DIÇKA PËR ATINTANTËT DHE “PLAKA DALLËNDYSHE”
(Nga një bisedë me Sulejman MATO & Përparim XHIXHA)

Në një nga këto ditët e fillimshkurtit, pasi kisha takuar gazetarin e vjetër Bashkim Koçi në
Redaksinë e Gazetës “Kushtim Brezash”, po zbrisja në Rrugën “Myslym Shyri”, për të dalë në
afërsi të Stadiumit “Selman Stërmasi”. Kisha mbërritur në Rrugën “Nikolla Jorga”, anash ish-
Ekspozitës “Shqipëria Sot”, aty ku ka një lokal modest miku im, Sedat Braja, një veteran tjetër i
gazetarisë shqiptare, ky. Kthej kokën mos shoh Sedatin, kur ma bëjnë me dorë dy miq të tjerë
të hershëm; poeti, shkrimtari dhe studjuesi i mirënjohur Suljeman Mato dhe publicisti me emër
po kaq të madh, Përparim Xhixha. Shkoj dhe përshëndetem me ta. Sapo kishte dalë nr. 67 i
Gazetës “Trebeshina”, 2-3 kopje të së cilës i kisha me vete.
-Po, kjo? -pyet Sula
-Gazeta e Shoqatës “Tafil Buzi”, i them.
-Çfarë përfaqëson kjo shoqatë?
-Zemrën e banimit ilir të Atintanëve.
-Domethënë zonën midis Mallkastrës dhe Skraparit, -shton ai.
-Buzi, kryeqëndra e krahinës me plotë 28 fshatra, ka mundësi të ketë qënë edhe qëndra e
Atintanisë së hershme ilire.
Pres t’më tregojë diçka për këtë fis të njohur ilir nga libri i tij “Në kërkim të rrënjëve”, ku në
mënyrë shkencore argumenton me fakte, dëshmi, gjuhësi…, zinxhirin e trashëgimisë: etruskë-
pellazgë-ilirë-shqiptarë, gjë për të cilën Lamartini ka thënë: “Kjo është toka e heronjve të të
gjitha kohëve. Ne e pranojmë se Homeri aty e gjeti Akilin e pamposhtur, Greqia Aleksandrin e
madh, Turqia Skënderbeun, të tre të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak e të së njëjtës gjini”.
-Tek ky libër nuk kam ndonjë gjë të veçant për Atintanët, -thotë, -më shumë jam marrë me
çështje të tjera si: “Epiri i vjetër dhe institucioni i Dodonës”, “Shënime për Trojën”, “Kaonët dhe
ilirët”, “Pellazgët sipas Homerit”, “Prejardhja e emrit pellazg”, “Ilirët dhe gjuha e tyre”, etj.
Sidoqoftë edhe për fisin ilir të Atintanëve di jo pak:
-Ata ishin një nga fiset e njohura Pellazge, në afërsi me Enienët dhe Perrebët, të cilët gjënden
në veri me fisin e Mollosëve. Studiuesit, që kanë trajtuar këto çështje, i kanë konsideruar
përgjithësisht atintanët, si një entitet etnik, si një nga popullsitë e mëdha të Ilirisë së Jugut, apo
të Epirit; me kulturën, gjuhën dhe tiparet antropogjike të formuara në pjesën perëndimore të
Gadishullit të Ballkanit, aty ku shkrimtarët antikë i përmendin në veprat e tyre. Kanë shkruar e
folur shumë për ta, që nga arkeologu ynë i mirënjohur Hasan Ceka, për të vazhduar më tej me
të huajtë; Pjer Cabanes, Hadxopulos, Tukididi, Skilaksi, Herodoti, etj. Është pikërisht Tukididi,
që përcakton si territor të tyre, pjesën në veri të Molosëve, por edhe në marrëdhënie dhe nën
pushtetin e mbretërve molos. Si historiani më i lashtë i Greqisë, shek V p.e.s., ai i përmend
Atintanët si pjesëmarrës në pushtimin e Ambrakisë, Artës së sotme. Ishin së bashku me njëmijë
kaonë, nën udhëheqjen e Sabylinjtit, kujdestar i mbretit Theryp. Skilaksi jep një përshkrim më të
qartë: -kufitarë me kaonët, prapa gjirit të Orikumit. Ndërsa Herodoti i vendos ata pas Apolonisë.
Në shekujt që pasuan (shek. III, II…), Atintania do të coptohej, midis Perandorisë Romake dhe
asaj Maqedonase. Kjo është, pak a shumë, historia e shkurtër e këtij fisi, i cili gjendej në zemër
të Shqipërisë së sotme dhe kishte disa qendra qytetesh, si Bylisi e Nikaia, që dëshmojnë për një
kulturë të lashtë…
Kur përmendi fjalët “…Atintania do të coptohej…”, më erdhi ndërmend gjendja e tanishme e
Krahinës së Buzit, që e ka humbur atë shkëlqimin dhe gjallërinë e dikurshme, ndonëse në një
sistem, jo dhe aq të përshtashëm për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, sidomos të
zonave rurale, siç ishte dhe zona që shtrihej në zemrën e “Atintanisë së Lashtë”; pra Buzi me
28 fshatrat e tij…
Por më tërheq në rrjedhën e bisedës Përparim Xhixha teksa pyet:
-Po Salaria, a ndodhet afër kësaj krahine?
-Jo, i them. Përveç Vjosës, mes tyre ndodhen edhe fshatrat e zonës së Krahës-Qesaratit…
Pse?
-Kam një kujtim të disa viteve më parë, në atë fshat, me “vashën e legjendës së lirisë, Selam
Musait, Këze Selamja”… Po e shqiptoj siç m’u prezantua dhe siç e kam shkruar tek “Zëri i
Popullit”, para 41 vitesh…
-E di, që ashtu prezantohej, Këze Selamja, me mbiemër emrin e babit, ndonëse në të vërtetë,
mbiemrin e ka “Muçi”.
-Ku e di, ti?
-Se bashkëshorte kam një nga mbesat e saj. Kur tregon e shkruan për gjyshen e vet, këtij
togfjalëshi i referohet dhe ajo: “Këze Selamja”…
-Grua shumë e mençur, Nënë Këzja!… E di si m’u përgjigj teksa e pyeta: Si ja bën në dimër,
duhet të jetë shumë ftohtë këtu?!
“Unë jam plaka dallëndyshe, më tha. Në dimër zbres tek djali në Memaliaj, vajza në Tepelenë,
apo shkoj tek djali i madh në Tiranë”.
Kjo shprehje e të tjera, që shkëmbyem në atë bisedë interesante, u bënë shkak që të hedh disa
vargje, të cilat përveçse në bllokun e vjetër të shënimeve i kam shkruar e skalitur fortë edhe në
kujtesë:
Ç’më ndjen zemra, nuk flas dot ndryshe,
Unë jam një plakë dalllëndyshe,
Kur vjen dëbora në Salari,
Fluturoj tek nipër e mbesa në vërri…
Asnjë fjalë të tepërt nuk e kam thënë,
Po ca të fshehta shpirtit ja kam lënë,
Gjumin kam braktisur, boll do fle në varr
Çdo ditë e kam flori, flori e qelibar.
Jam dallëndyshe, mos qeshni, o bijë,
Të vërtetën e dua porsi një fëmijë,
Nuk e lë të meket së qari, pa t’i jap gjinë,
E kam shpirt e zemër, dritë për shtëpinë…





