DHIMBJA QË LËNDOI E TRONDTITI BOTËN!
Nga Fatmir AJDINI

Tërmeti që shkaktoi katastrofën më të madhe të kohërave në Sirinë e Turqinë mike ishte një dhimbje shumë e madhe për popujt e atyre vendeve në radhë të parë, e më tej për të gjithë njerëzimin. Populli dhe qeveria jonë kishin një arsye më shumë për të qënë më pranë popujve dhe qeverive të këtyre vendeve, qoftë shpirtërisht ashtu dhe materialisht, pasi të njëjtën gjë treguan ata ndaj nesh për pasojat që shkaktoi tërmeti i vitit 2019 në Durrës e Thumanë. Sidoqoftë humbjet njerëzore me mbi 50 000 viktima në Turqi e Siri, midis të cilëve dhe shumë foshnja, përbëjnë një nga kulmet e fatkeqsive natyrore të ndodhura në botë. Mrekullitë sporadike të gjetjes së foshnjave të gjalla nën rrënoja, s’kish si të mos shkaktonin lotë gëzimi, jo vetëm në sytë e familjarëve të tyre, por tek të gjithë. Dëshmitarë të këtyre rasteve u bënë dhe pjestarët e grupit tonë të shpëtimit, që kishin shkuar atje për të ndihmuar së bashku me grupe të tjera nga gjithë bota; një ndjenjë solidariteti kjo, e farkëtuar prej kohësh, tashmë.
Po rënia e pallateve sikur të ishin maket prej kartoni, apo të ndërtuara me baltë, pa hekur dhe çimento, krahas të panjohurave apo fuqive madhore, ka edhe të njohurat e veta, të cilat lidhen me standardet e ulta dhe cilësinë e dobët të ndërtimeve. Dihet nga të gjithë, se Turqia është një vend tepër sizmik, me shumë risk. Këtë e tregojnë ndodhitë në të shkuarën, por dhe sizmologët (pllakat tektonike në zonën turke janë 3 dhe të lëvizshme). Atëhere shtrohet pyetjet:
Përse nuk janë marrë në konsideratë këto parametra për ndërtimin e objekteve në një vend ku ndodhin tërmete deri në 9 ballë e më shumë? Përse lejohet të ndërtohet pa standarte e në mos zbatim të kodeve të përcaktuara me vendim qeverie? Si spjegohet që në të njëjtën zonë apo sipërfaqe toke, për mos të thënë ngjitur njeri me tjetrin, disa pallate ranë e disa nuk patën probleme?
Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të qarta; ato i japin dëmët kolosale që ndodhin, pamjet që shohim në raste fatkeqësisht të tilla, kryesisht në jetë njerëzish, por edhe ato ekonomiko-financiare.

Mos ndërtimi me standardet e përgjegjësi, pa analiza gjeologjike të tokës në thellësi, mosbërja e sondazheve e provave laboratorike të përbërjeve të shtresave, ujërave të tokës, etj., përfshi këtu dhe analizat e markave të hekurit, çimentos, inerteve sipas moduleve, të lara e të fraksionuara; ekspozon përballë rreziqesh të tilla, jo më vendet që janë në “gojën e tërmeteve”, por dhe ato që ndodhen disi më larg. Ndërtimi si nocion, ka kuptim shumë të vlerësuar edhe si fjalë në radhë të parë, e jo më si proces, apo si punë në kuptimin e përgjithshëm të saj! Jetën njeriut ja jep dhe ja merrë vetëm Zoti. Atë nuk mund t’ja marrë robi me papërgjegjshmërinë e tij në punë.
Krahas cilësisë dhe standardeve të ulëta ndërtuese, ndikim negative kanë edhe shumëkatshet, pra lakmia e shfrenuar për të kapur qiellin. Shëmbujt pozitiv nuk mungojnë, një prej të cilëve është ai i ndërtimeve në Japoni, ku ndërtesat nuk duan t’ia dinë fare nga tërmetet, sado të fuqishëm qofshin ata.
Në mënyrë të përmbledhur, disa nga kërkesat, se si duhet të ndërtojmë me cilësi e standard janë:
- Respektimi i kodeve të nxjerra nga qeveria dhe institucionet perkatese.
- Në zona të ndyshme të bëhen analiza laboratorike e gjeologjike.
3. Materialet e përdorura të jenë me analiza të përcaktuara nga një grup inxhinjerë teknik të fushës, me përvoje e gradë shkencore.
4.Të mos lejohet me ligj ndërtimi për banim mbi 5-6 kate.
5. Të ndërtohet me materiale të lehtësuara e të qëndrueshme.
6. Hekurit e betonit t’i bëhen analizat përpara ndërtimit, e jo kur ndërtimi të ketë përfunduar.

- Ndërtimet ekzistuese duhet të kalojnë në skaner dhe ato që janë të dobëta të prishen përpara kohe e jo kur të bjerë tërmet, e të kemi dëme njerëzore.
8. Sizmiteti të futet si lëndë në programet mësimore nëpër shkolla.




