BUZI MBETET NË ZEMRËN TIME* Nga Nikita BOLLANO

BUZI MBETET NË ZEMRËN TIME*

 

Nga Nikita BOLLANO

 

E çuditshme, me mua ndodh ajo që thotë kënga popullore kushtuar të rënëve: “Vitet tutje, ju tëhu”. Edhe unë, sa më shumë kalojnë vitet që jam larguar nga Buzi, aq më i afërt më bëhet, aq më i dashur më bëhet si vend, aq më i shtrenjtë, aq më shumë më merr malli e mallëngjehem për atë vend ku punova e jetova për vite e vite të tëra. Unë nuk u linda në Buz, por ajo zonë, njerëzit e saj më bënë që me krenari të them që jam buzjot. Më bëri kështu ngrohtësia e njerëzve të Buzit, më bëri bujaria e tyre, mikpritja e tyre, çiltërsia e shpirtit të tyre. Më bënë për vete ato zakone e rite të mrekullueshme të krahinës së Buzit. Punova gati 30 vjet dhe për asnjë çast nuk e ndjeva largimin nga vendlindja ime. Mungesën e vendlindjes ma plotësonte respekti dhe dashuria e njerëzve të thjeshtë të zonës. Këtu në Himarë, ku jetoj tani, gjithnjë më kalojnë nëpër

mendje si në ekran, vitet që kalova e punova në Buz. Për mua Buzi mbetet vendi i njerëzve të mirë, I njerëzve të thjeshtë, i njerëzve bujarë, i njerëzve të çiltër e me zemër të hapur, i njerëzve mikpritës, I njerëzve që kanë një respekt të admirueshëm për të huajt. Prandaj Buzi mbetet vendi që më mahnit me madhështinë e tij për cilësitë e virtyteve që përmenda. Ajo zone është skalitur në mendjen, në zemrën e në gjithë qenien time me ngjyrat  më të bukura. Jeta është e bukur me të mirat e të metat esaj. Këto përbëjnë edhe thelbin e bukurisë së jetës. E them këtë  se pati edhe vështirësi objektive ose subjektive. Para vitit 1970, në Maricaj bënim shkollë nate me llambë

me vajguri. Unë isha rritur në një vend me dritë elektrike dhe u çudita kur fillova punën e dritë elektrike nuk kishte. Ato erdhën për të gjithë Shqipërinë në vitin 1970.

Kujtoj ditën e parë që u emërova në Buz. Ishte 15 shtatori i vitit 1963. Të mbledhur në kinemanë e vjetër të Tepelenës, gjithë mësuesit e rrethit, pasi u bë analiza vjetore e punës për vitin e kaluar shkollor, u dhanë emërimet. Isha emëruar drejtor në shkollën 7-vjeçare Buz. Kështu quheshin atëherë shkollat që më vonë u quajtën 8-vjeçare. Rasti e solli, që si dola nga mbledhja, disa shokë më njohën me të paharruarin Tomor Malaj, i cili në atë kohë ishte agronom i lokalitetit të Buzit. Ngaqë unë nuk e njihja rrugën, u nisëm bashkë më këmbë për në Buz nga sektori i minierës, duke u ngjitur nga lagjja Rrapaj e Badër dhe gati në mbrëmje arritëm në Buz. Kujtimet janë të shumta e të paharruara, por mes tyre dua të kujtoj një rast që më ka lënë mbresa. Isha mësues në Maricaj. Ishte data 14 mars, Dita e Verës. Nxënësit e klasës që kisha në  kujdestari, kishin sjellë që të gjithë nga një vezë dhe i kishin vendosur në tavolinën e mësuesit.

Sa futem në klasë, shikoj tavolinën mbuluar cep me cep me vezë. U gjenda para një të papriture, që nuk e kisha jetuar më parë dhe menjëherë dal nga klasa, shkoj në sallën e mësuesve dhe u tregoj shokëve skenën që pashë në klasë. Ata e dinin këtë se kjo kishte ndodhur edhe në klasat e tyre. Më treguan që 14 Marsi festohet dhe nxënësit nga ana e tyre kanë dëshirë që të sjellin diçka te mësuesi. Ndërkohë unë këtë nuk e dija, se në vendlindjen time nuk festohej kjo datë. Mikpritja dhe bujaria e njerëzve të zonës së Buzit, në mendjen time është në shkallën sipërore. Mjafton t’ju kujtoj se, kur fillonte “stina e qumështit”, të gjithë fshatarët bënin vetë një listë që e dinin vetëm ata, dhe na sillnin me radhë qumësht çdo mëngjes. Edhe ky është një nga rastet e shumta që flet për mikpritjen e bujarinë e banorëve të kësaj treve. Me zonën e Buzit më lidhin shumë kujtime, por mbi të gjitha, më lidhi me shokët e shumtë që njoha. Dhe kur them shokë të shumtë, janë shokë shumë të mirë nga çdo pikëpamje. Kë të përmend e kë të lë?! Janë aq shumë sa do të më duhej një listë shumë e gjatë që t’i përmend të gjithë. Sidoqoftë, i përshëndes të gjithë, kudo që janë, me mall, me dashuri, duke i siguruar se do të mbetem deri në fund një mik besnik i tyre dhe i zonës së Buzit. Buzjotët janë arsimdashës. Si në të gjithë vendin, arsimi në zonën e Buzit, deri në vitet para 90-ës, pati një zhvillim  të paparë deri atëherë.   Arrit që në çdo fshat të kishte shkollë të ciklit të ulët, madje, kishte lagje ku u ngritën shkolla të ciklit të ulët, si në Llokovë e Badër. Në çdo dy fshatra u ngritën shkolla 8-vjeçare, kurse në Buz u hap shkolla e mesme e bashkuar – gjimnaz e bujqësore. Ky ishte një hap madhështor në sektorin e arsimit. Në këto shkolla me kalimin e viteve punonin mësues të kualifikuar e me arsimin e duhur. Kuadrot e shumtë që dolën nga kjo zonë, për çdo sektor të ekonomisë e të kulturës ishin rezultat I zhvillimit të arsimit. Për çdo sector dolën kuadro të lartë, si mësues, agronomë, mjekë, oficerë etj. Veçse sot, dhe këtë e them me dhimbje në shpirt e në zemër, sektori i arsimit, aq jetik për popullin e sidomos për një zonë të thellë siç është zona e Buzit, ka bërë hapa prapa. Unë që punova kaq vite në këtë zonë dhe që isha pjesëmarrës direkt i zhvillimit të arsimit në këtë zonë, ligështohem kur shoh që aty po rikthehet analfabetizmi.

Tani, për kushtet që janë krijuar, edhe unë si shumë shokë të mi, jam larguar nga Buzi, por, dhe këtë e them me bindje, jam larguar nga Buzi vetëm fizikisht. Mendja ime, qenia ime, për asnjë çast nuk  është larguar nga Buzi e nga banorët  e tij. Edhe shokët që takoj, që janë nga Buzi, më mbajnë më afër me Buzin. Edhe bisedat telefonike që bëj me shokët nga Buzi, më mbajnë më të lidhur me Buzin. Buzi, ajo zonë, njerëzit kryelartë të saj, janë gjithnjë në mendjen e zemrën time. Është kjo arsyeja që për gjënë më të vogël, marr rrugën për në Buz me gëzim. Dhe kjo do të vazhdojë sa të jem…

*Botuar në Gazetën “TREBESHINA”, Mars 2018

Postimet të fundit