Hava MIHASI MUÇOLLARI

Hava MIHASI MUÇOLLARI

 

Hava MIHASI MUÇOLLARI ka lindur në Izvor të Tepelenës në 30 nëntor 1968

Është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë, Dega Financë, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1991

E diplomuar më tej në kursin pasuniversitar për

Financë, për Marredheniet Ndërkombëtare dhe Diplomaci, përfundon dhe Master në Shkencat Ekonomike

Ka përfunduar gjithashtu dhe Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës

Flet gjuhën angleze dhe italiane.

Ka fituar titullin Avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve në

Republikën e Shqipërisë

Ështëe Eksperte Kontabël e Autorizuar dhe Auditues Ligjor nga IEKA

Mban titullin Doktor Honoris Cauza per Diplomaci dhe Humanitet Ndërkombëtar, akorduar nga Akadema Universal Global Peace.

Aktualih punonësuar pranë Studios

H auditing Shpk. Tiranë.

Përveç profesioneve dhe ekspertizës së mësipërme profesionale, ka pasion edhe artin e të shkruarit

Deri tani ka botuar vëllimet poetike:

“Me mirë se asgjë”

“Shpirti rrahu flatrat”,

“Mesazh në krahët e nië future”

“Qyrku i lutjeve”

 

MBI NJË VETULLË NË KËND

 

Aty, në atë rrugë ku kryqëzohet miniera,

Jo rastësisht, hapi im mendueshëm u ndal,

Kisha vite që vetëm nga larg e shihja,

Të thëna mendimesh.., me gojë asnjë fjalë.

 

Por ja, një të shtunë të bekuar nëntori

Shikimi i beftë dikë pa, sa u drodh,

Zemra e ngrirë prej kohësh nga dhimbja,

Një ngjashmëri kaq e rrallë, mund të ndodh?!

 

Në atë rrugë më përcillje shtatorëve për në shkollë,

Në atë rrugë më priste meraku yt në kthim,

E njëjta vetull me kënd si e jotja,

Mungon poshtë saj, veç shikimi jeshil.

 

I njëjti hap i munduar nga hallet,

E njëjta kapele që kohën sfidon,

Në dorë një trastë basme ku rëndon i sajti merak

Për ata që gjumë s’fle deri vonë.

 

Babai i dikujt si unë je edhe ti,

Ke një vajzë nga anët e mia që të pret,

Mua mbi qerpikë një lotë më ka ngrirë,

Netëve me gjuhën e trishtuar të erërave më flet

.

Në atë rrugë ku pishat bëjnë rojë,

Sa bijave si unë mendimi u fle

Dhe hënës besnike sa herë i kërkojnë,

Mbi një vetull me kënd çdo natë të qesh.

 

Tiranë, më 22.12.2022

 

Lutjet që me krahë fluture vijnë e mblidhen në qyrk,

e bëhen kumt dëshirash!

 

(Mbi përmbledhjen poetike “Qyrku i lutjeve” të Hava Muçollarit)

 

Nga Adem XHELADINI,

Kërçovë

 

Një gërshetë lutjesh, mbështjellë në vellon e rrëfimit poetik, ku e bukura del në sipërfaqe përmes shprehjeve gjuhësore dhe artistike, të zgjedhura me sqimë të lartë, ndërkohë që fjalori i thjeshtë dhe autokton, shpalos dhe nxjerr në spikamë vlera të larta të prurjeve të shumta gjuhësore, gjithsesi nën spektrin tejet të mprehtë të regjistrueses së tyre në fijet prej letre, ku qëndisja e vargut përditë e më shumë na dëshmon se autorja sjell përpara lexuesit edhe vlera të veçanta.

Kur shfleton përmbledhjen “Qyrku i lutjeve” të autores Hava Muçollari, udha e leximit të shpie nëpër rrugë dashurore, të përshkuara nëpër kapërcyell vendlindjeje, nëpër kapërcyell rinor, nëpër hov e butësi femre.

Cikli poetik hap sytë e dashurisë në një park buzë liqeni dhe nxiton hapat në bulevard e gufon nëpër shpirtëra si ajri, si një kupë reje, dhe si shqiponjë do ta shqyejë murin që s’thotë asgjë duke u endur me shpirtin në dorë nëpër lakminë e moteve, dhe heshtja që vret përpëlitet notave që s’duan pentagramin e lashtësisë duke mbarsur melodinë e vendlindjes, ku autorja, ka ëndrrat dhe kujtimet e hovshme.

Po cila është ajo dashuri, kaq fine, kaq idilike, kaq e purpurt që zhvillohet buzë liqenit përplot kaltërsi e freski?!

Cili është ai zjarr që nxiton hapat në bulevard dhe gufon shpirtërash?

Domosdo se autorja i është qasur me mjaft kujdes kësaj çështjeje duke bërë edhe detajizime, sepse ndjenja e përjetimit të pothuajse çdo vargu, pothuajse çdo faqeje, pothuajse në të gjithë shtrirjen e përmbledhjes…, është e dukshme.

Ndaj, me të drejtë lexuesi, që me të hapur kanatën e librit zhytet padiktueshëm vargut rrëmbyes, ku muret do të shqyhen nga kthetrat e shqiponjës dhe kësisoj duke u endur me shpirt në dorë do ta vrasin heshtjen që përpëlitet pentagramit të lashtësisë, nga ku do të mbijë melodia e vendlindjes, e cila me kaq ëmbëlsi shpupurit kujtimet e hovshme rinore.

Qyrku i lutjeve përmban ritual lutjesh të periudhës së vargënimit të një periudhe relativisht të gjatë, pothuajse një dhjetëvjetësh, e gërshetuar gjithnjë me mallin që flet pa zë, e shpalosur nëpër fletët apo më mirë do ta quajmë pergamenat e kësaj përmbledhjeje, duke sjellë tek lexuesi, qoftë ai i kultivuar apo rastësor, copëza të ekzistencës dhe luftës për të bukurën.

Krahas mesazhit në krahët e fluturës, Qyrku i lutjeve, vjen si kumt për ta shijuar e ndërtuar jetën në fluturim kah shtigjet e atdheut, ku vendlindja zë vendin parësor ndërsa, shpirti përplot butësi femre, i jep atij, vargut pra, kuptimësi të plotënuar, duke u gërshetuar nëpër laryshi trajtash teoriko-poetiko-estetike, mbrumur me një sërë figurshmërishë, që krahas thjeshtësisë së fjalës e zhyt lexuesin nëpër labirinthet e imagjinatës dhe e bën atë që padyshim të ndjehet pjesë e atij rrëfimi, dhe të bashkëjetojë me secilën të thënë në aspekt të koherencës tekstore apo në kuptimësi nënteksti, dhe kështu të bëhet bashkudhëtar nëpër çdo cep të ndjenjës së shprehur nëpër vargjet e mbrumura nëpër të dy përmbledhjet që patëm rastin të na bien në dorë.

Autores Muçollari, gjithsesi i dëshirojmë sukses në botën e shpalosjes së perceptimeve për shpirtin duke e shpalosur atë me besnikëri dhe emocion të veçantë të rrëfimit, gjë të cilën ajo na e dëshmon përditë e më bujshëm e rrëmujshëm, dhe për të na bërë edhe neve, lexuesve të saj, pjesë e këtyre rrëfimeve poetike, që domosdo se burimin e kanë në thellësitë e shpirtit, ndërkohë që ndjenja e kulluar dhe shprehjet e zgjedhura gjuhësore i japin asaj vulën se kemi të bëjmë me një autore të talentuar dhe të spikatur.

 

 

Postimet të fundit