DHURATA E ÇMUAR PËR KRAHINËN E BUZIT
DHE TRIMI SEFEFDIN LIME.
Nga Kristo MËRTIRI

…I kujtova këto ditët e fundit, kur po shfletoja nëpër 450 faqet e librit voluminoz: “Krahina e Buzit dhe Tepelena” botuar në Tiranë dhe kushtuar 28 fshatrave të kësaj krahine me emër në historinë dhe kulturën kombëtare. Por kur pashë emrin e autorit, Bedri Serjani, u emocionova jo pak. Një djalë buziot i ndershëm e dinjitoz kudo ku ka punuar. “Vetëm këta njerëz të rralluar mund të merren e të bëjnë sot punë të tilla të lodhshme e sfilitëse, pa i urdhëruar askush dhe pa u paguar nga askush”,-më thotë shpesh një kolegu im i vjetër.
Kjo është një nga dashuritë e vërteta për vendlindjen, larg çdo fjalimi, dekorate dhe hipokrizie. Vite të tëra mundimi e studimi skrupuloz, orë të pafundme durimi dhe sacrifice, gjithnjë në emër të detyrimit moral, qytetar, intelektual e patriotik. Është ky zjarr i pashuar që mban kurdoherë ndezur atdhedashurinë…
Anën e djathtë të Vjosës Sami Frashëri e quante “Toskëri e vogël”.
Por edhe me kapedanë të mëdhenj e me lashtësi të ndritshme. P.sh. Neritan Ceka thekson se “Rabia dhe Kalivaçi ishin kështjella në funksion të ruajtjes së Bylisit e Nikeas”. Toponimia flet qartë për gjurmët që ka lënë historia, sidomos gjatë Rilindjes Kombëtare. Kur këngëtari jo pak popullor buziot, Ylli Baka, i këndon Tafil Buzit të famshëm, ne e identifikojmë si një nga legjendat e shekullit të XIX. Ose me vonë me Luftën Kombëtare të Vlorës.
“Nuk kishte fshat që s`nxorri çeta a grupe burrash e djem që shkuan vullnetarisht në vijën e zjarrit”-tregon Shyqyri Hysi. Vetëm nga zona e Buzit ishin mbi 70 luftëtarë që komandoheshin nga Reiz Skëndi (Shalësi), Sheh Hysen Arrëza, Maliq Zenel Rabia etj.
Më vonë, pas Kryengritjes antizogiste të Fierit, mes 11 të dënuarëve me vdekje ishte edhe dëshmori i Atdheut Hysen Lamaj, djali i Arrzës e nipi i Gllavës. Ndërsa dijetari i mirënjohur Robert Elsie na bën me dije se “Baba Ali Tomorri” pati lindur në Shalës, afër Tepelenës. Por është autor i 6 librave me letërsi apo histori të bektashinjëve…
Por një nga figurat e veçanta të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në krahinë dhe më tej, portreti i tij i pangjashëm me të tjerë, krenar e i pakompromis me të keqen, nuk më shqitet nga mendja. Sabri Godo e kishte mik për kokë, që nga koha e Luftës Antifashiste. Por Sefedin Lime nuk gjuajti kurrë ndonjë post a kolltuk. Me belxhikun në krahë ruajti pyjet! Mirëpo, i mençuri Sabri Godo, kur kishte ndonjë hall të madh, nisej nga Tirana për në Buz, pinte raki e dëgjonte këshillat e vyera të Sefedinit. Ndërsa ndonjë drejtues në rreth ia hipte “kalit” mbrapsht dhe nisej për ta demaskuar publikisht në qendër të krahinës, në Buz. Por Sefedin Lime ua digjte kartat në xhep…
Të gjithë kujtonin urtësinë e tij të njohur e të lindur në radhët partizane: “Trimëria e kthen plumbin mbrapsht!”. Atij Burri me karakter stërralli e zemërkulluar, nuk i hyri kurrë lepuri në bark. As pas çlirimit e Rindërtimit të vendit. Kur fillova punë si korrespondent profesionist për 4 rrethet e Jugut (nga Metropoli askush nuk e provoi një barrë të tillë, të rëndë për penën dhe supet e mi të rinj në gazetari!), po dëgjoja gjithnjë e më shpesh për SEFEDIN LIME KRECI që nuk përkulej përballë hijes së çdo funksionari të lartë në rreth e në Tiranë. Vërtet frika ka lindur para njeriut, por burrit të vërtetë i ka hije fjala e kuvendi. Dhe trimat vdesin vetëm njëherë, kurse frikacakët shumë herë!
Mbaj mend kur xha Sefedinin ishpartizan trim dhe që i ngjante Tafil Buzit në trup, mustaqe, trimëri, burrëri e diplomaci, një ditë e përjashtuan nga Partia ca çapaçul “besnik” të ish Sekretarit të parë ekstremist e shpirtlig. Këtë lloj “pushkatimi politik” të pamerituar, babai ynë nuk e përjetoi mirë. Dhe tha vetëm kaq: “Ore djem, trima budallenj ka sa të duash, por rrallë gjen trima me mend si Sefedin Limja” dhe rrufisi kafenë pa sheqer…
Se buziotët e mirë, të urtë e punëtorë, nuk e durojnë pluhurin mbi supe, ngado që të vijë. Durojnë, por nuk harrojnë. Për hir të ndershmërisë, janë gati të paguajnë çdo lloj kostoje partie e pushteti. Që nga poeti Sadik Bejko që la Radio-Tiranën dhe hyri për “riedukim” në galeritë e llavat e qymyrit në Memaliaj për 6 vite.
Por miku im, Bedri Serjani, ka nxjerrë nga arkivat edhe bëma e gjëma të tjera nga të gjitha krahët, me emra dhe mbiemra. Pa lënë mënjanë dhjetra e dhjetra gra e burra nga fushat e Arsimit, Kulturës, Shëndetësisë, Bujqësisë e Blegtorisë etj. ardhur nga fshatra, qytete, krahina e rrethe të tjera dhe që dhanë shumë për brezat e kësaj treve përparimdashëse. Ishte surprizë dhe befasi e këndshme për mua kur pashë ca shënime të dërguara nga Amerika: shkruante Dalan Luzaj kaninioti, një nga shokët më të afërt të Xhevahir Spahiut!.
20 Vite më parë shkrova me dashuri për poezitë e tija. Nuk e kam njohur ende personalisht. Veçse titullin e shënimeve për Buzin nuk e harroj: “Atje ku shkëlqente Sefedin Lime Kreci”. Kjo figure përfaqëson mjaft cilësi adhuruese, dje dhe sot. Emri dhe nderi nuk blihen ma para, e as me tesera partiake si varka shpëtimi dhe mashtrimi. Kur erdhi në Buz vetë Bim Sina nga maja e “Olimpit”, për të ripranuar xha Sefedinin në Parti, ai kish mbathur opingat, ecte me këmbë për të zbritur në Memaliaj. Mbledhja në fshat dështoi. Të deleguarit ikën të çuditur. Dikush ua tregoi adresën dhe nisën instruktorë që t`i mbushnin mendjen në qytetin e minatorëve: “Edhe sikur bilbil Mustafa Matohiti të ngrihet nga varri (sepse ai ma kish dhënë në Luftë), unë nuk e marr më atë Kartën tuaj të anëtarësisë”…”.
Nuk lëvizi nga istikami i ndershmërisë, ashtu i fyer gjer në kockë, deri sa mbylli sytë. Madje një ishanëtar i Byrosë Politike, shok lufte, sa herë vinte me punë në Përmet e Gjirokastër, vinte dhe në Buz të piqej me bashkëluftëtarin dhe shokun e idealit të dikurshëm. Drejtuesit në rreth e në krahinë lëviznin të shqetësuar dhe prisnin përjashta “udhëheqjen”. Vetëm xha Sefedini nuk lëvizte nga tavolina me një gotë rakie përpara, në klubin e vogël të fshatit. Ashtu këmbë përmbi këmbë, krenar e meditues me mustaqet bigë. “Hallin” e drejtuesëve, i ardhuri “nga lart” e kuptoi mirë. “më prisni pak këtu, se e gjej vetë mikun tim…” dhe hyri e shkoi drejt tavolinës me “huqe” pleqërie e trimërie: Eh, more Haki, nga pyjet më thirre e më more në Luftë, te pyjet më gjete pas gati 40 vjetëve!..
Kjo përgjigjje e Sefedin Limes po qarkullon me dekada gojë më gojë. Se trimat e mençur, me dy fjalë i thonë të gjitha. Nuk kanë nge e qejfe për fjalime zyrtare që të marrin frymën.
Në një përvjetor të çlirimit të Tepelenës, kishte ardhur si i deleguar, Petrit Dume. Në darkën e shtruar erdhi edhe xha Sefedini. Shumë vetë mbetën si të ngrirë e plot ankth përballë buziotit kokëkrisur e tepër të respektuar nga njerëzia e thjeshtë në fshat e qytet. Priti ca i vetmuar, mori gotën e rakisë në dorë, hodhi vështrimin e inatosur ndaj rojeve të armatosur në këmbë dhe foli një fjali: “Sonte, unë nuk do kthej asnjë pikë për Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtirsë (kërcitën karriget dhe tavolinat), por do ngre dollinë për Komandantin trim të Batalionit partizan “Hakmarrja”..” E ktheu me fund gotën dhe…doli përjashta si furtunë.
“Liria fillon nga ironia”. Se ai i kishte zët disa drejtues të vendit e në rrethe, të cilët harruan shpejt udhët nga erdhën në pushtet dhe po jetonin si bejlerë dhe agallarë. Të sotmit ia kanë kaluar disa fish Bllokut të djeshëm, gjithnjë në emër të Lirisë e të Demokracisë. Por lumi nuk e harron shtratin e vjetër. Bedri Serjani i la krahinës së Buzit dhe Tepelenës, një dhuratë të çmuar për brezat!





