Tafil agë Buzi (1792 – 1844)

Tafil agë Buzi (1792 – 1844) ka qënë një prijës ushtarak, që shërbeu për Ali Pashë Tepelenën, Omer Pashë Vrionin, kryengritje greke për pavarësi, kryengritjet kundër Tanzimatit dhe si përfundim Ibrahim Pashës së Egjyptit.
Tafil Buzit është vlerësuar me dekoratën “Nderi i Kombit” për kontributin e shquar atdhetar, por dhe si një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. Fan S. Noli e vlerësonte për patriotizmën shqiptare. Për luftën dhe veprën e Tafil Buzit, këtë figurë të trimërisë dhe të mençurisë i cili ishte jo vetëm prijës i kryengritjeve më të para mbarëshqiptare, por dhe pararendës i madh i vetëdijes kombëtare. Tafil Buzi me vizionin e tij përkrahu frymën luftarake për kryengritje të përgjithshme të përfaqësuesve të krahinave të jugut të Shqipërisë në një besëlidhje ushtarake dhe politike. Me patriotizmin e kthjellët e përparimtar, ai i bashkoi trimat e Jugut të Shqipërisë me shpalljen e bërë në kryengritjen e 1835, që ishte një nga proklamatat e para dhe thirrje për çlirimin e atdheut. Për herë të parë ky kapedan i Shqipërisë foli në emër të të gjithë vendit dhe të krahinave kryengritëse të Jugut.
Tafil Buzi, figura me përmasa përtej epokës ku lindi dhe veproi
Nga Prof. Dr. Shyqyri HYSI

Në panteonin e figurave kombëtare shqiptare zë vend edhe biri malësisë së Buzit, Tafil Buzi. Në Fjalorët Enciklopedik Shqiptar 1985, 2008, viti i lindjes së Tafil Buzit nuk është përmendur, aty gjendet vetëm viti i vdekjes 1866. Në fakt, gjenden dy të dhëna për datën e vdekjes së tij. Disa autorë si datë të vdekjes përmendin vitin 1844. Por, ky vit rrëzohet automatikisht. Hitoriani francez Evgjen Puzhad dëshmon se: “… në vitin 1845 Tafili, në krye të 1500 trimave, hyri në mënyrë solemne në Janinë”. Vendlindjen e tij e konfirmon studiuesi Mexhit Kokalari në punimet: “Trima të Kryengritjeve popullore” dhe “Bijtë e shpatës shqiptare”. Ai shkruan se: “…ishte nga fshati Buz-Kalemaj i Tepelenës”. Në raportet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Franceze 1818, lexojmë edhe emrin e kordhëtarit Tafil Buzi, i cili ishte kapedan në Oborrin e Ali Pashës në Janinë. Emri i Tafil Buzit si udhëheqës popullor, doli në Kuvendin e Beratit, më 7 Nëntor 1828. Në këtë kuvend kryengritësit shqiptarë kërkuan që : – Administrimi i vendit të bëhej prej shqiptarëve; – Turqit të mos përzihen në punët e brendshme të vendit; – Të ndalet zbatimi i reformave centralizuese; – Të shpallet amnistia për të gjithë kryengritësit shqiptarë;
– Këshilli i pleqve të vishet me funksione administrative e gjyqësore, duke u mbështetur në të drejtat zakonore shqiptare; – Nëse nuk plotësohen këto kërkesa, kryengritësit do të vazhdojnë luftën kundër ushtrisë osmane. Këto kërkesa iu paraqitën Stambollit prej Çelo Picarit e Tafil Buzit. Kënga popullore thotë: “Çelon e kërkon Tafili,/ Në kuvend i pret veziri”/… Mojë thëllëzë e par’ e prillit,/ Dëgjoje zën’ e bilbilit,/ Si ja pret fjalën qafirit”.
Perandoria Osmane në vitet tridhjetë të shek. XIX filloi të ndërmerrte e zbatonte një sërë reformash centralizuese. Qëllimi i qeveritarëve reformatorë osman, ishte që ta shkëpusnin Perandorinë Osmane nga karakteri feudo – çifligar e mesjetar dhe ta fusnin në rrugën e civilizimit europian. Reformat startojnë në 1828 – 1830 dhe mbyllen me “Hatin Humajun”, shpallur nga veziri Mustafa Reshid Pasha, më 3 Nëntor 1839 në sallën e Gjylhanesë. Dekretimi nga Sulltan Abdyl Hamiti (Xhediti) në këtë sallë, ka bërë që të njihen edhe si, “Reformat e dekretit të Gjylhanesë” ose (Tanzimat-reformat). Në historiografinë shqiptare ato njihen me emrin Reformat e Tanzimatit. Ndaj edhe kryengritjet shqiptare kundër tyre, njihen si kryengritjet kundër Tanzimatit. Reformat likujduan sistemin e timareve, bënë njohje ligjore të pronës private, riorganizuan sistemin administrativ ushtarak dhe financiar (taksat-shtetërore). Zbatimi i tyre kërkonte forcimin e pushtetit qëndror, rimëkëmbjen e Perandorisë anakronike Osmane, eleminimin e kastës së vjetër agallaro – çifligare dhe krijimin e ngritjen e një shtrese të re çifligarësh të kontrolluar nga Stambolli.
Administrata e huaj, ushtria që shkonte 4-5 vjet, mbledhja e taksave të prapambetura etj., nxitën një varg kryengritjesh kundër-osmane, të cilat udhëhiqeshin kryesisht nga kapedanët e rritur në oborrin e Ali Pash Tepelenës. Midis udhëheqësve popullor të kësaj periudhe si: Zylyftar Poda, Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Hodo Nivica, Haxhi Idriz Boksi, Dasho Shkreli, Çelo Picari, Asllan Kuci, Xhelil Duro e Dulo Mat Kalivaçi, Alush Frakulla, Skëndo Tare Arrëza, Dervish Cara, Shaban Bej Delvina, Veli Jaçe, Skëndo Hysi (Qesarati), Sulejman Toçi, Mahmud Lame e Sheh Levani, Çobo Golemi (Mustafai), Hamza Kazazi, Balil Nesho, Hamit Hekali, Dervish Ali Dukati, Spiro Gjika, Gjikë Thanasi; Veiz, Ago e Çelo Vasjari, Cane Myftari (Smokthina), Muhamed Bajraktari (Margëlliçi), Nure Toska, Izet Gjirokastra, Hadër Sulo Kanina, Braho Nepravishta, Janaq Kumiu, Tafil Koka, Mete Jazo Dukati, Çaparenjtë, Sinan Malo Bolena, Fejzo Çika (Borshi), Lulo Abazi, Sadik Luftinja, Remkë Komari etj., veproi edhe shqiponja shqiptare e kryengritjeve të Tanzimatit, Tafil Buzi.
Për Tafil Buzin janë folur e shkruar qindra faqe nga: Evgjen Puzhad, Amin Bue, Maks Bajband, G. Von Han, Panajot Arvanitopulli, Jorgji Llambridhis, Jani Kordhatios, konsujt rus (Trajonovski dhe Joanini), K, Mekos, Thimi Mitko, Sami Frashëri, Fan Noli, Ligor Mile, Petrika Thëngjilli, Stefanaq Pollo, Gjolek Jupi, Maliq Lila, Limo Paza (e vetmja monografi – 2003), Pasho Baku, Novruz Shehu, Bernard Zota, Bedri Serjani, M. Koroni, Etleva Xhajanka etj. Kudo Tafili cilësohet si: kryengritës, kapedan, lider, organizator, udhëheqës i kryengritjeve kundër-osmane, “hajdut”, luftëtar i lirisë, heroi i ditës, heroi i popullit, kordhëtar e udhëheqës ushtarak i fshatarësisë shqiptare etj. Mendoj se më drejt është të konsiderohet ashtu sikurse në të vërtetë ishte, udhëheqës popullor i kryengritjeve kundër osmanëve. Me kontributin, vullnetin, konceptin dhe veprimtarinë e tij, Tafil Buzi ndikoi në ngjizjen e karakterit kombëtar të lëvizjes kundër-osmane gjatë viteve 1928 – 1947. Populli i këndonte: “Që në Tanzimat e tutje,/ Të mbeti palla mbi supe”.
Kulmi i veprimtarisë së Tafil Buzit shënohet në vitet tridhjetë. Në vitin 1834 Tafil Buzi ishte konfirmuar si një udhëheqës popullor, organizator i kryengritjeve antiosmane, administrator e diplomat. Ndaj, pasi erdhi nga Korfuzi në Dukat, Vlorë e Tepelenë, në mars të atij viti, u ftua të drejtonte veprimtarinë ushtarake kryengritëse në Berat. Emri, vepra dhe besimi që kishte populli te Tafili, bënë që brenda pak ditësh të mblidheshin në Berat 10 000 luftëtar popullor. Kënga popullore e ka shprehur këtë moment historik me vargjet: “Çelua arap i zi, Tafili një grusht njeri,, Bashkë me Veis Vasjar’n, Ikën e zunë Beranë, Duan të marrin kalanë”. Këto ngjarje i ka pasqyruar edhe historiani Arvanitopullo. Ai shkruan : “…Tafil Buzi me shokë grumbulloi një ushtri prej dy mijë vetash në Tepelenë”. Edhe një herë prushi i kryengritjes kundër-osmane u përhap në Berat, Skrapar, Përmet, Leskovik, Tepelenë, Delvinë, Vlorë, Mallakastrës e Gjirokastër. Tafili propozoi që në kuvend të ftoheshin edhe prijësit e trevës së Sulovës dhe Vërçës. Përfaqësuesit e këtyre krahinave u mblodhën në Berat dhe formuan një Besëlidhje politike. Për drejtimin e saj u zgjodh një pleqësi. Në krye ishte Abaz bej Lushnja. Tafili mori dy detyra, atë të: “…organizimit dhe drejtrimit të forcave ushtarake” si dhe atë të “…sigurimit (vendosjes) të lidhjeve me botën e jashtme”. Pasi morën Beratin, me iniciativën e Tafil Buzit, Beslidhja i dërgoi Hamid Pashës një letër. Ata i bënin të ditur qeveritarit osman: “qëllimin e kryengritjes dhe kërkjesat e tyre”. Pashai premtoi zbatimin e kërkesave, me shpresën se do të shuante kryengritjen. Për të eleminuar liderët popullor të kryengritjes, ai i fitoi ata “miqësisht” në Manastir më 9 gusht 1830. Tafil Buzi, Zylyftar Poda e Çelo Picari e kuptuan kurthin e Sadrazemit dhe nuk pranuan të shkonin. Ata u kërkuan edhe prijësave të tjerë të mos shkonin por, Asllan Kuci e Veliko Jaçe, së bashku me 1000 luftëtarë provuan të futeshin në garnizonin osman. Kur Veliu pa tendën, pashallarët, oficerët dhe ushtarët e rreshtuar në fomacion me armët e mbushura, ata veç panë heshtjen përpara furtunës. Pritja në dukje solemne, u shndërrua shumë shpejt në një fushë-betejë. Me t’u afruar shqiptarët, trupat turke filluan manovrën e derdhën 2000 të shtëna mbi trupat e tyre. Historiani francez Evzhen Puzhad shkruan: “…Asllani dyshoi dhe kapi frerin e kalit të Velikos dhe i drejtohet shokut me gjuhën enegjike (shqipe Sh. H). “Na e hodhën!” Velikua buzëqeshi dhe i tha: “Kjo pritje është një rregull i zakonshëm për të nderuar njerëzit ”. Historiani anglez M. V. Kiroli e quajti lëndinën e Manastirit “Fusha e tradhëtisë” (The filld of treachery). Ai thekson se: “Mehmet Reshidi në vend të komandës për nder armë, dha urdhër: zjarr”. Dy mijë gryka armësh u zbrazën në të njejtën kohë nga të dyja palët. U bë një kasapanë e pa shoqe. Veliko Jaçe, Abaz Thana, Karafil Sinani dhe Asllan Kuca mbetën së bashku me trimat në lëndinën e Manastirit. Asllani i plagosur dhe i mbetur me një sy, u përlesh trup më trup me komandantin Ibrahim Qorr Pasha. Kjo njihet si masaktra e krerëve shqiptar në Manastir. Skema ishte e njëjtë si edhe në rastin e Ismail Pash Vlorës, i cili u ekzekutua në Kurthin e Janinës, më 5 Janar 1829. Por, Tafil Buzi me shokë morën hak, duke vrarë të besuarin e Sulltanit, Kaftan Agën. Sipas këngës popullore, Zenel Gjoleka kërkon të njoftohet Tafi.(“Tafil
Buzit të m’i thoni,/Gjoleka se turpëroi,/ Kaftanaziun e martoi”. Tafili me zgjuarësinë dhe largpamësinë e tij, dëshmoi se ishte një njohës i mirë i politikave kanibaleske osmane. Populli i këndonte: Tafil i dërgoi kartë,/ Ktheu Ismail prapë….”.
Osmanët në fund të vitit 1831 dhe në shkurt 1833 bënë arrestime të shumta nga krerët e “Besëlidhjes Shqiptare” dhe i shpunë në Manastirë e Janinë. Por, sipas dokumentacionit të kohës, “Tafil Buzi e Zenel Gjoleka për të marrë hak, u hodhën në Dymeqë e Catallxhë dhe zunë robër dy funksionarë të lartë osmanllinjë; Haxhi Hysen Agën dhe Seit Beun”. Ndërsa në Grebene vranë beun pro-turk Veli Agën. Prefekti i Tërhallës më 12 Shkurt të atij viti raportonte: “Tafil Buzi ka dalë në kazanë e Grebenarë, ka shpërndarë edhe letra nëpër derbender, vojvodë, kadilerë, dhe në popull”. Për t’ju përgjigjur veprimeve ushtarake osmane në Delvinë e Gjirokastër, Tafili, Çelua dhe Gjoleka vranë në Gjirokastër emisarët e lartë të pushtetit së bashku me shoqëruesit e tyre. Pas betejës së Peshkëpisë dhe Kakavijës, Tafil Buzi zuri në Kakollakos të Paleopogonit spiunët e Perandorisë; Emin Pashën dhe Jano Dakarin, të cilët udhëhoqën ushtrinë osmane dhe e nxorën mbas shpinës së luftëtarëve shqiptarë. Forca të shumta osmane, nën komandën e Eminë Pashës, iu drejtuan Tepelenës por trimat kurveleshas e tepelenas nën udhëheqen e “Tafil Buzit e Çelo Picarit u zunë prit në fushën e Luzatit dhe i shpartalluan krejt”. Në shtator të vitit 1834, Tafil Buzi dogji sarajet e Valiut të Manastirit. Ai hyri në lidhje me qeverinë geke dhe kryeministrin grek Jani Koletin, me të cilin u takua në Korfuz dhe i kërkoi ndihma për të sulmuar turqit në Janinë. Kur ushtria shqiptare arriti në Cërvar të Zagorit, vetëm gjashtë orë larg Janinës, ata u gjetën të rrethuar. Qeveria greke dhe Jani Koleti i kishin tradhëtuar. Tafil Buzi pasi çau rrethimin, iu drejtua Çelo Picarit: “Do shkojmë të djegim Morenë (Greqinë)”. Por Çelua me qetësi i tha: “Armiku ynë në këtë kohë është Turqia”. Kënga popullore thotë: “Ra Tafili në Tepelenë, ….More e shkreta More, në të ardhça dotë atje do të djeg si kallame”.
Gjatë vitit 1835 Tafili hyri në lidhje me drejtuesit e Lëvizjes kombëtare në Shkodër. Ndaj, së bashku me Alush Frakullën, menjëherë organizuan popullsinë e Myzeqesë për të mos dorëzuar drithin tek taksidarët dhe qeveritarët osman. Nën udhëheqen e Tafil Buzit, gjatë vitit 1836 popullësia e Vlorës dhe Tepelenës u ngritën në kryengritje. Kjo u pasua nga kryengritja e Myzeqesë, Dukagjinit, Dibrës e Kosovës. Për të vazhduar gjatë viteve 1837 – 1839 dhe. në 1844 edhe në Plavë, Guci, Gjakovë, Berat, Mat, Dibër e Madhe, Prizëren, Preshevë, Bujanovë, Pejë, Shkodër, Leskovec, Tetovë, Shkup, Gostivar, Elbasan e Tiranë. Veziri në raportin e tij për sulltanin, më 23 Shtator 1830 shkruante: “… Janë një komb luftëtar…nuk krahasohen në burrërri dhe trimëri me asnjë popull tjetër. Futja e tyre nën zap dhe në ushtri është një çështje e vështirë, por edhe e pamundur”. Maks Bajband shkruante se: “…Tafil Buzi trumbeton kudo se osmanët nuk janë të aftë të qeverisën Shqipërinë…Tafilit i shkojnë pas të varfërit”. Në shpalljen që Tafil Buzi shpërndau në popull në prill të vitit 1835 kërkonte: “…Dëbimin e ushtarëve të rregullt osman nga tokat shqiptare; Uljen e taksës së xhizjes; Vetëqeverisjen me një pasha shqiptar”. Në këto momente Tafil Buzi kishte ngritur në këmbë gjithë zonën, nga Elbasani deri 8 orë larg Janinës. Ai qëndronte në fshatin Ostanicë në pritje të grumbullimit të forcave për të sulmuar garnizonin osman të Janinës. Natën e 2 Majit 1835, 9000 forca osmane rrethuan Tafil Buzin me shokë. Por, Tafili e çau rrethimin dhe shkoi në Myzeqe, ku rindezi së bashku me Alush Frakullën një valë të re kryengritjeje, me parrullën: “Të mbrojmë të drejtat e popullit, të fakirëve dhe të fukarenjëve”. Kryengritja përfshiu; Myzeqenë, Vlorën, Tepelenën, Mallakastrën, Shkodrën e Dasho Shkrelit, Beratin, Skraparin, Përmentin dhe Elbasanin.
Raportet e konsujve në Manastir, Janinë e Stamboll konfirmojnë se: “…Tafil Buzi, ky simpatizant i Mehmet Ali Pash Misirit, kërkon që edhe Shqipëria të bëhet si Egjpti, të shkëputet nga Perandoria dhe të bëhet autonome”. Idenë e vetqeverisjes e konfirmojnë letrat e kuvendeve kombëtare 1828, 1845, 1847, si dhe pashallarët, veziri dhe sulltani osman.
Megjithëse në ndarjen e popullsisë “milet” e “rum milet”, shqiptarët ishin të përçarë, ata e kapërcyen ndasinë fetare. Në letrat e Sulltan Mahmutit II në vitet ’30 lexojmë. “Eshtë krejt e ditur se këta shqiptarët nuk kanë asnjë lidhje me dinin dhe fenë islame”. Sulltani nuk kishte kuptuar se, “përpara nderit dhe atdheut” shqiptari nuk vinte fenë.
Po ashtu Porta e Lartë nuk përfillte as kërkesat dhe as shkaqet e kryengritjeve si:
Gjendjen e vështirë ekonomike nën zgjedhën osmane.
Vrasjen e Ali Pash Tepelenës, 5 Shkurt 1822..
Masakrën e jeniçerëve, korrik 1826.
Reformat osmane të Tanzimatit 1828 – 1839, të cilat rëndonin mbi shpatullat e shqiptarëve.
Ndjenjën separatiste të shqiptarëve dhe dëshirën për ta parë të lirë atdheun.
Ishin këto shkaqet që e detyruan Valiun e Rumelisë t’i raportonte Sulltanit, më 20 Maj 1830 se: “Shqiptarët nuk bëhen miq dhe nuk duan që të na shërbejnë neve”.
Deri në vitin 1940, 9 krahina shqiptare u qeverisën nga paria vendase. Edhe një herë osmanët përdorën dredhinë. Zenel Gjolekën e ftuan në Stamboll dhe e dërguan me shërbim në Jufër të Arabisë Saudite. Ndërsa, Tafili u ftua në Janinë dhe u dërgua në Irak. Hyrjen e Tafil Buzit në Janinë e përshkruan historiani francez Evgjen Puzhad. Ai shkruan: “Ai hyri në krye të 1500 burrave, i rrethuar nga 12 trima të armatosur me pushkë të gjata. Ata ecnin në këmbë duke shoqëruar kalin ku kishte hipur Tafili. Ata këndonin këngë trimërie, refrenin e së cilës e përsëriste gjithë trupa”. Këtu Tafili u sëmur rëndë, por u shërua nën kujdesin e trimave dhe të mjekut italian. Osmanët kërkuan me çdo kusht eleminimin e Tafilit. “Ky njeri duhet të zhduket me çdo kusht…” Mirëpo osmanët, sikurse shprehet veliu i Janinës, e dinin mirë se: “Çfarë barre do t’i shkaktonin vetes sikur të vritej hajduti Tafil Buzi”. Në fillim të vitit 1845 sulltani u fali dënimin kordhëtarëve shqiptar. Qeveritarët u kërkuan: “… nëse dovleti do të ketë nevojë për ndihmën tuaj, me sa luftëtarë do të vini në ndihmë”? Dhe ata nëpërmjet gojës së Çelos përgjigjen: “Unë s’kam asnjë ndikim as tek djemtë e mi, jo në fshat e krahinë”. Po me të mbërritur në vendlindje, populli i ndoqi dhe flaka e kryengritjes u ndez përsëri. Ajo kulmoi me Kuvendin e Picarit, më 15 Gusht 1847.
Lëvizja kombëtare në këtë periudhë është trajtuar edhe nga Sami Frashëri. Ai thekson se kryengritjet popullore të kësaj periudhe dhe udhëheqësit e saj, kërkuan: “…bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet autonom”. Sipas Konsullit francez në Janinë, Tafil Buzi me shokë e kishin “temë të ditës autonominë e Shqipërisë”. Tafil Buzi shpalli në vitin 1835 se: “Shqipëria duhej të çlirohej prej zgjedhës turke dhe të qeverisej nga shqiptarët”. Studiuesi Robert Elsie shkruan: “Reformat e Tanzimatit ndikuan sidomos në këto zona malore të thyera, dhe sollën një sërë kryengritjesh kundër Portës së Lartë, gjatë të cilave u hodh e u mboll fara e idesë kombëtare shqiptare”. Kryengritjet dhe udhëheqësit e tyre bënë të mundur që të lindte një ideologji e re me karakter kombëtar. Pena e shqiptarëve si: Naum Veqilharxhi, Josif Krispi, Gjon Skiroi, De Rada, Panajot Meksi, Anastas Byku, Pjetër Zarishi, Engjëll Radoja, Ndre Mjeda, Ndue Bytyçi, Pashko Babi, Preng Doçi me vëllezërit Frashëri, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri etj., u nxitën t’i viheshin punës në fushën e shkrimit e të kulturës shqipe. Hapën shkollën e parë shqipe 7Mars 1887. E të tjerë atdhetarë bënë Lidhjen Shqiptare të Prizërenit (LSHP). Dhe flaka e kryengritjeve, erdhi e u kurorëzua me ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor 1912.
Tafil Buzi është vlerësuar me dekoratën “Nderi i kombit”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar atdhetar, por dhe si një nga drejtuesit kryesorë të kryengrtjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828 – 1847”. Ky vlerësim u dorëzua me 13 Tetor 2013 në qëndrën e Komunës Buz. Duke shprehur konsideratat më të larta, për ata që ishin shqiptarë kur s’kishte Shqipëri; për ata që vunë mundin, djersën dhe gjakun e tyre në themelet e Shqpërisë moderrne dhe të Rilindjes Kombëtare; për ata që s’u kursyen për flamur, por lanë me gjakun e tyre çdo pëllëmb të trojeve dhe çdo gur; ndër shekuj do të jehojnë vargjet popullore: “Vanë more shokë, vanë,/ Gjith’ ata burrat e parë,/ Çelua me Veiz Vasjar, /Me Tafil Buzin me pallë,/ Bashkë me Gjolekë lap’në,/ Nashti duhen, po ku janë? Arbërinë shkretë e lanë”.
VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK
RRETH FIGURËS SË TAFIL BUZIT
Nga Xhezo CANA

Tafil Buzi lindi në vitin 1892 në fshatin Buz të rrethit Tepelenë. (Në disa dokumenta viti lindjes është 1798). I ati i tij quhej Kapo Kalemaj, ndërsa e ëma Shanie. Në shekullin e XIX, pas rënies së pashait Ali Pash Tepelenë 1822, Tafil Buzi është një ndër personazhet që ka prodhuar më shumë histori, një personazh që ka lënë gjurmë me betejat e tij kundër sundimit osman, duke u bërë udhëheqësi që ngriti në këmb me mijra shqiptarë dhe duke arritur fitore kundër tyre.
Tafil Buzi u formua si ushtarak në oborrin e Ali Pashës. Nga fshatrat e Tepelenës si zona e Buzit, Kurveleshit kishte shumë vullnetar që shërbenin pran Ali Pashës. Në vitin 1820, ndonse ishte i ri në moshë, Tafl Buzi merr gradën e oficerit që drejtonte një repart me trupat ushtarake të Ali Pashës. Në kohën kur Ali Pasha u izolua në kala për 18 muaj dhe ushtria osmane kërkonte ti merrte kalanë dhe prerë kokën pashait, Tafil Buzi u përfshi në mbështetje të tij, duke u vënë në drejtim të trupave 15 mijëshe të drejtuara nga Omer Vrioni, i cili do të priste dhe godiste armikun në grykat e Pindit. Në këto kohë të formimit të tij si njeri i veprave si ushtarak, u njohë me Tahir Abazin, Ago Vasjarin, Zylyftar Podës, Veis Vasjarit, të cilët të përkrahur dhe nga Ali Pasha u vunë në mbështetje të revolucionit grek, duke çliruar pjesë të tëra të saj, kundër kundër Perandorisë Osmane. Revolucioni e Greqisë i shfrytëzoi Ali Pashën dhe shqiptarët në interes të vet, dhe me pas e ktheu në një luftë fetare kundër shqiptarve që nuk ishin ortodokës.
Ishte data 7 nëntor 1828, kur Tafil Buzi u vu në mbështetje për krijimin e “Lidhjes Shqiptare”, nën kryesinë e Zylyftar Podës, Ismail Bej Vlorës (gjyshit Ismail Qemalit), Shahin Delvinës dhe krerë opozitar në Stamboll, me influencë në gjithë vëndin. Ky Kuvënd është i pari që në atë kohë në mënyrë të organizuar kërkuan të drejtat e shqiptarve, në mënyrë që ndër fise të vëndit tonë të dëboheshin pushtuesit dhe të bëhej qeverisja nga vetë shqiptarët. Për të realizuar qëllimet e këtij Kuvëndi, Tafil Buzi bëri takime në shumë krahina si Tepelenë, Mallakastër, Labëri, etj. Kënga popullore thotë:
“Gjithë me Tafil u ngrenë
Kërcyen në Tepelenë
Tek Mekami bënë benë
Që nizam të mos venë”
Porta e Lartë për të përçarë këtë Lëvizje, emëron Vali të Janinës, Zylyftar Podën, ndërsa Ismail Bej Vlorën, sundimtar të Beratit. Porta e Lartë i ftoi në Janinë dhe krerë të tjerë të “Lidhjes Shqiptare”, por Zylyftar Poda, Tafil Buzi, nuk shkuan se parandjen kurthin. Ismail Bej Vlora shkoi në mirbesim, por u vra në sarajet e sqarsqerit të Janinës. Për këtë pabesi ishte Tafil Buzi që organizoi hakmarrjen, ku caktuan Zejnel Gjolekën, 18 vjeçar që mori hakun ndaj Ismail Bej Vlorën. Kënga popullore këtë moment e shpreh kështu:
Dërgon Gjolekë spanoi,
-Tafil Buzit të mi thoni,
Gjoleka s’e turpëroi,
Kaftanazin e martoi….
Pas viteve 1930-1936, Tafil Buzi vihet në krye të Lëvizjeve popullore për të drejtat e shqiptarve. Një mbështetje për Tafil Buzin u bë sundimtari me orgjinë shqiptare, Mehmet Ali, i cil në një marrveshje që bëri me të në Kretë, e frymzoi për lëvizjen e madhe popullore. Duke u mbështetur nga Celo Picari, Bilal Nezha, Veis Vasjari, Bilal Nezha, Zejnel Gjonleka dhe shumë kryengritës popullor, ai drejtoi dhjetra kryengritje për marrjen e Beratit, Gjirokastrës dhe Janinës. Kryengritjet e viteve 1833, 1834, 1835 dhe 1836 nën udhëheqjen e Tafil Buzit janë një histori më vete, ku secila prej tyre ka treguar luftën e popullit shqiptarë për rritjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ishte hapi i parë i Rilindjes Shqiptare. Tafil Buzi kishte lidhje me personalitete të kohës, si Muhamet Aliun e Egjiptit, ambasada të ndryshme, kryengritës dhe në nënshkrimin e tij ai e cilësonte veten si “Sekretar i Shqipërisë”.
Tafil Buzi arriti sikurse Ali Pasha, ndonse në kushte të tjera, të mobilizonte mbi 15-20 mijë luftëtarë kundër ushtarve turqë. Porta e Lartë, pas çdo kryengritje, për të neutralizuar veprimtarit luftarake të Tafil Buzit, nxirrte amnisti dhe i kërkonte atij të shërbente si Guvernator në vënde të ndryshme të Perandorisë. Tafil Buzi ka kryer me dhjetra beteja kundër batalioneve të ushtrisë turke, por veçojmë betejën e vitit 1834 dhe 1835 për marrjen e qëndrës së rëndësishme të Beratit. Në vitin 1834 me mbi 10 mijë vullnetar Tafil Buzi mori Beratin, por nuk arriti të merrte kalanë, ku ishin mbledhur forcat e ushtrisë Turke. Në vitin 1835 pas 3 muaj rrethim të kalasë së Beratit, Tafil Buzi i vënë në krye të mbi 15-20 mijë vullnetarëve arriti të merrte Beratin dhe të çlironte 7 nënprefektura (Kaza), që vareshin nga qëndra, Berati. Zaçe Vasjarin e caktuan komandant të kalasë së Beratit. Porta e Lartë e vënë në vështirësi u detyrua ta pranoi për momentin realitetin që krijoi Tafil Buzi. Kërkesat e kryngritësve që u pranuan nga Porta e Lartë kishin të bënin me “administrimin e krahinave vetëm nga Shqiptarët, turqit të mos përziheshin në punët e brëndshme, të ndalohej zbatimi i reformave centralizusve, të shpallej amnisti për kryengritesve, etj”.
Krahinat që vareshin nga Berati dhe fituan një pavarësi në administrim ishin 7 dhe më vonë i’u bashkuan dhe dy të tjera: Berati, Skrapari, Tepelena, Leshnica, Mallakastra e Sipërme, Mallakastra e Poshtme, Vlora dhe Tomorrica. Tafil Buzi ishte në krye të këtij administrimi, ndërsa çdo kaza kishte drejtuesin e vet. Krerët e krahinave ishin Tafil Buzi, Celo Picari, Veis Vasjari (Tepelenës), Cane Myftari, Zenel Gjoleka, Pasho Koka, Nurçe Toska, Selfo Salëllari. Janë dhjetra këngë popullore që përshkojnë marrjen e Beratit nga Tafil Buzit si :
“Tafili një rusht njeri
Celua arap mi zi
Bashkë me Veiz Vasjar
Ikën e zynë Beranë.
Duan të marrin kalanë
Të zënë Emin aganë
Me bixhak ti marrin xhanë….”
Kryengritje kundër Portës së Lartë Tafil Buzi i vazhdoi dhe në vitin 1836. Porta e Lartë vazhdonte përçarjen e kryengritësve, duke përdorur metoda të ndryshme si vrasje në pabesi, apo afrimi i posteve të rëndësishme në Perandorin e pafundme. Tafil Buzi i lodhur nga luftrat mbi 10 vjetë, i braktisur dhe nga disabashkluftëtar të tij, duke humbur dhe lidhjet me Mehmet Alin e Egjiptit, shkoi në fshatin e tij të lindjes Buz, dhe mbante vetëm 100 ushtarë dhe nga porta e lartë ishte nxjerër amnisti dhe ofruar për t’i shërbyer asaj në vënde të ndryshme të Lindjes. Zhgënjim Tafil Buzi pati dhe nga Qeveria greke, ku sipas marrveshjeve me kryengritsit shqiptarë, qeveria greke nuk ishte treguar korrekte. Kënga popullore këtë zëmërium të Tafil Buzit e shpreh kështu:
“Do vete të djeg Morenë
Do ta djegë se shkeli benë..”
Në këto rrethana Tafil Buzi pranoi ofetrën e Portës së Lartë për të qënë administrator në Irak, pikërisht në Bagdat dhe Messunë. Dokumentat francezë që dokumentojnë këtë fakt përputhen me krijimtarinë popullore:
Arabistan mbeç për lumë.
Qysh e gjeti Tafil Buzë,
I dhanë Bagdan e Mesun…”
Historiani francesë Eugen Puzhad në veprën e tij “Krishterët dhe Turqitë” përshkruan pritjen që i bënë në Janinë, Tafil Buzit, para se të nisej për në vëndet e Lindjes. Ai e përshkuan kështu këtë moment: “Hyri në Janinë në krye të njëmijë e pesëqindë burrave, i rrethuar nga 12 trima të armatosur me pushkë të gjatë që ecnin në këmbë rreth kalit ku qëndronte Tafili. Këta këndonin këngë ku flitej për trimërit e Tafilit Buzit, ndëra trupat që e shoqëronin përsërisnin fjalët refrenin e këngës”.
Pas viteve 1840, kur shumë nga bashkluftëtarët e Tafilit ishin interrnuar apo ishin tërhequr nga këto kryengritje, të drejtat e shqiptarve ishin shumë të kufizuara. Centralizimi i drejtimit dhe shërbimi i shqiptarve si ushtarë për 5-7 vite, kryesisht në vëndet e Lindjes e kishte dobësuar gjëndjen. Vëndit i duhej një udhëheqës, një drejtues si Tafil Buzi, që mobilizonte popullin dhe ata viheshin në përkrahje të tij. Një këngë popullore e kësaj periudhe thotë:
“Vanë more shokë vanë
Gjithë ata burrat e parë,
Me Tafil Buzin me famë
Celua me Veis Vasjarë
Me Zenel Kuçin me pallë
Arbërin shkret e lanë
Tani duhen, po ku janë….”
Pas viteve 1840 Tafil Buzi është adminitrator në vënde të ndryshme të Perandorisë. Sipasa dokumentave të shumta tafil Buzi merr titullin Pasha. Kjo periudhë e veprimtarisë së tij është ende e pa zhbiruar, por nga relacionet e ambasadorëve të ndryshëm marrim informacion mbi veprimtaritë e tij të shumta. Ai bëri emër me guximin, trimërin dhe zgjuarsinë e tij për të vendosur drejtësi. Në një prej këtyre relacioneve thuhet se “…Tafil Buzi u morë nga Perandoria Osmane dhe ju dhanë titujt rytben Pasha, pasi ai ka dalë fitues disa herë në luftën me grekun”. Tafil Buzi vdiq në vitin 1866. Sipas disa dokumentave të kohës vdekja i ka ardhur nga një vrasje pas shpine nga kundërshtarët e tij.
Shumë pak është folur për familjen dhe pasardhësit e Tafil Buzit. Duke hulumtuar dokumentat e kohës rezulton se fëmijtë e tij, dy djem kanë ndjekur gjurmët e të atit. Ata kanë marr pjesë në kryengritjet, që shqiptarët bënë në vitin 1847, të quajtur kryengritje kundër Tanzimatit. Sipas informacioneve që sjellin studjues si Zana Lito dhe M. Kokalari, fëmijtë e Tafil Buzit morën pjesë në formimin e “Komitetit Kombëtar Shqiptarë”, formuar në Mesaplik. Në vitin 1847, në mënyrë të pa besë u thirrën në gjoja takim ku ishte shpallur amnistia, i ndaluan dhe i interrnuan. Së bashku me ta ishte Veis Vasjari, Hodo Nivica, djemtë e Ismail Bej Vlorës (Babai dhe xhaxhai Ismail Qemalit), djemtë e Tahir Abazit, etj. Të arrestuarit dërgohen në Manastir dhe Stamboll.
TAFIL BUZI SIPAS EPIKËS HISTORIKE
(O Tafil bir’ i Shanisë/Kapedan i Shqipërisë/Ç’i ktheve pallën Turqisë)
Nga Gëzim ZILJA

Fillimisht emri i Tafi Buzit përmendet në vargjet kushtuar Ismail Bej Vlorës, para se ky të vritej tradhtisht nga valiu i Janinës. Çelo Picari dhe Tafil Buzi lajmëruan Ismail Beun, të mos shkonte në Janinë.
Dolën dervenit të prinë
Tafil’ e Xhelili ynë
Malo mos shko në Janinë
Mos e beso Osmanllinë
Se të kanë ngriturë pusinë.
Tafil Buzi pas kësaj vrasjeje, i ndodhur në Egjipt, do të shprehej me keqardhje sesi nuk u gjend një lab, të merrte hakun e beut të Vlorës. Zenel Gjonleka, djal i ri, merr nismën e tij, hyn në çadrën e Valiut, e vret atë dhe i dërgon ‘’selam’’:
Dërgoi Gjonlekë spanoi
Tafil Buzit të mi thoi
Kaftanazin e martoi
Të shtata ia numëroi.
Tafil Buzi shpalli botërisht se Shqipëria duhet të çlirohej nga zgjedha turke dhe të qeverisej nga shqiptarët. Mustafa Bushatlliu dhe kapedanët shqiptarë si Tafil Buzi, Zylyftar Poda, Abdyl Bej Koka, Cane Myftari, mbanin marrëdhënie të ngushta me sundimtarin shqiptar të Egjiptit, Memet Pasha. Në ushtrinë e këtij të fundit Tafili, kishte shërbyer si oficer me gradë të lart. I ndihmuar financiarisht dhe me porosi nga Memet Pasha, ai zbarkon në Jug të Shqipërisë. Kapedani nga Buzi i Tepelenës, ishte fare i qartë, në veprimet që do të ndërmerrte. Problemi i parë ishte të bashkonte forcat e kapedanëve shqiptarë dhe pastaj të përzinte qeveritarët turq, që drejtonin qytetet kryesorë të Jugut si Janinën, Delvinën, Gjirokastrën, Beratin dhe Çamërinë. Sipas të dhënave Zenel Gjoleka dhe Tafil Buzi, u hodhën menjëherë në veprim në Dyqeme dhe Çatallxhë. Në Grebene ata vranë sundimtarin turk Veli again.
Tafili me kapedanë
Me Zenel Gjolekën labnë
Ndë Grebene u ngren’ e vanë
Të vrasën Veli Aganë.
Veli aga Grebeneja
Tu ngjinë nga penxhereja
Plot me gjak tu mbush shilteja.
Porta e Lartë ngarkon Emin Pashën e Beratit të asgjësojë forcat kryengritëse të udhëhequra nga Çelo Picari e Zenel Gjoleka. Në ndihmë këtyre u erdhën forcat e Mallakastrës të udhëhequra nga Tafil Buzi dhe ato të bregdetit të drejtuara nga kapedanët e Bregdetit:
Dielli që lëshon çika
Ju kërkon kapedan Gjika
Kumiu me shtatë drita
Vishni armët e florinjta
Të shkojmë ku është e liga
Forcat e bashkuara të Jugut arritën të çlirojnë qytetin e Gjirokastrës, Vlorës dhe atë të Delvinës. Të inkurajuar nga fitoret e arritura iu drejtuan qytetit të Beratit, që do kurorëzonte fitoren përfundimtare. Kjo ndodhte në vitin 1833.
Çelua arap’ i zi
Tafili një grusht njeri
Bashkë me Veiz Vasjarë
Iknë e zunë Beranë
Duan të marrin kalanë
Të zenë Emin Pashanë
Me biçak t’i marrin xhanë.
Tashmë forcat kryengritëse arrinin në 10.000 vetë. Pas luftimesh të përgjakshme kalaja e Beratit, do të binte në duart e tyre. E gjendur në një situatë të tillë Porta e Lartë shpalli shpalli amnistinë dhe anulimin e reformave. Kalaja iu dorëzua sërish pa luftë pashait turk. Si përherë Porta e Lartë nuk e mbajti fjalën. Mahmud Beu, krye serasqeri i ri, i përforcuar me ushtarë të ardhur nga Azia filloi menjëherë arrestimet e krerëve të kryengritjes, të cilët kaluan në Greqi. Tafil Buzi kaloi në Korfuz. Aty u gatit sërish të hidhej në Shqipëri dhe të organizonte kryengritjen. Kryeministri grek i asaj kohe i premtoi Tafil Buzit se do t’i ndihmonte me ushtarë dhe me të holla kryengritësit shqiptarë, sapo këta të fillonin luftën. Më 1834, Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Mahmud Bajraktari(Kollovi), largohen nga Korfuzi:
Erth’ një kartë nga Korfuzi
Thonë doli Tafil Buzi
Thanë ky dolli në Vlorë
Me tre bajrakë në dorë
Erth’ bajraku te xhamia
Del Hodo(Nivica) nga shtëpia.
Dhe më tej:
Tafil Buzi, Tafil Palla
Nga do ta shpiem Tafilë
Ku e ka Cania (Myftari)shtëpinë
Në rrëzë përmbi Smokthinë
Në shkëmb hedhur themelinë.
Cmokthinjotë mirë e prinë
Bënë dasm’ e gostinë.
Ngado që shkon ky kapedan i Shqipërisë pritet si hero dhe shpëtimtar. Në këngët kushtuar Tafil Buzit tregohet pritja e ngrohtë dhe gatishmëria për tu inkuadruar në ushtrinë e tij:
Na to të shkojmë Tafilë?
Labërisë posht e përpjetë
ta përpjekim me Gjonlekë.
Më tej vargjet japin qëllimin e lartë të bashkimit dhe vendosmërinë për ta arritur atë:
Gjonlekë e Tafili di
Bobo qenkan të këqi
Luftojnë me një vali
Me një goxha Rumeli
S’ë për mua dhe për ti
Po për gjithë Shqipëri
Foli Gjoleka e tha
O Tafil halla, halla
Yryç më këllëç mi ta
Ja shehit (dëshmor) ja gaza’ (fitimtar).
Më 27 qershor 1834, sipas dokumentave të kohës, Tafil Buzi formoi në Tepelenë një ushtri prej 2.000 vetësh dhe së bashku me forcat e Zenel Gjolekës u nis të çlironte Janinën, duke shpresuar në ndihmën e premtuar nga grekët. Ai tërbohet nga pabesia e kryeministrit grek Jani Koleti, që nuk i ndihmoi në betejën afër Janinës në vendin e quajtur Zagorë, fshati Cërvar, ku shqiptarët të rrethuar nga forca të shumta turke pësuan humbje të mëdha. Për hakmarrje kërkon të kalojë në More (Greqi) e t’i verë flakën. Çelo Picari tashmë, në postin e derven agait në kufirin midis Shqipërisë e Greqisë nuk e lejon të kalojë kufirin:
Ra një ves e zbuti dhenë
Ra Tafili n’Tepelenë
Selam për Çelo Memenë
Thoni të lëshoj dervenë
Se do të shkoj të djeg Morenë
Almironë e Dyqemenë
Do ta djeg se shkeli benë
More’ e zeza More’
Në të ardhça dot atje
Do të djeg si kallame. Dhe më tej:
Me Jorgonë kamte dyfek
Se do ta bëj terbiet
T’i bëj vetëhenë synet
Forcat shqiptare gati sa nuk u përleshën me njëra-tjetrën. Tafil Buzi u detyrua të kthehej e të nisej sërish për çlirimin e Beratit. Tashmë kryengritësit shqiptarë paraqiten të bashkuar nën komandën e Tafil Buzit, Zenel Gjolekës, Çelo Picarit, Veiz Vasjarit, Mete Jazos, Cane Myftarit, Pasho Kokës, Selfo Jaskëllarit etj. Ishte një forcë që bëri të dridhen jo vetëm Beratin e Jugun e Shqipërisë por gjithë Rumelinë. Thuhet se forcat kryengritëse si rrallë herë arritën shifrën e 25.000 vetëve.
Berati me Toskërinë
Delvina me Çamërinë
N’Velabisht ngritën hordhinë…
Myhyrdar mustaqeverdhë
Priti trimat se tu derdhë
Le (lëshoje) kalanë me gjithë rredhë
Dil me nder shpëto vetëhenë
Se të therrin posi kedhë
Le kalanë posi çupë
Shqipëria s’do halldupë.
Sulmi i shqiptarëve mbi kështjellë ishte i papërmbajtshëm. Të shumta janë vargjet që përshkruajnë trimëritë e tyre. Sokëllimat dhe thirrjet e kryengritësve dëgjoheshin që larg.
Mete Jazua i gjakëtuar
Kullën e kuqe çe muar
U plagos në krahëruar
Dy plumba tej e çpuan.
Dukat’ e shpunë kaluar
Në fund të dhjetorit 1834, kalaja e Beratit ra sërish në duart e kryengritësve. Pas pak kohësh nga rrethanat e krijuara iu dorëzua Mahmud Pashës.
Në fund të muajit shkurt 1835 trimi Tafil Buzi me 6.000 luftëtarë mëtoi sërish të merrte kalanë e Beratit por nuk ia doli. Më 1936 u shpall amnistia dhe u plotësuan disa nga kërkesat e kryengritësve sidomos mos shkuarja nizam dhe qeverisja e nëntë krahinave të Jugut nga shqiptarët. Porta e Lartë edhe këtë herë do t’i joshte krerët shqiptarë me grada e para. Të tjerë që nuk mundi i internoi ose i helmoi pabesisht si Ali Dervish Dukatin dhe Cane Myftarin.
Hipe kali hergjele’
Cane Myftar o lule
Tre sahat Vlorën bëre’
Të hodh’helm në kafe’
Të plasnë syt’ e se pe.
Te xhamia te pazari
Është shtrirë Cane Myftari.
Zenel Gjoleka u dërgua komandant në Arabi (Jufrë), Tafil Buzi në Irak, kurse Çelo Picarin e internuan në Konjë.
O Çelo, Xhelo, Xhelili
Gjuha jote si birlbili
Çelon e kërkon Tafili
Në kuvend e pret veziri. Dhe më tej bëhet e ditur:
Arapistan mbeçë për lumë
Ç’e gjet Tafil Buz’ hajdunë
I dhan’ Bagdan’ e Mosun(l)ë
Shkoi te Gjoleka në Jufrë.
Çelo Picarë fërtunë
Në Konjë syrgjyn e shpunë.
Tafil Buzi vdiq në Siri si guvernator i Alepos, në vitn 1844. Po këtë vit Zenel Gjonleka dhe Çelo Picari do të ktheheshin në Shqipëri dhe do të organizonin kryengritjen e famshme kundër reformave të Tanzimatit, që do të kulmonte gjatë viteve 1847-1848. Populli e përjetësoi: O Tafil bir’ i Shanisë/ Kapedan i Shqipërisë/Ç’i ktheve pallën Turqisë.
TAFIL BUZI DHE “NAPOLEONI MUSLIMAN”*
Nga Luan RAMA

…. Në librin e tij të mrekullueshëm “Faraoni i fundit”, që është padyshim më i ploti ndër autorët perëndimorë, Sinoué nuk është marrë me pikëtakimin e Mehmet Aliut me botën shqiptare dhe Shqipërinë, kohë kur në Shqipëri, nën influencën e Revolucionit Francez, kishin filluar kryengritjet e para për shkëputjen e Shqipërisë nga perandoria osmane. Madje, një dekadë para këtyre revoltave të mëdha shumë prej shqiptarëve kishin marrë pjesë në betejat e Revolucionit Grek, veçanërisht në Misollongj dhe vise të tjera të Greqisë ku do të shquheshin Boçarët, Kollokotroni, Kondurioti e të tjerë, mes të cilëve dhe një grua tjetër legjendare arvanitase, Bubulina nga ishulli i Hidrës apo Zhan d’Ark (Jeanne d’Arc) arvanitase, siç quhej në Perëndim. Njihen tashmë kryengritjet e famëshme shqiptare të viteve 30-40 të shekullit XIX, kryengritjet në jug dhe në veri të Shqipërisë, në Shkodër (1837), në Mat e në Dibër, si dhe në Berat apo Vlorë. Kur bije fjala për lidhjen e tyre me Mehmet Ali Pashën, emri i Tafil Buzit është nga më të përmëndurit në këto kryengritje, kohë kur vetë «faraoni i fundit» ëndërronte shkëputjen e Egjiptit nga Stambolli dhe shpalljen e një shteti të pavarur. Duke shfletuar dokumentet e arkivave të Stambollit rreth kryengritjeve shqiptare dhe duke lexuar referencat ndaj Mehmet Ali Pashës së Egjiptit, të bëjnë përshtypje një sërë korrespondencash turke apo dhe të huaja, që dëshmojnë për lidhjen që ekzistonte mes Mehmet Aliut dhe prijësave shqiptarë. Dhe kjo jo vetëm për arësye se ata ishin shqiptarë, por sepse, një kryengritje e madhe edhe në Shqipëri, kontribuonte në luftën që bënte Mehmet Ali Pasha kundër Portës së Lartë të Stambollit. Që më 1833, kajmekami i Rumelisë njoftonte Vezirin e Madh në Stamboll se «Abdyl Koka i Delvinës endet sa në Egjipt dhe në Misollongj…»
Në dokumentet historike rreth kryengritjeve shqiptare për pavarësi (Dokumente arkivale osmane), në një letër të një dragomani grek për Shqipërinë, më 1835, shkruhej se «Tafil Buzi kishte deklaruar se ishte njeriu i Mehmet Ali Pashës. Rrebeli në fjalë pohoi se nuk do të largohej së shërbyeri çështjes së Mehmet Aliut. Nuk ka dyshim se kazatë kryengritëse si Vlora, Tepelena, Dishnica, Tomorrica, Skrapari, Mallakastra, qyteti dhe nahija e Beratit, Sulova e Vërça, të kenë patur korrespondencë direkte me Memet Ali Pashën». Në maj të vitit 1835, përfaqësuesi turk në Londër, Mehmet Namik, njoftonte Portën e Lartë se ishte takuar me ambasadorin austriak, princin Esterhazi, të cilit i kishin ardhur udhëzimet e Meternikut (Meternich). «Përmes valiut të Kretës, Mustafa Pasha, pashai i Egjiptit ka nxitur Tafil Buzin. Korespondencat e tij me krerët shqiptarë janë tashmë në duart e Meternich-ut. Ambasadori austriak do ti paraqesë Ministrisë së Jashtme të Anglisë kërkesën që Anglia të porosisë konsujt që ka në Shkodër, Kretë dhe Shqipëri si dhe ambasadorin pranë qeverisë greke… Unë i deklarova se konsujt anglezë duhet të përpiqen që ta kthejnë në rrugë të drejtë Mehmet Aliun, që ai të heqë dorë nga intrigat dhe turbullirat në këto vise».
Pashai i Kajros do të ishte ndër të parët që do të mbështeste Mustafa Pashë Bushatlliun e Shkodrës në kryengritjen dhe betejat e tij në Përlep apo Sofje. Por shpejt, prijësi i Shkodrës do të mbyllej në kështjellën e tij gjersa më së fundi do të largohej. Në shtator të vitit 1835 edhe Vasaf Efendiu i shkruan Vezirit të Madh mbi pjesmarrjen e Mehmet Aliut në kryengritjen e Shqipërisë. Ai tregon për «bashkëpunimin e tij që nga koha e Mustafa Pashës së Shkodrës, për strehimin e bejlerëve të arratisur shqiptarë dhe dërgimin e njërit prej tyre në Berat, gjatë kryengritjes së Shkodrës. Madje disa kryengritës të arratisur, thuhet se kanë gjetur strehë në Egjipt».
Që më 1831, Zylyftar Poda kryesonte përpjekjen feudale shqiptare për tu shkëputur nga Stambolli. Më 1820-1831 u shëmbën pashallëqet e mëdha të Shkodrës dhe të Janinës. Më 1835, dy vjet pas kryengritjes së Tafil Buzit, ndodhën kryengritjet e Dibrës. Ndër prijësit e kryengritjeve të jugut ishin dhe Çelo Picari, Tahir Abazi, Ahmet Aga Çami e shumë të tjerë që janë përjetësuar nga këngët popullore dhe epika e këtyre viteve, emrat e të cilëve i gjejmë të lidhura gjithnjë me kauzën e Mehmet Aliut. Në shumë dokumente vihet në dukje se në kohën e kryengritjeve të kësaj periudhe, Zylyftar Poda për t’ju shmangur hakmarrjes, e kishte zhvendosur familjen e tij nga Misollongji në Kretë, e cila në atë kohë ishte nën pashallëkun e Mehmet Ali Pashës.
Ato vite, Veziri i Madh i kërkonte guvernatorit të Selanikut ndonjë informatë rreth veprimtarisë së Mehmet Aliut lidhur me Shqipërinë. Në shtator të po atij viti, në një dokument të konsullit rus drejtuar Rusisë, zoti Duhamel shkruante se «e kërcënova Mehmet Aliun se kishte gisht në kryengritjen e Shqipërisë dhe se për këtë gjë ai do të kishte pasoja». Në maj të vitit 1838, Rifat Beu, ambasador në Austri, dërgonte një letër ku shkruante se «Në një gazetë të Londrës, është botuar lajmi se Misirliu (Mehmet Aliu) ka tërhequr disa luftëtarë prej brigjeve të Shqipërisë dhe me anë të komisarit që ndodhet në Korfuz, është përpjekur të nxisë veprimet e mallkuara të shqiptarëve». Mjaftojnë vetëm këto pak të dhëna për të kuptuar lidhjen e shqiptarëve me Mehmet Ali Pashën dhe besnikërinë që ata treguan ndaj tij. Pikërisht ata do ta përcillnin atë dhe në udhëtimin e tij të fundit. Historiani Sabry, në librin e tij biografik Mehmet Ali Pasha të botuar para ca kohësh dhe në Shqipëri, duke përshkruar vdekjen e pashait të madh dhe dhimbjen e popullit, shkruan se «si gjithnjë garda e tij ishte aty, ashtu si atëhere kur ishte nisur nga Kavalla shqiptare. Ajo e nderoi shqiptarin e madh e të tmershëm sipas zakonit të maleve të vendlindjes…» Edhe konsulli francez Mourriez në kujtimet e tij për Mehmet Aliun, shkruante: «Një ditë e pyeta Mehmet Aliun se përse aq shpesh ai thoshte se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj se i tillë ishte dhe se fliste gjuhën shqipe. A nuk e kishim dëgjuar t’u fliste rojeve të tij shqiptarë?… Shqiptar jam dhe shqiptar do të vdes, – thoshte ai, – ndonëse u përpoqa të bëhem një egjiptian i mirë».
*Marrë me shkurtime nga shkrimi:
Arnauti Mehmet Ali Pasha, “Napoleoni musliman”
