BEKTASHIZMI NË TREVËN E BUZIT DHE TEQEJA E GLLAVËS Nga Naim DËRA

BEKTASHIZMI NË TREVËN E BUZIT DHE TEQEJA E GLLAVËS

Nga Naim DËRA

 

Bektashizmi në trevën e Buzit si në shumë zona të Shqipërisë, i ka rrënjët thellë në shekuj, në jetën e njerëzve dhe në truallin e kësaj zone. Banorët e këtyre anëve janë  të privilegjuar nga Zoti edhe për pozicionin gjeografik ku lindin e rriten; lëndinat e livadhet e pastra u mbështillen kodrave të bukura sikur duan të ngrihen në supet e tyre drejt qiellit. Ashtu të lidhura  harmonikisht ato pak copëzra toke, lëndina e livadhe bashkë me Kodrat e Gllavës dhe Komarit janë pozicionuar në mënyrë të tillë sa na duken si të vendosura me dorë për të komunikuar me vendet e shenjta.

Nga këto lartësi, duke drejtuar shikimin në jugperëndim mund të vështrosh kurorën e shenjtë matanë Vjosës dhe pasi çmallesh me të, hedh sytë në verilindje nga ku Baba Tomori të rrëmben në gji me pamjen dhe ndiesinë hyjnore. Kur i sheh nga këto vende të bekuara nga perëndija, Çukat e Gllavës  dhe malin e Komarit të duken sikur i ke në pëllëmbë të dorës. Ndjenjat që provon njeriu në këto raste janë të papërshkrueshme; të duket se je në Parajsë!  Lidhja shpirtërore e njerëzve të kësaj zone me tarikatin Bektashian është krijuar në bazë të bashkëjetesës së përhershme të atdhetarizmit dhe besimit në Zot. Kjo simbjozë shprehet qartë dhe kuptimplote në devizën: “Pa atdhe nuk ka fe”. Nga të parët tanë janë transmetuar tek ne shembujt e figurave të nderuara, të cilët bënë sakrifica sublime në mbrojtje të lirisë dhe idealeve Bektashiane. Tarikati bektashian në Shqipëri ka qenë prezent që me lindjen e tij rreth 8 shekuj më parë nga themeluesi Haxhi Bektash Veliu, idetë e të cilit i përçoi  në Shqipëri misionari bektashian i Quajtur Sëri Salltik, por gjallërimi dhe zhvillimi i këtyre ideve u ndije fuqishëm në kapërcyell të shekujve 18 dhe 19 me mbështetjen e fuqishme të emërmadhit Ali Pashë Tepelena, i  cili ndihmoi dhe mbështeti fuqishëm bektashizmin duke qënë edhe vet bektashi i mirënjohur. Ndër kohra dhe në momente të vështira të kombit kanë gjëmuar betejat e buzjotit emërndritur Tafil Buzi. Vlaga e trimërisë të këtij kapedani buziot dhe bashkluftëtarëve të tij u bë ndër breza amaneti për atdhe dhe për besim fetar. Shtysë të ndieshme i dhanë bektashizmit edhe vëllezërit frashëllinj. Në këto rrugë e gërxhe kanë kaluar në kohën e vet këta bektashinj emërmëdhenj bëmat e të cilëve janë shkruar në historinë tonë kombëtare e janë transmetuar gojë më gojë si amanet nëpër breza. Edhe në ditët tona jehona e fjalëve të tyre gërshetohet me gjëmimin e erërave të dimrit dhe flladin pranveror dhe përbëjnë betimin : “Për Atdhe e për Fe!”. Teqeja e Koshtanit është teqeja e parë bektashiane në rrethin e Tepelenë (Sipas Prof. Dr.Bektash Mema dhe studiusit Xhezo Cana në librin studimor “shkolla dhe klube në vilajetin e Janinës” teqeja e Koshtanit është ngritur në vitet 1799-1803). Pas kësaj kohe janë ngritur edhe disa teqe të zonës së Buzit. Bazuar në të dhëna të shkruara teqeja e Gllavës është ngritur në vitet 1880-1890. Afërsisht në këtë periudhë kohore janë ndërtuar edhe  teqetë Rabije, Gllavë,  Komar, Rozeç, Maricaj, etj.  Dëme të mëdha shpirtërore dhe materiale u shkaktuan në këto teqe në vitet 1913-1915 nga lëvizja rrebele dhe nga andartët grekë. Gjithashtu dëme shumë të mëdha u bënë gjatë periudhës së sistemit monist, sidomos me ndalimin e besimit fetar. Me ndalimin që u bë nga sistemi monist, shumë nga këto teqe u dëmtuan e u shkatërruan, por figurat e klerikëve bektashianë dhe sakrificat e tyre për atdhetari u ruajtën në mëndjet e zemrat e njerëzve. Pas viteve 90, me ardhjen e pluralizmit banorët e trevës së Buzit arritën të rindërtojnë një pjesë të ndërtesave në vendet e shenjta. Ku me ndërtimin e komplekseve e ku me ndërtime më të thjeshta sot ritet bektashiane bëhen të mundura në truajet bektashiane të Zhapokikës, Luftinjës, Rabijes, Maricajt, Toskmartallozit, Divanesë, Arrëz, Rozeç, Komarit, Gllavës, etj. Emrat e Klerikëve të paharruar: Baba Ismaili, Baba Ali Tomorri, Baba Medini, Baba Abazi, Baba Shefqeti, Baba Xhelua, Baba Muharremi, Baba Sherifi dhe të tjerë kujtohen dhe respektohen për sakrificat që kanë bërë në përmbushje të detyrimeve për atdhetarizëm dhe besimit fetar.

Teqeja e Gllavës; fole shqiponjash

Të gjitha teqetë dhe vendet e shenjta bektashiane kanë historinë e tyre të paharruar ndaj ato janë një fushë e gjërë nga ku mund të evidentohen kontributet në historinë e shoqërisë, por një vend të veçantë në këtë fushë për misionin atdhetar e bektashian zë teqeja e Gllavës. Kjo teqe është një nga vendet e shenjta të tarikatit Bektashian e mirënjohur në gjithë jugun e Shqipërisë dhe më gjerë. Trualli dhe historia e kësaj teqeje është e gërshetuar me ngjarje të rëndësishme të historisë së Tepelenës dhe të Shqipërisë. Për këto ngjarje dhe sidomos për rolin e Baba Medin Gllavës në krye të Teqesë kanë bërë shkrime, studime dhe vlerësime disa studiues serioz dhe të përkushtuar si Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Prof. Dr. Bektash Mema, Prof. Dr. Shyqyri Hysi, studiusit dhe publicistët e spikatur Bashkim Koçi, Xhezo Cana, Nuri Çuni, etj. Themeluesi i teqesë së Gllavës është Baba Ismaili. Ky Baba emërmirë  veshi në këtë teqe disa dervishë, midis të cilëve në vitin 1907 edhe Dervish Medinin, i cili ishte nga fisi Caushaj i Levanit, por për kontributin që dha në këtë teqe mori edhe emrin Medin Gllava. Pasi Baba Ismaili ndërroi jetë, në teqenë e Gllavës u mblodhën dervishët e kësaj teqeje. Në prani të Baba Ahmet Turanit dhe shehut të Gllavës (halveti), me miratimin e të gjithë dervishëve , Baba Ahmet Turani dekretoi në mars të vitit 1910 dervish Medinin në krye të teqesë së Gllavës. (Prof.Dr.Bardhosh Gaçe në librin “Baba Medin Gllava” faqja 32). Zgjedhja e dervish Medinit Baba në këtë teqe u bë në kohën që lëvizja kombëtare shqiptare për pamvarësi po merrte zhvillime të rëndësishme. Në vitin 1910 kishte shpërthyer lëvizja antiturke në Kosovë. Kjo kryengritje përkon në kohë edhe me ngritjen e disa çetave patriotike në Shqipërinë e jugut. Në këtë kohë Baba Medini krijoi çetën patriotike me 13 luftëtarë. Sipas Prof. Dr. Bardhosh Gaçe këtë fakt e vë në dukje edhe Marko Qypi një nga komandantët e çetave patriotike në Myzeqe dhe Mallakastër, i cili midis të tjerave thekson se në vitin 1911 në një takim me Ismail Beun në Vlorë për organizimin e kryengritjes ishte edhe …Baba Nedin (Medin) Gllava. Në ditët e para të qershorit të vitit 1911 Baba Medini merr një letër nga Namik Delvina ku i kërkohej të ishte në një mbledhje të fshehtë në fshatin Mavrovë të Vlorës. Në këtë mbledhje ku ishte i dërguari i komitetit kryengritës Namik Delvina, ishin të pranishëm përfaqsues të Mallakastrës, Vlorës, Gjirokastrës, Përmetit, Kurveleshit, Tepelenës, Delvinës dhe Çamërisë, baba Medini së bashku me baba Ahmet Resulin ishin të shoqëruar edhe nga pesë luftëtarë. Në atë mbledhje u diskutua për një organizim dhe bashkëpunim më të ngushtë midis forcave kryengritëse të krahinave në mbështetje edhe të kryengritjes së kosovës dhe kërkesave të malsorëve ndaj portës së lartë. Në atë kohë Baba Medini njihet me kërkesat e kuvendit të Gërçes në Malsinë e Madhe dhe kërkesat që i ishin shtruar Portës së Lartë për njohjen e kombit shqiptar, bashkimin e vilajeteve shqiptare, krijimin e administratës me nëpunës shqiptar duke i hapur rrugë kështu dëshirës së shqiptarëve pë të realizuar autonominë e tyre. Këto kërkesa ishin në përputhje me aspiratat për të cilat baba Medini dhe tepelenasit e tjerë përpiqeshin ti realizonin. Në vijim të këtyre përpjekjeve Baba Medini merr pjesë në korrik të vitit 1911 në kuvendin e Sinjës. Në vijim të përpjekjeve për pamvarësi çeta e Baba Medin Gllavës, e cila në pranverën e vitit 1912 kishte në radhët e veta 32 luftëtarë bashkëpunonte me çetat e tjera patriotike të jugut të Shqipërisë duke kontribuar me pushkë dhe me penë sipas kushteve dhe rrethanave të krijuara. Baba Medini mbështeste ecurinë e shkollës shqipe të Koshtanit, por kishte marrë përsipër të sillte edhe libra shqip të prodhuara jashtë Shqipërisë nga patriotët shqiptar. Miqësia që kishte lidhur Koço Apostolin dhe Mihal Apostolin (këta ishin tregëtarë që transportonin djathin dhe lëkurët e bagëtive nga çukat e gllavës në molin e Sarandës për në selanik) me teqenë e Gllavës bëri që Thoma Apostoli dhe çifuti Solomoni të financonin riparimin e teqesë së dëmtuar nga tërmeti i vitit 1910-1911. Nga dëshmija e Abdulla Faqekuqit me gjalljen e tij (Prof. Dr. Bardhosh Gaçe në librin “Baba Medin Gllava”) mësojmë se teqeja e gllavës u kthye në shkollë nga baba Medini. Aty, të pranishmit; mysafirë, pjestarë të teqesë dhe banorë të zonës mësonin shqip me abetaren e Sami Frashërit. Teqeja e Gllavës i vijoi përpjekjet e saj me pushkë e penë edhe në vitet 1912- 1914, kur pamvarësia e shpallur nga Ismail Qemali u sulmua nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm me synimin që të mos mbijetonte. Në këtë fazë shkëlqejnë përpjekjet e luftëtarëve të çetës së kësaj teqeje, që me mbështetjen e popullit patriot të kësaj treve përbëjnë kontribut të rëndësishëm patriotik kombëtar. Në librin e vet “Topullarët e Gjirokastrës” autori Bajo Topulli (i riu) pasqyron bashkpunimin e çetës së Çerçiz Topullit me çetën e Baba Medinit. Aty tregohet se Çeta e Baba Medin Gllavës me luftëtarë nga fshatrat Zhapokika, Rehova, Gllava etj. u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit dhe së bashku bënë planin e betejës në përfundim të së cilës rrebelët e Haxhi Qamilit u thyen. Në një nga këto beteja (sipas gazetës “Populli”) çeta e Baba Medinit vrau 40 rrebelë dhe zuri të gjallë 90 prej tyre. Në botimet e shtypit të kohës dhe kujtime të transmrtuara gojarisht që nga bashkëkohësit vërtetohet se çeta e Çerçiz Topullit bashkë me atë Baba Medin Gllavës bashkërenduan aksionet luftarake me me çetat e luftëtarëve të Skraparit me në krye Veis Sevranin e Xhelal Koprënckën, ato të ardhura nga Korça me në krye Mihal Gramenon e Themistokli Gërmenjin, ato të Kamber Velabishtit dhe të Mallakastrës me në krye Musa Hamit Hekalin. Fushbeteje u bë gjithë zona që përfshinte Buzin, disa fshatra të Mallakastrës dhe Beratit dhe si rrezultat i shumë luftimeve çetat patriotike arritën të thyejnë rrebelët dhe të marrin edhe kalanë e Beratit. Në këtë periudhë Teqeja bektashiane e Gllavës u kthye në  fole shqiponjash.  Me mbështetjen e popullit të fshatrave përreth ajo u bë bazë e rëndësishme e luftëtarëve të çetave pjesmarrëse në luftime. Baba Medini dhe çeta e teqesë së Gllavës vazhduan luftën edhe kundër andartëve grek, ku në një nga betejat Baba Medini plagoset dhe bashkëluftëtarët e tij e strehojnë në teqenë e zallit në Gjirokastër, ku ndërroi jetë nga plagët e marra në luftime. Në vlerësim të veprës të këtij bektashiu atdhetar, Ai u varros në truallin e teqesë së Zallit, ku fjalën e përcielljes e mbajti Baba Ali Tomorri. Për kontributin e Baba Medinit në shërbim të kauzës së atdhetarizmit dhe idealeve bektashiane në shtator 1914 është vlerësuar nga Princ Vidi me “Medaljen e Artë” me motivacionin “Besë e bashkim për shpëtimin e Atdheut”. Gjithashtu komuna Krahës dhe Qarku Gjirokastër i kanë dhënë baba Medin Gllavës titullin “Qytetar Nderi”.

Në gjurmët e patriotëve bektashian

Edhe me ndalimin e besimit fetar nga sistemi monist, teqetë, klerikët e nderuar tyre dhe besimi në idealet bektashiane ngelën të pashlyera në mendjet e zemrat e njerëzve të trevës së Buzit. Me kontributin e këtyre njerëzve dhe mbështetjen e klerikëve bektashian pas viteve 90-të u ndërtuan tyrbetë në truallin e disa teqeve bektashiane. Tyrbe të tilla u ndërtuan edhe në truallin e teqesë së Gllavës. Në ato tyrbe prehen Baba Ismaili, Baba Murati, Baba Medini, Baba Muharremi dhe Baba Ademi. I pranishëm në përurimin e në përurimin e tyrbes ku u vendosën Baba Muharremi, Baba Medini dhe Baba Ademi në 25 shtator 1914 kam pare se ç’ndjenja të paharruara provon njeriu në këto vende të shenjta! Lëndinat në truallin e teqesë gumzhinte nga njerëzit e pranishëm, të cilët takoheshin e çmalleshin me njeri-tjetrin, por herëherë hidhnin shikimet edhe më larg; kërkonin me sy sikur ti shikonin të gjallë klerikët e nderuar të cilët fizikisht nuk ishin të pranishëm që para një shekulli. kishte ardhur nga Levani Medin Caushi (Medini i ri); nipi i baba Medinit , i cili bashkë me kurbanin dhe një mbështetje financiare solli dhe një trastë me dhe nga trualli ku ishte lindur Baba Medini dhe ja vendosi si jastëk nën kokë te mezari i tij. Kurban solli edhe nipi i baba Muharremit (Muharem Allkushi, i riu), i cili kishte dhënë kontributin kryesor financiar në ndërtimin e kësaj tyrbeje.Në atë atmosfere të veçantë ishin të pranishëm edhe klerikë bektashinj me në krye Kryegjyshin e kryegjyshatës Botërore Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Ashtu si para një shekulli në mes atmosferës së paharrueshme në atë truall dukej sikur ishin pranë edhe klerikët e nderuar, të cilët trualli i shenjtë i teqesë i kishte marrë për ti mbajtur në gjirin e vet.

Postimet të fundit