Bedri SERJANI:

U lind më 20.3.1951 në fshatin Gllavë, Tepelenë.
Është arsimuar për mësuesi. Vitet e para punoi mësues në Gllavë të Vogël e më pas në fshatrat Gllavë e Madhe e Komar.
Në vitet 1976-1979 zgjidhet kryetar i këshillit të bashkuar Buz.
Pas vitit 1981 fillon punë në aparatetet e partisë e pushtetit në rreth.
Për periudhën 1983-1988 ka kryer detyrën e shefit të seksionit të kuadrit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Tepelenë.
Në vitet 1988-1990 sekretar funksionar në Ndërmarrjen Bujqësore Tepelenë.
Prej vitit 1991 e deri sa doli në pension, mësues, k/mësues e drejtor në shkollat e fshatrave Zhapokikë, Luftinjë e T. Martalloz.
Eshtë banor i qytetit Tepelenë prej vitit 1980 e në vazhdim.
Është anëtar i kryesisë së Shoqatës “Tafil Buzi” dhe kryetar i degës së kësaj shoqate për qytetin e Tepelenës.
Është autor i librit:
“KRAHINA E BUZIT DHE TEPELENA”
BUZI DHE BUZJOTËT JANË SJELLË ME VËRTETËSI
Nga Prof. Dr. Lavdi HASANI

Libri ”Krahina e Buzit dhe Tepelena” me autor z. Bedri Serjani është një galeri njohurish për historinë, gjeografinë, florën, faunën, ekonominë, arsimin, artin e kulturën krahinore, për figurat historike, personalitetet dhe njerëzit e zonës në tërësi. Ai përfaqëson një trajtim të dokumentuar të vlerave tona. Në çdo faqe gjejmë të shpërndarë si polenin e luleve në Trebeshinë dashurinë për vendlindjen, njerëzit dhe çdo vatër buzjote. Duke qenë se gjithë prurja është një vlerë e munguar në vite, ngjarjet shtjellohen me ngritjet dhe uljet e tyre si vet relievi i kësaj treve. Ato rrjedhin natyrshëm, pa bujë e sforcim si vetë karakteri i banorëve të saj. Gjithë ekspozeja përshkohet nga ndjesia e lavdisë dhe krenarisë për rrënjët, të cilat shfaqen herë me tone burrërore e të prera dhe herë të qeta e të matura deri në altruizëm. Librin e zbukurojnë vlerësimet e shtjellimet mjeshtërore të personaliteteve, të cilat nuk janë thjesht një hyrje që ndeshet rëndom në shkrime të këtij lloji, por parathënia e parathënieve të një historie vlerash të rralla e të çmuara. Në paragrafët e tekstit të shkruar alternohen fakte historike me burime dokumentare, ballafaqohen ndodhi reale, kujtime e mbresa me situata dëshpërimi, vetizolimi, trishtimi e zhgënjimi. Gjithë përpjekja për t’i dhënë lexuesit një vepër me vlera të mirëfillta studimore udhëhiqet nga teza se historia e një bashkësie njerëzish është së pari histori vlerash e personalitetesh. Autori, brenda thjeshtësisë dhe modestisë që karakterizon komunitetin nga vjen, i ka bërë një shërbim të çmuar atij për të sotmen dhe të ardhmen. Duke hulumtuar e hedhur dritë mbi një krahinë të harruar, paragjykuar e anatemuar, ai ndalet në gjurmët e lashtësisë, evidenton thelbin e situatave, sjellë ngjarje të prekshme dhe mbresëlënëse. Lexuesit i duhet të shfletojë çdo faqe të librit për të njohur vlerat e Buzit e Tepelenës, figurat historike, nëpunësit e personalitetet që patën fatin të kontribuonin jo vetëm për krahinën e rrethin e tyre, por dhe për Shqipërinë. Nuk mbeten jashtë vështrimit edhe qeverisjet vendore, historiku i arsimit, shëndetësisë e i 28 fshatrave. Ngjarjet historike, LANÇ, Masakra e Rabies, të dënuarit politik, tabelat me qindra emra nëpunësish dhe kapitulli për figurat historike, personalitetet e zonës dhe miqtë e saj i kapërcen kufijtë e një treve. Gjithça është skalitur dhe performuar me hollësi e vërtetësi. Djemtë e vajzat e Buzit kanë tashmë një argument më tepër për t’u ndier më të motivuar për vendlindjen dhe paraardhësit e tyre. Ata, duke pasur në dorë këtë libër, me më shumë dashuri e mirënjohje duhet t’i thonë vetes e të tjerëve: “Ja nga vijmë ne, ja pse jemi krenarë për rrënjët tona, për Buzin e fshatrat e tij, për Tepelenën dhe vlerat e saj.” Enciklopedia në fjalë ka nevojë për plotësime me fakte e dokumente të reja. Ajo duhet t’i ngjajë pavionit të një muzeu që pasurohet në vazhdimësi. Sikur të gjithë njerëzit e ditur dhe intelektualët të kishin shkruar për historinë, kulturën dhe rrugën e zhvillimit të vendlindjes së tyre, sot do të kishim enciklopedinë më të madhe në botë. “Krahina e Buzit dhe Tepelena” mbetet një sfidë e hapur për autorin, bashkëpunëtorët e lexuesit, për të tashmen dhe të ardhmen tonë.





