“Trebeshinë e Shëndëlli/ Sa vite luftë duruat!/Me trupin tuaj, gjith’ plagë, /Sërish,  ju male qëndruat “!74

Danel CANA

 

Kur merr rrugën për në Maricaj, fshati që përshkon xhadja e që shtrihet në krahët e Shëndëllisë, quhet Vagalat. Ai kufizohet  me Maricaj, T. Martallozin , Bylyshin e Kashishtin. Vagalati dikur ka qenë lagje e T. Martallozit, ndërsa me Dekret nr. 1986, dt. 24. 11. 1955 shpallet fshat më vete. Aktualisht është pjesë e Njësisë Administrative Luftinjë, Bashkia Memaliaj. Sipas enciklopedisë, emri Vagalat vjen nga fjala varg, vende njëri pas tjetrit, por për Vagalatin tonë nuk përjashtohet mundësia e ndikimit të rrugës së vjetër “Vargalia”, e cila është vazhdimi i udhës së karvanit prej Beratit, Maricaj e në vazhdim Kashisht, Damës, Beçisht, Dragot e deri në Janinë. Kjo rrugë ka qenë shtruar me kalldrëm guri nga Italia që në Luftën e Parë Botërore. Një variant tjetër i emrit të këtij fshati thuhet se ai ka ardhur nga Vagalati i Sarandës.

Në territoret e këtij vendbanimi është gjetur një punishte e vjetër tjegullash dhe një ushtë. Në vitet ‘60-’70 të shek.XX, kur hapej tokë e re, janë zbuluar varre shumë të vjetra me gjatësi mbi 2,5 m. Në brendësi të tyre, krahas armëve, kishte edhe sende me vlerë.  Gjurmë të besimit kristian janë rrënojat e kishës te varret dhe vendi me emrin “varri i kaurit”. Si objekte kulti të këtij besimi, banorët kanë trajtuar Kishën tek Shkëmbi i Saliajt. Vende të tjera kulti dhe toponime të hershme janë edhe Teqeja e Sheh Hasimit(sot Mekami i Sheh Hasimit), Mekami i Barjam Rushitit, lisi në Shehaj, Lisat e varreve, Përroi i Gjovatës, Arat dhe shkëmbi i Kolës, Qafa e Vreckës, Pirraj, Lisi i Kikes, i Kuçit, i Bregut, Bregu i Beqirit, i Deliut, i Agit etj.

Banorët e Vagalatit kanë historinë e tyre të lashtësisë, të vendosjes rrëzë Shëndëllisë apo të trevave nga vijnë. Fiset kryesore janë Bregasi, Kërbizaj, Shehaj, Metaj, Hoxhaj, Canaj, Cërraj etj. Fise që kanë ardhur më herët në këto troje janë Bregasi(Mane Tahir Bregasi), Shehaj, Cërraj etj. Ka pasur fise që janë shuar si rezultat i fenomeneve natyrore, i epidemive dhe luftërave shekullore. Kur flitet për fiset e ardhura, thuhet se Kërbizajt e kanë origjinën nga veriu i Shqipërisë, Metaj nga Zhapokika, Shehaj nga Berati, Canaj nga Bylyshi etj. Hoxhaj, si lagjja më e madhe, përfaqësohet nga  Abedinaj, Sulaj e Duçaj me prejardhje nga Përmeti. Në fund të shek. XVIII vendoset edhe familja e AlushYzeirit, e cila banonte afër Bylyshit, por me origjinë të lashtë nga Lazarati i Gjirokastrës. Fisin më të madh në Lushaj e përbënin familjet e Meçanit, Brahimit dhe Hajriut. Në Hoxhaj bënte pjesë edhe Njazi Mesuri, i cili vinte nga Buzi. Një nga lagjet e vjetra cilësohet Canaj. Mbi këtë lagje ishin vendosur Vishaj, Duçaj, Sulaj, Hodaj, Metaj, Shehaj, Kërbizaj etj. Fisi Canaj me kalimin e viteve ka ardhur duke u zvogëluar, aq sa aty mbeti vetëm familja e Hamit Canës.

Edhe pse dokumentacioni e zbulimet arkeologjike kanë munguar, gojëdhënat, toponimet dhe gjetjet në kohë të ndyshme vërtetojnë se gjurmët e popullimit rrëzë Shëndëllisë i gjejmë që në lashtësi. Varrezat e vjetra te Lisi i Kuçit në Mamaj dhe murishtet e shumta janë dëshmi e kësaj teze. Një sëmundje e rëndë me emrin “Murtaja” ka marë shumë jetë njerëzish. Të tjerë burra i hëngri lufta apo i mori kurbeti. Disa nga lagjet e reja u krijuan  para pushtimit turk, si : Mamaj, Hamallaj e Cërraj, por gjatë shek.18 disa familje do të shpërnguleshin në Vlorë e në vende të tjera. Gjithashtu, rreth viteve 1600-1700, thuhet se ka patur largime për në Amerikë e shtete të tjera.

Nga regjistrimevet e vitit 1945 kemi shkëputur disa prej familjeve kryesore të këtij fshati. Në Hoxhaj: Nga dera e Qazim, Myslym e Sadullah Hoxha kemi këto familje : Murat, Gramoz,Hodo,Xhemal, Teme, Pëllumb,Sefer, Bukurosh, Bashkim,Ylli, Gentjan etj. Nga dera e Meçan Hoxhës: Taip, Rushit, Veli, Nexhip,Novruz, Islam, Enver, Dashmir, Qani, Alush etj. Nga dera e Murat, Hysni e Feti Hoxha: Kujtim, Eqerem,  Skënder, Abaz, Nasip,  Luto, Resmi, Mazllëm etj.Nga dera e Njazi Hoxhës : Vladimir, Reiz, Ali, Gazi, Musa, Besnik etj. Nga dera e Abaz e Xhevit Hoxhëz: Barjam, Aleks,  Shkëlqim, Fatmir etj. Jonuz, Caush, Abaz,  Syrja, Petrit , Ibrahim, Hajri e Yzeir Hoxha. Në Metaj: Seit, Esat,,Bilo, Bektash, Neshet,Dervish, Agron e Refat Metaj. Në Shehaj: Haki, Hasim, Shefqet, Faik Shehaj, Luan, Pëllumb e Muharrem Shehaj. Në Bregas: Nga dera e Mane Tahirit kanë dajë familjet e Elmaz, Qemal, Banush, Mane e Astrit Bregasi. Në Kërbizaj: Nga dera e Avdyl Kërbizaj janë Alem, Idajet, Riza, Sulo e Hasan Kërbizaj(1885) janaë Sinan,Artan, Ajet Kërbizaj. Në Canaj janë familjet e Dane Hamit Canaj (1880), Hano Myftar Canaj (1896) dhe Zane Muharrem Canaj (1915 ), Ilmi, Ramadan e Muharrem Canaj, etj.

Lidhur me popullsinë dhe territorin e këtij fshati, jepen këta të dhëna:

 

Vitet 1955 1969 1979 1989 1995 2001 2018/2921
Banorët   124   168   208   239   220   121   135/60
Familjet     32     41     56     58     46     30     25/17

 

Vagalati ka tokë bujqësore 133 ha , nga të cilat 87 ha tokë arë, 3 ha drufrutorë dhe 43 ha tokë jobujqësore.

Vagalati mund të cilësohet si një nga fshatrat me bashkëjetesë të përsosur. Asnjëherë në atë komunitet nuk pati mëri, zënka e deri përplasje mes fisesh. Mirëkuptimi, miqësitë, bashkëpunumi dhe krushqitë e lidhura edhe brenda fshatit patën ndikimet e veta pozitive. Do ta konsolidonin e forconin bashkëjetesën edhe lidhjet miqësore me fshatrat e Buzit e të Dervenit. (Si të tilla mund të përmendim krushqitë e lidhura në Xhafaj, Bylysh, Gllavë, Damës, Beçisht etj.)

Pozita gjeografike e ka bërë Vagalatin pjesë të pashmangshme të luftrave shekullore. Shovinistët grekë kanë internuar në kampet e Janinës Mane Tahir Bregasin, ndërsa italianët morën rob fëmijët Barjam e Muhamet Cërri. Vagalatasit do të merrnin pjesë në të gjitha ngjarjet historike për lirinë e pavarësinë e Atdheut. Dy prej tyre, Alush e Qazim Hoxha, janë dekoruar për veprimtari të lartë patriotoke. Murat Sulo Hoxha ka marrë pjesë në Luftën e Vlorës më 1920. Edhe më i lartë ka qenë kontributi i Vagalatit gjatë LANÇ. Partizanët e këtij fshati sipas Brigadave ishin:

1.Në Brigadën VI Sulmuese : Dervish Seit Meta, Teme e Caush Hoxha, Elmaz Mane Bregasi, Shefqet Abaz Shehaj, Xhevit Seit Meta e Yzeir Cane Hoxha.

2.Në Brigadën VIII Sulmuese: Banush Mane Bregasi e Riza Hysen Dervishi.

3.Në komandën e vendit : Sulo Demo Hoxha. Një kontribut të çmuar në ngritjen e Këshillit Nacionalçlirimtar për T. Martalloz do të jepte Sheh Hasimi. Ai dhe familja e tij ndihmuan Luftën Antifashiste moralisht e materialisht. Banorët e Vagalatit nuk kanë për t’i harruar  heroizmat e njerëzve për liri e pavarësi. I tillë do të mbetet emri e vepra e dëshmorit të atdheut Teme Hoxha, të cilin e zëvendëson në radhët e formacionit luftarak i vëllai, Caush Hoxha.

Emigracioni i hershëm ka qenë në Amerikë, Francë, Greqi, Itali, ndërsa ai i pas viteve  ‘90 më shumë ka ndodhur në Greqi. Aktualisht familjet e këtij fshati janë vendosur në Tiranë, Sarandë e Tepelenë.

Shkolla fillore në fshat  hapet në vitin 1963 me mësues të parë Besim Tafili. Kanë dhënë mësim në këtë shkollë shumë arsimtarë, duke filluar nga vajza e djali i këtij fshati Naxhie e Fadil Hoxha e më pas Fuat Zaçe, Sotir Berici, Jorgo Koromeno, Andromaqi Shehu, Baftjar Shehu, Kadri Nora, Pëllumb Durmishi, E.Seranaj, Erion Merko etj. Krahas shkollës fillore ka pasur kopsht fëmijësh dhe ambulancë ku për vite me radhë ka shërbyer infermierja Drita Hoxha. Edhe pse ky fshat nuk kishte shkollë 8-vjeçare, nxënësit i kanë vijuar mësimet në Maricaj apo T. Martalloz. Fëmijët e Vagalatit e kanë dashur shkollën. Janë me dhjetëra ata që mes sakrificave të panumërta do të përfundonin arsimin e mesëm e të lartë. Në mjekësi : Safete Kërbizi, Liri Shehaj, Euglent Hoxha etj. Në veterinari: Mazllëm e Engjo Hoxha, Arta Kërbizi etj. Ekonomistë Petrit Hoxha, Liljana Meta, Liljana Hoxha, etj.

Historia e Vagalatit është e pasur. Rrëzë Shëndëllisë kanë jetuar burra me emër, të përgatitur e të zotë, të cilët në kohë të ndryshme do të shfaqnin aftësi drejtuese në detyrat e ngarkuara. Disa prej tyre do të emëroheshin në pozicione të rëndësishme të administratës shtetërore: Caush Hoxha punonjës në ambasadat tona diplomatike, Jonuz Hoxha kryetari i kooperativës, ushtarakët : Bektash Meta, Kujtim, Fadil e Kamber Hoxha, Yzeir Hoxha sekretari i lokalitetit e kryetar i këshillit të bashkuar Maricaj, inxhinieri Resmi Hoxha drejtori i minierës së qymyrgurit Memaliaj, Myzafer Hoxha drejtori i shkollave Kashisht, Damës, Izvor e Krahës etj. Me përkushtim në administratën shtetërore do të punonin inxhinierët Muharrem Shehu, Vladimir Hoxha, Enver Brahim Hoxha e Sefer Hoxha, drejtori i financave në Bashkinë Memaliaj Petrit Hoxha, veteriner : Mazllëm Hoxha, Arta Kërbizi, Engjo Hoxha, etj. Fuqia më e madhe e banorëve të Vagalatit kanë qenë burrat trima e të vendosur, nënat dhe gratë e palodhura në punë, në familje e në komunitet. Vlerat e tyre mbeten të papërsëritshëm. Çdo fis e familje krenohej me përkushtimin e grave punëtore. Ato ishin me dhjetëra, si: Shaniko, Nazmie e Shaze Hoxha, Hano Canaj, Veziko Meta, Rubie Bregasi etj.

Mirënjohje edhe për disa nga drejtuesit e fshatit, të cilët me urtësi, drejtësi, durim e mirëkuptim ditën të menaxhonin mbarëvajtjen e punëve. Të tillë ishin Sheh Asimi, Dino, Jonuz, Yzeir e Gramoz Hoxha, Astrit e Mane Bregasi, Dule, Idajet e Riza Kërpizi, Tahir Bregu, Ylli, Adriatik e Hodo Hoxha etj.

Në vitet e kooperativës bujqësore njerëzit e Vagalat kanë punuar e arritur rezultate inkurajuese. Me qindra ishin të rinjtë që i dhanë jetë fshatit, që organizuan e drejtuan sektorët në bujqësi e blegtori. Mes tyre përmendim Njazi Hoxha si nënkryetar i kooperativës bujqësore, Abaz Ahmetin (Hoxha), brigadierin Mane Bregasi, veterinerin Teme Jonuz Hoxha etj. Këta dhe drejtuesit e tjerë të partisë e pushtetit në fshat ishin të papërtuar, të kudondodhur dhe të përkushtuar për mbarëvajtjen e punëve. Qazim Hoxha ishte jo vetëm specialisti duarartë në ndërtim, por dhe një mjek i talentuar popullor “ortoped”. Ai dhe të tjerë kanë punuar me vetëmohim e kanë treguar aftësi për ndërtimin e qindra shtëpive,  të objekteve të kultit, të spitalit Gjirokastrër, të Pallatit të Kulturës Tepelenë e kudo. Një nga specialistët punëtorë e të aftë në sektorin e ndërtimit është cilësuar edhe Musa Hoxha. Atë, si në ndërmarrjen e ndërtimit në Tepelenë e pas viteve ‘90 në emigracion, e kanë shoqëruar arritjet në punë, në familje, shoqëri e kudo. Në kujtesën e shumë njerëzve ka mbetur edhe veprimtaria e suksesshme e specialistit të pyjeve, Servet Hasan Kërbizi (Shehu) dhe e mësuese Androniqit. Me vendim të Këshillit të Komunës Luftinjë, datë 12. 12. 2012, Sate Seit Meta është shpallur “Nderi i Komunës”.

Burrat e Vagalatit do të mbanin gjallë edhe minierën e qymyrgurit Memaliaj. Disa prej tyre  koha do t’i cilësonte heronjë të nëntokës. Pati nga ata që dhanë edhe jetën si Hajri Kërbizaj. Të shumtë janë minatorët e Vagalatit që punuan e sakrifikuan nga jeta e tyre thellësive të nëntokës, si: Sadulla, Ibrahim, Reiz, Nexhip, Seit, Qani e Idajet Hoxha, Hajri e Alem Kërbizi etj

Vlerësimet për bijtë e këtij fshati nuk  kanë munguar edhe pas viteve ‘90. Të tillë janë biznesmenët e talentuar Sefer, Pëllumb e Vero Hoxha, Besnik Meta e shumë të tjerë, për të cilët duhet folur e shkruar në vazhdimësi. Inxhinier Enver Brahim Hoxha mund të cilësohet modeli i njeriut të punës, i specialistit të aftë dhe i drejtuesit shembullor. Në Tepelenë punoi mbi 30 vjet në ndërmarrjet e shërbimeve, por herë pas here rikthehet në mjediset e këtij qyteti. Në krye të punëve ishte edhe gjatë riparimit të ujësjellësve Tepelenë e Memaliaj gjatë vitit 2019. Mes dhjetëra punëtorëve, i vetmi inxhinier, ditën e natën në çdo lagje e shtëpi. Me punën, sjelljen e cilësitë që manifeston, Verua ka ngritur lart jo vetëm vlerat e familjes Hoxha, por edhe të Vagalatit që e lindi dhe e rriti.

E nisëm paraqitjen e Vagalatit me vargjet e poetit emigrant Danel Cana. Ai, Gramoz e Muzafer Hoxha, Mane Bregasi etj ndihmuan në historikun e fshatit të tyre, por këtë ekspoze menduam ta mbyllim me të rinjtë që do të kenë një të ardhme edhe më të suksesshme se paraardhësit e tyre. Ata janë shumtë, por le të përmendim veprimtarinë e tre djemve, të cilët edhe pse nuk kanë lindur në Vagalat, prindërit, fshati e krahina e Buzit ndihen krenarë për vlerat e tyre. Euglent Fadil Hoxha, mjeku i përkushtuar i spitalit “Nënë Tereza” Tiranë, Taulant Kujtim Hoxha, mjeku i talentuar në Amerikë, i cili krahas punës një kontribut të veçantë jep edhe në Institutin e Kërkimeve Shkencore dhe Gert Resmi Hoxha, ish-Kryetari i Bordit Drejtues të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Të tre këta djemë të talentuar, me përkushtimin e treguar në specialitete e tyre, në familje e shoqëri, po lartësojnë edhe më shumë emrin e Vagalatit, Buzit e Tepelenës.