Xhaxhai im, Nuredin NURO

XHAXHAI IM, NUREDINI NURO

Nga Esat NURO

35 vjet më parë, më 2 nëntor 1985, në moshën 60-vjeçare, mbylli sytë përgjithmonë xha Nuredini, një nga njerëzit më të dashur të familjes sime. 16 vitet e para të jetës sime unë i kam kaluar në familjen e madhe me 13-15 vetë së bashku me xhaxhanë dhe, në këto kushte, ai ka qenë, krahas pjesëtarëve të tjerë, më kryesori për edukimin tonë. Ndikimi i tij ishte i gjithanshëm, jo vetëm me shembullin model, këshillat e kujdesshme e të vazhdueshme, por në të gjitha veprimtaritë e funksionimit të familjes… Ai këmbëngulte në krijimin e shprehive elementare të sjelljes së kulturuar me cilindo dhe kudo, sidomos me më të moshuarit. Përdorimi i fjalëve magjike “urdhëro, si urdhëron, faleminderit, të lutem “ etj., përshëndetjet me njëri-tjetrin sipas momentit që krijohej me njerëz të njohur ose jo, të ishin natyrshëm të shoqëruara me respekt. Nëse ne harronim të përshëndesnim në mëngjes, ai pyeste që të shkonim mbrapsht dhe të mendonim se ç’kishim harruar për të bërë kur hynim në dhomën ku kishte njerëz të tjerë. Kjo mund të përsëritej disa herë sipas nevojës, sa bëhej shprehi.. Ndikimin më të vyer bënte sjellja dhe marrëdhëniet e tij me njerëzit e tjerë, sidomos jashtë familjes. Unë e shikoja këtë me këndvështrimin se si këto marrëdhënie të tij përputheshin me atë çka ai këmbëngulte ose kërkonte ndaj nesh. Ai kishte idenë që, nëse ti ishe korrekt dhe i sjellshëm me dikë, pas disa rastesh përsëritjesh në të njëjtën mënyrë, “do ta detyroje” atë që edhe ai të ndryshonte për mirë duke të ndjekur ty…

Xha Nurja ishte “personi përgjegjës” për edukimin dhe thuajse përjashtonte ndëshkimin fizik dhe në mënyrë kategorike, goditjet në kokë dhe përdorimin e dorës që, sipas tij, ishte e pamundur të masje sa e rëndë është dhe pasojat fatale që mund të shkaktoheshin. Motoja kryesore ngelej fjala dhe shembulli pozitiv. Në mbrëmje, sidomos në netët e gjata të dimrit, ishin “orët edukative” nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme. Thuajse çdo natë lexohej gazeta nga im atë dhe e komentonin së bashku gjatë ose në fund të leximit. Kjo ishte jashtë vëmendjes sonë. Ne përfshiheshim në leximin nga im atë të atyre pak librave me vjersha të Naimit dhe sidomos thënieve të mençura e fjalëve të urta të dala nga veprat e rilindësve. “Biblioteka” e asaj kohe kishte edhe pak broshura apo libra higjieniko- shëndetësore, si ajo e doktor Zisa Cikulit, sa mbaj mend, kuriozitete shkencore, libra shkencore për mbarështrimin e disa kafshëve shtëpiake, siç do i trajtoj më vonë, libra shkollorë të gjeografisë fizike dhe ekonomike të botës, libra të historisë etj., krahas përrallave dhe tregimeve nga e kaluara… Xhaxhai me vëmendje dëgjonte lexuesin “e përhershëm” dhe së fundi, së bashku nën drejtimin e tij, nxirrnim vlerat edukative sipas rastit…

Ishte koha kur kooperativa ngushtonte gjithmonë e më shumë tokën e punueshme e me pemë rreth shtëpisë dhe nga tre dynymë tokë në një e gjysmë e më vonë kjo ngushtohej më tepër. Jashtë kësaj vije ngeleshin edhe pemë të ndryshme, që, duke na munguar, na bënin ne fëmijëve të hidhnim sytë ose edhe të zgjasnim dorë tek ato pemë që mund të na mungonin. Ai hartoi një plan që, sa më afër themeleve të shtëpisë, të mbilleshin sa më shumë lloje pemësh që ishte e mundur dhe cilësore, duke sjellë edhe një specialist të një ferme të dëgjuar në frutikulturë të rrethit të Beratit me emrin Fitim Baballëku, në mos gabohem. Më këtë zgjidheshin dy probleme: edhe plotësoheshin nevojat me fruta, edhe mënjanohej mundësia për veprime të paligjshme të fëmijve për të prekur ish-pronën tonë që ngelej jashtë truallit që ngushtohej…

Në vitet ‘60, ‘70 dhe përsëri në vitet ‘80, problemi ushqimor ka qenë çështe dite jetike. Buka ishte kryefjala e ditës në çdo bisedë. 8 kg misër për person në muaj ishte shumë pak në mungesë të ushqimeve të tjera. Në këto kushte, si çdo familje, edhe familja jonë, hartoi “plane strategjike” dhe afatgjata për problemin ushqimor, ku xha Nurja luante rolin kryesor në zbatim të tij. Plani do të zgjidhte dy probleme: Rritja e produktit ushqimor në kushtet aktuale, brenda normave statutore të kohës dhe të ardhura financiare shtesë për nevojat në rritje, blerjeve të mundshme ushqimore etj.,me aktivitet jashtë orareve të rrugullta të punës. Do të mbanim dy lopë të prodhimit të lartë (Xhersej) me cikël prodhimi të kombinuar për 12 muaj, transformimin e bletëve nga arka primitive në moderne me trajtim bashkëkohor, në rritjen e dy derrave në vit, në grumbullimin dhe shitjen e bimëve mjekësore etj. Të gjithë pjesëtarët e familjes, sipas mundësive, kontribuonin në maksimum për sigurimin e bazave ushqimore për “fermën” dhe mirërritjen e mbarështrimin e tyre për prodhimtari të lartë… Unë ndihmoja më shumë xhaxhanë mbrëmjeve, para se të hynte në shtëpi, për t’u kujdesur për të grazhduar dhe krijuar kushte higjieno-sanitare për lopët që mbaheshin me regjim stallor për një periudhë mbi 6 muaj të dimrit, njësoj me kushtet e fermave shtetërore të asaj kohe, kushte që na diktoheshin nga broshurat për mirëmbajtjen e tyre. I krehnim me disa krehëse metalike për pastrimin dhe ajrosjen e lëkurës… “Në botë, – thoshte xhaxhai,- përdorin muzikë të lehtë në kohën e mjeljes dhe lopët japin më shumë qumësht, nuk e fshehin…” Gjatë verës, kur ruanim lopët ose kecat në mal, çdonjeri nga ne fëmijët e mbushte çantën ose sillte në shtëpi një polloge të vogël me bar dhe, duke e praktikuar gjatë gjithë verës, sigurohej një pjesë e mirë ushqimore për blegtorinë…

Bletaria ishte aktiviteti tjetër që xha Nurja kryente dhe unë kam qenë ndihmësi i tij i përhershëm. Në fillim udhëhiqej nga eksperiencat sovjetke, të sjella nga një librër për bletën dhe më vonë nga libri i doc. Qenan Nurit, që rezistoi deri në vitet e rënies së sistemit. Dy herë më dërgoi te profesor Qenani për konsultime rreth problemeve të bletarisë, i fundit për luftën ndaj varroatozës, armikut kryesor të bletarisë nga 1981-shi e deri më sot në rang botëror…

Xha Nurja në kooperativë…

Unë kam punuar bashkë me të dhe bujq të tjerë bashkëfshatarë dhe të gjithë së bashku kanë qenë trajnerët, këshilluesit dhe inkurajuesit e mi në shumë aspekte të problemeve sa të bukura, aq dhe të ndërlikuara të prodhimit bujqësor. Në fëmijërinë e hershme, ne aktivizoheshim për të bërë punë të lehta dhe merrnim shprehitë elementare, shpesh të organizuar në skuadra të vogla. Ishte viti 1969 dhe disa fëmijë ishim caktuar të grumbullonim bar tek shtëpia e Aliut, diku poshtë qendrës shëndetësore. Xha Nurja ishte si përgjegjës në vend të brigadierit. Në mbrëmje u vlerësua puna dhe Feim Dervishi u vlerësua më shumë… Unë ngela i pakënaqur, por nuk u ankova aty për aty. Më vonë i thashë se unë kisha më shumë “krahë bari” se Feimi. “Po, – më tha ai,- por, po të bashkosh dy krahët e tu, janë më pak se të Feimit. Do të shkojmë e ta shohësh?” Rast tjetër rreth kësaj periudhe ka qenë trajnimi për të hedhur farë misri dhe fasuleje në brazdë, pas pendës së qeve, rrallimi i misrit dhe i bimëve të tjera prashitëse në fazën me tri gjethe, hedhja e plehrave kimike në këto bimë etj. Xha Nurja ka qenë një nga mjeshtrat e shpërndarjes së farës së grurit, që donte një perfektshmëri për sasinë për sipërfaqe dhe shpërndarje uniforme në tokë. Po këtë kujdes kërkonte edhe shpërndarja e plehrave kimike në arat me grurë, ku ai shpesh kryesonte grupet e specializuara dhe trajnonte më të rinjtë për t’u bërë të suksesshëm në këto procese pune. Ai ka bërë me përkushtrim çdo proces në punët bujqësore si bimë arash, frutikulturë etj, por pasioni i tij i veçantë ishte BLETARIA… Unë nuk mbaj mend saktësisht se kur ka filluar mbarështrimin e bletëve të kooperativës, por duhet të ketë qenë pjesa e dytë e viteve ‘60. Bashkimi i ekonomisë me Komarin, motorizimi i transportit etj, i dha mundësi rritjes së numrit të koshereve dhe shtegtimit të tyre brenda dhe jashtë kooperativës dhe rrethit të Tepelenës. Ai ishte i dashuruar me bletën dhe për të nuk kishte rëndësi se të kujt ishin, të tijat, të kooperativës, të miat apo të tuat etj… Xha Nurja donte që bletët të merrnin shërbimet e domosdoshme dhe gjithkush që donte të mbarështronte ato, të ishte i suksesshëm.. Shtegtimi i bletëve e lidhi me miq të rinj, në përgjithësi njerëz të thjeshtë, bujarë dhe ai lumturohej që prodhimi dhe bletaria rritej dhe bashkë me to shumë miq të tij ishin të kënaqur që merreshin me bletën dhe me prodhimin e tyre… Njohuritë dhe përvoja që kishte krijuar ndër vite e kishte bërë mjeshtër në këtë fushë dhe këtë ai donte ta ndante me miqtë dhe të interesuarit. Bisedat plot pasion për këtë insekt, sa të thjeshtë dhe të sofistikuar, bëheshin tërheqëse dhe secili nga të pranishmit i dëgjonte me vëmendje… Unë e shoqëroja dhe isha i pranishëm në shërbimet praktike, derisa pas vitesh do të quhesha bletar i ri dhe më vonë në mënyrë të pavarur do ta ushtroja mbarështrimin e bletëve.

Xha Nuredini respektonte njerëzit pa kushte, por shembujt pozitivë të njerëzve të sakrificës, që punonin apo drejtonin jetën ekonomike e shoqërore me ndërgjegje, bëheshin udhërrëfyes për të. Xha Nurja në jetën e tij pati edhe “goditje tinzare”, që ndikuan negativisht në cilësinë e jetës dhe atij i kushtuan shumë… Ai i përjetonte keq padrejtësitë e të gjitha niveleve dhe kjo e bënte të dobët. Reformat e mëdha, si ajo agrare më 1946 si dhe pas një stabilizimi ekonomik, 10 vjet më vonë, ngritja e kooperativës, që solli tjetërsimin e pronës, çmenduria e luftës së klasave që nuk kurseu as atë, duke e privuar në kulmin e suksesit për të vazhduar kujdesin dhe punën me bletarinë në kooperativë (!) etj e bënin t’i përjetonte negativisht, në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes ”pse?”. Këto do ta dobësonin dhe më vonë, më 2 nëntor 1985 do të fikej zemra e tij…

Vitet nuk janë matësit e jetës së dikujt. Gjurmët që lë në jetë janë dëshmia më e mirë. Dhe Ai ka shumë për të mbetur i paharruar. Në punët e përditshme bujqësore, së bashku më të vëllanë do të plotësonin njëri-tjetrin si vëllezër – shokë, dhe ishin të plotësuar në çdo aspekt, që duke përdorur fjalët e Novruz Pashës, ishin “inxhinierë të bujqësisë”. Në planin familjar e shoqëror xhaxhai ngelet njeriu model.

Prej 10 vjetësh, (në Ohajo ku jetoj) mes pemëve frutore, kopshtit që sjell mjedis të Selckës dhe oborrit të atyre viteve, është edhe “parku” i bletëve që plotëson këtë mozaik. Sa herë dal në kopsht, sytë e kujtesës hedhin vështrimin tek rrënja, ku mes të tjerësh, xhaxhai im rrezaton dritë dhe ngelet përjetësisht i gjallë.

Postimet të fundit