TË NJOHIM KRAHINËN E BUZIT

 

Treva e Buzit bënë pjesë në Bashkinë e Memaliaj dhe në tërësinë e saj përmbledh fshatrat e përfshirë sot në dy prej njësive vendore, asaj të vet Buzit dhe asaj të Luftinjës siç paraqiten dhe në hartë:

 

Luftinjë Fshatrat: Izvor, Luftinjë, Luftinjë e Sipërme, Rrapaj, Rabie, Gllavë e Vogël, Maricaj, Arrëz e Madhe, Vagalat, Tosk Martalloz, Dervishaj, Zhapokikë, Zhapokikë e Sipërme, Ballaj, Luadhaj
Buz Fshatrat: Buz, Buz-Kalemaj, Badër, Kurtjez, Buz-Golemaj, Arrëz e Vogël, Shalës, Xhafaj, Gllavë, Selckë, Selckë e Vogël, Komar, Bardhaj

Treva e Buzit, krahasuar me të tjerat, për nga lashtësia, shtrirja, numri i fshatrave dhe njerëzve të saj mbetet më e veçanta dhe më e madhja në rajonin e Tepelenës.Territori i saj rrethohet nga komunitete që i kanë dhënë shkëlqim e krenari kombit shqiptar. E tillë është krahina e Dëshnicës me kryeqendër Këlcyrën, e cila në vitin 1431 ishte qendër Vilajeti. Ky Vilajet përfshinte hapësirën nga Berati në Gjirin e Artës. Në Këlcyrë,  sipas studiuesit Kujtim Mateli, ndodhet Dodona. Krahina e Buzit kufizohet me fshatrat e Dervenit, atje ku lindën Ali Pashë Tepelena, Veiz Vasjari, Feim Mezhgorani etj. Buzi ka në krah trevën e Tërpanit, e cila ka nxjerrë figura të shquara historike si: Babë Dudë Karbunara, Ferit Vokopola e deri te profesori i nderuar Adem Salillari. Vendlindja e Tafil Buzit kufizohet me fshatrat e Krahësit dhe Qesaratit, me Koshtanin ku është çelur shkolla e parë shqipe, me zonën që ka nxjerrë figura e personalitete të shquara si: Osman Haxhiu, Baba Medini, Veli Llaka e deri te Rektori i Universitetit Gjirokastër, prof. Bektash Mema.

Trojet e  Buzit mbajnë visare nga më të çmuarat, thesare që nuk duhen analizuar e vlerësuar nga pozitat e sotme, apo sa dritë është hedhur  mbi to. Historia e saj nuk janë vetëm vendlindja dhe bëmat e kapedanëve Tafil Buzi, Fejzo Arrëza, Sadik Luftinja etj, por historia e një komuniteti me vlera të rralla shpirtërore në tërë jugun e Shqipërisë. Territoret e trevës së Buzit sipas studiuesve të huaj kanë qënë jo vetëm më të vlerësuarat, por të mbushura edhe me shumë mistere.

Shumë udhëtarë e studiues të huaj, mes të cilëve Pukëvili, Henri Tozer, E. Lir, E. Durham, E. Çelebiu, etj., kanë përshkruar me emocione të rralla bukuritë e veçanta të natyrës shqiptare dhe cilësitë e banorëve të saj.“Ata, sipas Baron de Vaudoncout, janë shtatlartë, gjithë muskuj, të fuqishëm dhe me bel të hollë. Kanë një profil mjaft tërheqës, njëlloj si modeli i statujave të lashtësisë greke. Në vështrim të parë, pamja të jep përshtypjen e një kombinimi ngjyrash të freskëta, të alterrnuara bukur, ku dallohen sytë ekspresivë, ngjyrë gri, vetullat e holla dhe të harkuara, balli i lartë dhe i ashpër dhe mollëzat e faqeve si të skalitura. Bie në sy qëndrimi i tyre krenar. Rrobat e trupit i përgatisin vetë,  një veshje, të cilën Bajroni do ta cilësonte “si më të mrekullueshmen në botë”. Ndërsa Edith Durham do të nënvizonte: “Edhe pse janë shumë të varfër, rrënuar apo dobësuar nga luftrat, ata e përmbajnë veten, sillen si njerëz me sedër dhe dinjitet, ndryshe nga popujt e tjerë ballkanik”.

Vlerësimet për komunitetin buzjot janë me qindra e mijëra, aq sa një opinion i gjerë në mënyrë figurative në shumë raste konkludon: “Vlerat dhe cilësitë e njerëzve të Buzit u ngjajnë maleve e lisave shekullorë, rakisë ballkazani dhe verës shumëvjecare, të cilat sa më shumë kalon koha aq më të forta e cilësore bëhen. Kur flitet për mikpritjen, urtësinë dhe drejtësinë, ato pushtojnë majat. Në asnjë vend të botës nuk të presin me aq çiltërsi e ngrohtësi njerëzore, nuk të nderojnë me aq bujari dhe fisnikëri shpirtërore. Kjo magji mirësie e çiltërsie mbetet tipike për të gjitha familjet dhe fiset e krahinës së Buzit”.

POZITA GJEOGRAFIKE, FLORA DHE FAUNA

Pozita gjeografike e trevës së Buzit shfaqet si një nga dëshmitë dhe trashëgimitë më të rralla të vlerave të një vendi. Rrethuar nga një kurorë malesh e kodrash pa mbarim, krahas mjedisit mbrojtës, të fortë e të sigurtë, shekujt i falën asaj Trebeshinën, Shëndëllinë, Tri Çukat e Gllavës, malet e Buzit, Shkëmbin e Bardhë, Qafën e Kiçokut, Qafën e Arrzës, Qafën e Rabies, Luginën e Luftinjës e të Shalësit dhe me dhjetëra Monumente të natyrës e trashëgimisë kulturore. Fshatrat e Buzit, me malet, çukat, kodrat, grykat, honet e shkëmbinjtë gjigandë, me pyjet, pllajat, livadhet, lëndinat e fushat pjellore dallohen jo vetëm në planin gjeostrategjik, por dhe për  peizazhin e bukur, për vlerat e shumta mbi e nën tokësore dhe ato turistike. E gjitha kjo hapësirë karakterizohet nga një biodiversitet i pasur, që vjen si rezultat i faktorëve fiziko-gjeografikë dhe evolucionit historik. Peizazhe magjepsës me resurse, tradita, zakone e vlera turistike mbetet një pasuri e madhe e cila, edhe pse nuk është çmuar sa e si duhet, në një të ardhme të afërt do të marrë kujdesin e vlerësimin e merituar.

Krahina e Buzit ndodhet në pjesën veriperëndimore të rrethit Tepelenë. Kufiri juglindor fillon me fshatrat e Dervenit, ndërsa  më në lindje e verilindje shfaqen Shëndëllia, Trebeshina dhe lugina e lumit Shalës. Zona malore Gllavë-Komar e Qafa e Rabies konsiderohen si pjesa më veriore, kurse lartësitë e kodrave të Rabies, Izvorit të vjetër dhe dy Zhapokikave i përkasin kufirit perëndimor. Kjo krahinë me rreth 220 km2 zë rreth 1/4 e sipërfaqes së Nënprefekturës Tepelenë. Ajo kufizohet me fshatrat e trevës së Krahësit, Dervenit dhe me disa nga fshatrat e  rretheve Mallakastër, Berat e Përmet. Pikat më të ulëta në territorin e saj janë Lugina Luftinjë dhe  lumi i Selckës me nga 300 m mbi nivelin e detit, ndërsa më të lartat në jug-lindje: Trebeshina (1922 m )  e Shëndëllia (1766 m ), në veri Tri Çukat e Gllavës ( mali i Gllavës me 1130 m dhe i Komarit  me 1131 m). Lartësitë e kompleksit të kodrave rriten duke filluar nga jugu (300-400 m) për në veri (300-400 m), kurse në lindje me 600-800 m  mbi nivelin e detit.

Udhëtimin tonë e kemi nisur me rrugën automobilistike Berat-Këlcyrë, e cila përshkon tërë fshatrat e krahinës së Ballollit e të Tërpanit. Pasi ke lënë Rehovën e Zhapokikën e Beratit, në fakt ke hyrë natyrshëm në kufijtë e Tepelenës. Në lagjen Coraj, rrethuar nga male gjigant, edhe pse mund të jesh duke pirë pak ujë në çezmën e kësaj lagjeje, vështrimi ndesh me natyrën e bukur të fshatit Komar. Sa del në Qafën e Gllavës, krahas 10 lagjeve të këtij fshati, syri nuk mund të rrijë pa soditur Rabien, shtrirë në një pllajë të gjerë e tepër tërheqëse. E kështu, duke ecur drejt kryeqendrës së krahinës, nga e djathta të shoqërojnë fshatrat Bardhaj, Luftinja, Izvori dhe Zhapokikat, ndërsa në të majtë : Selcka, Buz Kalemaj, Golemaj e Shalësi. E pasi mbërrin në qendër të Buzit, si në pëllëmbë të dorës shfaqen fshatrat Arrëz, Maricaj, Vagalat, Tosk Martalloz, Xhafaj, Dervishaj e Badër.

Në këto territore në çdo stinë të vitit ndihesh i mrekulluar dhe shpirti gjen rehati. Ajri i pastër, freskia dhe qetësia ndërthuren me aromën e manushaqes, trëndelinës, sherebelës e të luleve të tjera shumëngjyrëshe. Dëshira e ngjitjes drejt lartësive dhe prania aq e madhe e kupës qiellore të bëjnë të ndihesh paksa qiellor. Edhe pse vitet kanë bërë punën e tyre, kujtimet e përjetimet nuk stepen e shterojnë! Stërpikur me pak nostalgji, dhimbje e trishtim për të djeshmen, vlerat pa fund të trojeve ku të ka rënë koka shpalosin me shpejtësi dashurinë e përjetshme të vendlindjes. Distancat, pengesat e vështirësitë e panumërta ndezin edhe më shumë mallin e dashurinë njerëzore.

Dikur bukuritë e zonës së Buzit ishin befasuese. Kur lisat e rrepet shekullorë “sundonin” pjesën më të madhe të këtij vendi, fshatrat kishin edhe më shumë fisnikëri e qëndrueshmëri, kurse njerëzit më tepër burrëri, hijeshi trupore e vlera shpirtërore. Ndërsa sot, sa herë gjendemi në mjediset e këtij gjerdani zbukurues apo përshkojmë me këmbë malet, kodrat, trojet deri dhe vendprehjet e të parëve, të gjithë duket sikur na qortojnë për braktisjen e madhe: “Jemi të parët tuaj! Kemi krijuar e ruajtur gjithçka të mirë për ju e brezat që do vijnë. Mos na harroni!”  Lidhur me pozitën gjeografike të krahinës, përvijohen qartë tri zona:

Zona lindore nis me malin e Gllavës, vazhdon në verilindje me malin e Komarit, kodrat e Selckës, të Buzit  Shalësit. Ky varg kodrinor vjen duke u lartësuar në drejtim të juglindjes, aq sa në Arrzën e Vogël arrin nivelin e mbi 1000 m mbi nivelin e detit. Në pjesën veriore të këtij vargu ngrihen madhështore Tri Çukat e Gllavës, të cilët janë shpallur  “Monument Natyre. “ Këto mala, me kodrën e bukur të  Korijes së Komarit, Qafën e Murrizit dhe me të dyja anët e rrugës Berat-Këlcyrë, dikur mbushur me lisa pa mbarim, i kanë dhënë zonës vlera të veçanta historike, natyrore dhee mjedisore. Midis Komarit e korijes së tij kemi përroin dhe rezervuarin me të njëjtin emër , kurse në të djathtë të tyre, lartësohen kodrat e Selckës. Ato, pasi ndahen me  kodrat e Buzit (931 m) e me Hauzin, ulen gradualisht në drejtim të Luginës së Shalësit, e cila në brendësi të saj ka dy kodra me lartësi nga 600 m. Edhe ato, dikur të veshura dendur me dru lisi,  të quajtura” Qyteza e Madhe dhe e Vogël”, meritojnë më tepër studime. Në të djathtë të kësaj lugine vazhdon kurrizi kodrinor i fshatrave Shalës e Selckë e Vogël me lartësi 600-700 m mbi nivelin e detit.  Fushat e fshatrave Buz  Kalemaj, Shalës, Selckë dhe ajo e Hambarit, kanë qenë e mbeten pasuria më e madhe e këtyre vendbanimeve. Nga këto fusha, për vite me radhë, janë marrë rendimentet të larta në grurë e misër, ndërsa sot kanë mbetur si mall pa zot, sepse njerëzit e palodhur e duarartë janë larguar në vende të tjera. Në territorin Golemaj – Arrëz e Vogël ndodhen Qafa e Kiçokut, e Rozeçit dhe rezervuari me të njëjtin emër.

Zona e dytë kodrinore e trevës së Buzit shtrihet në pjesën perëndimore të së parës. Ajo fillon po me malin e Gllavës e të Komarit, lë pas  Qafën e Murrizit e kodrat e fshatit Buz-Qendër, vazhdon me Shkëmbin e Bardhë dhe Bregun e Kolës të fshatit Buz Kalemaj e Golemaj. Pas një ndërprerjeje nga lumi i Maricajt, vendi fillon e lartësohet me kodrat e Toskë Martallozit, Vagalatit, Maricajt dhe përfundon rrëzë malit të Shëndëllisë. Bukurinë natyrore dhe vlerat njerëzore kësaj zone ia shtojnë qendra e Buzit, lagjet Gjonç, Revisht e Lajthizë dhe fshatrat Badër, Kurtez e Xhafaj.

Zona e tretë, e cila përfshin pjesën perëndimore të krahinës,  përbëhet nga lartësitë e kodrave të Rabies, Izvorit dhe të dy Zhapokikave. Pikat më të larta janë pjesa e kodrave të Izvorit me lartësi  786 m dhe Maja e Zezë e Zhapokikës së Sipërme me 800 m. Ky varg kodrinor fillon me Qafën e Rabies (996m) dhe duke u  ulur gradualisht në drejtim të jugut,  përfundon në Luginën e Vjosës. Në këtë zonë, vendin kryesor e zë Lugina e Luftinjës me gjerësi gjeografike veriore 40° e 29’ dhe gjatësi gjeografike lindore 19° e 58’. Lumi i saj i ka fillimet e veta nga rrëketë dhe përrenjtë që zbresin nga lartësitë e fshatrave Rabie, Gllavë, Izvori i vjetër dhe Buzi. Lugina ka një gjatësi rreth 23 km, duke filluar nga pika më e lartë që është territori i fshatit Rabie e deri tek pikat më  të ulëta fushat e Luftinjës dhe e Tosk Martallozit me një sipërfaqe 140 km2. Lugina e Luftinjës është një nga territoret më të rëndësishme të Tepelenës. Thesaret më të çmuara të saj kanë qenë e janë pasuritë qymyrmbajtëse dhe gjithë hapësira e shtrirë në të dyja anët e  lumit Luftinjë. Fushat më kryesore të Pellgut Luftinjë fillojnë me Spollanet, fushën e Bakiut, Shemes, Avniut, të teqesë e Peçajt, me Korien e Llakos, fushën e Lekës, Bibës, Nazifit, Bashajt, Gjolit, Sheshet e  Cakajt, vazhdojnë me fushat e Rexhep Aliut e të dy Luftinjave. Këtij  grupi i përkasin edhe fushat e fshatrave Kurtez, Xhafaj, Dervishaj e Tosk Matalloz, të cilat shtrihen në të dyja anët e lumit Maricaj. Zona e Buzit, duke ndjekur drejtimin veri-jug, ka 9 pika të larta : Maja e Gllavës me 1135m, Antenat në Malin e Komarit 1131,5 m, maja e Selckës 842,2 m, maja mbi Badër me 812 m, maja mbi Shalës me 724 m, maja e Përrielit në Selckë e Vogël me 831m, mali i Buzit me 931m, qendra e Buzit me 825m dhe padyshim majat më të larta të Trebeshinës e Shëndëllisë.

Në tërë vështrimin gjeografik, interes të veçantë paraqet Vargu malor Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë dhe Shëndëlli-Lunxhëri-Bureto. Këto dy vargmale në veriperëndim fillojnë me Qafën e Kiçokut e lumin e Luftinjës, ndërsa në juglindje, pasi lënë kufirin shtetëror, vazhdojnë edhe më tutje.  Gjatësia e përgjithshme e tyre shkon në rreth 60 km, ndërsa gjerësia varion nga 10 – 15 km, në 20 -25 km.  Mali i Trebeshinës, i Shëndëllisë, Tri Çukat e Gllavës, malet e Buzit, lartësitë e Zhapokikës, Izvorit e Rabies shfaqen nga më dimensionalët. Të gjitha kohërat, disa prej tyre, do t’i cilësonin: monumentalë, madhështorë, të gjithëpushtetshëm, deri dhe si lartësitë më hijerënda të Jugut të Shqipërisë. Njëra me peizazhin më mahnitës se tjetra, me më shumë avantazhe në fushën ushtarake, strategjike, ekonomike e turistike. Historia e maleve shekullorë, klima, kullotat natyrore, trëndelina, sherebela, bima e çajit, flora e fauna dhe natyra magjepsëse u japin edhe më shumë shkëlqim e vlera hyjnore.

Mali i Trebeshinës shtrihet ndërmjet Qafës së Kiçokut dhe grykës së Këlcyrës, me një gjatësi 18 km dhe lartësi 1922,4 m. Ai shërben edhe si vijëndarëse mes trevës së Tepelenës e Përmetit. Në tërë territorin malor të Shqipërisë Jugore, Trebeshina, Çajupi e Dhëmbeli dallohen jo vetëm për gjerësinë e tyre, por dhe për bukurinë e butësinë e sipërfaqeve kullosore. Temperatura mesatare vjetore në Trebeshinë luhatet nga 6-10 gradë C, kurse rreshjet mesatare 1500-2000 mm, kryesisht në formë bore,  të përqendruara në 120-130 ditë.  Mbulesa pyjore është e rrallë dhe përfaqësohet nga shkurret, dushku dhe halorët. Ka disa lloje bimësh barishtore dhe me dhjetëra bimë mjekësore. Trëndelina, krahasuar me vendet e tjera, është bima që e pasuron Trebeshinën që i jep qumështit, djathit e gjalpit aromën e saj të papërsëritshme. Nga shpendët, më e përhapur është thëllëza e malit. Në këmbët e këtij mali janë vendosur disa prej qendrave të banuara të rretheve Tepelenë e Përmet. Sipas topografit tepelenas, Agim Alika, mali i Trebeshinës nga veriu në jug ka 14 pika të larta : 1065 m, 1307 m, 1321 m, 1326 m, 1611 m, 1770 m, 1832 m, 1901 m, 1922,4 m, 1761 m, 1646 m,1243 m dhe Maja e Dushkut mbi Këlcyrë me 1084,7 m.

Mali i Shëndëllisë shtrihet nga Lugina e Luftinjës e deri te Gryka e Këlcyrës (Dragot) me gjatësi mbi 12 km. Nga perëndimi ai bie mbi luginën e Vjosës, ndërsa nga lindja në fshatin Arrëz e Mezhgoran. Shëndëllinë dhe Trebeshinën i lidh Qafa e Arrzës. Kuota më e lartë e saj arrin në 1766 m. Kurrizi i malit është më tepër i gjerë, i sheshtë dhe i modeluar fuqishëm nga proceset karstike. Mali i Shëndëllisë ka mbulesë pyjore të rrallë të përfaqësuar nga shkurret dhe pyjet e dushkut, ndërsa halorët kanë përhapje të kufizuar. Eshtë i pasur me bimësi barishtore dhe kullota verore. Ky mal vazhdon me Golikun, i cili ngrihet madhështor në daljen e Grykës së Këlcyrës. Qendrat e banuara buziote të vendosura në shpatet  e malit të Shëndëllisë janë Maricaj dhe Vagalati. Mali i Shëndëllisë me lartësi 1802 m, nga veriu në jug, në 8 pikat  e tij më të larta ka këta tregues: 1177,6 m, 1263 m, 1645 m, 1733 m, 1802 m, 1766 m, 1432 m dhe 1226 m.

Tri Çukat e Gllavës: Mali i Gllavës ( 1130), i Komarit (1131) dhe i Zhapokikës së Beratit (1128) janë kufiri që ndan Tepelenën me Beratin. Të trija së bashku, mbështetur fort në krahët e njera- tjetrës,  përbëjnë pikën më të lartë të vargut kodrinor Maricaj – Gllavë. Meqënëse fshati Gllavë ka shtrirjen më të madhe në këto territore (lagjja Coraj ndodhet në faqen jugore të malit të Zhapokikës, ndërsa “Malasi” në faqen perëndimore të malit të Komarit), banorët malet në fjalë i kanë quajtur “Tri Çukat e Gllavës”. Duke qënë se në majën e secilit ndodhet nga një vend i shenjtë, njerëzit shpesh betoheshin “Për tri Çukat!”, të cilat nuk duhen barazuar apo ngatërruar me tri Çukat e Komarit, sepse edhe mali i këtij fshati në shrtirjen e tij ka çukat e veta, duke filluar nga Çuka e Vogët e deri në majë.

Krahina e Buzit ndodhet në zonën e klimës mesdhetare, me verë të nxehtë  e  të thatë, dimër të   butë e të lagësht. Përjashtim bëjnë malet e Trebeshinës, Shëndëllisë dhe Tri Çukat e Gllavës, sepse atje dimri është i ftohtë, ndërsa vera e freskët. Erërat më kryesore janë ajo e lindjes ose e diellit, era e ngrohtë me origjinë sahariane, e perëndimit dhe e veriut. Pjesa më e madhe e fshatrave rrihet më shumë nga juga, po dhe nga lindja e  veriu. Temperatura e ajrit në mesataren 10 vjeçare rezulton 12, 2° C. Në korrik 23, 6° C, ndërsa më e ulëta në vitin 1968 shënonte –12° C. Sasia e rreshjeve varion nga 932 mm në 1043 mm, korriku mbahet si muaji më i thatë me 36 mm shi. Numri i ditëve me reshje të mëdha në Gllavë është 106 ditë, ndërsa në Arrëz 100, 6 ditë. Muaji me reshje të shumta është nëntori: në Gllavë mbi 12 ditë, kurse në Arrëz është dhjetori me 11, 2 ditë. Duhet përmendur se para viteve ‘90 të shekullit që lamë pas në Gllavë e në malin e Trebeshinës ishin dy stacione meteorologjikë. Në stacionin e Gllavës shërbente Agim Allkaj. Disa të dhëna nga ish-stacionit meteorologjik i Gllavës për vitet 1970-1980 janë :

 

Vitet Temperaturat mes. ditore Temperaturat mes. mujore Temperaturat mes. vjetore Diellzimi në orë Reshjet në mm Lagështia relative
1971 11. 9 ° 15. 2° 9. 6° 2262. 2   939. 6 65%
1972 12° 12. 9° 10. 8° 2266. 3 1043. 2 66%
1973 15. 5° 11. 2° 11. 6° 2393. 9   869. 1 63%
1974 11. 7° 11. 5° 11. 4° 2305. 8   771. 9 60%
1075 12. 1° 12. 0° 11. 7° 2365. 0   637. 8 69%
1976 11. 3°   9. 9° 11. 2° 2223. 0   880. 0 61%
1977 12. 7° 12. 6° 11. 2° 2626. 0   737. 8 70%
1978 11° 11. 2° 11. 2° 2305. 2 932. 9 67%
1979 11° 11. 5° 11. 5° 2334. 6 890. 3 63%
1980 11. 3° 11. 3° 11. 4° 2331. 2 931. 4 66%
mes. 12. 2° 11. 9° 11. 3° 2351. 3 867. 4 65%

 

Buzi ka një hidrologji të pasur. Ajo përfaqësohet nga lumenjë, përrenjë, burime, kroje, puse e liqene artificiale (rezervuar), etj.  Lumi kryesor i krahinës së Buzit është ai i Luftinjës. Fillon me Qafën e Rabies, me drejtimin veriperëndim-juglindje dhe derdhet në Vjosë. Prurjet e këtij lumi me gjatësi 23 km janë të shumta. Atë e ushqejnë lumi Maricaj prej 10 km, përrenjtë e Gllavës, Xhafajt, Badrës, Zhapokikës, Vagalatit, Izvorit (përroi i Zomos, i Mihasit), etj. Pasuritë më të mëdha ujore për gjithë zonën e Buzit janë burimet, krojet e çezmat në fshatrat Gllavë, Arrëz e Madhe, Komar, Izvor, Zhapokikë etj, por vendi me sasinë më të madhe të ujit mbetet Gigova e Selckës. Në vitin 1965 u ngrit hidrocentrali i Selckës, ndërsa Mullinjtë e Shumtë (3 të Panaritit e 2 të Selckës) u vinin në ndihmë fshatrave të Tepelenës, Beratit, Përmetit e Skraparit. Krahas burimeve natyrore, liqenet artificiale apo rezervuarët e ngritur gjatë viteve ’70 – ‘80 rritën dhe forcuan akoma më tepër fuqinë ujore të zonës. Rezervuari i Izvorit, i Komarit,  i Buzit (i Hauzit), i Rozeçit dhe i Shalësit që mbajnë miliona metra kub ujë janë një pasuri e shtuar dhe e çmuar për territoret e fshatrave të Buzit, ndonëse prej vitesh ata janë lënë jashtë funksionit të tyre.

Në shumicën e fshatrave të Buzit si burime kryesore për ujin e pijshëm të banorëve kanë shërbyer puset e ndërtuara nga dora e njeriut. Edhe pse ngritur në mënyrë artizanale, disa prej tyre janë qindra vjeçarë, me një thellësi nga 15 – 30 m. Në tërë zonën evidentohen mbi 120 puse. Si më të vjetër cilësohen puset në Dulluk të Shalësit, i Tefikut në Gllavë të Vogël, në Komar puset e Njaziut, të Razmiut, Qamalit, Zetes, puset në lagjen Xhafaj, Allkushat, Çunaj, etj. Në Buz qendër, Buz Kalemaj, Badër, Kurtez, Golemaj e Shalës numërohen mbi 60 të tillë. Në Xhafaj puse më të hershëm cilësohen puset në Qemallaj, Koçiaj, Osmanaj e Hamzaj. Të tillë ka në Tosk Martalloz në lagjet Cacaj, Duraj, Kasaj, Nanaj, Merkaj, Jaupaj, te trualli i Elmaz Nezhipit, etj. Shumë familje të Zhapokikës, Luadhit, Luftinjës e Rabies ujin e pijshëm e siguronin nga puset. Lagjet e Gllavës që kishin më shumë puse ishin Ajdinaj, Merdanaj, Allkushaj dhe Malasi. Puset në Malas janë nga më të vjetrit dhe me ujin më të mirë. Kur pije ujë nga pusi i Tao Beqos, kana apo gota vishej dhe barazohej me ujin e frigoriferit.

Për pasuritë floristike dhe faunistike i jemi referuar prof. dr. Lavdi Hasanit. Në studimet e tij shkencore nënvizohet klima mesdhetare paramalore e malore që përfshin edhe zonën e Buzit. Ajo ka bërë të mundur rritjen  dhe zhvillimin e  një numri të madh kafshësh e bimësh të përfaqësuara me një shumëllojshmëri speciesh. Aty rritet e zhvillohet gjithçka. Këtij territori nuk i ka munguar as natyra e bukur, as pyjet e dendura, as bota e gjallë dhe tepër e pasur bimore e shtazore, as ujërat e ftohta, tokat pjellore etj. Befasuese është larmia e madhe e insekteve, e këtyre polenizuesve gjenialë dhe faktorizues për ekzistencën e luleve shumëngjyrëshe. Netët e pranverës zbukurohen ndjeshëm nga vezullimet e xixëllonjave. Edhe familjet e bletëve punëtore marrin një zhvillim të gjithanshëm. Ato, me produktet e nënproduktet e tyre, mbeten një burim i mirë të ardhurash dhe një ushqim kurues për njerëzit. Si rezultat i shumëllojshmërisë së bimëve medicinale, polenin e të cilave e përpunojnë këto insekte, cilësia dhe vlera e mjaltit rritet akoma më tepër. Nga produktet e bletës vilet mjalti për ushqim, dylli për përdorim indrustrial, “qumështi i matkës” për vlerat e larta kurative dhe propolisi si një produkt shumë i çmuar mjekësor. Në të gjitha fshatrat ka pasur e ka bletërritësa me emër, por mjalti i Gllavës, i Komarit, i Selckës e i Arrzës ku dominon sherebela apo ai i Zhapokikës që vjen nga nektari i luleve të koçimares mbeten cilësorë e me vlera të rralla kurative. Jashar Coraj çonte deri në Tiranë mjaltin e prodhuar nga lartësitë e Tre Cukave të Gllavës, ndërsa disa nga bletërritësit e zonës që kujtohen me shumë krenari janë: Nuredin e Esat Nuro në Selckë, Jonuz Hamataj, Kujtim Ajdini, Ramiz Isufi, Ceno Visha e Fuat Alimema në Zhapokikë, Asllan Likometi, Merjeme e Baki Sulozeqi dhe Cane Hasani në Izvor, etj.

Nga bota e gjallë e vertebrorëve kemi praninë e llojeve të dëmshme dhe të dobishme. Në rezervuarët e Rozeçit e Komarit kultivohen peshqit e llojit krap e ballgjer. Nga amfibët më të pranishëm janë:  tritonët, salamandrat, bretkosat etj., kurse tek reptilët mbizotërues mbeten gjarpërinjtë, shigjetat, nepërkat, hardhucat, breshkat, bullarët etj. Bota më e madhe janë shpendët: harabelat, qukapikët, mëllenjat, pëllumbat, rosat e egra, thëllëzat e malit, bilbilat, dallëndyshet, skifteri, trumcaku, gushëkuqi, korbi, qyqja etj. Nga bota e gjitarëve të egër përmendim prezencën e ujkut, çakallit, dhelprës, lepurit, sorkadhes, dosbalës, kunadhes, nuselalës etj. Nga kafshët e buta vendin kryesor e zënë: pula, dhia, delja, lopa, kali, gomari, mushka, qeni, macja etj. Lepuri i egër është më i përhapuri, por vitet e fundit dhelpra, ujku e në veçanti derri i egër janë shtuar e shumuar, duke mbetur  problem serioz për banorët e fshatrave.

Në zonën e Buzit bota bimore paraqitet e larmishme. Lartësitë kanë bërë të mundur edhe zhvillimin e një bimësie të pasur mjekësore. Ato përmbajnë lëndë vepruese, të cilat ndihmojnë në parandalimin dhe mjekimin e shumë sëmundjeve. Në këtë territor janë mbi 100 bimë me veti kuruese. Bimët e egra, medicinale dhe ato të kultivuara i gjejmë në të gjitha llojet e përdorimit të tyre. Veçojmë çajin e malit, gramin, kamomilin, hudhrën, qepën,  lakrën,  pelinin,  manushaqen, hithrën, mëllagën e egër, lulëkuqjen,  salepin, rigonin, murrizin, manaferrën, thundërmushkën, dëllinjën, trëndafilin e egër, sherebelin etj., ndërsa nga bimët e kultivuara më të përmendurat janë: arra, bajamja, hardhia, molla, dardha, fiku, mëni, zerdelia, qershia, ftoi, kumbulla, shega, gruri, misri, tërshëra, elbi, fasulja, patatja, koçkulla, thjerrëza, bizelja, qepa, hudhra, domatja, sallata, shalqiri, speci, etj. Në ekonominë e kësaj treve, rolin kryesor e kanë luajtur bujqësia dhe blegtoria, të cilat kanë qenë dy shtyllat kryesore të zhvillimit. Bazuar në pozitën gjeografike, relievin dhe kushtet klimatike, më të favorizuarat janë kultivimi i drithërave të bukës dhe mbarështimi i blegtorisë së imët.

ZHVILLIME HISTORIKE DHE DEMOGRAFIKE

Çdo popull i Nahijes, Kazasë apo i një zone të caktuar është pjesë përbërëse e historisë së kombit të tij, e cila i ngjan një procesverbali ku ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim opinionit publik të shekujve të ardhshëm. Shqipëria e kushtëzuar shpesh nga vendndodhja gjeografike ka njohur të paktën katër pushtime me nga 400-500 vjet, por shqiptarët dhe gjuha e tyre nuk u asimiluan. Ata ngelën, duke u mbartur nga shekulli në shekull, më vitalë, më të kompaktësuar, më të pathyeshëm. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për banorët e trevës së Buzit. Ata, përballë luftërave romake, bizantine, sllave, osmane, greke, italiane e gjermane, kanë ditur  të ruajnë fort identitetin e tyre. Kur pushtuesit donin ta skllavëronin, asimilonin, përçanin e nënshtronin kombin shqiptar, njerëzit e Tafil Buzit do të ishin gjithmonë të bashkuar e të pamposhtur. Qëndrimet e tyre stoike, përballë hordhive pushtuese dhe sundimtarit të radhës, përshkojnë disa nga rrugët më të vështira të jetës së këtij komuniteti. Ai, me rrënjë të thella e të shtrira mirë në historinë mijëravjeçare, mbeti autokton e zot i trojeve të veta. Ruajti si sytë e ballit gjuhën e nënës, toskërishten e pastër si ar i kulluar, traditat, zakonet dhe vlerat më të mira të Jugut të Shqipërisë.

1.Buzi dhe buzjotët të lashtë sa vetë malet e tyre. Zanafilla e vendbanimeve të kësaj treve, banuar prej fiseve ilire, të çon drejt antikitetit. Në territoret e saj ka shenja të një jete të lashtë. Banorët e krahinës së Buzit, për aq sa na lejojnë dokumentet dhe shekujt e lashtësisë, kanë qenë autoktonë dhe pasardhës të fisit të Atintanëve. Gjurmë të kësaj hershmërie janë pllaka e gurtë prej nëntë radhësh që dëshmon praninë e emrave ilirë, qyteza e Gradishtës në Rabie dhe kalaja e saj që shprehin marrëdhëniet ushtarake të kohës. Në fshatrat Cakran, Margëllic, Hekal, Klos e Rabie janë zbuluar rrënoja qendërbanimesh të fortifikuara ilire. Nga mbishkrimi i gjetur në qytezën e Rabies del se, midis qyteteve të mëdha dhe qendërbanimeve të fortifikuara më të vogla, kanë ekzistuar edhe dallime. Për lashtësinë e trojeve të zonës së Buzit hedhin dritë kërkimet arkeologjike, varrezat e vjetra të kaurëve (të krishterëve) në Gllavë, Selckë, Shalës, Maricaj,  Badër, Revisht, Buz e Zhapokikë; pllakat e mëdha e qeramikat e lustruara në Luftinjë, Xhafaj e Buz Kalemaj; të dhënat e shumta arkeologjike në Gllavë, Selckë, Izvor, Luftinjë e Shalës; shpella në Maricaj me mbishkrime helene e piktura murale; shtatë furra pjekjeje poçerie në Zhapokikë, Buz e  Vagalet; ujësjellësit e vjetër në Xhafaj e Buz Kalemaj; “qytezat” në Rabie, Selckë e Thadërz të Shalësit, Manastiret në Rozeç, në Qafën e Kiçokut dhe në Hambar të Buzit, etj. Thënë përmbledhtas : Fshatrat mijëravjeçarë të Buzit janë një realitet i pasur arkeologjik. Zbulimi dhe interpretimi shkencor i kësaj pasurie do të ishte një arritje e vlerë e madhe, sepse historia e tyre është e lidhur me shtyllat e qytetërimit shqiptar : me Bylisin (qytet ilir pranë fshatit Hekal), Nikaian (Klosin) dhe Antipatrean (qytet ilir, Berati i sotëm).

Rreth mbishkrimit të Rabies : Sipas themeluesit të arkeologjisë shqiptare, Prof. Hasan Ceka, para disa vjetësh në fshatin Rabie të rrethit Tepelenë, afërsisht 20 km në thellësinë veriore të bregut të djathtë të Vjosës është zbuluar një mbishkrim i lashtë me shumë interes historik, i cili përbëhet prej nëntë radhësh. Që kemi të bëjmë me një mbishkrim të Ilirisë së Jugut, këtë e tregon vendi i gjetjes. Fshati i  Rabies ka mbeturina  muresh të ndërtuara me një teknikë të lashtë, që dëshmojnë për praninë e një vendbanimi antik, madje të fortifikuar, në truallin ku u zbulua  guri i mbishkrimit. Mbishkrimi i Rabies përfaqësonte një Atintani zotëruese, kur treva ndodhej në kulmin e zhvillimit shoqëror, e cila përbënte në Ilirinë e Jugut fisin më të fortë e më të organizuar. Në fshatin Rabie apo aty afër saj duhet të jetë gjetur edhe një mbishkrim tjetër, i cili sot ruhet në Muzeun e Oksfordit, Angli.

“Qyteza e Gradishtës” dëshmi e qytetërimit dhe kulturës antike. Fshati Rabie ka një histori të lashtë. Në antikitet ky vendbanim bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të Mallakastrës. Fortifikimi i Rabijes është ngritur në një faqe në jugperëndim të kodrës, e cila ka gjurmë të shumta qeramike që i takojnë periudhës qytetare ilire deri në antikitetin e vonë. Tri anët e tjera të kodrës janë shumë të pjerrëta, por jo aq sa të mos lejojnë ngjitjen drejt kalasë. Fortifikimi përbën një rrethim të plotë në formën e një shumëkëndëshi të çrregullt që zë një sipërfaqe 0,5 ha. Muret e kalasë ndjekin konturet e terrenit. Në to dallohet një teknikë që lidhet me periudhën qytetare ilire, dhe një e dytë e antikitetit të vonë. Muri me llaç ndjek drejtimin e murit lindor antik në vijë të drejtë dhe pas 40 m kthehet në një kënd të gjerë, duke bërë pesë kthesa të tjera, derisa bashkohen me murin e anës perëndimore në një kënd të drejtë. Në murin me llaç me gjerësi 1,9 m dhe në fortifikimet e tjera vërehen faqet dhe bërthama. Në fasadë janë kombinuar gurët e mëdhenj me gurët mesatarë e të vegjël. Kalaja dhe qyteza e Rabies i përkasin shek. V p.e.s.

Kalaja e Rabijes. Sipas Prof. Neritan Cekës, qyteza e Rabijes është një fortifikim i njohur me emrin Gradishtë. Ngrihet në perëndim të fshatit, në majën më të lartë me kuotë 880 m të një kurrizi kodrinor, nga ku fillon rruga që të çon drejt Qafës së Gllavës. Kështjella e ngritur në Rabie luante rolin e kontrollit të lëvizjeve në një zonë kufitare të bashkësisë byline. Me planimetrinë e saj shumëkëndëshe, kjo kështjellë ka qenë përshtatur me formën piramidale të kodrës, duke u qarkuar nga një mur 240 m vetëm majën e saj, një sipërfaqe prej 0, 36 ha. Planimetria e kështjellës së Rabijes karakterizohet nga forma e thjeshtë, mbyllje e plotë, kthesa këndgjera dhe mungesa e kullave. I gjithë fortifikimi është realizuar në një kohë e me të njëjtën teknikë. Muri të kujton muraturën e periudhës së parë të qytetit të Klosit dhe Amanties, me të cilat Rabija ka të përbashkët punimin e shkëmbit në vazhdim të murit. Përputhja e teknikës së ndërtimit në qytezën e Rabijes me atë të qytetit të Klosit tregon jo vetëm për një ndërtim të njëkohshëm të tyre, në gjysmën e dytë të shek. V p.e.s., por edhe për një lidhje varësie. Nuk ka dyshim se Rabija luante rolin e një kështjelle në bashkësinë byline. Kështjella e Rabies përbënte një mbrojtje të territorit bylin. Mbishkrimi i saj dëshmon për ekzistencën e forcave të përhershme ushtarake.

Kisha tek shkëmbi i Saliajve në Maricaj. Në zonën e Buzit ka patur shumë objekte kulti të fesë kristiane. Afër fshatit Maricaj, në brendësi të Shkëmbit të Dokos,  (më herët ai quhej Shkëmbi Saliaj) që arrin lartësinë 20 m, në faqen e prerë si me thikë,  gjendet një guvë e madhe. Sipas banorëve, dikur atje ishin një palë shkallë prej druri me anën e të cilave mund të ngjiteshe deri tek hyrja e shpellës. Faqet e saj ishin të mbuluara me piktura murale të vjetra shenjtorësh. Në Maricaj gjurmët e besimit kristian vazhdojnë të jenë ende të pranishme. Emërtimet Kryqi i Sipërm dhe Kryqi i Poshtëm, si simbolika të krishterimit,  përforcojnë edhe më tepër mundësinë e ekzistencës së kishave e besimit kristian. Si gjurmë krishtërimi në Maricaj mund të interpretohet Çezma e Dhimajve rreth 800 m larg Kryqit të Sipërm dhe varret e vjetra. Në kishën te Shkëmbi i Dokos gjenden ikona të shumta të Krishtit dhe të Shën Marisë, të cilat dikur ruheshin në gjendje shumë të mirë. Ndoshta nga kjo kishë e hershme në shkëmb me ikonën e Shën Marisë duhet të ketë marrë emrin vet fshati Maricaj. Duke udhëtuar nëpër këtë zonë,  nuk është e vështirë të provosh prezencën e besimit kristian, i cili ka lënë rrënjë të thella jo vetëm në krahinën e Buzit, por kudo në Tepelenë.    

Buzi, kryeqendra e krahinës. Vendlindja e Tafilit ka qenë dhe mbetet qendra historike e saj. Në këto mjedise janë mbledhur burrat e zonës, të cilët kanë vendosur për fatet e atdheut, kanë diskutuar për qeverisjet vendore, festimet e përvjetorët, datat historike etj. Nga Tri Çukat e Gllavës e deri në Qafën e Kiçokut Skënderbeu do të vendoste ushtrinë e tij, ndërsa kapedan Tafili po në këto territore mblidhte kuvende e lidhte besë. Për nga përmasat, historia e trevës së Buzit mund të krahasohet me madhështinë e Trebeshinës. Një nga momenet më të rëndësishme të historisë krahinore mbetet koha e Ali Pashë Tepelenës. Bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë ishin nga shumë treva, por Derveni me Ago e Veiz Vasjarin, malësia e Buzit me kapedan Tafilin dhe Pellgu i Luftinjës me Sadik Luftinjën ishin zonat e tij më besnike. Në arkivat e Ali Pashës gjejmë të flitet për Mehmet Rabien, oficerin e artilerisë në Janinë me një trupë prej 25 ushtarësh, për taksambledhësin në zonën e Trikallës, Bako Zhapokikën, të cilin shpesh Pashai e quante “Bumbashir” (përmbarues). Në urdhrat me shkrim të Aliut lexojmë: “Dorëzojini taksat bumbashirit tim, Bako Zhapokikës”. Ndërsa në një urdhër që i dërgonte Bakos, e urdhëronte që fondet e mbledhura të jepeshun për të paguar shpenzimet e trupës së Çaçan Selckës për periudhën janar – qershor 1813. Çaçan Selcka ishte komandant i trupave speciale në pashallakun e Janinës. Ali Pashë Tepelena bashkëluftëtarëve të tij nga fshatrat e Buzit u kishte ndërtuar shtëpi – kështjella: në Arrëz për Hasan Again, në Shalës për Aliko e Pelivan Shalësin, në Maricaj për Demir Çumanin, në Luftinjë për Bako e Ismail Muçodemin, po kështu edhe në fshatrat Buz e Selckë. Në ushtrinë e Ali Tepelenës do të shërbenin me besnikëri edhe Osman Buzi, Selim, Imer e Zaho Shalësi, Doko Rabia, Mimin Izvori, Cane e Sali Martallozi, Durre e Malko Komari, Hasan Arrëza, Xhafer Gllava etj.

Pas rënies së Pashallëkut të Janinës dhe Luanit të Epirit, mes kapedanëve shqiptarë do të shquhej prijësi i vegjëlisë, Tafil Buzi. Biri i mbarë toskërisë, në misionin e madh për pavarësinë e Shqipërisë, pati gatishmërinë e të gjitha krahinave. Luftëtarët dhe oficerët që iu bënë krah ishin kryesisht buzjotë, dervenas, kurveleshas, dëshnicarë, mallakastriotë, vlonjatë, myzeqarë, beratas etj., por mbështetja më e fuqishme morale do të ishin vendlindja dhe bashkëkrahinorët e tij. Natyra e rreptë e trojeve ku Tafilit i kish rënë koka e armatosi jo vetëm me dhuntitë mendore e fizike nga më të arrirat, por prej Buzit do të merrte emrin dhe bekimin e përjetshëm. Ai asnjëherë nuk e harroi krahinën e tij. Nga lartësitë e saj do t’i niste betejat kundër pushtuesve. Rrethuar nga qindra luftëtarë, Tafil Buzi mori rrugën drejt Beratit, kaloi Qafën e Gllavës, la mbrapa Rehovën e Çorrogjafin, zbriti luginës dhe vazhdoi marshimin drejt qendrës së Sanxhakut të Beratit, të cilin e mbajti vite me radhë nën komandën e tij.  Epoka e Tafilit përligj edhe një të vërtetë tjetër historike, kontibutin e çmuar që shqiptarët dhanë për pavarësinë e Greqisë. Sipas të dhënave të Enciklopedisë greke “Pyrros”, pas rënies së Pashallëkut të Janinës, Tafil Buzi rreshtohet në krah të revolucionit grek, duke u bërë një nga figurat ushtarake më të njohura.  Kudo ku ai shkonte e ndiqnin prapa të varfërit, të cilët shpesh herë vërshonin pranë tij grupe-grupe. Kur Tafif Buzi vinte në Janinë me 2000 luftëtarë, otomanët nuk guxonin ta preknin. Ai bashkëpunoi ngushtë me themeluesin e Egjiptit modern, me Mehmet Ali Pashën, për të cilin Viktor Hugo shprehej: “Nëse ka një kolos që mund të krahasohet me Bonapartin, ky njeri gjenial është Mehmet Ali Pasha. Ai qëndron krah tij siç rri tigri përballë luanit, si skifteri përballë shqiponjës”.

Në Kuvendin e Sinjës më 22 korrik 1847, mes përfaqësuesve të Vlorës, Mallakastrës, Tepelenës dhe Myzeqesë, merrnin pjesë edhe kapedanët Sadik Luftinja, Rremkë Komari dhe Ahmet Martallozi, të cilët do luftuan me heroizëm në krah të Rrapo Hekalit. Ata, më 15 gusht 1947, së bashku me 89 krerët e kryengritjes së Mallakastrës do t’i drejtoheshin mbretit Othon të Greqisë për të ndihmuar Shqipërinë. Një tjetër ngjarje historike e po atij viti ishte Kuvendi i Mesaplikut. Në shtabin e kësaj kryengritjeje u zgjodhën Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Hamit Capari me në krye Zenel Gjolekën.

Në historinë e shkruar për Ali Tepelenën, Tafil Buzin e Rrapo Hekalin, në gojëdhënat e tregimet e moçme flitet edhe për dhjetëra trima të zonës së Buzit, si: Petro Arrëzjoti, Fejzo Arrëza, Asllan Konduri, Fixho, Dalip, Myftar e Xhelil Izvori, Tare Osman Buzi, Imbus Selman Shalësi, Bako e Ismail Muçodemaj, Ahmet Martallozi, Rremkë Komari, Malo Tringa, Demkë Maricaj, Rrapush Seranaj etj. Kur Lidhja e Prizrenit shtronte detyra në rang kombëtar, Nexhip Aga me vendlindje nga Buzi i Tepelenës do të mblidhte mbi 500 burra në mbrojtje të trojeve shqiptare, ndërsa anëtari i Komitetit të kësaj Lidhje, Mehmet Esat Myftiu (Buzi), mbetet një tjetër figurë në historinë shqiptare.

Në fillimet e shekullit XX, krijimi i çetave patriotike konsiderohej si domosdoshmëri jetike për fatet e kombit shqiptar. Sipas ish drejtorit të Drejtorisë së Zbulimit në Ministrinë e Mbrojtjes, z. Eqerem Osmani, kapedanët dhe luftëtarët e çetave të Buzit do të tregonin vlera kombëtare në luftën kundër forcave andarte greke. Ato dërgonin grupe të armatosura kriminelësh të liruar nga burgjet e Greqisë për të vënë nën kontroll territoret shqiptare deri te Tri Çukat e Gllavës, me pretendimin absurd të krijimit të ashtuquajturit  “Vorio-Epir”. Çetat e Medin Gllavës dhe  Reiz Skëndit do të ishin dy nga formacionet kryesore në luftë kundër pushtuesve. E para zotëronte Qafën e Gllavës dhe mbante lidhje të forta me Beratin e Mallakastrën, kurse e dyta ish vënë në mbrojtje të Qafës së Kiçokut, duke rritur bashkëpunimin me Dëshnicën, Skraparin e Tepelenën. Veprimtaritë e çetave patriotike ishin pjesë e një strategjie të mirëstudiuar nën frymën e Komitetit të Manastirit. Ato, të lidhura fort me çetat e Çerçiz Topullit, Kamber Velabishtit etj, kanë dhënë ndihmesën e tyre jo vetëm për lëvizjet patriotike të kohës, por edhe për  shkollën shqipe. Çetat e Buzit dallonin për misionin e tyre të qartë, sepse si drejtues politik kishin Babë Dudë Karbunarën. Ai, në dimrin e vitit 1910, do të thërriste në Berat Baba Ismail Gllavën dhe Baba Ahmet Koshtanin “për të ndihur skolinë e Koshtanit që të vente mbarë”, ndërsa më 28 shkurt 1910 do të organizonte mitingun e Beratit për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Në mes të pazarit të këtij qyteti, do të digjeshin publikisht rreth 10 mijë libra shkollorë të shkruara arabisht. Nga ky miting, ku shquanin Babë Dudë Karbunara, Ismail e Medin Gllava dhe Shaban Buzi, i dërgohet edhe një telegram qeverisë turke, të cilën e paralajmëronin: “Për të nderçmet shkronjat tona mos na përzihet kush, ndryshe do të derdhet gjak!” Më 18 gusht 1911 në kuvendin e drejtuar nga Sadulla Tepelena, mori pjesë edhe Medin Gllava me disa nga përfaqësuesit e çetës së vet.

Roli i vecantë i Kongresit të Manastirit (14-22 nëntor 1908) për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe do të sillte zhvillime të fuqishme edhe në Jug të Shqipërisë. Për zbatimin e vendimeve të këtij Kongresi, ashtu si Baba Abedini në Frashër, Baba Saliu në Matohasanaj apo Ahmet Koshtani, edhe  Medin e Murat Gllava, Hysen Goxharaj, Ismail Hatja e patriotë të tjerë do të përfshiheshin në mbrojtje të gjuhës shqipe e  shkrimit të saj me shkronjat latine. Sot lufta e përpjekjet e patriotëve tanë mund të duken si të pabesueshme, por kontributi i tyre për mësimin e shqipes ka qenë vendimtar.

Në vitin 1912, në Sinjë të Beratit mblidhet Kuvendi i përfaqësuesve të çetave patriotike të Shqipërisë së Jugut, ku Tepelena përfaqësohej denjësisht nga Medin Gllava e çeta e tij. Çeta e Gllavës dhe e Kamber Velabishtit nuk qëndruan vetëm roje sigurie për këtë ngjarje të madhe historike, por e shtrinë veprimtarinë e tyre deri në skajet më të largëta të Beratit. “Anëtarët më të devotshëm të këtyre grupeve të armatosura, shkruan Vladimir Papa, u kthyen në pishtarë të vërtetë të lirisë e të gjuhës shqipe. Këto çeta vepronin në Shpirag, Tërpan e Skrapar. Populli i përkrahte dhe qe i bashkuar me veprimet e tyre.” Babë Dudë Karbunara mbante lidhje të ngushta jo vetëm me çetat e Buzit, por edhe me Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Ismail Klosin, Haredin Fratarin etj.

Në mandatin e përfaqësimit të Kuvendit të Vlorës, krahas parisë së Tepelenës dhe delegatëve me të drejtë vote, nga zona e Buzit do të merrnin pjesë Medin Gllava, Llane Hamiti, Myrteza Halimi, Reiz Mane Skëndi, Faslli e Bido Shalësi etj. Kur Ismail Qemali shpalli mëvetësinë e Shqipërisë, kufijtë e saj kërcënoheshin nga të gjitha anët. Burri i Madh i Kombit, për t’u treguar shqiptarëve e gjithë botës se të paktën kufijtë që na mbetën nuk do të preken nga askush, zgjodhi Bido Shalësin nga vendlindja e Tafil Buzit dhe një kosovar, të cilët me nga një flamur në dorë do të ecnin ditë e natë gjatë vijës së kufirit, njëri në jug e tjetri në veri. Në morinë e telegrameve, dërguar Qeverisë së Vlorës, ishte edhe ai i Zenel Myftar Zhapokikës. Telegramet nga njëra anë dëshmonin forcën mbështetëse për Qeverinë shqiptare dhe nga ana tjetër kundërshtimin masiv ndaj qëndrimeve të forcave pushtuese. “Me nder të mbetemi kurdoherë nën urdhërat e sotërisë suaj”, mbyllej telegrami drejtuar Ismail Bej Qemalit”.

Gjithë zona e Buzit në vitet 1911-1920 do të vuante pushtimin e andartëve grek, të italianëve, austro-hungarezëve etj. Të ndodhur mes përballjeve e plaçkitjeve të shumta, buzjotët do të kalonin edhe një krizë të rëndë urie. Pushtimi austriak ishte raskapitës. Në vorbullën e luftimeve të ashpra mes italianëve dhe austrohungarezëve njerëzit e krahinës së Buzit u mobilizuan e u kompaktësuan edhe më fort me njëri – tjetrin. Vendin kryesor në krye të këtyre ngjarjeve do ta zinin pasardhësit e Sadik Luftinjës dhe rrjeti i tij miqësor, brenda të cilit bënin pjesë njerëz të nderuar e patriotë, si: Muharrem Shabani dhe Elmaz Mehmeti nga Zhapokika, Qamil Rakipi e Idriz Hyseni nga Luftinja, Xhelo Sadiku nga Kamçishti dhe gruaja e mençur e trime,  Lulja e Ali Xhelos nga Izvori. Kjo e fundit bashkë me të tjerë u bënë organizatorët kryesorë edhe në grevën e Delvinës. Austrohungarezët, krahas pushtetit të tyre të egër, arritën të pushkatonin nga zona e Buzit mbi 15 vetë, mes të cilëve Shuaip e Tafil Mema, Kalo Hasanaj me të birin nga Selcka e Vogël, Teme, Ali e Brahush Aliaj nga Buzi, Dule Rushiti nga Gllava, Qazim Asllan Koçiu nga Xhafaj i pushkatuar në Drobonik të Beratit etj. Çetat e Pellgut të Luftinjës, Gllavës, Buzit, Shalësit, Arrëzës, ashtu si ato të Çerçiz Topullit, Sali Butkës e Themistokli Gërmenjit zhvilluan luftime të fuqishme kundër andartëve grekë, rrebelëve të Haxhi Qamilit, forcave antikombëtare të Esat Pashë Toptanit dhe atyre austriake    Kongresi historik i Lushnjës ishte një tjetër ngjarje e madhe për kombin shqiptar. Në komisionin nismëtar të këtij kongresi ishte edhe Kadri Jenisheri, me origjinë nga fshati Maricaj, rrethi Tepelenë.

Një kapitull tjetër lavdie mbetet Lufta e Vlorës. Ajo kryeson vargun e ngjarjeve historike për liri e pavarësi. Në këtë epope legjendare ka kontributet e veta edhe krahina e Tafil Buzit, si një nga bastionet e fuqishme të patriotizmit shqiptar. Të gjitha fshatrat nisën çetat e tyre me luftëtarë nga më trimat. Çetën e Shalësit e drejtonte Reiz Skëndi, të Gllavës Llane Hamiti e Rushit Duraj, të fshatit Rabie Maliq Zeneli e Sefer Sadiku etj. Arrëza nisi drejt Vlorës mbi 40 luftëtarë trima. Hodo Jaup Haxhaj, bashkë me trima të tjerë tepelenas do t’i dorëzonin ultimatumin garnizonit italian në Tepelenë, ndërsa Sheh Hysen Arrëza do të jepte kontributin e tij si i zgjedhur në Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare drejtuar nga Baba Ahmet Turani.  Disa nga djemtë trima që krahina e Buzit nisi për në Luftën e Vlorës ishin: Reiz Skëndi, Bido Shalësi, Maliq Zeneli, Sefer Sadiku, Feim Dulaj, Latif e Alush Hoxha, Sharo Lamaj, Mane Bakaj, Hysen Arrëza, Sherif Sinomataj, Shahin e Jemin Muçodemaj, Elmaz Mehmeti, Hodo Hamati, Ramo Sinani, Selman e Muharrem Likometi, Ramadan Mihasi, Teme Selmani, Arif Jaho, Dervish Shehu, Refat Medini, Bektash Sefedini, Abedin Pushi, Ali Rrapaj, Ismail Hatja, Rushit Duraj, Jashar Aliu, Skënder e Llane Allkushi, Hodo Mahmutaj, Ismail Pasho, Xhelo Dokua, Sefedin Kasëmi, Hysen e Ismail Çaushi, Alisha Myftari, Sulo Gucaj, Kamber Hamzaj, Shefit Gjylaj, Xhelo Zaçaj, Ismail Hatja, Haxhi e Lime Kreci, Shero e Yzeir Kasaj, Nebi, Baro e Demo Durmishaj, Dane Osmani, Halim ,Kaso, Dervish e Taip Dida etj. Në këtë luftë ra dëshmor Mehmet Selmani nga fshati T. Martalloz, plagoset Hodo Mahmutaj nga Zhapokika etj. Për kontributin e dhënë në Luftën e Vlorës janë dekoruar me dhjetra luftëtarë buzjotë, mes të cilëve edhe Maliq Zeneli, Feim Dulaj, Alush Hoxha, Mane Bakaj, Hodo Haxhaj, Sherif Sinomati, Rushit Duraj etj. Në betejat e viteve 1912-1939, vetëm nga treva e Buzit dhanë jetën mbi 45 burra e gra.

Heroizmi e qëndresa e djalërisë buzjote shfaqet fuqishëm në Luftën e Dytë Botërore. Nga zona e Buzit në formacionet e rregullta të LANÇ-it do të merrnin pjesë mbi 650 burra, ndërsa në çetat territoriale të fshatrave gati 200 të tjerë. Mbi 75 burra e gra dhanë jetën në fushën e betejës dhe sot gëzojnë statusin e  Dëshmorit të Atdheut. Pati nga ata që u vranë në territoret e ish Jugosllavisë, si: Lulo Vreka, Shefit Durmishi, Sami Dema, Resmi Canaj, etj. Reth 40 burra mbetën të plagosur. Vetëm për periudhën 1912-1944 në kampet e përqendrimit u burgosën apo internuan me dhjetëra njerëz, si: Shahin Mukaj, Sadik Halil Çepuni, Çelo Feim Çelaj, Ibrahim Ismail Alimemaj, Sadik Çiçaj etj.

Në radhët e komunitetit buzjot ka pasur zogistë, fanolistë, partizanë, komunistë, ballistë, demokratë e socialistë, por vlerat më të çmuara i gjejmë tek njerëzit e thjeshtë e të sakrificës, tek intelektualët e aftë e të ndershëm, tek qindra nëpunës dhe specialistë që punuan në të katër anët e Atdheut.

Komuniteti që vuajti më shumë se të tjerët mungsën e lirisë. Njerëzit e zonës së Buzit gjithmonë kanë kërkuar hapësira lirie e mëvetësie. Diktati e dukuritë sunduese për ta kanë qenë të papranueshme nga të gjitha krahët që mund të vinin. Mbase nuk e teprojmë kur deklarojmë: komuniteti buzjot, më shumë se sa prirjen për t’iu përshtatur sistemeve, sundimtarëve e pushtetarëve, parapëlqen qëndrimin burrëror e me kokën lart dhe opozitarizmin përballë të tyre. Mund të ketë ndodhur kështu, sepse nga Tri Çukat e Gllavës e deri në Trebeshinë apo majë kodrave të Zhapokikës e Izvorit dhe përgjatë lumit Luftinjë nuk ka pasur agallarë, pashallarë e autoritete të forta sunduese. Njerëzit e fshatrave të Buzit kanë zhvilluar me dhjetëra përleshje me pashallarët osmanë, andartët grekë, ushtarakët austrohungarezë, italianë, gjermanë deri dhe me haxhiqamilistët.  Edhe kur politikat qeverisëse s’kanë qenë të mirëpritura, një pjesë e burrave të kësaj krahine kanë dalë hapur kundër tyre. Ndonjëherë duke marrë pamjen e kryengritësit. (Kryengritja e Zhapokikës) Lëvizja e 48-ës është dëshmia më e gjallë e këtij realiteti. Dënimet politike filluan qysh pas vitit 1945, por kulmi arriti në vitin 1948. Në janar të këtij viti kemi dënimin me pushkatim të klerikëve Ali Abaz Skëndi nga Shalësi dhe Shefqet Hajdër Mahmutaj nga Gllava. E bashkë me ta edhe të miqve të Buzit: Zenel Shehu e Syrja Vasjari. Pa u tharë mirë gjaku i tyre, në tetor 1948 do të fillonte shtypja e Kryengritjes së Zhapokikës ku ishin implikuar me dhjetëra familje nga Luftinjat, Zhapokikat, Gllava, por dhe nga fshatrat e Beratit, Tepelenës e më gjerë. Vetëm për Kryengritjen e Zhapokikës u vranë apo vdiqën 12 persona, ndërsa dënimet me burg arritën në 321 vjet. Do ta rëndonin situatën politike të zonës edhe dënimet e njerëzve me banim në qytete të ndryshme të vendit, por me orgjinë nga krahina e Buzit.

Në vitin 1948, në Berat dënohen pjesëmarrësit e organizatës “Bashkimi shqiptar”, të cilët nuk ishin vetëm nga Rehova, Plashniku, Çorrogjafi, por edhe nga fshatrat e Buzit. Më 1946, intelektuali me formim europian, biri i Gllavës, Kasëm Malasi do të dënohej me 15 vjet burg, me akuzën “agjitacion e propagandë në favor të pushtuesit”. Edhe ndalimi i besimit fetar apo prishja e objekteve të kultit në vitin 1967, fshatrat e Buzit do t’i trondiste më tepër. Pati klerikë që u dënuan me vdekje. Ish zv.kryegjyshi Botëror, rabioti Barjam Sadik Mahmutaj, u interrnua për vite të tëra, ndërsa nipi i Baba Murat Gllavës, arsimuar në Itali, do të vdiste në burg. Shtresa e të dënuarëve politikë buziotë ka në radhët e saj të evidentuar mbi 90 persona që e kanë marrë këtë status. Nga këta: 20 janë të vrarë apo vdekur në burg e hetuesi, 34 të dënuar për Kryengritjen e Zhapokikës dhe 36 të tjerë të dënuar për agjitacion e propagandë, arratisje e shpallur kulak. Termi “kulak” ka qenë një cilësim i përdorur në vitet e para të pasçlirimit për familjet e pasura. Ky term ish huazuar nga terminologjia e politikës së ish BRSS. Numrin më të madh të të dënuarve politikë e zënë Zhapokikat me 23 persona, Gllavat me 20 , Luftinjat me 18, Shalësi me 11, Buzi me 6, ndërsa fshatrat e tjerë në shifrat më të ulëta.

Edhe pas Festivalit të XI në RTSH, krahina e Buzit do të kishte kurbanin e vet. E ky do të ishte poeti Sadik Bejko, i cili kërkonte që lirinë e shprehjes së ndjenjave ta gjente te arti i poezisë. Por, nëse Bejko për 6 vjet do të syrgjynosej thellësive të minierës së qymyrgurit Memaliaj, inxhinieri Vedat Buzi i dënuar me 15 vjet burg nuk do të dilte gjallë prej andej. Në vitin 1976 një tjetër inxhinier do të dënohej për agjitacion e propagandë. E ky ishte Xhafer Agaraj, djali i Dervish Xhaferit nga Arrëza që i kish dhënë aq shumë luftës. Rekordin e dënimeve për agjtacion e propagandë do ta thyente Faik Kapua nga Buzi e Barjam Dervishi nga Selcka me nga 30 vjet burg. Shumë dënime me vdekje, me burg dhe dallime klasore për shkaqe politike pati zona e Buzit. Ajo vazhdoi të lihej pas dore dhe të mos vlerësohej edhe pas viteve “90. Pse gjithë ky rrebesh mbi krahinën e Tafil Buzit? Kësaj pyetjeje vetëm xha Sefedini i përgjigjej në mënyrë figurative : “Rrufetë e vetëtimat, more djemë, zakonisht kapin majat!”

Hakmarrjet primitive e lufta klasore arrinin kulmin kur shtriheshin në gjithë familjen e fisin. Të padurueshme këto dukuri negative kur mohonin të vërtetat, errësonin realitetet dhe bëheshin barikadë për progres e zhvillim. Disa nga burrat e dëgjuar të krahinës, nga njerëz “të mëdhenj”, nga “gjeneralë” të armatës së luftëtarëve të lirisë, drejtësisë, fisnikërisë dhe mirësisë, keqdashësit e mediokrit në fshat, zonë e rreth, gjoja në emër të patriotizmit e të mbrojtjes së parimeve e normave të kohës, i zbritën në ushtarë të thjeshtë jo vetëm për t’u ulur krenarinë e burrërinë, por edhe për t’i nënshtruar e për t’ua bërë jetën sa më të mërzitshme. Të tillë pati çdo fshat, por rasti i Sefedin Limes, i Ismail Hates e Sadik Bejkos nga Komari, i Sabri Iliazit e Nurajve në Selckë, i fiseve Skëndaj e Kalemaj në Shalës e Buz, i derës së Llane Hamitit e Baba Muratit në Gllavë, i Ali Hajdërit e Faik Kapos, i fiseve Ismaili e Seranaj në Arrëz e Maricaj dhe i dhjetëra të dënuarëve politikë në Zhapokikë e Luftinjë do të ishin raste tipike luftës së ashpër politike.

 Buzjotët nuk qëndruam asnjëherë duarkryq, duke soditur detin e madh të halleve.  Shqiptarët në të gjitha kohërat kanë luftuar e sakrifikuar për një jetë më të mirë. Gjatë fundit të shekullit XIX dhe fillimeve të shekekullit XX, mbi 750 burra nga fshatrat e Buzit kanë emigruan në vende të ndryshme të botës. Vetëm në Amerikë ishin mbi 110 persona. Nga Maricaj: Bektash Meçe, Adem Arapaj, Bajram Sadikaj, Abaz e Isak Shehaj, Mehmet Beshiku, Sadik Seranaj, Hetem Demiraj etj., nga Komari: Malo Bejko, Xhelo e Brahim Bakiaj, nga Gllava: Llane Allkushi, Jashar Allkaj, Duro e Haxhi Malasi, Muhamet Merdani, Sulo Dervishi, Ibrahim Duraj etj, nga Buzi: Faslli Jaubelli, Hajro Kasëmi, Sheme e Vrenoz Baka, Hyqmet, Hajdër, Brahim, Bido e Qerim Kalemaj etj., nga Selcka: Sadik, Elmaz e Veli Zaçaj, etj, nga Shalësi : Xhafer Shabani, Rexhep Selimi, Rasim Shalësi etj. Me mirënjohje kujtohen emigrantët e viteve 1910-1930, të cilët nisnin ndihma për të ndërtuar vepra publike si ura, shkolla, etj. E tillë ishte edhe Shoqëria e Shalësjotëve në Amerikë, e cila u dërgoi bashkëfshatarëve një sasi dollarësh për të ndërtuar çezmën në qendër të fshatit. Kontributet financiare kishin të bënin me ndërtimin e shtëpive, teqeve të djegura nga greku, për Baba Ahmet Turanin si kryetar i Mbrojtjes Kombëtare etj. Janë me dhjetëra tepelenas që kanë dërguar ndihma. Mes tyre gjejmë edhe emrat e Xhafer Shaban Shalësit, Rexhep Selim Shalësit, Rasim Iliaz Shalësit, Adem Hasan Izvorit, Ali Xhelo Izvorit, Xhelo Bektash Izvorit, Zenjel e Selman Likometi, Muharrem Tare Zhapokikës, Bektash Muharrem Arrëza, Hysen Abedin Maricaj, etj. Largimet nga vendlindja kanë qenë të shumta. Me mijëra familje buzjote gjat shekullit XVIII-XX janë vendosur në rrethet Fier, Patos, Mallakastër, Berat, Durrës, Tiranë, Vlorë, etj. Gjatë shekullit të kaluar shekullit, mesatarja e të larguarve arrinte në mbi 25 familje për çdo fshat, ndërsa pas vitti 1990 migrimi dhe emigrimi kanë shënuar shifra rekord. Gjatë viteve të tranzicionit mbi 80% e rinisë buzjote emigroi jashtë atdheut për një jetë më të mirë. Sot çdo fis ka mesatarisht 7-8 persona të sistemuar me punë e familje në vende të ndryshme të botës. Greqia, Italia, por edhe Anglia, SHBA-ja e Kanadaja mbeten shtetet më të preferuara.

Pas dyndjeve sllave, në valën e të larguarëve për të mos rënë në robëri ishin edhe shumë familje nga fshatrat e Buzit. Janina, Berati dhe Myzeqeja mbetën qendrat më të kërkuara. Me mijëra familje me mbiemrin Buzi, Gllava, Kalemaj, Arrëza, etj., i gjejmë në Patos e rrethinat e tij, në Gorishovë, Kraps, Roskovec, Ruzhdie, Kallm etj. Me mbiemrin Buzi kam takuar njerëz në disa zona të Greqisë.

Sipas dokumenteve arkivorë, krahinën e Buzit pas Shpalljes së Pavarësisë  e gjejmë me 12 fshatra, 894 familje e 4350 banorë, ndërsa në vitin 1989 ajo arrin në 28 fshatra me mbi 13132 banorë. Kur flasim për komunitetin buzjot, duhen llogaritur edhe mbi 30 mijë familje të vendosur në qytete e fshatra jashtë krahine. Në këtë numër kanë vendin e tyre edhe njerëzit e larguar para Shpalljes së Pavarësisë. Zbritjet me shumicë në Myzeqe dëshmohen  gjatë shek. XVIII-XIX. Vetëm në Lushnjë në fillimet e shekullit XX kishte mbi 120 familje buzjote, ndërsa në Fier e Berat ky numër shkonte edhe më tej. Kësaj periudhe i përkasin qindra familje të fshatrave Rabie e Gllavë vendosur në Berat e Myzeqe, familjet arrëzjote në Arrëz të Korçës, maricjotët në Sevaster e Gorisht të Vlorës, komarakët në Hekal të Mallakastrës, Velabisht të Beratit dhe Shijak të Durrësit, shalësjotët në Kavajë e Gjirokastër etj. Ne, thoshte i paharruari Xhevdet Pata, prejardhjen e kemi nga Gllava, ndërsa Gëzim Gllava deklaron se të parët e fisit të tij janë shpërngulur nga Gllava qysh në shekullin XVIII. Në brendësi të kësaj fuqie të madhe njerëzish gjejnë veten e tyre edhe të larguarit shekuj më parë, pasardhësit e të cilëve i dëgjojmë shpesh të shprehen me krenari: “Jemi stërnipërit e Tafil Buzit”.

                           NUMRI I BANORËVE TE FSHATRAVE TË BUZIT NË VITET 1923-2018

 

FSHATRAT Numri i familjeve në vite : Numri ibanorëve në vite :
  1923 1927 1995 2018 1923 1927 1945 1989 1995/2018
1.LUFTINJË   112   118 124     24    493    510    530   824 487 / 120  
2.T.MARTALLOZ     52     57   71      38    234    290    335   475  424/  152
3.SELCKË     51     58  66     17    193    231    287   410  376/    71
4.MARICAJ     64     73  95     23    292    310   4 24   473  424/    92
5.RABIE     79     81  89       5    392    373    419   652 453/    18
6.GLLAVË     90   107  91     12    448    482    564   505 399/     51
7.ZHAPOKIKË     97   103 120     41    469    494    297  767  680/  187
8.KOMAR     53     59   53     15    249    252    286   393  291    /47
9.BUZ     74     84   73     17    363    401    580   443  324 /  46
10.IZVOR     72     90 235    89    356    384    455 1254 1054/348
11.SHALËS     55     65    71    28    325    255    286   469 384/  130
12.ARRËZ     95   104    122    27    536    585    559   598  562/ 110
13.LUFTINJA 2.       35 68   18      170    425 524 510/     83
14ZHAPOKIKË 2     82     8        250 372 323/     25
15.ARRËZ E V.     52   15        130   407  285/     42
16.GLLAVË  V     62     4          = 360 295/     28
17.BUZ  KALEM.       35 69     3   150    246 346 264/     12
18.GOLEMAJ     35     3       275  167/    12      
19.KURTEZ     42     9       218 185/     36
20.SELCKË E V.   38 62    11   130   179 403 243/     46
21.XHAFAJ     40    23       413 227   /125
22.VAGALAT     46    21       239 220/   118
23.BALLAJ     53    27       342 298/   105
24.LUADHAJ     31         143 130
25.BARDHAJ     28      6       125 111/     22
26.BADËR     21      5       105 88/       26
27.DERVISHAJ     25    26         150 141/   137
28.RRAPAJ     52    48         459 390/    140
SHUMA    894  1097 1978   563 4350   4967   6422 13132 9634/2340  

 

Komuna Rabie më 31 dhjetor të vitit 1941 i raportonte Prefekturës Gjirokastër se  popullsia e fshatrave të krahinës së Buzit ishte si më poshtë : Arrëza 485 banorë, Buzi 560, Gllava 582, Izvori 467, Komari 286, Luftinjat 654, Maricaj 452, T.Martallozi 490, Rabija 491, Selckat 331, Shalësi 338 dhe Zhapokikat 691.

Pas vitit 1945 e në vazhdim numri i familjeve dhe i banorëve ka ardhur gjithmonë në rritje. Në disa fshatra ky numër është dy e trefishuar. Faktorët e rritjes kanë qenë kufizimet e largimeve nga fshati, mungesa e planifikimit familjar, moslejimi i aborteve, tradita e shqiptarit për të pasur sa më shumë fëmijë, përkushtimi i institucioneve shtetërore për ta mbajtur vdekshmërinë foshnjore zero etj. Me gjithë arritjet, dendësia e popullsisë në zonë ka pasur edhe luhatjet e veta. Në qoftë se Tepelena këtë tregues në vitin 1927 e kishte 29,1 banorë për km2, zona e Buzit rezultonte me 27,7 banorë për km2 ; në vitin 1936 Tepelena kishte 36,3 banorë/km2, Buzi 35.8 banorë/km2. Dendësia më e madhe e popullsisë së Buzit në vitin 1989 arrin me një mesatare mbi 101 banorë/km2,  ndërsa më 2010 ky tregues bie përsëri në 35, 8 banorë/km2. Gjatë shekullit XX mosha e re kudo e kurdoherë ka dominuar.

Raportet gjinore:  gjinia mashkullore  57%, gjinia femërore  43%. Jetëgjatësia mesatare deri në vitin 1990 ka qenë 72 vjeç. Para vitit 1970, mbi 90% e çifteve kishin sjellë në jetë mesatarisht nga 7-8 fëmijë, ndërsa pas vitit 1990 jo më shumë se tre. Kur flasim për jetëgjatësinë në krahinën e Buzit, të bënë përshtypje shkrimi me titull ”Lisa e rrepe shekullorë”, i cili simbolizon burrat e gratë e kësaj treve. Në shekullin që lamë pas, moshën 80-90 vjeçare e kanë kapërcyer mbi 33% e banorëve, ndërsa me dhjetëra të tjerë kanë kaluar shekullin. E motra e Baba Aliut nga Shalësi, Xhemile Lataj, rrojti mbi 114 vjet, Mineko Rrapaj nga Rrapaj 114 vjet, Abaz Shahaj nga Shalësi 110, Kajame Ahmetaj nga Komari 107 vjet, Bejushe Shahaj nga Luftinja 105 vjet etj.

 

FSHATRAT E BUZIT NË RRJEDHAT E VITEVE

Para se të bëjmë paraqitjen e tyre, lipset të argumentojmë rritjen nga 12 fshatra që ishin në prag të Shpalljes së Pavarësisë në 28 aktualisht. Në fakt, vetëm Shalësi, Komari, Izvori dhe Rabija nuk pësuan ndryshime, ndërsa tetë fshatrat e tjera janë ndarë nga dy deri në katër pjesë. Ndarjet e para filluan në vitin 1924, sikurse ishin Buzi dhe Luftinja. Në vitet 1938-1940 kemi ndajen e Selckës, Arrëz, Zhapokikës e Maricajt. Në vitet ‘50 bëhen ndarje në Tosk Martalloz e Gllavë, ndërsa rindarjet e tjera u përkasin viteve ‘80. Bashkë me ndarjet kemi edhe emërtime të reja Luftinjë e Zhapokikë Nr.1 e Nr.2, Gllavë e Madhe dhe Selckë e Madhe, por kur ato bëhen qendra ekonomie e pushteti do të kthehen në emërtimin fillestar. Ndarjet e rindarjet e ndodhura në vite, për lehtësi studimi, i kemi grupuar në tri kategori :

  1. a) Fshatra të ndara në dy pjesë: Gllava: në Gllavë e Madhe dhe Gllavë e Vogël; Selcka: në Selckë e Madhe dhe Selckë e Vogël; Arrëza: në Arrëz e Madhe e Arrëz e Vogël dhe Maricaj: në Maricaj dhe Kurtez.

b)Fshatrat e ndarë në 4 pjesë kemi: Nga Buzi, kanë dalë 4 fshatra. Në vitin 1924 ai ndahet në Buz i Madh dhe Buz i Vogël . Më tej Buzi i Madh ndahet në: Buz Qendër e Badër, kurse Buzi i Vogël: në Buz Kalemaj dhe Buz Golemaj. Nga Toskë Martallozi kanë dalë 4 fshatra. I pari shkëputet Xhafaj, më pas Vagalati, ndërsa në vitet ‘80 nga fshati Xhafaj shkëputet Dervishaj. Edhe nga Zhapokika kanë dalë 4 fshatra. Në vitin 1940 kemi ndarjen: Zhapokika 1 e Zhapokika e Sipërme, ndërsa me dekretin nr. 7027, dt. 15.02.1986 do të kemi krijimin e dy fshatrave të  reja: Luadhaj që shkëputet nga Zh. e Sipërme dhe Ballaj nga Zhapokika 1. Në vitin 1923 edhe Luftinja ndahet në Luftinjë 1 dhe Luftinjë e Sipërme, kurse pas viteve ‘80 do të kemi nga këto dy ndarje edhe  dy fshatra të rinj: Rrapaj e Bardhaj. Ky i fundit fillimisht  iu aneksua njësisë vendore Selckë e më pas komunës Buz.

Renditja e fshatrave është bërë sipas rendit alfabetik.