “Enciklopedi e vlerave”. Gazeta “Beslidhja Gorare” me plotë 24 faqe është një konsumatore peridoike, që duhet ushqyer vazhdimisht, në mënyrë që të prodhojë interes dhe socializim krahinor apo më gjerë. Pastaj, bashkëpunimi me shoqatat e tjera simotra në Shqipëri… Gjithë kjo punë, gjithë ky angazhim. Dhe Koçiu gjithëçka e përballon me vitalitetin e një të riu, ndonëse po afron tek të tetëdhjetat. Figurë interesante…
Ta kisha njohur para viteve ’90, me siguri do ta kisha bërë personazhin kryesor të shkrimit tim: “Biografia dhe personaliteti i çdonjerit janë të shenjta”, i cili desh më kushtoi shtrenjtë. Po për njerëz të tillë, ja vlen të paguash. Sepse kjo është e vetmja mënyrë për të shpërblyer karakterin tënd…




