ËNDRRA TË REALIZUARA*

ËNDRRA TË REALIZUARA*

Nga Floresha ZAÇA (SERANI)

 

Kam lindur në fshatin Maricaj, më 25 mars 1948. Që në moshë të vogël doja shumë të mësoja, mezi prisja të hapej shkolla. Kur mbusha moshën, fillova  shkollën me shumë dëshirë dhe derisa mbarova klasën e shtatë zelli për mësimin shtohej nga dita në ditë. Në klasë ishim 14 nxënës që vinin edhe nga Arrëza e Madhe, Arrëza e Vogël dhe nga Golemaj. Të gjithë mësonin njëri më mirë se tjetri dhe 12 prej nesh fituan të drejtën për të vazhduar shkollat e mesme, të përgjithshme e profesionale (në ato vite mbi

70% e popullsisë banonte në fshat dhe shkolla të mesme kishte vetëm në qytete). Mua

m’u plotësua dëshira: Më dhanë të drejtën të vazhdoja shkollën pedagogjike “Jani

Minga” në Vlorë, aty ku kisha ëndërruar, në degën e arsimit. Pas katër vitesh  mbushur plot punë e përpjekje e përfundova shkollën me rezultate të kënaqshme. 1 shtatorin e vitit 1967 e ruaj në kujtesë si një nga ditët më të bukura të jetës sime, mbushur me emocione e kënaqësi të papërshkrueshme: do të filloja punë si mësuese

shkollën ku kisha mësuar shtatë vjet, në shkollën e fshatit tim.të dashur. Gjeta një kolektiv mësuesish të përkushtuar që më ndihmuan të hedh hapa të sigurt në karrierën pedagogjike. Me respekt të veçantë kujtoj drejtorin e shkollës, Thanas Hodo, që me përgatitjen, seriozitetin, përkushtimin ndaj detyrës dhe talentin e taktin si drejtues, të frymëzonte, të motivonte e të hapte horizont. Në këtë mjedis e në këto kushte, punoja me mish e me shpirt për të bërë më të mirën, si me nxënësit ashtu

dhe me prindërit e tyre, besoj se ia kam arritur, tregues për këtë është dashuria e  respekti i nxënësve e i komunitetit. Gjatë dy viteve që punova në Maricaj njoha dhe njeriun që do të bëhej shoku im i jetës, Përparimin, ndihmësmjek në spitalin e Buzit. Në korrik 1969 u martova, erdha në një familje të re, por normale e e me tradita. Në shtator fillova punë në shkollën tetëvjeçare të Buzit, një kolektiv i ri dhe një përgjegjësi më shumë: më emëruan nëndrejtoreshë të shkollës. Drejtor kishim Nikita Bollanon, himariotin që punoi 30 vjet në Buz, një njeri serioz, mësues i kompletuar e drejtues kompetent. Edhe këtu gjeta një kolektiv shumë të mirë mësuesish, ku secili bënte

punën e vet dhe respektonte kolegun. Pas dy vjetësh u caktova mësuese në ciklin

e ulët të kësaj shkolle, me kolegë seriozë e të përkushtuar ndaj detyrës. Me kalimin e

viteve familja jonë u shtua me katër vajza e një djalë, që na e zbukuruan jetën. Fëmijët

i rritëm dhe i edukuam me qëllimin e mirë dhe ëndrrën që dhe ata të ecnin në gjurmët

tona, të arsimoheshin e të merrnin profesione të ndryshme, gjithmonë duke respektuar dhe dëshirat e prirjet e tyre. Të pestë fëmijët, pasi mbaruan arsimin 8-vjeçar, kaluan në shkollën e mesme, patën arritje të mira në mësime dhe fituan konkurimet për të vazhduar studimet e larta në universitete të ndryshme, të cilat i përfunduan me sukses. Sot fëmijët tanë punojnë në sektorë të ndryshëm, si arsim, shëndetësi, energjetikë. Ne si prindër ndihemi të lumur që na u realizua ëndrra dhe na

bëhet zemra mal, kur fëmijët tanë janë të zotë në profesionet e tyre dhe punojnë e jetojnë në Shqipëri e në Kanada dhe ne, tani në pension, e kalojmë jetën mes Tiranës e Montrealit, duke iu gëzuar nipërve e mbesave, këtu e në Kanada. Këtë dëshirojmë për të gjithë prindërit: t’i shohin sa më mire fëmijët e tyre, t’u realizohen ëndrrat që kanë thurur për ta, të jetojnë të lumtur pranë njerëzve të tyre të dashur.

*Botuar në Gazetën “TREBESHINA” Nr 51, Qershor 2018

Postimet të fundit